Do të shpëtosh nga lufta, nga bombat ? Bëj një telefon në Skype, Evropës dhe zëri yt do të dëgjohet ! Kërkesa jote do të shqyrtohet dhe në rast se, ke shans të mos të të zëri bomba e radhës teksa pret përgjigjen nga krahu tjetër, ti do jesh njeri me fat ! Por, edhe nëse të zë bomba, prapë me fat do të jesh, se ndoshta ke shpëtuar njëherë e mirë nga kalvari pafund i vuajtjeve, që nuk varen nga ty, por nga vullnete politike shtetërore, vullnete rajonale dhe ndërkombëtare.
Kjo është risia e fundit, që po njeh kriza e rëndë e refugjatëve në Evropën e zhvillimit dhe modernizimit teknologjik. Azili me Skype ! Nuk e njeh këtë sistem ? Pa dije, nuk mund të ecësh përpara, sidomos kur je i bllokuar në burgun e Greqisë! Duhet të zhvillosh njohuritë në fushën teknologjike. Me vullnet, me kurajo arrihet gjithçka. Të zhvillosh njohuritë dixhitale, teksa nuk e kupton pse ndodhesh në burg, është një shans akademik, që nuk të vjen kaq kollaj në jetë ! Dhe pasi zhvillohesh intelektualisht në një nivel të përshtatshëm për të arritur standardet e kërkuara evropiane, atëherë duhet të kalosh në fazën e dytë, atë të kapjes së linjës ! Duhet të tregosh durim, vullnet sistematik, të patundur, të mos shfaqësh shenja lodhje fizike, apo shterimi mendor. Paralelisht të përpiqesh të mos tulatesh apo hutohesh mbi pyetje të çuditshme ekzistenciale, se përse ndodhesh në burg ! Shpëtove nga bombat, por ndodhesh në burg ?! Duhet thjesht të jesh i përqendruar, drejt objektivit: Të kapësh Evropën në linjë! Nuk të del linja ? Të përpiqesh sërish! Objektiv, që truri nuk duhet ta braktisë as gjatë natës!
(…)
“Sistemi i Skype-it është çmenduri ! Përpiqem të telefonoj çdo ditë. Përpiqem aq shumë, sa një natë pashë në ëndërr sikur po telefonoja në Skype!”
(Dëshmi e një siriani për Komitetin Ndërkombëtar të Shpëtimit)
(…)
Nëse gjendesh i izoluar në një kamp me qasje të kufizuar ndaj elektricitetit, telefonit, kompjuterit apo internetit, duhet të kesh aftësinë të kuptosh se kjo është thjesht çështje fati. Me të nuk mund të haesh ! Thjesht, je përplasur me një procedurë burokratike, mizore dhe të pakuptimtë.
Kriza e refugjatëve vazhdon të thellojë dhe të bjerrë çdo ditë vlerat e një Evrope humane. Vlera që po shkatërrohen, jo nga pamundësia për t’u përballur me këto flukse, as nga pamundësia për t’i administruar, mbajtur përkohësisht në territor dhe lënë hapur mundësinë për rikthimin në vendin e tyre, pas mbylljes së konfliktit, por nga kapriçot, tekat dhe egot e një Evrope, që nuk dëshiron të gjejë gjuhën e përbashkët.
Jo më larg se dje, listës së shtrëngesave dhe abuzimeve iu shtua edhe Austria. Vetëm pak ditë pas fitores së ekstremit të djathtë, në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Austri. Ligji i miratuar në parlamentin austriak, vlerësohet si nga më të ashprit, i një niveli me ligjin hungarez. Ligj, që do të imponojë bllokimin e refugjatëve në kufi, refuzim të shpejtë të azilkërkuesve sirianë, si edhe ashpërsim të procedurave të bashkimit familjar. Politika, që bien ndesh tërësisht me detyrimet e këtyre vendeve ndaj ligjeve humanitare ndërkombëtare si edhe ligjeve evropiane. Paralelisht me miratimin e këtij ligji, Austria kërkon të ngrejë gardhet me tela në kufirin me Italinë.
Ekstremi dhe politikat ekstremiste, po ndikojnë duke deformuar sërish panoramën demokratike të vendeve evropiane. Dhe politika e klasës tradicionale, në vendin e radhës, po gabon sërish. Po gabon, duke menduar se aplikimi i politikave të njëjta me ekstremin e djathtë, do të rikthejë elektoratin e humbur. Po gabon, duke menduar se elektorati duhet të rikthehet, me koston e lartë të deformimit të shtetit ligjor dhe politikave demokratike. Po gabon, kur mendon se elektorati do të preferojë “kopjen” përpara “origjinalit”. Por, duket se përpara humbjes së paralajmëruar, dhe kohës së kufizuar, logjika po operon nën filozofinë të shpëtojmë ç’të mundim, se “Hanibali është tek porta” ! /im.ta./DITA
