Situata emergjente në veri të Irakut, ka sjellë edhe ndryshimin e qëndrimit të diplomacisë gjermane për furnizim me armë të luftëtarëve kurdë. Një akt i vlerësuar si i rrallë, që prej mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Një ndryshim qëndrimi, që konsiderohet se mund të shënojë edhe fillimin e një qasje të re të diplomacisë së Berlinit në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ndonëse video e ekzekutimi të gazetarit amerikan, konsiderohet të jetë një moment reflektimi, që influencoi në marrjen e vendimit qeveritar, debati mbi rolin e diplomacisë gjermane në politikat e sigurisë ndërkombëtare, ka një shtrirje të gjatë kohore. Thelbi i këtij debatit konsiston në rishikimin e rolit të thjeshtë prej vëzhguesi, të diplomacisë gjermane, përballë politikave të sigurisë ndërkombëtare, duke kërkuar rritje të përgjegjshmërisë gjermane.
Në konferencën e djeshme për shtyp, Ministri i Jashtëm gjerman Steinmeier deklaroi, se Gjermania dhe Europa, nuk mund të jenë indiferente ndaj vuajtjes së paimagjinueshme të refugjatëve në veriun e Irakut, që kanë braktisur shtëpitë e tyre nga dhuna brutale e xhihadistëve. Ndërsa Ministrja e Mbrojtjes Ursula Von Der Leyen, do të shtonte se, shteti Islamik duhet të ndalet dhe se nuk duhet humbur kohë. Gjatë konferencës të dy zyrtarët deklaruan, se në ditët në vijim do të fillojë shpërndarja e një sërë pajisjesh ushtarake dhe në funksion të zhvillimeve në terren, edhe furnizimi me armë.
Ligji gjerman e ndalon tregtinë e armëve në zonat në konflikt, por ky opsion mund të rishikohet nëse interesat e sigurisë së Gjermanisë, vihen në lojë.
“Është e qartë për të gjithë ne që ofensiva e ISIS (…) duke parë rajonin e botës ku zhvillohen, cenon sigurinë tonë (…), është diçka që na kërcënon të gjithëve”, do të konfirmonte zëdhënënësi Seibert, i Kancelares Merkel.
Një vendim, i cili kërkon miratimin nga parlamenti. Por, zëdhënësi Seibert ka deklaruar se kjo do të kalojë si seancë informimi në parlament, duke bërë të qartë se nuk është e nevojshme vota e deputetëve. Çka mund të shkaktojë edhe një reagim të brendshëm politik si nga faktorët opozitarë, por edhe nga opinioni publik, i cili sipas sondazheve nuk e mbështet në shumicë këtë iniciativë.
Evropa në përgjumje
Vetëm disa javë më parë, reagimi evropian ishte pothuajse i munguar. Të gjendur pas mbarimit të zgjedhjeve evropiane, me poste kyçe, funksione dhe institucione sa në rinovim por edhe të shpërndarë për pushime verore, diplomacia evropiane ishte në përgjumje. Zgjimi do të kryhej nga shefi i diplomacisë franceze Laurent Fabius, i cili pas kthimit nga Iraku dhe takimit që kreu me Presidentin e Rajonit Autonom kurd, Barzani, do t’i bënte thirrje me tone tejet të forta Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Catherine Ashton, për mbledhje urgjente të Ministrave të Jashtëm të BE-së:
“ E di që në vendet perëndimore është periudha e pushimeve, por kur ka njerëz që vdesin, që janë duke u shuar, duhet të kthehemi nga pushimet”.
Debati mbi situatën në Irak, kishte kohë që përshkonte klasën politike franceze: si të veprohet, me çfarë mjetesh, nën çfarë kuadri ligjor, nëpërmjet cilës rrugë diplomatike, me cilët partnerë? Ky debat përfshinte edhe kuadrin humanitar ndaj popullatës vendase, dhe mënyrat e ndryshme se si mund të ofrohet mbrojtja nëpërmjet azilit në tërësi, mbi baza humanitare kundrejt popullit, që po i ikën masakrave apo një mbrojtje kryesisht mbi bazë fetare, të minoritetit në kërcënim të drejtpërdrejtë. Presioni diplomatik francez ndaj BE-së për dërgimin e armëve filloi të rritet, ndërsa SHBA filloi operacionin ajror mbi pozicionimet e xhihadistëve të shtetit islamik.
