Azili, jemi apo s’jemi vend i sigurt origjine ?

redaktor

Unioni Evropian pritet që së shpejti të hartojë një listë me “vende të sigurta të origjinës” për sa i përket çështjes së azilkërkimit. Kjo listë pritet të përshijë si vendet e Ballkanit Perëndimor, ndër to edhe Shqipërinë, por edhe vende të tjera të mundshme si Pakistani, Bangladeshi, Senegali apo vende të tjera të kontinentit afrikan. Por, a është realisht Shqipëria një vend i sigurt ? A janë vende të sigurta Maqedonia, Kosova, Mali i Zi, Serbia, dhe Bosnjë-Hercegovina ? Ç’shqetësim shfaqet në lidhje me mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut në një këndvështrim më të gjerë ?

Nocioni i “vendeve të sigurta të origjinës” është futur në të drejtën evropiane nëpërmjet Direktivës së 1 dhjetorit 2005, e quajtur gjerësisht si direktiva “Procedura”. Kjo direktivë i autorizon shtetet anëtare të caktojnë vende të treta, si vende të sigurta të origjinës. Sipas kësaj direktive një kërkues azili, që i përket shteteve të klasifikuara si të “sigurta” prezumohet se është në siguri, se jeta e tij nuk kërcënohet në kundërshtim me kërkuesit e tjerë të azilit shtetas të vendeve, që nuk janë të klasifikuara si të sigurta.

Por, ka një shqetësim real që ngre ky koncept, që nuk lidhet me personat që abuzojnë për të kërkuar padrejtësisht mbrojtje nga ky status me natyrë ndërkombëtare, por që realisht i ikin kërcënimit dhe persekutimeve të formave të ndryshme. Ky koncept ka kohë, që atakohet nga organizatat e të drejtave të njeriut.

Sipas HRW, vetë ideja që përfaqëson koncepti “vende të sigurta” duke klasifikuar çdo person, që vjen nga këto vende se nuk ka nevojë për ndihmë dhe mbrojtje, është në kontradiktë të plotë me principin e së drejtës ndërkombëtare, sipas së cilit çdo kërkesë për azil duhet të ekzaminohet në mënyrë të detajuar dhe të thelluar. Këto organizata i bëjnë apel Unionit Evropian duke rikujtuar se, raportet vjetore të hartuara nga OJQ të ndryshme si edhe nga organizatat e mëdha ndërkombëtare, evidentojnë sistematikisht dhunime të së drejtës së njeriut pothuajse në të gjitha vendet.

Nga ana tjetër, ka një shqetesim që ngrihet ndaj diskriminimit, që do të kryhet bazuar në kombësi. Kjo, pasi përgjatë shqyrtimit të kërkesës për azil, aplikimi i principit të origjinës së vendit të sigurt, sjell automatikisht ndryshim në trajtimin dhe të drejtat e këtyre personave, që kanë kombësinë e vendeve të konsideruara si të tilla. Konventa në lidhje me statusin e refugjatëve (neni 3) 1951, ndalon çfarëdolloj diskriminimi për arsye të kombësisë. Në vetvete procesi rrezikon të shndërrohet në një sistem të gjerë hipokrizie, teksa nëpërmjet klasifikimit si “vende të sigurta” refuzimet do të jenë të një natyre automatike, por që gjithsesi, pavarësisht kësaj autoritetet e vendeve të BE-së do t’i kërkojnë azilkërkuesit që të deklarojë dhe të precizojë frikën e tij në rast të një rikthimi të mundshëm ?!

Gjurmët e kësaj hipokrizie shfaqen edhe tek elementë të tjerë, teksa Konventa ndalon kategorikisht përzënien e azilkërkuesve, por gjithsesi krijohen hapësira në bllok për përzënie në forma indirekte, nëpërmjet një procesi faktik dhe të thjeshtëzuar. Dhe në këtë procedim nuk rrezikohen personat, që kërkojnë mbrojtje të bazuar në arsye të paqena, por cenohen të drejtat e personave, që hapësira e tyre jetësore është e ekspozuar realisht përballë një rreziku.

Çka ndryshon në procesin e trajtimit të kërkesës së azilit është fakti që krijohet automatikisht një paragjykim në trajtimin e dosjes, nën specifikimin e kriterit “vend i sigurt”, dosja procedohet në mënyrë të përshpejtuar, hapësirat e kërkesës për mbrojtje ndërkombëtare nga ankuesi zbehen, apelimi e humbet fuqinë e pezullimit të vendimit refuzues të marrë nga instanca e parë, duke iu hapur rrugë refuzimit të shpejtë dhe rikthimit të tij, në vendin e sigurt të origjinës.

A është Shqipëria një vend i sigurt ?

Ndonëse direktiva e 1 dhjetorit 2015, krijonte hapësirë për hartimin e një liste evropiane me vende të sigurt të origjinës, deri më sot Unioni nuk ka mundur ta përpilojë atë. Adoptimi i një liste të përbashkët nuk shfaqet i thjeshtë teksa vendet ekspozojnë përplasje të ndryshme mbi klasifikimin apo kriteret, që do të përdoren në përzgjedhjen e këtyre vendeve, pa përjashtuar në këtë logjikë edhe interesat e tyre shtetërore.

