Ballkani, Arena e Re e Përplasjeve të Vjetra

redaktor

13 vite kanë kaluar nga angazhimi dhe premtimi evropian i Samitit të Selanikut, për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE. Në vitin 2014, Komisioni Evropian, deklaroi ndalimin pesë vjeçar të zgjerimit. Një ndalim, që edhe pse dukej sikur ishte një politikë në tërësi ndaj çdo vend,i që aspironte anëtarësimin, ai në fakt i drejtohej vetëm Ballkanit Perëndimor. Kjo pasi nga njëra anë, Islanda me ardhjen e qeverisë së re, në maj të vitit 2013, ngriu negociatat e aderimit, duke e bërë të qartë tërheqjen e saj nga procesi. Nga ana tjetër Turqia, është një kandidaturë që ka aq shumë pengesa nga vendet anëtare, sa tashmë ekziston një ndërgjegjësim i plotë se, anëtarësimi i saj është thuajse një proces i pamundur.

Po në ç’fazë ndodhen vendet e Ballkanit Perëndimor në procesin e tyre për t’u bërë një ditë vend anëtar i BE ?

Mali i Zi është modeli dhe shembulli i rajonit. Deri në këto momente ka arritur të hapë 24 kapituj negocimi, nga 35 të tilla dhe ka mbyllur përkohësisht vetëm dy prej tyre. Në ndryshim nga të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor, ai nuk ka asnjë lloj pengese nga vendet e tjera anëtare drejt anëtarësimit evropian, as ndonjë problem me fqinjët e tij dhe as ndonjë çështje të veçantë, që mund t’i shfaqet në formë kushtëzimi. Pas modelit malazez, vjen Serbia. Negociatat janë hapur formalisht në vitin 2014 dhe në vitin 2015 kemi dhe hapjen e kapitujve të parë të negocimit, një ndër të cilët është edhe Kapitulli 35, që lidhet me çështjen e pazgjidhur të Kosovës. Ndërkohë, Serbia është ftuar të përgatisë pozicionet negociuese edhe për dy kapituj të tjerë, atë mbi Politikat e Transportit dhe kapitullin mbi Rrjetet Trans-Evropiane.

Pas Malit të Zi dhe Serbisë, kemi të pozicionuar Maqedoninë dhe Shqipërinë. Të dyja kanë statusin e vendit kandidat. Maqedonia e zotëron këtë status që prej vitit 2005, por gjendet tashmë, prej më shumë se një dekade e bllokuar nga Greqia, për shkak të çështjes së pazgjidhur të emrit. Shqipëria e ka marrë këtë status në vitin 2014 dhe aktualisht shpreson në hapjen e negociatave të anëtarësimit, pas miratimit të reformës së shumë diskutuar mbi drejtësinë.

Më mbrapa në këtë proces shfaqen Bosnjë-Hercegovina dhe Kosova. Bosnja arriti të zhbllokojë situatën me një qasje të re, që u ofrua nga BE, me fokus mbi ekonominë. Dhe dorëzoi aplikimin e saj në muajin shkurt të këtij viti, për të bërë të mundur marrjen e statusit të vendit kandidat. Ndërsa Kosova, arriti objektivin e saj për futjen në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, në muajin prill të këtij viti (2016) dhe është i vetmi vend në rajon që nuk gëzon ende lirinë e udhëtimit pa viza. Në muajin maj, të po këtij viti Komisioni  Evropian propozoi udhëtimin e lirë pa viza për qytetarët kosovarë. Por, e ofroi të kushtëzuar atë me ratifikimin e marrëveshjes mbi demarkacionin kufitar me Malin e Zi dhe në përmirësimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Barriera kryesore e integrimit evropian të Kosovës shfaqet tek fakti, që 5 vende anëtare të Unionit, nuk e njohin pavarësinë e saj.

