Fryma e re politike që solli Komisioni Junker nuk ishte shumë inkurajuese ndaj dosjes së zgjerimit. Zgjerimi u deklarua i bllokuar për 5 vitet në vijim dhe posti i Komisionerit të Zgjerimit u reduktua vetëm ndaj politikave të fqinjësisë dhe negociatave të zgjerimit. Por, një sërë dinamikash sa në arenën e brendshme të vendeve në proces zgjerimi, por edhe influencave të jashtme, që njohën rritje të presionit të tyre, shkaktuan një rikthim të vëmendjes, sidomos ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor. Si shfaqet ky bilanc evropian i politikave të zgjerimit në mbyllje të këtij viti ?
Shqipëria
Progresi i Shqipërisë vlerësohet i qëndrueshëm në adresimin e pesë prioriteteve kyçe për hapjen e negociatave të aderimit. Konkluzionet e Këshillit të 15 dhjetorit 2015, theksojnë se ky progres është i qëndrueshëm, në veçanti ndaj reformës në administratën publike dhe në përgatitjet për reformën në sistemin e drejtësisë, duke e inkurajuar Shqipërinë të vazhdojë përpjekjet e saj.
Një vëmendje e veçantë shkon ndaj miratimit të paketës së reformës gjyqësore, si edhe progresit të mëtejshëm, me synim krijimin e një historiku solid të hetimeve pro-aktive, ndjekjeve penale dhe dënimeve përfundimtare, në të gjitha nivelet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke përfshirë edhe luftën kundër trafikut të armëve dhe të drogës.
Reforma në drejtësi duket se po shndërrohet në pikën kyçe për vlerësimin real të progresit të Shqipërisë, pasi gjykohet se kjo reformë mund të jetë transformuese edhe për reforma të tjera që i nevojiten vendit. Por një vëmendje në rritje kërkohet edhe ndaj nevojës për masa efektive legjislative dhe politikave për përforcimin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, politikave anti-diskriminuese, trajtim të barabartë të gjithë minoriteteve si edhe zbatimin e të drejtave pronësore.
Vazhdimi i procesit të dekriminalizimit, vlerësohet gjithashtu i rëndësishëm për rritjen e besimit të qytetarëve ndaj institucioneve publike dhe përfaqësuesve të tyre politikë. Reformat ekonomike me synim rritjen e konkurrencës duhet që të vazhdojnë, njëkohësisht edhe adresimi i nivelit të lartë të informalitetit në ekonomi, dhe përmirësimi i klimës së biznesit dhe mjedisit të investimeve, ku nevojiten përpjekje të mëtejshme. Bashkëpunimi rajonal i Shqipërisë vlerësohet si konstruktiv, si edhe harmonizimi i plotë i qëndrimeve të saj me Politikat e Jashtme dhe të Sigurisë së BE.
Por, një dialog konstruktiv dhe i qëndrueshëm mes qeverisë dhe opozitës për reformat që kërkohen nga BE, konsiderohet si një element jetik për përparimin drejt BE-së.
Ndërkohë paralelisht me vlerësimet, vërejtjet dhe konstatimet evropiane, mbi progresin dhe problematikat shqiptare, mbart një rëndësi të veçantë edhe qasja e opinionit publik ndaj BE-së dhe politikave evropiane.
Sipas Eurobarometrit të fundit EB84, të zhvilluar përgjatë muajit nëntor, opinioni publik shqiptar vazhdon të ketë qasjen më proevropiane në krahasim me të gjithë fqinjët e tij.
Në një shumicë prej 73% qytetarë shqiptarë janë shprehur se kanë një imazh pozitiv për BE-në; 83% e tyre mendojnë se zëri i BE-së llogaritet në botë; 84% e tyre mendojnë gjithashtu se anëtarësimi është një gjë e mirë për vendin; 94% e tyre mendojnë se vendi do të përfitojë nga të qenurit pjesë e Unionit; 54% e tyre deklarojnë se diskutojnë në mënyrë okazionale me të afërmit e tyre mbi BE-në; 53% shprehen se BE për to përfaqëson liri për të udhëtuar, studiuar dhe punuar; 77% e të pyeturve (një nga përqindjet më të larta në rajon), priren t’i besojnë Parlamentit Evropian; ndonëse skepticizmi është i lartë në rajon, 70% e të pyeturve shqiptarë, shprehen gjithashtu se priren t’i besojnë Komisionit Evropian.
