Formulimi i ri i Komisionit Europian dhe shpërndarja e portofoleve ka shkaktuar reagim të fortë kundërshtues nga Berlini. Caktimi i dy portofoleve më të rëndësishëm, siç janë çështjet ekonomike dhe stabiliteti financiar, Francës dhe Britanisë së Madhe janë konsideruar si zhgënjyese. Reagime të forta ka pasur gjithashtu edhe mbi shkrirjen e posteve, si ai i energjisë me klimën, apo portofolit të mjedisit me atë të peshkimit. Por, a do të mund të arrijë dot marrjen e miratimit në tërësi nga Parlamenti Europian, ekipi i ri i Junkerit ?
Me emërimin e ish Ministrit të Financave Pierre Moscovic, Franca realizoi objektivin e saj mbi marrjen e një posti tejet të rëndësishëm, siç është portofoli strategjik i çështjeve ekonomike dhe monetare. Por, kundërshtimet që vinin nga Berlinin ishin të hershme, që në momentin që Franca nëpërmjet kandidaturës së Moscovic, pretendonte marrjen e këtij portofoli. Argumentet e Berlinit ngriheshin nga njëra anë, mbi kompetencat që imponon posti dhe nga ana tjetër mbi pozicionimin dhe rolin e kandidaturës së Moscovic, përballë politikave ekonomike kombëtare, por edhe atyre evropiane.
Dyshimet që binin mbi Moscovic, lidheshin me përgjegjësitë që buronin nga posti, të cilat përfshijnë si mbikëqyrjen e punës së Komisionit, mbi monitorimin e politikave fiskale të shteteve anëtare, nëse janë në të njëjtën linjë me angazhimet evropiane, por edhe kthimin e financave publike evropiane në formën e duhur, pasi shumë vende anëtare po thyejnë rregullat e BE-së, mbi deficitet publike.
Por, një ndër këto vende, që po thyen këto rregulla është edhe Franca, e cila duhet të mundësojë uljen e deficitit publik, nën nivelin 3% të GDP-së.
Që prej vitit 2009, Franca po përballet me një deficit eksesiv, dhe qeveria franceze nuk po arrin dot uljen e tij në nivelet e kërkuara nga BE. Pas ekzaminimit që pritet të bëhet nga KE, mbi planin buxhetor të Francës, dhe nëse ai refuzohet, Parisi mund të përballet me sanksione. Ndonëse i është akorduar dy herë afati mbi uljen e deficitit publik, si Franca, por edhe FMN së bashku me Komisionin Europian kanë parashikuar tashmë, se objektivi francez do të jetë i paarritshëm edhe për afatin e tretë të caktuar. Por, nga ç’pozicion do të kërkojë Komisioneri francez zbatimin nga vendet e BE-së të politikave ekonomike, që vetë vendi i tij nuk arrin dot t’i përmbushë?! Këtu qëndron dhe thelbi i reagimit kundërshtues të Berlinit.
Për sa i përket portofolit të caktuar Britanisë së Madhe, që lidhet me shërbimet financiare, shqetësimi i ekspozuar nga partia Social-Demokrate e koalicionit qeveritar të Merkel, ngrihet mbi logjikën, se nuk mund t’i jepet fund krizës financiare në Evropë, nëpërmjet politikave të natyrës proteksioniste, që ndjek Britania e Madhe si “mbrojtje mbi transaksionet e kompjuterizuara të frekuencës së lartë (bursë), mbi produktet e padukshme financiare dhe pagesat prej miliona eurosh për marrëveshje anti-sociale”. Reagime ka pasur edhe nga Presidenti i Delegacionit Socialist francez në Parlamentin Europian, Beres, i cili e konsideron të palogjikshëm dhe joefikas caktimin e këtij roli, një vendi anëtar si Britania e Madhe, e cila nuk është pjesë e eurozonës. Ndërsa eurodeputetë të tjerë, si dyshja e presidencës së të Gjelbërve, belgu Filip Lambert dhe gjermanja Rebeka Harms, e kanë konsideruar këtë emërim, një provokacion.
Por, nga një këndvështrim i brendshëm kombëtar, si Franca edhe Britania e Madhe i kishin tejet të nevojshëm këto poste. Nga njëra anë, gjendja ekonomike në ngecje e Francës, “skandalet” e vazhdueshme që vijnë nga pallati presidencial Elize, humbja e terrenit elektoral nga socialistët në pushtet dhe fuqizimi i ekstremit të djathtë, janë një sërë faktorësh që çonin diplomacinë franceze, drejt kërkimit të një posti të rëndësishëm ekonomik në nivel evropian.