Arenë përplasjesh

Në të gjithë historikun e BE, Ballkani Perëndimor, po përballet me kritere dhe standarde nga më të përforcuarit. Përforcime, që kanë shkaktuar në vetvete një komplikim dhe ngadalësim të procesit. Dhe këtij ngadalësimi i shtohet edhe luhatja, apo paqëndrueshmëria e vullnetit politik, që ka dalë haptazi jashtë shinave të angazhimit evropian të Samitit të Selanikut (2003). Jo vetëm me bllokimin pesëvjeçar të zgjerimit, por kemi edhe një sërë zërash kritikë, që e vlerësojnë procesin paralel, të nisur me Konferencën e Berlinit, si të papërshtatshëm dhe të reduktuar në disa projekte bashkëpunimi ekonomik rajonal, duke e shkëputur nga thelbi i integrimit evropian.

Paralelisht me përforcimin e kritereve dhe të mekanizmave, që shoqërojnë zgjerimin drejt Ballkanit Perëndimor, kemi (me përjashtim të Shqipërisë) edhe një lloj rënie të popullaritetit të BE në rajon. Të kombinuar, këta faktorë kanë krijuar një boshllëk, që po përpiqet të mbushet nga konkurrentët ideologjikë dhe rivalët e BE në rajon, sa nëpërmjet imponimit të interesave të tyre, por edhe nëpërmjet një joshje, që shfaqet si rivalitet i hapur ndaj alternativës evropiane.

Nga njëra anë, realiteti i Ballkanit, i gjendur historikisht në kufijtë e bashkimit të tre perandorive të mëdha, ka qenë pareshtur në fokusin e konkurrencës mes Fuqive të Mëdha dhe nga ana tjetër, rivalitetet gjeopolitike dhe mosmarrëveshjet lokale në rajon, kanë formuar historikisht një kombinim shpërthyes, duke nxituar sa konflikte ushtarake, siç do të ishte Lufta e Parë Botërore, por edhe një sërë konfliktesh të armatosura me pasoja të rënda në Ballkan.

Me krizën e Ukrainës, që filloi në vitin 2013 dhe u pasua me aneksimin e Krimesë nga Rusia dhe pjesëmarrjen e saj në luftën civile në Ukrainën lindore, kemi edhe një përkeqësim të marrëdhënieve të Rusisë me Perëndimin. Dhe në këtë klimë përkeqësimi, Ballkani Perëndimor, do ta gjente veten sërish të ekspozuar, në arenën e ambicieve për dominim.

Rusia, e ka pozicionuar vetveten në ambicie të padiskutueshme të ruajtjes dhe zgjerimit të influencës së saj në Ballkan. Roli i saj vjen i strukturuar, sa nëpërmjet influencës në rritje ekonomike, bashkëpunimeve në fushën e mbrojtjes, por edhe mbështetjeve politike. Duke mos nënvlerësuar edhe financimet aspak transparente, ndaj segmenteve dhe forcave anti-evropiane në rajon. Serbia si edhe Republika Srpska, janë dy pikat kyçe të dominimit dhe influencës së saj në rritje, që ndikohet jo vetëm për hir të lidhjeve tradicionalisht të ngushta historike, por edhe për hir të shumicës së opinionit publik në këto vende, që e shikon Rusinë si një partner më të besueshëm dhe më të dëshiruar se, sa BE. Kjo influencë, që vjen nga Rusia është e orientuar jo vetëm tek ndalja e mëtejshme e zgjerimit të Aleancës Atlantike në Ballkan, por edhe ndaj frenimit të zgjerimit të mëtejshëm të integrimit evropian. Edhe pse, ambicia për ndalimin e këtyre zgjerimeve mund të rezultojë jo e suksesshme, pesha e influencës që ajo ushtron në këto vende, nuk mund  të neglizhohet.

