BE vendos për rikthim të gjithë imigrantëve

redaktor

Çështja e imigracionit vazhdon të jetë një nga pikat thelbësore të diskutimeve mes krerëve të shteteve të vendeve anëtare të Unionit. Të mbledhur ditën e djeshme në Bruksel, në një maratonë diskutimesh deri në orët e para të mëngjesit, ato vendosën përfundimisht rikthim të gjithë imigrantëve, që penetrojnë në territorin evropian në mënyrë të parregullt, në vendet e tyre të origjinës, duke përjashtuar vetëm personat, që kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare. Vendet anëtare kanë përjashtuar si opsion edhe vendosjen e një skeme detyruese, për një shpërndarje të drejtë të azilkërkuesve në të gjithë Unionin, në bazë të kritereve të paracaktuara.

Tragjeditë e përsëritura në Mesdhe dhe fluksi në rritje i imigrantëve dhe azilkërkuesve si nga vendet e konflikteve, por edhe nga vendet e Ballkanit Perëndimor, kanë futur prej kohësh në axhendën e Unionit trajtimin e dosjes së imigracionit.

Por, ndryshe nga ç’pritej, të paktën referuar vlerave që Unioni mbron, promovon dhe propagandon, vendimet e njëpasnjëshme të marra në kohë, po konfirmojnë një mungesë të qartë solidariteti mes vendeve anëtare, një mbyllje të fortë në vetvete, refuzim ndaj të tjerëve, deri në një përzënie të organizuar dhe të mirë financuar.

Vendimi i marrë dje në orët e para të mëngjesit, pritet të çojë në ngritjen e zonave të caktuara (karantinave) në vendet kufitare të Unionit si Itali, Greqi apo Maltë, ku imigrantët do të izolohen dhe do t’i nënshtrohen procedurave të klasifikimit në mbrojtje ndërkombëtare apo jo, dhe pjesa tjetër do të rikthehet automatikisht në vendin e tyre të origjinës. Frontex, agjencia për administrimin e kufijve të Unionit do të përforcohet në shifra financiare dhe kapacitete humane, me qëllim kryerjen e procedurave të kthimit. Në këtë kuadër do të nënshkruhen edhe marrëveshje ripranimi me vendet e origjinës. Ky vendim vjen vetëm pak kohë, pasi Unioni ka lajmëruar nisjen e operacioneve për kërkimin, kapjen dhe neutralizimin e anijeve të trafikantëve, që tentojnë të sjellin imigrantë në tokën evropiane.

Vendet anëtare kanë refuzuar edhe skemën detyruese për caktimin e kuotave të azilkërkuesve, në mënyrë, që sistemi të jetë i shpërndarë në mënyrë më të drejtë dhe solidare. Për momentin, është pranuar propozimi i Komisionit për shpërndarjen brenda një harku kohor dy vjeçar të 60 mijë personave të klasifikuar për mbrojtje ndërkombëtare, por jo mbi një skemë detyruese, por vullnetare. Gjithsesi, dhe ky akt u konsiderua minimal dhe modest në krahasim me kapacitetin real që ka Unioni.

Por, a është realisht Unioni në lartësinë e deklaratave, që kryen dhe vlerave që mbron dhe promovon ?

Para shkuarjes në logjikën e argumenteve të shumtë, që kundërshtojnë pretendimin e mësipërm, konfirmimi vjen nga vetë Unioni. Kreu i Parlamentit Evropian, Martin Schulz deklaroi dje, se Unioni nuk është aspak në lartësinë e deklaratave dhe vlerave, që promovon.

Sipas tij, është i nevojshëm krijimi i një sistemi ligjor për imigrimin në BE. Sistem i cili, do të frenojë fluksin e lartë të imigrantëve duke i dhënë atyre të paktën një shans për migrim, që mund të shndërrohet në pak kohë në një të drejtë ligjore për migrim. Sistem, që ekziston jo vetëm në Amerikë, Kanada dhe Australi, por edhe në Meksikë dhe në vendet e Amerikës Latine. Siç duhet të krijohet edhe një bazë ligjore për të krijuar mbrojtje të përkohshme për imigrantët që i ikin konflikteve civile, skamjes, varfërisë apo edhe fatkeqësive natyrore.