Por, krahas këtij qëndrimi të dukshëm proevropian, si renditen njohuritë e qytetarëve shqiptarë ndaj BE-së ?
Ndonëse 90% e të pyeturve janë shprehur se kanë dëgjuar për Parlamentin Evropian, ato në një shumicë prej 55% nuk e dinë se, eurodeputetët zgjidhen direkt nga populli. Edhe pse shprehen saktë (71%) se, BE përbëhet nga 28 vende, ato ngelen prapa të gjithë vendeve të rajonit në lidhje me mosnjohjen e faktit se Zvicra nuk bën pjesë në BE ( 58%). Ato shprehen gjithashtu në një shumicë të lartë prej (66%) se e kuptojnë se, si BE funksionon, ndërkohë që përqindja e njohjes së funksionimit të saj në tërësi në BE-28, është vetëm e një niveli prej 55%.
Shqipëria synon hapjen e negociatave, mundësisht vitin e ardhshëm. Hapja e negociatave, në parim kryhet pas vlerësimit që duhet të jap Komisioni Evropian mbi realizimin e pesë prioriteteve kyçe, që kërkohen si edhe në tërësi me përputhjen e kritereve të anëtarësimit. Këshilli ka ftuar Komisionin që tej raportit vjetor të progresit për vitin 2016, të përpilojë një raport, ku të raportohet në një mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të hollësishme, progresi i Shqipërisë në prioritetet kyçe. Gjithsesi, duhet marrë parasysh fakti se ky proces nuk është automatik, pra edhe nëse Shqipëria i ka plotësuar 5 prioritetet kyçe dhe vlerësohet se është në përputhje tërësore me kriteret e anëtarësimit, duke bërë që Komisioni Evropian të rekomandojë hapjen e negociatave, kjo sërish do të varet nga vullneti i vendeve anëtare, pasi procedura kërkon votim me unanimitet. Nuk duhet harruar se Komisioni Evropian ka rekomanduar për të nëntën herë hapjen e negociatave me Maqedoninë dhe bllokimi i një vendi anëtar në votim, e bën të pamundur hapjen e tyre. Por, eksperienca e Malit të Zi, tregoi se, pas marrjes së statusit kandidat në dhjetor të vitit 2010, u arrit në një kohë të shkurtër hapja e negociatave, në qershor të vitit 2012. Serbia gjithashtu u shpall vend kandidat në mars të vitit 2012 dhe në qershor të vitit 2013 Këshilli Evropian pranoi rekomandimin e Komisionit për hapjen e negociatave me Serbinë. Gjithsesi, realizimi i pesë prioriteteve kyçe ngelet objektivi kryesor, ndër to me rëndësinë më të spikatur dhe thelbësore reforma në drejtësi.
Serbia
Serbia arriti vetëm para pak kohësh të hapë kapitujt e parë të negocimit të anëtarësimit në BE, Kapitullin 22, Kontrolli Financiar dhe Kapitulli 35 Çështje të tjera, ku është përfshirë edhe Normalizimi i Marrëdhënieve me Kosovën.
Konkluzionet e Këshillit të dhjetorit 2015 e vlerësuan Serbinë se ka ecur me hapa të mëdha, që çuan në hapjen e kapitujve përkatës. Vlerësimet pozitive shkojnë njëkohësisht edhe ndaj dorëzimit të planeve të veprimit për hapjen e kapitujve të tjerë si, ai mbi Gjyqësorin dhe të Drejtat Themelore, por dhe kapitulli mbi Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë.
Serbia inkurajohet gjithashtu të mbajë ritmin aktual të progresit dhe të intensifikojë reformat legjislative dhe zbatimin e tyre efektiv në fushat kyçe të reformës gjyqësore, luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe lirinë e shprehjes dhe të medieve. Vëmendje e veçantë kërkohet që t’i kushtohet respektimit të plotë të të drejtave themelore, duke përfshirë mbrojtjen e grupeve më vulnerabël, veçanërisht të romëve, si edhe zbatim efektiv të legjislacionit për mbrojtjen e pakicave, trajtim jo-diskriminues të pakicave kombëtare, përfshirë edhe në fushën e arsimit, përdorimin e gjuhëve të pakicave, qasjen në media dhe shërbimet fetare në gjuhët e pakicave, si dhe trajtimin e diskriminimit në bazë të orientimit seksual, ose identitetit gjinor. Progres i mëtejshëm është i nevojshëm edhe në fushat e pavarësisë së institucioneve demokratike, administratës publike, si dhe në zhvillimin e një ekonomie tregu funksionale dhe përmirësimin e mjedisit të biznesit.
