Në kuadrin e adoptimit të euros për vendet e integruara në BE, Banka Qendrore Europiane vlerëson periodikisht situatën ekonomike dhe juridike në këto vende. Raporti i Konvergjencës 2014, analizon situatën në 8 vende, Bullgari, Republikë Çeke, Kroaci (për herë të parë), Lituani, Hungari, Poloni, Rumani dhe Suedi.
Raporti vlerëson nëse është arritur shkalla e duhur e përputhshmërisë ekonomike dhe shqyrton gjithashtu konformitetin me detyrimet statusore (kuadri juridik), që bankat qendrore kombëtare të këtyre vendeve duhet të plotësojnë për të qenë pjesë përbërëse e Eurosistemit.
Nga tetë vendet e analizuara në Raportin e Konvergjencës 2014, vetëm Lituania plotëson të gjitha kriteret dhe është gati për adoptimin e euros. Lituania është vendi i vetëm, i cili ka përmbushur detyrimet për realizimin e Unionit Ekonomik dhe Monetar.
Në vlerësimin e karakterit të qëndrueshëm të përputhshmërisë, Raporti analizues merr parasysh kuadrin e ri të përforcuar të qeverisjes ekonomike të BE-së dhe të soliditetit të kuadrit institucional të çdo vendi, kryesisht në fushën e statistikave.
Në këtë Raport, Lituania i është nënshtruar një ekzaminimi më të thellë se sa vendet e tjera. Autoritetet e Lituanisë kanë shprehur gjithashtu vullnetin e tyre për të adoptuar euron, duke nisur nga 1 janari 2015.
Nga të gjithë vendet e tjera të analizuara, Lituania shfaqet si vendi i vetëm, legjislacioni i së cilës respekton tërësisht bashkësinë e kërkesave përkatëse për adoptimin e euros të përcaktuar në traktatet dhe statutet e Sistemit Europian të bankave qendrore dhe të BQE. Asnjë nga të shtatë vendet e tjera nuk prezanton një kuadër juridik tërësisht të përputhshëm me bashkësinë e kërkesave, që nevojiten për adoptimin e euros.
Gjithashtu në 7 vendet e tjera raporti vlerëson se ka pa përputhshmëri për sa i përket pavarësisë së bankës qendrore, në lidhje kryesisht me pavarësinë institucionale dhe atë financiare. Rumania dhe Bullgaria janë ndërmjet vendeve, të cilat nuk kanë përmbushur ende kërkesat për të mundësuar adoptimin e euros. Të dy këto vende kanë arritur të plotësojnë disa nga kriteret makroekonomik për t’iu bashkuar zonës së euros, si në sektorin e financave publike, por ekonomitë e tyre vazhdojnë të njohin zhbalancime makroekonomike. Ndërsa në fushën e mjedisit të biznesit, ato figurojnë nën nivelin e duhur të performancës në krahasim me shumë vende të zonës euro.
Gjithsesi, sipas Raportit, Rumania ka arritur të zvogëlojë deficitin publik duke e çuar atë poshtë nivelit prej 3% të GDP-së, çka është dhe një nga kushtet e nënvizuar nga Traktati i Mastritit.
Për të mundësuar adoptimin e euros, një vend anëtar i BE-së duhet të ketë një nivel borxhi qeveritar jo më të lartë se 60% të PBB-së, një deficit buxhetor nën nivelin 3% të GDP-së, inflacion të ulët dhe përqindje interesi të ulët, si edhe kërkohet që monedha vendase të ketë stabilitet ndaj euros. Ky vlerësim analitik kryhet periodikisht çdo dy vite, për të shqyrtuar nëse vendi anëtar ka përmbushur standardet e duhura. Përveç Rumanisë, e cila ka shprehur hapur synimin për të adoptuar euron në vitin 2019, asnjë nga vendet e tjera nuk është shprehur për një afat preciz të adoptimit të mundshëm të saj.
Aktualisht 10 vende të Unionit nuk marrin pjesë plotësisht në Unionin Ekonomik dhe Monetar. Danimarka dhe Britania kanë një status të veçantë konform protokolleve shtesë të Traktateve dhe për këtë arsye Raporti i Konvergjencës nuk kryhet në këto dy vende.
Për të konsultuar raportin:
http://ec.europa.eu/economy_finance/publications/european_economy/2014/pdf/ee4_en.pdf