Ministrat e Punëve të Brendshme të BE-së kanë që prej muajit korrik, që insistojnë në gjetjen e një fryme dhe përqasje të përbashkët mes vendeve anëtare, për klasifikim të përbashkët të vendeve, që mund të figurojnë në këtë listë.

Por, përplasjet jo vetëm janë të forta, por edhe me një natyrë konfliktuale. Konceptimi varion dhe ka thyerje edhe brenda vetë instancave kombëtare, pasi nëse autoritetet qeveritare apo Ministria e Brendshme e një vendi shpall listën me vende të sigurta, kjo listë pas ankimit në Këshillin e Shtetit refuzohet pjesërisht, ose në tërësi.

Një rast interesant paraqet Shqipëria, në logjikën e autoriteteve shtetërore të Francës dhe të Belgjikës.

Për Francën, Shqipëria është një “vend i sigurt origjine”. Ndonëse Franca, apo autoritetet qeveritare të saj e kishin vendosur Shqipërinë në listën e vendeve të sigurta, Këshilli i Shtetit në mars 2011 e heq Shqipërinë nga renditja në këtë listë. Por, situata sërish ndryshon dhe Shqipëria rifutet në listën e “vendeve të sigurta” (2014). Autoritetet franceze e bazojnë argumentin e tyre tek fakti se, vendi disponon institucione demokratike dhe është pjesë e Konventës Evropiane e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, dhe se që prej vitit 2009, Shqipëria është e lidhur me Unionin nëpërmjet Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit. Këshilli i Shtetit në Francë, që nuk pranoi heqjen e Shqipërisë nga kjo listë, vlerëson gjithashtu se, në Shqipëri janë ndërmarrë masa në luftën ndaj korrupsionit dhe se reformat e legjislacionit penal dhe civil të vitit 2012-2013 janë të natyrës për të përforcuar mbrojtjen e lirive themelore. Elementët e mësipërm, sipas juridiksionit më të lartë administrativ të Francës, tregojnë një konsolidim të procesit demokratik, pavarësisht vështirësive, që hasen në luftën e pushtetit publik ndaj krimit të organizuar dhe si rrjedhojë Shqipëria duhet të figurojë në listën e vendeve të sigurta.

Por, Belgjika ka tërësisht një konceptim të ndryshëm mbi këtë situatë. Këshilli i Shtetit në Belgjikë (2014) e ka hequr Shqipërinë nga lista e vendeve të sigurta, pavarësisht vendosjes së saj paraprakisht nga autoritetet qeveritare. Një sërë organizmash të të drejtave të njeriut, pasi e fituan kauzën e tyre para Gjykatës Kushtetuese, arritën të triumfojnë pjesërisht edhe në Këshill të Shtetit, duke arritur të heqin Shqipërinë nga lista e vendeve të sigurta. Logjika e juridiksionit më të lartë belg paraqet si argument ndër të tjera edhe faktin, se statistikat e njohjes së statusit të refugjatëve ndaj Shqipërisë, sidomos gjatë vitit 2012 janë të larta, çka bien ndesh me logjikën e konsiderimit të Shqipërisë si një “vend i sigurt”.

Por, kjo përplasje mes shteteve dhe konceptimeve të tyre juridike shfaqet i njëjtë edhe ndaj Kosovës. Tek, Belgjika dhe Këshilli i Shtetit belg konfirmon lënien e Kosovës në listën e “vendeve të sigurta”, Franca dhe Këshilli i Shtetit francez, tek konfirmojnë qëndrimin e Shqipërisë në listë, heqin prej saj Kosovën. Nën argumentin e bazuar tek paqëndrueshmëria e kontekstit politik dhe social në këtë shtet, institucionet e të cilit janë gjerësisht të varura nga mbështetja e organizatave dhe misioneve ndërkombëtare. Këshilli i Shtetit i Francës, nënvizon gjithashtu dhunën ndaj të cilës janë të ekspozuara disa kategori të popullatës, pa garancinë e gjetjes pranë autoriteteve publike, të mbrojtjes së nevojshme.

Rasti i Shqipërisë, nën këndvështrimet e ndryshme mes Francës dhe Belgjikës shërben si kampion për të pasqyruar situatën e përplasjeve qeveritare  dhe instancave juridike kombëtare në konceptim, hartim dhe kategorizim të kritereve dhe vendeve, që mund të bëjnë pjesë në këtë listë. Ndonëse gjetja e një konsensusi mes vendeve anëtare historikisht ka kaluar në faza jo pak të komplikuara, një vlerë shumë të rëndësishme para aksioneve që pritet të aktualizohen së shpejti nga Unioni, merr apeli i fortë që vjen nga organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Ato i bëjnë thirrje Unionit, se përpara se të vrapojë për të ngushtuar hapësirat ndaj refugjatëve në nevojë, duke nxituar në hartime listash “vendesh të sigurta” është më mirë që të krijojë fillimisht një listë “me vende të pasigurta”, shtetasit e të cilëve kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare. Në këtë mënyrë BE do të mundësojë, zvogëlimin e vonesave të shumta në sistemin e azilit dhe harmonizimin e përqasjes së qeverive të Unionit ndaj grupeve kombëtare në risk. Fatkeqësisht, BE është fokusuar vetëm në miratimin e shpejtë të një liste me “vende të sigurta” me prezumimin e fortë për të mohuar aplikimet e azilit nga kombasit e tyre./im.ta/

 

 

 

 

 

 

Share This Article