Në dhjetor të vitit 2015, NATO i ofroi një ftesë zyrtare për anëtarësim Malit të Zi, çka mund të përshpejtojë procesin e anëtarësimit të tij në BE, siç ndodhi edhe me anëtarësimet e vendeve lindore dhe qendrore përgjatë zgjerimeve të 2004 dhe 2007, që i përkisnin ish-kampit komunist. Por, influencat e Rusisë shfaqen të forta, duke shkaktuar edhe një lloj ndarje të brendshme në politikën malazeze, ku një pjesë e opozitës e kundërshton hapur anëtarësim e mundshëm në NATO. Deklaratat e Rusisë, jo vetëm kundërshtojnë anëtarësimin e Malit të Zi, por edhe çdo lloj zgjerimi tjetër të mundshëm të Aleancës së Atlantikut, duke paralajmëruar mbi rrezikun e mundshëm të një “Lufte të Re të Ftohtë”.

Përveç Rusisë, influencë në rritje në Ballkan kanë shfaqur edhe Kina, Turqia si edhe Emiratet Arabe. Influencë, që shtrihet në nivel tregtie dhe investimi, por që e gjejmë të përhapur edhe nëpërmjet financimeve në fusha të ndryshme, të jetës sociale dhe politike të këtyre vendeve.

Turqia ka lidhjet e saj kulturore dhe interesat e saj ekonomikë në Ballkan, por aktualisht vlerësohet se, i mungojnë burimet dhe pushteti ushtarak, për të rivalizuar Rusinë apo Perëndimin. Influenca e saj shikohet të jetë në rritje, kryesisht në Bosnjë-Hercegovinë, për hir të lidhjeve historike dhe kulturore. Migrimi i boshnjakëve myslimanë në Turqi që prej shekullit të XVII, ka çuar në krijimin e disa milionë qytetarësh turq, që deklarojnë sot rrënjët e tyre boshnjake. Është pikërisht kjo lidhje e fortë, që e ka shndërruar Turqinë ndër 5 investitorët më të mëdhenj të Bosnjës, edhe pse konsiderohet se, nuk mund të arrijë nivelet e financimeve të pushteteve Perëndimore, apo ato të angazhuara nga Rusia në rajon. Nëse gazsjellësi turk do të arrijë të ndërtohet, pushteti i Turqisë vlerësohet se do të jetë në rritje, sidomos në marrëdhëniet e saj me vende si Maqedonia dhe Serbia.

Përtej bagazheve të rënda historike, të një rajoni të ngarkuar me luftëra, përgjakje, konflikte dhe tensione, Ballkani Perëndimor po gjendet sërish, mes dritë-hijeve të Fuqive të Mëdha, në një ringjallje interesash, për dominim dhe influencë. Mes përpjekjesh për qëndrueshmëri dhe stabilitet, ai po vuan padrejtësisht shmangien e angazhimit të qartë evropian, për integrimin sa më shpejt të tij në BE. Për më tepër, ai po vuan edhe pasojat e krizave, që kanë pushtuar prej kohësh BE, duke filluar nga kriza e refugjatëve, kriza ekonomike, mungesa e koherencës së brendshme politike evropiane, rritja e ekstremeve të djathta, apo edhe ikja e Britanisë së Madhe. Mungesa e perspektivës së një anëtarësimi të shpejtë të Ballkanit në BE, në kohëra pasigurish ndërkombëtare, në thelb, shfaqet si mungesë e qartë vizioni gjeopolitik. Nuk duhet harruar se, ishte pikërisht ky vizion, që bëri të mundur zgjerimet drejt Evropës Qendrore dhe Lindore të vitit 2004 dhe 2007. Evropa nuk duhet të harrojë se, filozofia e “lodhjes së zgjerimit”, rrezikon të lodhë edhe reformimin në Ballkan. Si rrjedhojë, nevoja për një angazhim të ri dhe ripërtëritje të rrugës dhe perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, shfaqet si domosdoshmëri absolute./Im.Ta./DITA

Share This Article