Konflikti i Ukrainës dhe pozicionimi i diplomacisë serbe pro interesave të Moskës zyrtare, po vazhdon të shkaktojë nervozizëm në BE. Ky nervozizëm lexohet edhe në progres raportin e përpiluar për Serbinë, pavarësisht gjuhës tejet elegante të Komisionit Europian. Ndonëse Serbia kishte deklaruar fillimisht se do të mbante një qëndrim neutral, përballë sanksioneve që BE vendoi ndaj Rusisë, interesat ekonomike kombëtare, duket se po joshin politikën serbe për të vazhduar thyerjen e tyre. Por, përtej thyerjeve të embargove të BE-së, Serbia po vazhdon të qëndrojë në fokusin e kritikave evropiane teksa, duket se nuk po ndalet në zbatimin e pjesës së projektit të gazsjellësit rus “South Stream”, që BE e konsideron se shkakton përplasje me legjislacionin e saj, pasi thyen rregullat e konkurrencës.
BE, në kuadrin e aplikimit të mëtejshëm të sanksioneve dhe shënjestrimit të teknologjive energjetike, ka pezulluar negociatat me Rusinë, për të përputhur kuadrin ligjor të projektit “South Stream” me legjislacionin e BE-së. Rrjeti jugor “South Stream” synon dërgimin e gazit në Europë duke kaluar përmes Ballkanit dhe duke shmangur njëkohësisht Ukrainën. Projekti parashikon dërgimin e 63 bilion metra kubik gaz natyror në vit.
Por, teksa BE nëpërmjet presioneve të saj ligjore ka arritur të pezullojë punimet në Bullgari, duke hapur njëkohësisht çështje ankimuese kundër saj, për thyerje të rregullave evropiane mbi prokurimeve publike, duket se nuk po arrin dot të bindë Serbinë, se duhet të pezullojë punimet, që zyrtarisht ishin komunikuar se do të fillonin në muajin tetor.
Komisioni Europian e ka paralajmëruar disa herë Serbinë, se nëse dëshiron të bëjë biznes në territorin evropian, duhet të respektojë ligjet e BE-së. Serbia duke mos qenë një vend anëtar, por thjesht një vend kandidat, nuk preket nga i njëjti kuadër ligjor dhe rregulla si shtetet e tjera të BE-së. Pikërisht këtu qëndron dhe vështirësia që BE po has përballë Serbisë. Por, pavarësisht këtij elementi, Serbia, meqenëse aspiron të bëhet një ditë vend anëtar, ka detyrim të avancojë drejt njehsimit të legjislacionit kombëtar me legjislacionin e BE-së. Nëse vërehet se në këtë drejtim ka përplasje, Serbia rrezikon që negociatat mbi kapituj konkretë të mos mbyllen, si p.sh, Kapitulli mbi Energjinë, çka nënkupton ngecjen e mundshme të Serbisë në procesin e avancimit të mëtejshëm drejt BE-së.
Të njëjtën problematikë shfaqte dhe mosmbështetja e politikës serbe përballë sanksioneve që BE vendosi ndaj Moskës, me pretendimin se Beogradi zyrtar kërkon të mbajë një pozicion neutral. Pozicioni neutral përfshinte nga njëra anë, refuzimin për njohje të një territori të shkëputur nga Ukraina, pra Krimenë nën argumentin se, Serbia mbështet integritetin territorial të çdo vendi dhe nga ana tjetër, refuzimin për të marrë pjesë në vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë, nën motivacionin e lidhjeve tradicionale historike me të. Por, presionet e përsëritura evropiane kërcënojnë Serbinë se, nëse vazhdon në këtë drejtim, ajo rrezikon bllokim të negociatave, duke penguar të ardhmen evropiane të vendit.