Plakja e Evropës

Por, nga njëra anë kemi përplasjen me vlerat dhe parimet e larta, që propagandohen në nivel evropian dhe nga ana tjetër kemi një realitet që konfirmon fuqishëm jo vetëm shifrat e një Evrope në plakje, por edhe domosdoshmërinë ndaj imigracionit dhe impaktin e rëndësishëm pozitiv, që ai ka mbi ekonominë evropiane, për të ruajtur si efikasitetin, por dhe dinamizmin e saj.

Në 2025, nëse BE nuk vepron, do të humbasë një të gjashtën e popullatës së saj të re aktive (15-45 vjeç). Në Spanjë dhe në Itali, reduktimi i kësaj popullate mund të shkojë deri në 30%. Të paktën këto janë shifrat, që konkludon studimi i kryer nga European University Institute, “Ageing of skills and complementary immigration in the EU, 2010-2025”. 

Studimi shpjegon se, për të ruajtur numrin aktiv të kategorisë moshore më pak se 45 vjeç në nivelin e vitit 2010, duhen gjetur 21,5 milionë punëtorë falë imigracionit. Po sipas studimit, Gjermania, është një nga vendet ku kjo problematikë është më e ndjeshme me një zmbrapsje prej 18% të popullatës së saj të re aktive. Duke e çuar në një domosdoshmëri kërkimi prej 4,15 milionë punëtorë të rinj. Belgjika po ashtu citohet me një përqindje ulje të projektuar në nivelin prej 11%, duke e ekspozuar në një domosdoshmëri prej ~300 mijë punëtorë për të rikuperuar nivelin e 2010-s. Franca duket të jetë vendi më pak i prekur, me një ulje të projektuar vetëm në 5% të popullatës së saj të re aktive deri në vitin 2025, çka përkthehet në një nevojë për krah të ri pune në rreth 900 mijë punëtorë.

Por, teksa studimet konfirmojnë nevojshmërinë e lartë jo vetëm ndaj krahut të punës, por edhe ndaj trurit, si mund të shpjegohet kjo mbyllje e vazhdueshme dhe frenim i lartë evropian?

Nga njëra anë logjika të çon drejt reflektimit se, që prej fillimit të krizës në Evropë (2008) rritja e partive të ekstremit të djathtë, duke goditur dhe fajësuar ndër të tjera edhe politikat liberale shtetërore ndaj imigracionit, kanë konfirmuar rritje të vazhdueshme të elektoratit të tyre. Rritje, që ka frenuar dhe stepur shumë prej partive në qeverisje si majtas edhe djathtas, teksa elektorati i tyre po rrëshqiste drejt këtyre partive. Propaganda në rritje ndaj imigracionit, me shpresë rikuperimin e elektoratit të humbur, filloi të huazohej edhe nga partitë klasike. Kjo propagandë në shumë vende evropiane kaloi edhe në akte dhe veprime konkrete ndaj politikave të imigracionit. Pra, në vend që të ofroheshin politika alternative shpjeguese ndaj përfitimeve që sjell imigracioni duke u angazhuar edhe në një kundër-propagandë ndaj retorikës së ekstremit të djathtë, partitë klasike “ranë në një kurth” që po shndërrohej në një rreth vicioz. Perceptimi i opinionit publik evropian ndaj imigracionit, referuar studimeve të fundit të Eurobarometer, nuk është aspak pozitiv. Në të sigurisht që ndikon si propaganda negative në rritje kundër imigracionit, por edhe mungesa e një propagande reale për përfitimin ekonomik, që vjen nga ky imigracion. Që opinioni publik evropian të ndërgjegjësohet mbi këtë realitet, nevojitet vullnet për vërtetësi si nga klasa politike evropiane, por edhe nga ajo kombëtare. Vullnet, i cili mund të ekuilibrojë përfundimisht nevojshmërinë evropiane ndaj imigracionit dhe qasjen apo perceptimin pozitiv të opinionit publik ndaj tij./im.ta/

 

Shkrime të tjera:

Evropa luftë anijeve të emigrantëve

Emigracioni kërcënim real për Shengenin

Gjermania, shembulli i një modeli të munguar evropian

Skandali me masat anti-imigracion

Tragjeditë në Mesdhe, Evropa drejt zgjimit 

 

 

 

 

Share This Article