Ministrat e Jashtëm të BE-së u mblodhën dje në Bruksel, nën një klimë tensioni, teksa autoritetet belge kane urdhëruar daljen e ushtrisë në terren. Që prej ditës së shtunë, institucionet kombëtare, europiane si edhe përfaqësitë e huaja po patrullohen nga forcat ushtarake. Vendim që është marrë në kuadrin e masave anti-terror pas operacioneve federale për neutralizim te subjekteve te dyshuara. Por, çfarë preknin bisedimet mes përfaqësuesve të jashtëm te bllokut dhe a mund të flasim për një përqasje te rinovuar dhe reflektim te inkuadruar?
Bashkëpunim shumëpalësh
Diskutimet përgjatë mbledhjes, kanë ekspozuar nevojshmërinë e lartë për shkëmbim të informacioneve të brendshme me vendet muslimane. Ministri i Jashtëm belg konfirmoi, se operacionet e javës së kaluar në Belgjikë, i dedikoheshin shkëmbimeve të suksesshme të informacioneve me shërbimet e huaja. Rritje e nivelit të shkëmbimit të të dhënave me shtetet muslimane u kërkua dhe nga pala gjermane, si edhe nga përfaqësuesi britanik.
Rritja e nivelit të bashkëpunimit, pritet të kryhet jo vetëm në marrëdhëniet dypalëshe, por edhe shumëpalëshe. Bashkëpunim, që do të prekë kryesisht fushën e shkëmbimit të të dhënave dhe punën e shërbimeve inteligjente.
Vendimi për intensifikim të marrëdhënieve dypalëshe dhe shumëpalëshe, u inaugurua me Ligën e Vendeve Arabe, me të cilën u nënshkrua një Memorandum Mirëkuptimi, për fuqizim të një bashkëpunimi të strukturuar për çështjet serioze. Në javët në vijim do të ketë gjithashtu një intensifikim të marrëdhënieve në këtë drejtim me Turqinë, Egjiptin, Algjerinë, Vendet e Gjirit, Afrikën etj.
Atashe Sigurie
Por, duket se bashkëpunimi i ngushtë, ka ekspozuar edhe nevojën për prezencën e vazhdueshme të specialistëve të fushës në terren. Një propozim i ardhur nga vetë Shefja e Diplomacisë Evropiane për Politikë dhe Siguri, Mogerini dhe që inkuadrohet në përthithje të praktikave tashmë ekzistuese kombëtare.
Ky propozim i miratuar, pritet të vendosë në terren, në të gjithë përfaqësitë diplomatikë të BE-së, profesionistë të fushës së sigurisë, nën emërtimin “Atashe Sigurie”. Ndonëse u “thumbua” gjatë konferencës për shtyp në një optikë të thjeshtëzuar, duke konsideruar këto Atashe Sigurie si spiunë, Mogerini vlerësoi se çështjet e sigurisë dhe kërcënimet, që vijnë janë të një niveli teknik dhe kërkojnë specialistë dhe njohës të fushës. Çka në logjikën e saj, lind edhe nevojshmëria për shkëmbime të vazhdueshme të një niveli profesional dhe teknik.
Luftë fenomenit në rrënjë
Duket se përqasja ka ndryshuar, teksa emergjencat e fundit të krizave të prodhuara kërkojnë reflektim të thellë. Gjatë konferencës për shtyp të mbrëmjes së djeshme, Shefja e Diplomacisë Evropiane Federika Mogerini, do të paraqiste një kuadër të plotë veprimi.
Së pari, u konstatua nevojshmëria për t’i dhënë fund apo për të kontribuar në mbylljen e krizave në zonat e konfliktit. Element, që do të krijojë stabilitet dhe siguri afatgjatë në rajon dhe do të adresojë njëkohësisht edhe shkaqet e rrënjëve të terrorizmit. Këto zona, të cilat gjenden jashtë kontrollit shtetëror, vlerësohen si terrene që gjenerojnë, ushqejnë dhe fuqizojnë terrorizmin dhe organizatat terroriste. Nga ana tjetër, këto zona nëpërmjet propagandës së vazhdueshme, po tërheqin nëpërmjet rekrutimit dhe radikalizimit të rinjtë, të cilët zhvendosen në kampet e luftimit.
Së dyti, përtej problematikës së mësipërme, u konfirmua edhe domosdoshmëria për të luftuar rrënjët e problemit që shtrihen edhe tek faktorët ekonomikë dhe socialë, që prekin të rinjtë e komuniteteve arabe, në vendet evropiane.
Efekti i Komunikimit
Por, ndërsa lufta ndaj terrorizmit nuk është thjesht një çështje sigurie, elementë të tjerë u ekspozuan dhe që logjikisht ndërthurin luftën ndaj këtij fenomeni edhe në një nivel kulturor, intelektual, si edhe mediatik.
“Të përmirësojmë kapacitetin për të folur, lexuar dhe shpjeguar në gjuhën arabe këtyre komuniteteve politikat tona, dhe të dëgjojmë mesazhet, që vijnë nga vendet e tyre”, deklaroi Mogerini.
Kemi të bëjmë me një përqasje të re ndaj strategjisë së komunikimit. Strategji, që në thelb synon të ngushtojë boshllëkun e krijuar mes vendeve evropiane dhe komuniteteve arabe, që ndodhen në këto vende. Por, edhe një përmirësim të komunikimit aktual me Vendet Arabe, përcjelljen dhe dëgjimin e mesazheve të tyre. Element, që nuk u shpjegua më tej në detaje, por që sigurisht do të detajohet përgjatë mbledhjeve, që priten të zhvillohen së shpejti në takimin e Ministrave të Brendshëm, më 28 janar në Riga dhe nga shefat e qeverive më 12 shkurt, gjatë një samiti që do të zhvillohet për luftën ndaj terrorizmit dhe luftëtarëve të huaj evropianë, që kthehen nga Siria apo Iraku.
Prioritetet e drejtuesve evropianë, po çojnë në një fuqizim të politikave aktuale. Ndërgjegjësimi mbi nevojshmërinë për një bashkëpunim të ngushtë, konsiderohet i një niveli tepër të lartë. Ky bashkëpunim shtrihet në fushën e shërbimeve inteligjente, përforcim të kontrolleve në kufi të hapësirës Shengen, në luftën kundër trafikut të armëve, si dhe në domosdoshmërinë e krijimit të një regjistri të përbashkët të pasagjerëve ajrorë (PNR).
Por, përtej ndërgjegjësimit të lartë për një bashkëpunim të thelluar, vërehet gjithashtu një tendencë për thithje dhe aplikim të praktikave kombëtare në nivel evropian. Konstatohet gjithashtu edhe një përqasje e rinovuar përballë rrënjëve dhe shkaqeve të këtij fenomeni, si ndaj problematikës së zonave të hapura të konfliktit, shkaqeve ekonomike dhe sociale të të rinjve të komuniteteve të vendeve arabe në vendet evropiane, si edhe ndaj nevojshmërisë për një strategji të zhvilluar komunikimi. Gjithsesi, mbledhjet që priten të zhvillohen, do të qartësojnë më shumë skemën dhe përqasjen europiane përballë këtij fenomeni./im.ta/