Në lidhje me Kosovën, është mirëpritur progresi domethënës në thjeshtëzimin e dialogut, duke u theksuar veçanërisht marrëveshjet e 25 gushtit. Por, kërkohet implementim i plotë i pjesëve të tyre dhe një angazhim konstruktiv me Kosovën në formulimin dhe implementimin e marrëveshjeve të ardhshme. Monitorimi mbi normalizimin e marrëdhënieve do të vazhdojë, me synim përparimin drejt perspektivës evropiane si edhe shmangja e bllokimit të mundshëm në këto përpjekje ndaj njëra-tjetrës. Është i rëndësishëm fakti, se procesi i normalizimit të marrëdhënieve, i përfshirë në Kapitullin 35, do të vazhdojë paralelisht përgjatë gjithë kohës me përparimin në negociatat e anëtarësimit me Serbinë, ku pritet të jetë edhe një nga kapitujt e fundit, që mund të mbyllet.
Roli i Serbisë na rajon vlerësohet të jetë gjithnjë e më shumë konstruktiv, por theksi vihet te domosdoshmëria për të forcuar marrëdhëniet e mira fqinjësore.
Serbisë i kërkohet gjithashtu që të harmonizojë gradualisht qëndrimet e saj me qëndrimet e BE-së, në fushën e Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë. Nuk duhet harruar se, ndonëse Serbisë iu hap drita jeshile për çeljen e procesit të negociatave që në qershor të vitit 2013, ato po zvarriteshin dhe kapitujt e parë u hapën vetëm para pak kohësh, në dhjetor të 2015. Një nga arsyet e vlerësuara për bllokimin e tyre, shkonte drejt presionit që po kryhej në mënyrë që Serbia të njehsonte politikën e saj të jashtme me atë të Unionit, kryesisht në marrëdhënien me Rusinë, por vonesa dukej se lidhej edhe me presionet për përfshirjen e çështjes së Kosovës në kapitullin 35, dhe trajtimin e saj konstant përgjatë gjithë procesit të negociatave.
Mali i Zi
Progresi i Malit të Zi është ekzemplar, i pareshtur duke çuar në një numër të lartë kapitujsh të hapur (22/35). Kuadri ligjor në fushën e sundimit të ligjit vlerësohet si pozitiv, por priten rezultate konkrete, veçanërisht në krijimin e një historiku solid në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kërkohen përpjekje të mëtejshme për të garantuar lirinë e shprehjes dhe të medieve, për vijimësi në reformën e administratës publike, për përforcim të mëtejshëm në pavarësinë e institucioneve, si edhe mbi përmirësimin e klimës së biznesit.
Këshilli në konkluzionet e fundit të tij, i bën thirrje partive politike, që të tregojnë përgjegjësi dhe të riangazhohen në një dialog konstruktiv, me parlamentin si forumin kryesor të debatit politik. Si edhe për të siguruar zbatimin e plotë të legjislacionit të ri zgjedhor.
Bashkëpunimi rajonal i Malit të Zi konsiderohet të jetë pozitiv dhe konstruktiv dhe ky vlerësim ngelet i njëjtë edhe në lidhje me harmonizimin e qëndrimeve në fushën e politikës së jashtme me ato të Unionit. Ky progres pritet të shënojë së shpejti edhe hapje të kapitujve të tjerë të negociatave.
Qeveria malazeze ka shpallur ambicien e saj për anëtarësim të shpejtë të Malit të Zi në Union në vitin 2020 dhe vendi pritet ndoshta të jetë shumë shpejt anëtari i 29 i BE-së.
Maqedonia
Ndonëse vend kandidat që prej vitit 2005, Maqedonia është prej një dekade e bllokuar në një proces për gjetjen e zgjidhjes së çështjes së emrit me Greqinë. E rekomanduar sistematikisht nga Komisioni Evropian për çelje të negociatave, procesi shfaqet tërësisht i bllokuar nga veto greke. Gjithsesi, në konkluzionet e këtij fundviti, Këshilli ripohon angazhimin e tij të qartë në procesin e anëtarësimit të Maqedonisë në Bashkimin Evropian.
