Zgjedhjet evropiane dhe rrëshqitja e paralajmëruar më djathtas, duhet parë edhe në kontekstin e një krize ekonomike të zgjatur në kohë, e cila automatikisht ndërthur gjithë politikat e tjera rreth boshtit të saj. Kriza ekonomike dhe efektet e saj, si papunësia në rritje (26 milionë qytetarë në BE), mungesa e investimeve për simulimin e krijimit të vendeve të reja të punës, masat shtrënguese ekonomike të aplikuara në disa prej shteteve anëtare, shqetësimet mbi koston e lartë të jetës së përditshme, etj. kanë rritur fokusimin ndaj BE-së, e cila shikohet si përgjegjëse ndaj këtyre problematikave. Paralelisht me këtë situatë, retorika politike vendase në shumë prej vendeve të BE-së, shmang marrjen përsipër të përgjegjësive mbi dështimet në nivel kombëtar, duke i transferuar ato lehtësisht në një nivel evropian.
Edhe vetë Barroso, Presidenti i Komisionit Europian do të reflektonte këtë realitet duke deklaruar se, nuk mund të shajmë gjithë ditën Europën dhe pastaj t’i kërkojmë elektoratit të votojë të dielën për të.
Nëse i referohemi sondazheve të vazhdueshme të Eurobarometrit, elektorati evropian e koncepton BE-në dhe institucionet e saj të largëta, distancuese dhe se opinioni apo mendimi i tyre nuk merret parasysh nga këto institucione. Po ashtu, të dhënat e vazhdueshme në kohë të këtyre sondazheve, reflektojnë një situatë mosnjohje të mirë të institucioneve të BE-së dhe funksionimit të saj nga një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve europianë. Këto elementë të ndërthurur edhe me vetë specifikën e funksionimit të BE-së, kanë çuar në mënyrë konstante në një ulje të besimit të qytetarëve evropianë ndaj saj.
Por, kontradikta kryesore qëndron tek fakti që përtej këtyre problematikave, vota në rritje ndaj partive populiste nuk është alternativa që elektorati realisht kërkon. Ajo demonstrohet më tepër si një votë sanksionimi ndaj BE-së. Kjo është dhe arsyeja se përse në zgjedhjet legjislative elektorati nuk voton këto parti populiste, duke i renditur ato pas partive kryesore të skenës politike. Është e nevojshme ndarja në dy kategori, të kësaj situate, nga njëra anë propaganda populiste, që ofrohet si zgjidhje e vetme për të shpëtuar elektoratin nga kriza e besimit, dhe nga ana tjetër çfarë realisht ofrojnë programet e partive populiste, ndaj përballimit të këtyre fenomeneve.
Propaganda populiste ka në fokus kryesor: zgjidhjen e menjëhershme të problemeve (ekonomi, papunësi, konkurrencë nga imigracioni, etj) nëpërmjet daljes tërësore ose pjesore nga BE. Nëpërmjet ofrimit të daljes nga BE, ato i propozojnë publikut glorifikim kombëtar dhe rikthim të viteve të lavdisë.
Por, çfarë ndodh në realitet, përtej kësaj propagande?
Le të marrim për momentin si pikë referimi të ideologjive populiste, Frontin Nacional francez dhe programin e tij.
Ndryshe nga çfarë propagandohet, realiteti shfaqet ndryshe. Pavarësisht retorikës së vazhdueshme për forma të ndryshme të daljes së pjesshme apo referendum për dalje tërësore nga BE, përgjatë programit të FN-së në lidhje me BE-në, nuk figuron aspak ideja për ‘Dalje nga BE’. FN në program akuzon BE-në, se është një Super-Shtet, që po mbyt sovranitetin kombëtar francez, por pyetja që lind është: si mund t’i rikthehet Francës ‘sovraniteti kombëtar’ nëse FN nuk dëshiron që Franca të dalë nga ky ‘Super-Shtet’ ?!
FN akuzon gjithashtu Bankën Qendrore Europiane për despotizëm dhe kërkon shprehimisht dalje nga monedha e përbashkët Euro dhe rikthim të monedhës kombëtare frangën.
“ I njëjti despotizëm i qartë aplikohet nga Banka Qendrore Evropiane (…)“
(…)“Që Franca të rimarrë zotërimin e monedhës së saj dhe të politikës së saj monetare“
Por, edhe këtu shfaqet një kontradiktë e fortë logjike, pasi vlerësohet se, asnjë traktat i BE-së nuk parashikon daljen nga Euro, pa dalë vetë vendi anëtar nga BE. Programi i Frontit Nacional nuk specifikon aspak këtë problematikë, por i referohet thjesht nenit 50, për daljen e një vendi anëtar nga BE, por që nuk ka lidhje në princip me daljen nga Euro. Pra, se si do të dalë Franca nga Euro pa dalë nga BE, kjo nuk është aspak e qartë dhe e konkretizuar në programin e FN-së?!
Synimi programatik i FN-së, shfaqet thjesht në një kërkesë për rinegocim traktatesh (psh. synon që e drejta franceze të primojë ndaj të drejtës evropiane, kthimin e monedhës kombëtare dhe zotërimin e politikave të saj monetare, rimarrje të kontrollit kufitar, etj).
“Në kuadër të nenit 50 të Traktatit të Unionit Europian, është i përshtatshëm fillimi i një rinegocimi traktatesh me synim thyerjen me ndërtimin evropian dogmatik, në dështim të plotë”
Pra, FN kërkon thjesht atë që kërkon edhe kryeministri britanik Kamerun, pro ndryshe nga ai dhe partia konservatore britanike, FN nuk specifikon aspak në program, se kush janë hapat e mëtejshëm në rast dështimi në negocime, gjithmonë i referohemi rasteve hipotetike të një FN në pushtet. Në rast se Kamerun ka sjellë si skemë ofruese në rast dështimi negocimesh një referendum për daljen ose qëndrimin e vendit në BE, asgjë nuk bëhet e ditur në programin e FN-së në lidhje me këtë pikë. Sigurisht që opsioni dalës është artikuluar nga kreu i FN-së Marine Le Pen, e cila është shprehur gjithashtu se do të kërkojë referendum. Por, në programin që i ofrohet elektoratit francez, kjo pikë nuk figuron gjëkundi. Mungesa e saj, lë hapësirë për argumentime mbi vërtetësinë ose jo të objektivave të FN-së si edhe mbi seriozitetin politik të skemës ofruese në program, nëse e kombinojmë në tërësi me kërkesat e tjera që pretendohen në program.
Konsiderohet e pamundur të kërkosh “riformatim të shpejtë” të BE-së, sipas interesave kombëtarë specifikë dhe aq më tepër të mendosh, se të 27 vendet e tjera anëtare, do të bien menjëherë dakord me interesat tejet personale dhe specifike të një kombi, të programuara këto në rastin konkret, sipas ideologjisë partiake të Frontit Nacional francez. Nëse kërkohet dalje nga Euro, por jo nga BE, kur kjo nuk është aspak e mundur nëpërmjet platformës legjislative aktuale, ajo që ofrohet nuk mund të shikohet veçse në filtrin e një propagande populiste, e cila ka gjetur terrenin për të thithur votën tashmë të paralajmëruar sanksionuese ndaj BE-së. Dhe këtu është momenti ideal ku ndërthuren, dëshira e elektoratit për sanksionim, me iluzionet e ofruara të një propagande populiste. (im.ta)