Zgjedhjet e pritshme të kësaj të diele në Greqi, janë shoqëruar me tension të lartë në BE. Fenomeni “Syriza”, nuk është thjesht një problem i brendshëm grek, apo një shqetësim mes Greqisë dhe BE-së. Ai shtrihet më tej, teksa po tenton të krijojë precedentë ekonomikë për zgjidhje radikale të menaxhimit të borxheve kombëtare. Ky fenomen, po shërben edhe si frymëzues për modelet politike dhe popullore të linjave ekstremiste në shumë prej vendeve të BE-së.
Syriza mes reales dhe imagjinares
Retorika politike e Syriza-s ofron një kuadër të mahnitshëm, që e çon drejt ringjalljes së shpresës çdo individ të prekur nga karakteri i masave shtrënguese ekonomike. Rikthim i dinjitetit Greqisë, refuzim për të përmbushur angazhimet e Eurozonës, refuzim për shlyerje të borxhit, derisa Greqia t’i rikthehet zhvillimit ekonomik, rritje e pagave minimale dhe rritje të pensioneve, energji elektrike falas, mjekësi dhe transport falas për sektorët në nevojë si edhe bono ushqimi për 300 mijë familje që jetojnë nën nivelin e varfërisë, reduktim i taksave për karburantet dhe fshirja e tyre për më të varfrit, shtetëzim i kompanive private dhe shërbimeve private, etj.
Ndonëse është e paqartë, skema se si do të mundësohet i gjithë ky kuadër masash, vëmendja shkon drejt liderit karizmatik të Syriza-s, Aleksi Tsipras: A do të jetë i aftë Tsipras, në rolin e një kryeministri, të ulë në një tavolinë kompromisi kreditorët ndërkombëtarë dhe të marrë atë çfarë ka deklaruar publikisht prej tyre?
Trojka (BQE,FMN,KE) është shprehur tashmë e vendosur, se termat aktualë të programeve, që po aplikohen nuk do të ndryshojnë. Për Trojkën, logjika e marrëveshjeve, nuk ka të bëjë me angazhimet partiake apo qeveritare, por me angazhim kombëtar. Nëse Syriza, shpreh vullnet të hapur për të mos marrë parasysh marrëveshjet aktuale, atëherë Trojka ka konfirmuar se fleksibiliteti i saj do të jetë i nivelit zero, duke mos pranuar të vendosë në rrezik statusin dhe kredibilitetin e saj në Greqi.
Pozicioni i Berlinit është i prerë. Ministri gjerman i Financave, Shauble, ka deklaruar se, “zgjedhjet e reja nuk ndryshojnë asgjë në marrëveshjet e kryera me qeverinë greke…(…) çdo qeveri e re duhet të respektojë marrëveshjet e kryera nga paraardhësit”. Edhe këshilltari i kancelares Merkel, Fuchs ka konfirmuar se “Koha kur duhet të shpëtonim Greqinë ka mbaruar. Nuk ka më potencial për shantazhe politike. Greqia nuk ka më rëndësi sistemike për euron”.
Nga ana tjetër, ka një nivel të lartë ndërgjegjësimi, se nuk duhet të krijohet një precedent, i cili mund të shkaktojë një efekt zinxhir në Eurozonë.
Por, nëse Syriza nuk do të arrijë të marrë rinegocimin e termave të shlyerjes së borxhit dhe interesave të tij, a do ta çojë vendin drejt një skenari “Grexit” për dalje nga Eurozona ?
Ky konsiderohet të jetë edhe skenari më i keq për Greqinë. Me nivelin e saj të ulët të konkurrencës, kthimi në monedhën vendase dhrahminë, do të jetë problematik dhe me kosto të lartë. Nga ana tjetër vlerësohet se, strukturat e saj të dobëta prodhuese dhe nevoja për mbështetje të vazhdueshme financiare nga jashtë, janë elementë, që nuk favorizojnë aspak këtë skenar. Partnerët e Eurozonës, ndërkohë i kanë konfirmuar Greqisë se dalja është e pariparueshme, pra pa një kthim pas. Në këtë logjikë mbështeten edhe faktorët e tjerë, që konfirmojnë nivelin e ulët të riskut sistemik për eurozonën në rast të një dalje të Greqisë, si edhe mekanizmat mbrojtës efikas, që do të zvogëlojnë dëmet e parashikuara.