Sigurisht që shqetësimet e larta shkojnë drejt përkeqësimit të situatës politike në vend, kulturës së përçarjes politike, mungesës së kompromisit, shqetësimi mbi lirinë e shprehjes dhe pavarësisë së gjyqësorit, si edhe erozionit të mëtejshëm të besimit ndaj institucioneve publike.
Marrëveshja e qershor/korrikut dhe hapat për zbatimin e saj vlerësohen të mirëpritura, si edhe kthimi i opozitës në parlament dhe miratimi i ndryshimeve në kodin zgjedhor, por kërkohet zbatim i plotë dhe konstruktiv i saj nga të gjithë palët, sipas objektivave të paracaktuar, në interes të vendit dhe të qytetarëve të tij. Çka kërkohet gjithashtu nga Maqedonia, është që zgjedhjet e vitit 2016, të zhvillohen sipas parimeve dhe standardeve ndërkombëtare, në përputhje të plotë me rekomandimet e OSBE/ODHIR.
Ka një vëmendje të veçantë për rëndësinë e kryerjes së një hetimi të plotë dhe të pavarur, pa pengesa, mbi përgjimet e bëra publike dhe akuzat që ato shfaqin, dhe vlerësohet i mirëpritur caktimi i Prokurorit Special dhe krijimi i Komisionit Hetimor Parlamentar mbi këtë çështje.
Në lidhje me ngjarjet e Kumanovës (9-10 majit 2015) kërkohet një hetim i plotë i tyre, në mënyrë objektive dhe të pavarur.
Por, shfaqet gjithashtu e rëndësishme që të gjitha palët të respektojnë angazhimet e tyre për të zbatuar reformat urgjente prioritare, për të adresuar çështjet sistematike të sundimit të ligjit, duke përfshirë dhunimin e të drejtave themelore, pavarësinë e gjyqësorit, lirinë e medias, zgjedhjet, korrupsionin, politizimin e institucioneve shtetërore, dhe dështimin e mbikëqyrjeve së tyre. Pritet gjithashtu që të ketë një monitorim të ngushtë nga Komisioni Evropian, në kuadrin e Dialogut të Aderimit të Nivelit të Lartë, në lidhje me vlerësimin e dështimeve sistematike në fushën e drejtësisë, korrupsionit, të drejtave themelore dhe punëve të brendshme.
Edhe shqyrtimi i Marrëveshjes kornizë të Ohrit kërkohet që të përfundojë shpejt dhe që rekomandimet e tij të zbatohen.
Por, sërish çështja e emrit me Greqinë, shfaqet si një pengesë në kuadrin e marrëdhënieve të mira fqinjësore. Konkluzionet e Këshillit theksojnë se, duhet të paraqitet një konkluzion përfundimtar, pa vonesë, në lidhje me çështjen e zgjidhjes së emrit me Greqinë. Gjithsesi, rekomandimeve sistematike të Komisionit për çelje të negociatave, pritet që t’i shtohen edhe kushtëzimet për zbatimin e vazhdueshëm të marrëveshjes politike të Qershor/Korrikut dhe progresit thelbësor në zbatimin e prioriteteve të reformave urgjente. Vlerësimi i radhës pritet të kryhet pas zgjedhjeve të prillit, i përqendruar edhe mbi kushtëzimet e specifikuara.
Bosnjë-Hercegovina
Pas bllokimit që Unioni i kishte bërë Bosnjës, nëpërmjet kushtëzimit për të implementuar në të drejtën kombëtare vendime, që buronin nga GJEDNJ (Sejdic-Finci) kemi një zhbllokim të situatës duke e zhvendosur këtë kushtëzim, në një hark të mëtejshëm kohor. Gjithsesi, kërkesat për zbatimin e këtij vendimi, i shohim të rishfaqura sërish, si kusht, përgjatë vlerësimit, që duhet të japë Komisioni në rast, se vendi do të aplikojë për anëtarësim.
Pas marrëveshjeve të kryera, që lidheshin me realizimin e një sërë reformash të nevojshme në vend, kemi dhe një frymë evropiane më pozitive ndaj Bosnjës. Konkluzionet e fundit të Këshillit vlerësojnë se, Bosnja tashmë është rikthyer në rrugën e reformave për përparimin e vendit drejt BE-së, duke kërkuar gjithashtu të mbahet ky vrull pozitiv për kryerjen e mëtejshme të reformave. Një përparim kuptimplotë në zbatimin e axhendës së reformave të kërkuara, duket se do të jetë edhe çelësi që do të çojë Bosnjën drejt një kërkesë aplikuese për anëtarësim në Union. Reforma, që prekin fushën e sundimit të ligjit, luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformën e administratës publike, si edhe reformat e tjera sociale-ekonomike.
