Ndryshe nga çfarë pritej, nga mbledhja e krerëve të BE-së, gjatë Samitit dy-ditor të zhvilluar dje dhe që po vazhdon ende në këto momente në Bruksel, faza e tretë e sanksioneve nuk u miratua. Liderët e BE-së, kanë vendosur të mos kalojnë në fazën e tretë, por të mjaftohen thjesht me 12 emra të shtuar në listën prej 21 personash, tashmë të bërë publike. Emrat e shtuar në listë, do të renditen nën të njëjtën linjë sanksionesh, bllokim udhëtimi dhe ngrirje asetesh.
Këshilli Europian vendosi gjithashtu edhe anulimin e Samitit të radhës, BE-Rusi duke shënuar se, Shtetet Anëtare nuk do të mbajnë Samite të tilla dypalëshe për periudhën e caktuar. Këshilli Europian dhe Shtetet Anëtare, mbështesin gjithashtu mbledhjen e ardhshme të vendeve të G7-s në Hagë. Ato mbështesin edhe pezullimin e negociatave, mbi futjen e Rusisë në OECD dhe IEA.
Ndonëse pritej aplikimi i fazës së tretë të sanksioneve, që kishte lidhje me aspektet ekonomike, duket se hezitimet nga vendet anëtare të shprehura edhe paraprakisht u vërtetuan. Frika për të shkuar më tej, në aplikim sanksionesh ekonomike, lidhej me faktin se situata mund të kishte një efekt bumerang, ku kundërpërgjigja ruse mund të shkaktonte dëme reciproke, që mund të dëmtojnë ekonomitë përkatëse. Në këtë logjikë, janë parashtruar edhe mundësia e një krize të mundshme në sektorin energjetik, që mund të dëmtojë më shumë sektorin ekonomik. Faza e tretë, është gjykuar të aplikohet vetëm në rast se, Rusia mund të avancojë në Ukrainën Lindore. BE ka ngarkuar Komisionin Europian të përpilojë një draft propozimesh për sanksionet e mundshme të BE-së, mbi sektorin energjetik rus, financair dhe atë të mbrojtjes.
Mungesa e fazës së tretë të sanksioneve, shkon në kundërshtim me kërkesat e diplomacisë ukrainase, e cila është përpjekur t’i bëjë thirrje Europës për unitet në vendime dhe për të lënë mënjanë interesat individuale shtetërore, pasi bëhet fjalë për kërcënimin e paqes dhe stabilitetit në rajon. Por, kjo kërkesë, duket se e tejkalon fuqinë e kapacitetit veprues diplomatik të BE-së.
Sot, u nënshkruan edhe kapitujt politikë të Marrëveshjes së Asocimit BE-Ukrainë, kapituj të shkëputur nga pjesa ekonomike dhe tregtare për arsye të bllokimit, që rridhte nga marrëveshja paraprake BE-Rusi. Kjo Marrëveshje e kryer gjatë Samitit të janarit, specifikonte, se para nënshkrimit te Marrëveshjeve të tilla me vendet e partneritetit lindor, për të sqaruar keqkuptimet dhe dëmet e interesave ekonomike në rajon, palët duhet të ngrenë grupe konsultimi në nivel ekspertësh. Por, kjo kartë është përdorur nga Presidenti rus Putin, për të bllokuar nënshkrimin e mundshëm të pjesës ekonomike dhe tregtare të Marrëveshjes. Zgjedhjet presidenciale të 25 majit në Ukrainë, vlerësohen nga Moska si një shpresë e mundshme për fitimin e shumicës pro-ruse, e cila mund të gjenerojë idenë e mbajtjes së një referendumi për nënshkrimin e Marrëveshjes së Asocimit me BE-në.
Kapitujt politikë, prezantohen si një sinjal i rëndësishëm i BE-së, për mbështetjen e qeverisë aktuale në Ukrainë, programit të saj dhe integritetit dhe sovranitetit territorial. Ky nënshkrim do t’i mundësojë Ukrainës, garanci politike të integritetit territorial dhe paprekshmëri të kufijve të saj./im.ta/