BE “zhduket” posti i Komisionerit të Zgjerimit

redaktor

Presidenti i Komisionit Europian, Junker, pritet të bëjë publike ditën e sotme në një konferencë për shtyp në Bruksel, shpërndarjen e portofolave të komisionerëve të emëruar. Debati mbi shpërndarjen e posteve të komisionerëve, ka disa muaj që përfshin vendet anëtare dhe interesat e tyre. Ndonëse kreu i Komisionit Europian, Junker, ka deklaruar se nuk do të bëjë publike para datës 10 shtator, pra ditën e sotme, shpërndarjen e posteve, dokumentet e rrjedhura për shtyp kanë shfaqur organigramën paraprake. Në këtë skemë, elementi që ka tërhequr më shumë vëmendjen është mungesa e postit të Komisionerit të Zgjerimit.

Në fakt, kreu i KE-së, Junker si gjatë fushatës për zgjedhjen e tij, por edhe gjatë shpalosjes së prioriteteve kyçe të axhendës politike të KE-së, do të saktësonte se BE, nuk do të ketë zgjerim për 5 vitet në vijim, por gjithsesi negociatat me vendet në proces do të vazhdonin. Siç duket axhenda politike po konkretizohej në skemën paraprake, edhe me fshirjen e postit të Komisionerit për Zgjerim.

Por, një sërë reagimesh kanë shoqëruar këtë “fshirje” nga lista të postit të Komisionerit për Zgjerim. Reagimi më i fortë ka ardhur nga Ministri i Jashtëm i Suedisë Karl Bildt, i cili do të vlerësonte këtë veprim, si një sinjal shumë të keq dhe abdikim nga përgjegjësia, përballë vendeve në proces zgjerimi. Reagime shqetësuese janë përcjellur gjithashtu edhe nga diplomatë të ndryshëm të vendeve në proces zgjerimi.

Por, ndërsa pritet publikimi i organigramës nga kreu i KE-së, Junker, vërehet se rrjedhja paraprake për shtyp e skemës së shpërndarjes së posteve, ka shkaktuar një rritje të presionit politik. Mbase nën ndikimin e këtij presioni politik, mund të lexohet përgënjeshtrimi që vjen nga brenda Komisionit, se ajo çka po përflitej, nuk ishte e vërtetë. Por, sidoqoftë, edhe ky përgënjeshtrim u shoqërua me një sqarim, që gjithsesi përmban në vetvete, një reduktim të paktën në formë. Emërtimi i postit nga “Komisioneri për Zgjerimin dhe Politikat e Fqinjësisë” është reduktuar në thjesht “Komisioneri për Fqinjësinë”, pra është hequr fjala “Zgjerim”. Sipas organigramës do të jetë Komisioneri i Fqinjësisë, i cili do të përfshijë edhe politikat e zgjerimit.

Ndonëse organigrama ka paraprakisht emrin e austriakut Johannes Hahn, një tjetër emër që po qarkullon është ai i  Maros Shefçoviç nga Sllovakia. Siç duket, posti është vendosur t’i lihet sërish një vendi të ri anëtar. Shefçoviç ka qenë përgjegjës për Administratën dhe Punët Ndërinstitucionale në ekipin Barroso II.

Nuk dihet ende, nëse do të ketë pësuar retushim të mëtejshëm skema e ndarjes së posteve, apo termi i hequr “zgjerim” do të jetë ripërfshirë, si pasojë e presioneve të mundshme politike, por nëse do të ngelet e tillë, pyetja që lind është: Çfarë do të ndryshojë ky skicim, përballë vendeve në proces zgjerimi ?

Logjika të ofron si reflektim dy opsione, së pari kreu i KE-së Junker, nuk është thjesht një drejtues i lartë institucioni, por përfaqëson pikëpamjet dhe orientimet politike të krahut që i përket, pra PPE-së. Nën këtë këndvështrim, duhen parë si orientimet, por edhe axhenda e tij politike. Ai do të deklaronte në një formë tejet të sinqertë pas zgjedhjes së tij, se “BE nuk do të ketë zgjerim për 5 vitet në vijim” dhe se fokusi i prioriteteve politike të Komisionit Europian do të shkonte drejt zhvillimit të politikave të punësimit, rritjes ekonomike dhe investimeve. Por, çfarë do të ndodhë me vendet që janë në proces zgjerimi, nëse zgjerim nuk do të ketë? Sipas konfirmimeve që vijnë nga KE duket se, bisedimet me këto vende do të vazhdojnë dhe do të shkohet më tej në avancim negociatash, por gjithsesi zgjerim nuk do të ketë.

A rrezikojnë vendet që janë në proces zgjerimi, shpërqendrimin nga fokusi kryesor dhe dekurajimin? Sigurisht që po, dhe mbase në këtë prizëm duhet parë edhe vëmendja në rritje, ndaj Ballkanit Perëndimor, me riangazhimin në krye të diplomacisë gjermane, për mbajtjen e ritmit të reformave dhe mundësi për avancim dhe progres të mëtejshëm shumëplanësh. Angazhimi i diplomacisë së Berlinit, aktorit politik dhe ekonomik tejet të fuqishëm të BE-së, duhet lexuar edhe në një platformë paralele me orientimet politike të PPE-së, për ngrirje të një zgjerimi të mëtejshëm të BE-së. Ndoshta kemi të bëjmë me një planifikim politik të nevojshëm për të dy palët, pra, ndërsa BE, i jep hapësirë vetvetes për rikuperim nga lodhja që i ka krijuar zgjerimi, paralelisht vendet në proces zgjerimi do të jenë tërësisht të motivuara për kryerjen e reformave, me nxitjen kryesore që vjen nga Berlini. /im.ta/

 

 

Share This Article