Ndër të tjera, kërkohet edhe krijimi i shpejtë i një mekanizmi koordinues mbi çështjet e BE-së, që do të jetë i nevojshëm për vendin, për të përballuar sfidat në rrugën e integrimit. Ky progres do t’i hapë rrugën edhe përfitimit të plotë të vendit nga fondet në dispozicion të BE-së. Por, ka dhe një shqetësimi serioz evropian të shprehur, që lidhet me përgatitjet për të mbajtur një referendum në Republikën Srpska, pasi mbajtja e këtij referendumi sfidon kohezionin, sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjës, si edhe rrezikon të minojë përpjekjet për të përmirësuar situatën socio-ekonomike të të gjithë qytetarëve të Bosnjës si edhe progresin drejt integrimit evropian.
Gjithsesi, në tërësi situata në lidhje me integrimin evropian të Bosnjës, merr një vlerë të veçantë pas zhbllokimit të fundit të ngërçit në nivel evropian dhe hyrjes në fuqi të MSA-së, pavarësisht se vendi përballet me një sërë sfidash për hir edhe të kompleksitetit të veçantë, që paraqet në vetvete.
Kosova
Nënshkrimi i fundit i Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, pritet të shoqërohet me hyrjen e saj në fuqi si edhe zbatimin. Ndërkohë, procesi i liberalizimit të vizave është shoqëruar me një sërë kriteresh, që duhen plotësuar, pavarësisht zërave kontestues në skenën politike kosovare dhe padurimit në rritje.
Vendimi për krijimin e dhomave të specializuara, konsiderohet shumë i mirëpritur, duke kërkuar gjithashtu që Kosova të plotësojë të gjithë procedurat pa vonesë të mëtejshme, në mënyrë që këto dhoma të mund të funksionojnë sa më shpejt të jetë e mundur.
Bllokimi politik shikohet si një situatë, që duhet të zgjidhet në mënyrë urgjente. Qëndrimi evropian është kundër përdorimit të dhunës, veçanërisht për arsye politike, dhe se pengimi i parlamentit nga forcat opozitare, duhet të reshtë. Thirrjet shkojnë drejt respektimit të sundimit të ligjit, respektim të jetës parlamentare sipas rregullave dhe procedurave në fuqi. Të gjitha palët e interesuara duhet të adresojnë sfidat, si pjesë e një përpjekje të përbashkët përmes dialogut politik, dhe të angazhohen me shpejtësi për zbatimin e të gjitha aspekteve të axhendës së reformave evropiane të Kosovës.
Në fakt, ajo që kërkohet është që Kosova të ketë një përqendrim të lartë në zbatimin e reformave të gjithanshme, të nevojshme për të përmbushur detyrimet e saj, sipas MSA-së së nënshkruar. Vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet përmirësimit të sundimit të ligjit, duke përfshirë edhe pavarësinë e gjyqësorit. Sfidat e Kosovës shtrihen ndaj intensifikimit të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndërtimit të një historiku të ndjekjeve penale të suksesshme, sidomos në rastet e profilit të lartë. Një sërë reformash të rëndësishme, të tilla si reforma zgjedhore dhe reforma e administratës publike, kërkohet që të ndërmerren në prioritet. Sfidat e tjera shtrihen ndaj promovim efektiv dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut, duke përfshirë edhe mbrojtjen e plotë të trashëgimisë kulturore dhe fetare.
BE thekson se, do të vazhdojë të mbështesë zhvillimin socio-ekonomik të Kosovës, si pjesë e axhendës së saj të reformave evropiane, përfshirë këtu edhe nëpërmjet ndihmës financiare dhe teknike. Këshilli inkurajon gjithashtu Kosovën që të përdorë Programin e Reformës Ekonomike 2016, si një platformë për rritje ekonomike dhe punësim.
Në lidhje me normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, vlerësohet progresi i arritur, kryesisht ndaj marrëveshjeve të kryera më 25 gusht. Po ashtu si edhe ndaj Serbisë, kërkohet që Kosova të zbatojë me shpejtësi implementimin e marrëveshjeve dhe pjesëve të tyre dhe të angazhohet në mënyrë konstruktive me Serbinë, në formulimin dhe zbatimin e marrëveshjeve të ardhshme.
