BE deklaratë mbi Referendumin në Krime

redaktor

Në një deklaratë të përbashkët Presidenti i Këshillit Europian Herman Van Rompuy dhe Presidenti i Komisionit Europian, José Manuel Barroso, kanë deklaruar se mbajtja e Referendumit mbi statusin e ardhshëm të territorit të Ukrainës, vjen në kundërshtim me Kushtetutën e Ukrainës dhe ligjin ndërkombëtar. BE thekson se referendumi është paligjshëm dhe rezultati i tij nuk do të njihet.

“Zgjidhja e krizës në Ukrainë, duhet të bazohet në integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës, mbi kuadrin Kushtetutës të Ukrainës, si edhe në respektim të standardeve ndërkombëtare. Vetëm duke punuar së bashku, nëpërmjet proceseve demokratike, duke përfshirë bisedimet, ndërmjet qeverisë së Ukrainës dhe Rusisë, ne mund të gjejmë një zgjidhje për krizën. Bashkimi Europian ka një përgjegjësi të veçantë për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin në kontinentin Europian dhe do të vazhdojë ndjekjen e këtyre objektivave duke përdorur të gjithë mundësitë në dispozicion” – thuhet në deklaratë.

Në deklaratën e përbashkët, Barroso dhe Van Rompuy dënojnë sërish dhunën ndaj sovranitetit ukrainas dhe integritetit të saj territorial, duke i bërë thirrje Rusisë të tërheqë forcat e saj të armatosura.

“Me synim avancimin e këtyre qëllimeve, Ministrat e Punëve të Jashtme do të vlerësojnë nesër situatën në Bruksel dhe do të vendosin mbi masat shtesë, në të njëjtën linjë me deklaratën e krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së më 6 Mars”,- përfundon deklarata e BE-së./im.ta/

 

Share This Article