Kandidatura franceze për postin e Komisionerit Ekonomik, një nga postet më të rëndësishme që mbulon çështjet ekonomike, financiare dhe monetare të BE-së, po shkakton polemika të forta. Përplasjet Paris-Berlin po ekspozojnë një sërë shqetësimesh, që burojnë si nga përgjegjësitë që imponon posti, por edhe nga pozicionimi dhe roli i kandidaturës së propozuar, përballë politikave ekonomike kombëtare dhe evropiane.
Pierre Moscovici, kandidatura franceze për portofolin ekonomik ka ngjallur një sërë dyshimesh. Përgjegjësitë e Komisionerit Ekonomik, përfshijnë si mbikëqyrjen e punës së Komisionit mbi monitorimin e politikave fiskale të shteteve anëtare, nëse janë në të njëjtën linjë me angazhimet evropiane, por edhe kthimin e financave publike europiane në formën e duhur pasi shumë vende anëtare, po thyejnë rregullat e BE-së mbi deficitet publike.
Por, një ndër këto vende është edhe Franca, e cila duhet të ul deficitin publik, nën nivelin 3% të GDP-së.
Që prej vitit 2009, Franca po përballet me një deficit eksesiv, dhe qeveria franceze nuk po arrin dot uljen e tij në nivelet e kërkuara nga BE. Në vjeshtë, Komisioni i ri Europian do të ekzaminojë planin buxhetor të Francës. Nëse Komisioni do ta refuzojë atëherë Parisi do të përballet me sanksione.
Ndonëse i është akorduar dy herë zgjatja e afatit mbi uljen e deficitit publik Franca e konsideron të vështirë përmbushjen e këtij objektivi edhe mbi afatin e tretë të caktuar (2015), duke i bërë thirrje kolegëve të saj, për më shumë fleksibilitet. Nga ana tjetër edhe Komisioni Europian, por edhe FMN kanë parashikuar tashmë, se objektivi francez do të jetë i paarritshëm edhe për afatin e tretë të caktuar.
Por, sa legjitime është kërkesa dhe kandidatura franceze për këtë post, funksioni i të cilit është edhe kërkimi për respektim të rigorozitetit buxhetor, çka Franca nuk po arrin dot ta realizojë?!
Këtu qëndron dhe thelbi i shqetësimit refuzues të Berlinit.
Pozicioni i Berlinit
Për Berlinin, deficiti francez është i papajtueshëm me postin e Komisionerit të Ekonomisë. Ky vlerësim është bërë publikisht nga Ministri i Financave, Wolfgang Schäuble i cili ka shfaqur dyshimet e tij mbi kapacitetin e Francës për të administruar portofolin e çështjeve ekonomike dhe monetare, për shkak të deficitit të saj i gjykuar si eksesiv.
Ndonëse pozicionimi i Schäuble, mund të lexohet edhe nën përkatësinë e tij politike, Gjermania është shfaqur në vazhdimësi e shqetësuar mbi administrimin ekonomik të qeverisë franceze. Ndonëse shtypi gjerman shprehet ashpër dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë përballë politikave franceze, reagimet e Merkel, në formulimet e tyre janë tejet të kujdesshme për të mos u pozicionuar në kritika, por në rekomandime dhe sugjerime.
Por, posti i Komisionerit Ekonomik përfshin edhe ruajtjen e Paktit të Stabilitetit. Në këtë kontekst Ministri Schäuble, ekspozon edhe çështjen e kompetencës së Francës për këtë post. Në të njëjtën logjikë parashtrohet edhe argumentimi i ekonomistit gjerman Lüder Gerken, i cili e konsideron emërimin e Moskovicit si negative ndaj paktit të stabilitetit dhe të rritjes. Ekonomisti ka theksuar rolin e komisionerit dhe përgjegjësitë e tij, pasi ai është i ngarkuar të imponojë ose jo sanksione në rast deficiti eksesiv. Sipas tij Moscovici ka kontribuar që Franca të mos respektonte afatet për uljen e deficit të saj. Element që sipas tij, shfaq qartësisht rivënien në dyshim të principeve të paktit, çka nënkupton se Moscovic, nuk do të imponojë disiplinën buxhetore të kërkuar pranë shteteve anëtare, nëse ai emërohet në këtë post.