Bisedimet sekrete
Por, është tejet i rëndësishëm fakti se nën klimën e një fitore të paralajmëruar, Berlini ka nisur prej kohësh bisedimet sekrete me përfaqësuesit e Syriza-s. Sipas një sërë informacionesh të bëra publike nga mediat evropiane, Sekretari i Shtetit i kabinetit gjerman Jorg Asmussen, i caktuar për të mbuluar dosjen e krizës greke, është ulur prej kohësh në tavolinën e bisedimeve sekrete me përfaqësuesit e Syriza-s.
Asmussen, ish pjesëtar bordi i Bankës Qendrore Europiane, është përshkruar si favoriti i Presidentit të BQE-së, Mario Draghi dhe Ministrit të Financave Schauble. Ai është njeriu i zgjedhur nga Frankfurti dhe Berlini për të kryer një marrëveshje me Aleksis Tsipras, liderin e Syriza-s që po kërkon fshirje totale të borxhit të jashtëm grek.
Vetëm nën këtë logjikë bisedimesh paraprake, mund të kuptohet dhe shpjegohet zbutja e qëndrimeve në retorikën politike të Syriza-s, konfirmimi për qëndrim në zonën euro si edhe kalimi nga fshirja tërësore e borxhit, në rinegocim të termave të shlyerjes. Këto bisedime, ndonëse ende të pakonfirmuara zyrtarisht nga palët, hapin perspektivën e një marrëveshje tashmë të arritur në terma paraprakë, mbi një kompromis midis Greqisë dhe kreditorëve të saj.
Zgjerimi i fenomenit
Por, ndërsa Greqia mund të arrijë në njëfarë mase të rinegociojë termat e shlyerjes së borxhit të saj, ekziston dhe probabiliteti për zgjerimin e këtij fenomeni në vende të tjera evropiane, që aktualisht janë në përballje me probleme financiare, si Spanja, Portugalia, Irlanda. Nëse kushtet e borxhit grek do të rinegociohen, atëherë kjo mund të krijojë precedentin, të paktën në parim, për rishikim edhe në vendet e mësipërme.
Nga ana tjetër, fitorja e Syriza-s, do të ketë një ndikim direkt edhe në rritjen e popullaritetit të partive dhe lëvizjeve të tjera populiste në Europë, si të ekstremit të majtë, por edhe të djathtë. Sidomos të atyre që shtrihen në të njëjtën platformë, mbi kufizimin e masave shtrënguese ekonomike dhe për një rol fuqizues të politikave kombëtare. Modeli i Syriza-s, ka frymëzuar tashmë radikalët e majtë të Podemos në Spanjë, Lëvizjen e 5 Yjeve në Itali, etj.
Por, teksa radikalët e majtë të Syriza, po konfirmohen si fitues të këtyre zgjedhjeve, ka dhe një moment reflektues përballë rritjes së konsiderueshme të dy ekstremeve në shumicën e vendeve evropiane. Krijimi i Europës së bashkuar, nën frymëzimin e baballarëve të saj, synonte shkrirjen në harmoni të një kontinenti të shkatërruar nga luftërat e shekullit të 20-të. Shkatërrim i gjeneruar nga filozofitë ekstremiste. Pikërisht sot, nën këtë Europë të bashkuar, të zgjeruar dhe të unifikuar, po konstatohen gjithmonë e më shumë tendencat ekstremiste, dhe kjo vetëm në përballjen e saj të parë, me këtë krizë të zgjatur./im.ta/