Reagimi i fortë francez do të përforcohej dhe nga diplomacia italiane konkretisht nga pretendentja për postin e Ashton, Federica Mogherini, e cila gjithashtu thërriste për veprim përfaqësuesit e diplomacive evropiane.
Por, mbledhja dhe vendimet që e pasuan rishfaqën sërish të njëjtën problematikë, përplasje dhe pozicionime të ndryshme përballë çështjeve dhe konflikteve, që po mbizotërojnë. Iraku, çështja që kishte përçarë drejtuesit politikë evropianë në vitin 2003, i ekspozoi sërish të pozicionuar në kahe të ndryshme.
Franca, Italia dhe Republika Çeke u pozicionuan në favor të armatosjes së autoriteteve rajonale kurde. Ministri i Punëve të Jashtme të Francës, Laurent Fabius, insistonte në zgjidhjen e problemit të çekuilibrit të dukshëm midis ekstremistëve sunitë dhe luftëtarëve kurdë, për t’i dhënë kurdëve mundësinë të rezistonin. Por, Britania e Madhe refuzonte mbështetjen me furnizim armësh, duke shfaqur preferencat për një kuadër ndihmash humanitare, kryesisht në malet e Sinjarit ku gjenden edhe pjesa më e madhe e popullsisë së strehuar. Edhe pse opsioni për të mbështetur këtë iniciativë u la i hapur, pozicionimi britanik u lexua edhe si qëndrim i kushtëzuar nga afrimi i zgjedhjeve të përgjithshme legjislative. Në të njëjtën linjë ishte pozicionuar edhe diplomacia gjermane, e cila kishte shprehur me kohë rezervat e saj. Vende të tjera, që u shprehën kundër gjatë mbledhjes së Ministrave të Jashtëm të BE-së ishin Suedia, Irlanda, Finlanda dhe Austria, duke ngritur shqetësimin se mos ky furnizim me armë mund të çojë në një moment të dytë, në tentativa pavarësimi të autoriteteve rajonale kurde.
Qëndrimet e ndryshme të shteteve anëtare përballë çështjes së Irakut, rishfaqën sërish problematikat e diplomacisë evropiane, që prekin thelbin funksionues politik të BE-së. Ndonëse në një gamë të gjerë të fushave të ndryshme politike, vendet anëtare të BE-së, kanë një mekanizëm vendimmarrje të përbashkët, duke thjeshtëzuar në mënyrë të konsiderueshme ndërtimin e kompromisit, politika e jashtme nuk funksionon sipas këtij realiteti. Në fushën e politikës së jashtme, ku dominon koncepti i sovranitetit dhe i pavarësisë dhe përparësi marrin interesat tradicionale historike dhe gjeopolitike të kombeve, loja politike, kërkon mbështetje nga të gjithë vendet anëtare, me institucionet e Brukselit, që kanë më tepër një rol thjeshtëzues. Si diplomacia, po ashtu edhe lufta, ngelen një eksluzivitet tërësisht shtetëror dhe vlerësohen si thelb i sovranitetit kombëtar. Historia e funksionimit të BE-së ka treguar se, sa më shumë dosjet përforcojnë karakterin e tyre politik, aq më shumë thellohen përplasjet ndërshtetërore (lufta në Irak 2003, ndërhyrja ushtarake në Mali 2013, Siria 2013, çështja e Kosovës, etj). Shpeshherë në krye të kritikave është venë Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për mungesë efikasiteti në koordinimin e mundshëm të qëndrimeve politike të shteteve të ndryshme anëtare. Por, është thuajse një mision i pamundur të kërkosh nga një funksionar i lartë të mund të koordinojë pozicionimet e interesave diametralisht të kundërt të shumë prej vendeve anëtare, kur këto interesa sa historike edhe ekonomike janë edhe thelbi, që pengojnë si krijimin e mekanizmave institucionalë, por edhe të një Europe me përqasje federale./im.ta/