Dobësimi i influencës franceze në BE
Aksi franko-gjerman ka qenë motori kryesor i drejtimit të BE-së që prej krijimit të saj. Por, një sërë ndryshimesh të karakterit gjeo-politik si edhe ekonomik, do të ndikojnë në një ripozicionim të këtij aksi, duke shkaktuar edhe një dobësim gradual të influencës franceze në BE, si edhe duke rritur ndjeshëm rolin e Berlinit.
Roli i Francës në BE, përgjatë periudhës së Luftës së Ftohtë dhe përballë një Gjermanie të ndarë në dy pjesë, sigurisht që ishte kryesor dhe tejet i konsiderueshëm. Por, situata do të pësojë ndryshim me ripozicionimin gjeo-politik të viteve ’89-’90. Ribashkimi i Gjermanisë (81,5 mil banorë), solli automatikisht dhe ndryshimin e statusit politik të saj në BE, duke e fuqizuar ndjeshëm përballë Francës. Suksesi gradual ekonomik i Gjermanisë filloi të ndikojë edhe në fuqizimin e saj politik brenda BE-së. Gjermania arrin të pozicionohet në vend të dytë për sa i përket pjesës së tregut në tregtinë botërore, në vend të tretë për sa i përket investimeve në vendet e huaja dhe PIB i saj renditet në vend të katërt pas SHBA, Kinës dhe Japonisë. Marka shndërrohet në monedhën e dytë të rezervave pas dollarit. Me këtë fuqizim gradual në skenën ndërkombëtare, Gjermania arrin të marrë edhe rolin e drejtuesit kryesor në gjirin e BE-së, rol që deri para bashkimit të dy gjermanive i përkiste Francës.
Një tjetër element gjeopolitik por edhe ekonomik, që konsiderohet se zhvendosi qendrën e gravitetit në disfavor të Francës dhe në favor të Gjermanisë, është edhe zgjerimi i 2004-2007 drejt vendeve të ish-Lindjes komuniste. Një pjesë e mirë e elitave franceze por edhe akademikë, filluan të vlerësojnë këtë rrëshqitje si tejet përfituese për Gjermaninë, për sa i përket tregut të përbashkët dhe ekonomisë së tregut.
Faktori i tretë, që vazhdon ende në këto momente të theksojë dobësinë franceze, përballë fuqisë së diplomacisë gjermane, është faktori ekonomik. Në terma ekonomikë, për sa i përket performancës dhe kapacitetit, Franca vlerësohet të jetë mbrapa Gjermanisë. Por, kriza që është shfaqur që prej 2008-s, ka zhvendosur tërësisht vëmendjen evropiane drejt axhendës ekonomike. Në këtë kontekst, Franca vazhdon të ekspozohet si një vend, i cili po monitorohet nga Komisioni Europian, pasi nuk arrin dot të plotësojë objektivat e kërkuar në nivel europian, për ulje të deficitit publik. Pavarësisht vlerave strategjike të padiskutueshme të Francës, si fuqi nukleare, dhe me një diplomaci tejet të fuqishme në rajone të ndryshme të botës, partneri i saj politik Gjermania shfaqet i fuqizuar në një sistem vlerash thuajse absolute, duke përmbysur balancën e fuqisë të aksit franko-gjerman.
Por, a do të arrijë Franca t’i imponohet BE-së në marrjen e portofolit ekonomik, pavarësisht problematikave, që ekspozohen në rang kombëtar dhe dobësimit të influencës së saj, brenda BE-së? Gjithsesi, ndonëse terreni shfaqet i vështirë, negocimet mund të çojnë edhe drejt konfirmimit të sugjerimit të bërë tashmë publik, mbi krijimin e një posti të ri, që i përshtatet më shumë linjës politike-ekonomike të mbrojtur nga presidenti francez Hollande në nivel evropian, ai i rilançimit të rritjes ekonomike nëpërmjet investimeve. Ky mund të jetë ndoshta edhe kompromisi diplomatik i duhur, për të qetësuar ambicien franceze dhe për të shuar dyshimin mosbesues të Berlinit. /im.ta/