Sigurisht që ka një logjikë veprimi, që të shtyn drejt reflektimit, se angazhimi serb përballë BE-së, është tashmë i konfirmuar, ndonëse interesat e brendshme kombëtare dhe kryesisht ato ekonomike shkaktojnë presion të lartë ndaj ndjekjes së një politike pragmatike. Është pikërisht kjo politikë pragmatike, në favor të interesave të brendshme kombëtare, që ka karakterizuar vazhdimisht edhe politikën e jashtme të BE-së. Por, ka edhe një arsyetim që shkon drejt një pyetje reflektuese: A mund të konsiderohet i logjikshëm refuzimi i ofertave ekonomike prej biliona eurosh, në dëm të interesave ekonomike kombëtare, teksa Serbisë, i duhet të qëndrojë përballë derës së BE-së, e cila deklaron e shpenguar, se kjo derë nuk do të hapet për asnjë anëtarësim në 5 vitet në vijim?! Mbase shfaqja e pragmatizmit të politikës serbe, është edhe kosto që BE duhet të “paguajë” ndaj shpalljes së vetë mbylljes së përkohshme. Një element, që duhet edhe të shërbejë në një kuadër reflektues për mos mbyllje të mëtejshme të perspektivës së integrimit evropian ndaj Ballkanit Perëndimor në pesëvjeçarin e ardhshëm, përtej 2019-s.
Serbia, gjithmonë nëse i referohemi progres-raporteve në vite të BE-së, ka përparuar, me një ritëm të konsiderueshëm drejt integrimit evropian, duke çuar fillimisht në çeljen e shpejtë të negociatave për anëtarësim. Ajo është vlerësuar nga KE, jo vetëm për plotësimin në kohë të kërkesave reformuesve, por edhe për mbajtjen e ritmit të reformave edhe pas hapjes së negociatave. Serbia vlerësohet gjithashtu nga KE, të ketë avancuar në një sërë fushash të kërkuara, si dialogu mbi përmirësimin e marrëdhënieve me Kosovën, sundimi i ligjit, gjyqësori, politikat anti-korrupsion, luftë ndaj krimit të organizuar, pavarësi të institucioneve kyçe, lirinë e medias, politika anti-diskriminuese, mbrojtjen e minoriteteve dhe përmirësimin e mjedisit të biznesit.
Por, teksa pragmatizmit të politikës serbe, format e së cilës mund të shfaqen edhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor (Bosnja, ku Republika Srpska ka nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi me Rusinë në lidhje me këtë projekt), BE i kundërpërgjigjet me bllokimin e perspektivës evropiane, duket se pesha e veprimit të saj, është në përpjesëtim të zhdrejtë përballë vendeve të tjera anëtare, pasi kërcënimet nuk janë aspak të së njëjtës natyrë. Edhe vende të tjera anëtare të BE-së, si Austria, Greqia, Hungaria, Sllovenia, Kroacia dhe Bullgaria, po ashtu edhe si Serbia, kanë nënshkruar të njëjtën marrëveshje dypalëshe ndërqeveritare me Rusinë, në lidhje me projektin “South Stream”. Por, ndryshe nga një vend kandidat, ato janë thjesht të kërcënuara me disa ankimime ligjore, duke mos cenuar më tej pozicionin e tyre si vend anëtar. Për të mos përmendur këtu problematikën e lartë që këto vende anëtare shfaqin nëpërmjet këtij pozicionimi, pro interesave kombëtare dhe në përplasje të fortë me politikën e jashtme të BE-së. Integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE dhe lënia hapur e perspektivës aderuese është një element shumë i rëndësishëm që inkurajon vendet në progresin e tyre. Mbyllja e kësaj perspektive për pesëvjeçarin në vijim, por ndoshta dhe në një mandat të dytë përsëritës, sigurisht që mund të shoqërohet edhe me kostot përkatëse. Rasti i Serbisë, mund të lexohet si shfaqje e tendencave të para konfirmuese, të këtij realiteti bllokues./im.ta/