Nga ana tjetër, humbja e betejës së kryeministri britanik Cameron ndaj emërimit të Junker, si edhe kërcënimi për kryerjen e një referendumi për dalje nga BE, e kishin më se të domosdoshme caktimin e një portofoli të tillë, i cili sigurisht që do të ndikojë edhe në politikën e brendshme përballë përcaktimit të së ardhmes së Britanisë në BE.
Por, a do të arrijë të marrë aprovimin e Parlamentit Europian, ekipi i ri i Junker ?
Debatet e shumta, që janë ngjallur menjëherë pas publikimit të emrave të komisionerëve, duket se nuk do ta bëjnë aspak të lehtë seancën e pyetjeve dhe miratimin nga PE.
Një nga emrat më të diskutuar dhe të kundërshtuar është hungarezi Tibor Navracsics, i emëruar në postin e Komisionerit të Kulturës, Rinisë dhe Qytetarisë. Navracsics është anëtar i Partisë Fidesz në Hungari, një parti që vlerësohet se ka rrëshqitur drejt ekstremit të djathtë. Hungaria me ardhjen e Orban në pushtet ka qenë vazhdimisht në fokusin e kritikave për përkeqësim të të drejtave të njeriut, kryesisht mbrojtjes së minoriteteve dhe lirive publike. Emërimi i Navracsics, është konsideruar si një provokacion, ose tërheqje nga përgjegjësitë e kreut të Komisionit Europian Junker, përballë politikave të kritikuara të Orban. Socialistët francezë në PE, janë bashkuar me ato hungarezë, duke deklaruar paraprakisht votën kundër Komisionerit hungarez Navracsics.
Një tjetër emërim problematik, duket të jetë si i zv. Presidentes së KE-së, sllovenes Alenka Bratusek. Kritikat bazohen në një ekspozim të saj mediatik, në të cilën ajo shfaqet duke kënduar këngën “Rroftë komunizmi dhe liria” gjatë pjesëmarrjes në një aktivitet, oratorët e së cilës i vënë zjarrin flamurit evropian dhe e konsiderojnë BE një “bandë hajdutësh”
Por, edhe Komisioneri i Maltës mbi Mjedisin pritet të shkaktojë debat në PE, për akuzat ndaj tij për korrupsion në vitet ’80. Kundërshtime mund të hasin edhe shkrirjet e posteve, si ai i Energjisë me Klimën, duke shkaktuar kundërshtim të të Gjelbërve dhe eurodeputetëve të qendrës së majtë në PE. Por, gjithsesi kampet përkatëse në PE, janë në kërkim të sigurisë dhe kompromiseve, për mos refuzim të kandidaturave të përfolura.
Historiku i miratimit të Komisionit Europian nga PE, ka treguar se presioni i ushtruar nga eurodeputetët mund të çojë edhe në tërheqjen e Komisionerëve të emëruar nga shtetet përkatëse ( shembujt më të njohur: Italia me Rocco Buttiglione në 2004- mbi pikëpamjet e tij mbi homoseksualitetin dhe gjininë femërore; Bullgaria në 2010 për kompetenca jo të mjaftueshme gjatë seancës së dëgjimit të Komisioneres në PE). Miratimi i komisionerëve, që kanë tërhequr vëmendjen publike mbi qëndrimet e tyre problematike, përballë barazisë gjinore (çështje tejet e ndjeshme për PE-në), lirisë publike dhe të drejtave të njeriut, duken si më problematiket për t’u konfirmuar. Nga ana tjetër edhe kreu i grupit Socialist-Demokrat në PE, Pittella pavarësisht, se e ka vlerësuar Komisionin e formuar si të balancuar, me strukturë të re dhe plane të reja zhvillimi për tejkalimin e krizës, ai është shprehur i rezervuar për sa i përket portofolit të shërbimeve financiare dhe portofoleve të kulturës dhe edukimit. Sigurisht, që në princip, PE nuk mund të vërë veton ndaj një komisioneri të caktuar, por mund të bllokojë tërë Komisionin. Gjithsesi në praktikë, kërcënimi për veto ndaj një komisioneri të caktuar, ka demonstruar se presioni është efikas dhe vendi ka tërhequr komisionerin e tij./im.ta/