Si edhe në rastin me Serbinë, monitorimi evropian mbi angazhimin e Kosovës në këtë proces do të vazhdojë, me qëllim avancimin e mëtejshëm mes palëve, por edhe për të evituar bllokimin, që mund t’i shkaktojnë njëra-tjetrës në rrugën e integrimit evropian. Përveç monitorimit për të dy palët, angazhimi i Kosovës në këtë proces, shfaqet edhe si një parim themelor i MSA-së, dhe mbështet zhvillimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit mes BE-së dhe Kosovës. Kosova kërkohet gjithashtu që të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë dhe në mënyrë efektive me EULEX-in dhe të kontribuojë aktivisht në ekzekutimin e plotë dhe të papenguar të EULEX-it dhe mandatit të tij, duke përfshirë edhe një mandat të rishikuar pas qershorit të vitit 2016.
Përtej kandidaturave, që shtrihen në Ballkanin Perëndimor, zgjerimi i Evropës ka një perspektivë shtrirje edhe ndaj Turqisë. Muaji dhjetor u shoqërua me hapjen e dy kapitujve të tjerë të negociatave me Turqinë, por procesi i aderimit turk në BE, shfaqet i vështirë dhe me shumë pengesa, kjo për shkak të kundërshtive të forta, që njohin herë pas herë disa vende me peshë të konsiderueshme në Union. Duhet theksuar se ky vit u shoqërua edhe me tërheqjen e kandidaturës të Islandës, tërheqje, që duhet parë kryesisht në kontekstin e lëvizjes së forcave të brendshme politike dhe rotacionit zgjedhor, që solli në pushtet forcat konservatore anti-evropiane.
Edhe pse me ardhjen e Komisionit Junker kemi një deklarim zyrtar për bllokim të përkohshëm të zgjerimit, është i rëndësishëm fakti që kemi një avancim paralel sa nëpërmjet fokusit, që i është dhënë angazhimit ndaj zgjerimit nëpërmjet Konferencës së Berlinit, por edhe aq me përparimin konkret në çeljen e negociatave (Serbi) dhe hapjen e kapitujve të tjerë (Mali i Zi) me vendet e Ballkanit Perëndimor. Një avancim, që është vështirë të mos konsiderohet edhe nën optikën e influencave të larta dhe penetrimit të dinamikave të huaja në rajon, kryesisht nën klimën e konfliktit me Rusinë.
Duhet theksuar gjithashtu se, opinioni publik në BE vazhdon të jetë kundër zgjerimit të mëtejshëm të Unionit, në një shumicë prej 51%. Eurobarometri i fundit EB84, konfirmon gjithashtu edhe rënie në nivelin e përqindjes së mbështetjes për zgjerim, duke shkuar në vetëm 38%.
Gjithsesi, edhe pse kanë kaluar 12 vite nga premtimet evropiane të Selanikut për anëtarësim të shpejtë të Ballkanit Perëndimor në BE, procesi i anëtarësimit ka njohur komplikime, kritere shtesë dhe mekanizma të përforcuar, që ngadalësojnë procesin e aderimit. Aktualisht avancim i ndjeshëm në rajon, po vërehet ndaj Malit të Zi dhe Serbisë. Shqipëria, nëse ia del të çelë negociatat vitin e ardhshëm, i bashkëngjitet grupit të të përparuarve në rajon. Pas tyre vjen Maqedonia e bllokuar prej një dekade nga fqinji i saj, por gjithsesi ka një klimë për reflektim dhe mundësi zhbllokimi. Bosnja arriti të zhbllokohej nga pengesa e përkohshme e kushtëzuar në nivel evropian, dhe po shfaqet drita jeshile për mundësi të aplikimit për anëtarësim, gjithmonë në rast progresi të mëtejshëm ndaj kryerjes së reformave të nevojshme në vend. Kosova ndonëse arriti nënshkrimin e MSA-së, në fushën e liberalizimit të vizave shfaqet më e vonuara në këtë proces dhe ndodhet përballë një sërë sfidash për realizmin e këtij objektivi.
Ndonëse procesi i integrimit evropian po shfaqet më i ngadalësuar, nga çfarë ishte planifikuar paraprakisht, i rëndësishëm ngelet fakti i rikonfirmimit të vazhdueshëm të domosdoshmërisë se “ Zgjerimi ndaj Ballkanit Perëndimor është një investim në paqe, demokraci, prosperitet, siguri dhe stabilitet në kontinentin tonë”./im.ta/