Berlusconi sulmon Senatin: “Reforma, ose të mbyllet”

anazapta

“Ose të bëhen reforma të mira, ose më mirë ia vlen ta mbyllim Senatin”. Ish-kryeministri italian, Silvio Berlusconi do të bojkotojë reformën e Senatit, mbi të cilën Matteo Renzi po hipotekon rolin e tij si kryeministër. Ish Kavaljeri e lëshoi bombën duke folur gjatë një manifestimi elektoral të Forza Italia-s në Milano.

“Reformë e patretshme” – Berlusconi përdori terma të fortë mbi projektligjin kushtetues për reformimin e Senatit, i prezantuar nga qeveria Renzi dhe e etiketoi si “absolutisht të papranueshëm dhe të patretshëm”. Sipas tij, në mungesë të një “reforme të mirë”, kjo dhomë e parlamentit më mirë “të mbyllet fare”. Lideri i “Forza Italia”-s u shpreh duke kërcënuar: “Nuk do të votojmë reforma të shkruara nga kjo qeveri, e cila është e treta e pavotuar nga italianët, vetëm për t’i lejuar partive që ta mbështesin dhe t’i venë një medalje para zgjedhjeve evropiane”.

Ish-senatori shprehu kritika edhe për  reformën e provincave, e cila dy ditë më parë u aprovua në Dhomën e Ulët: “Për fat të keq reforma si ajo për provincat i bëjnë një dëm të tillë vendit që do të ketë efekte edhe në dekadat e ardhshme”. Mbi ligjin elektoral ai nënvizoi se “nuk doli siç dëshironim. Kemi bërë marrëveshje dhe kemi pranuar kompromise”.

Matteo Renci është gjithnjë në TV” – Ish Kavaljeri u ankua për praninë e madhe në televizion të kryeministrit Renzi, i cili sipas tij “del në televizor 4 ose 5 orë në ditë”, ndërsa ai, Berlusconi, “mungon që nga fundi i fushatës elektorale të shkurtit të 2013-s”. Por, premton të rikthehet në ekranin e vogël brenda një jave, ashtu siç paralajmëron rikthimin në votime brenda vitit dhe thotë se ka bindjen e plotë që këtë herë forca e tij do të triumfojë. Gjatë fjalës së tij në Milano, Berlusconi foli edhe mbi ekonominë e Italisë dhe Evropën, duke pohuar se “ekonomia italiane është e dyta më e qëndrueshmja në Evropë”. “Zgjidhja, –  vijoi ai, – është rinegocimi i të gjitha traktateve me BE-në të cilat janë firmosur ‘më gjunjë’ para Gjermanisë”.

Ish-kryeministri përballet me një tjetër vit të ngarkuar procesesh gjyqësore. Lista e akuzave kundër tij është e gjatë, duke nisur nga ajo për shitblerjen e senatorëve.  Në një dënim të shkallës së parë, Berlusconi u dënua me katër vite burg, por u amnistua për arsye moshe. Megjithatë ky dënim i kushtoi atij largimin nga Senati, si dhe ndalimin e ushtrimit të çdolloj mandati publik për dy vite. Ndërkaq ai ka apeluar kundër këtij vendimi.

Anketimet e fundit e shohin Forza Italia-n si njërën nga partitë më të forta sa u përket zgjedhjeve evropiane. Ish-kryeministri është përballur gjatë ditëve të fundit edhe me probleme shëndetësore. Ai iu nënshtrua para disa ditëve një rezonance magnetike në gju, në spitalin “San Raffaele” të Milanos. Testi zbuloi se politikani 77 vjeçar, vuan nga një inflamacion i indit kërcor në gjurin e majtë, simptoma të zakonshme për moshën e tij. /Dorina Gjuzi

 

 

 

Share This Article