Parlamenti Evropian i është drejtuar sërish Unionit, për ndërgjegjësim në lidhje me zhbllokimin e situatës mbi çështjen maqedonase. Nuk kanë kaluar as dy muaj, kur PE paralajmëroi Unionin, se në rast se nuk hapen negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë, rrezikohej minimi i besueshmërisë së politikave të zgjerimit.
Edhe shqetësimet e eurodeputetëve të ndryshëm përgjatë debatit të djeshëm parlamentar, janë fokusuar jo vetëm tek gjetja e një zgjidhje përgjatë dialogut politik në proces, por për një angazhim më të madh politik në nivele të larta.
(…)
“Vendi ka bërë përparime ekzemplare. Në fakt, si Komisioni Evropian po ashtu edhe Parlamenti kanë rekomanduar hapjen e negociatave, nëntë herë radhazi. Është në interesin e Unionit Evropian të mbajë perspektivën evropiane të Ballkanit, në rrugën e duhur.
Në rastin e ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë, do të preferoja që problemet dypalëshe të zgjidheshin përgjatë negociatave të anëtarësimit, pasi “salla e pritjes” nuk siguron një pushtet transformues evropian, të nevojshëm për integrimin e Ballkanit në BE.”
Alojz Peterle, Kreu i delegacionit PE-së për vendet e Ballkanit
(…)
Problematikat e marrëdhënieve dypalëshe janë shndërruar tashmë në një mekanizëm bllokues të avancimit në rrugën evropiane. Por, Greqia nuk është i vetmi vend, që ka bllokuar përparimin e mëtejshëm të Maqedonisë, pasi edhe Bullgaria (2012) gjithashtu vuri veton ndaj Shkupit, duke iu bashkuar Athinës zyrtare. Sipas Bullgarisë, Maqedonia nuk ishte gati për të filluar procesin e negociatave për anëtarësim në BE, pasi kjo përkthehej për palën bullgare në dhënien e një certifikate autoriteteve qeveritare të Shkupit, që përdorin sistematikisht një ideologji urrejtje ndaj Bullgarisë, duke manipuluar edhe faktet historike.
Bllokimit të integrimit të Maqedonisë, së fundmi mund t’i shtohet edhe bllokimi, që Kroacia mund t’i bëjë Serbisë, në rast se shkohet drejt fazës së hapjes zyrtare të negociatave. Ky mjet presioni mund të shfrytëzohet edhe nga Greqia përballë Shqipërisë, në çdo fazë të mundshme të procesit të negociatave. Ambiciet kombëtare kanë gjetur platformën optimale për të maksimizuar objektivat e tyre, në marrëdhëniet dypalëshe. Toleranca evropiane ndaj këtij mekanizmi bllokues duket se, përshtatet edhe me filozofinë e Unionit mbi një proces zgjerimi të ngadaltë, që shpeshherë edhe bllokohet.
Mjetet për të frenuar këtë proces janë aty. Pa përmendur iniciativat e munguara ligjore, loja e izolimit diplomatik brenda për brenda mekanizmit funksionues politik të BE-së, është një mjet i fuqishëm presioni për të detyruar vendet në fjalë të tërhiqen nga bllokadat integruese. Rasti i Maqedonisë, ndoshta është shembulli më i hidhur i “harresës” dhe “neglizhencës” ndaj harmonisë dhe paqes së shumëkërkuar. Siç, edhe ka rastin të shndërrohet, në modelin përçues të dështimit të filozofisë bllokuese./im.ta/
***
Ballkani në Fokus-Maqedonia
Postuar më 25 shkurt
Në rast se BE, nuk hap së shpejti negociatat e aderimit me Maqedoninë, Unioni rrezikon minimin e besueshmërisë së politikave të zgjerimit. Ky është presioni i fundit, që erdhi ditën e djeshme nga eurodeputetët e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian. Kjo është hera e nëntë, që ato i kërkojnë Këshillit fiksimin e një datë për çeljen e negociatave. Ndonëse një vend kandidat që prej vitit 2005, Maqedonia nuk ka mundur ende të çelë negociatat e aderimit. Pengesa kyçe vjen nga diplomacia greke, në kuadrin e marrëdhënieve fqinjësore, për çështjen e zgjidhjes së emrit. Por, a ka një presion real mbi zhbllokimin e situatës dhe një reflektim mbi aplikimin e kriterit të “fqinjësisë së mirë”?
Kriza e brendshme
Ndonëse situata e brendshme politike në Maqedoni ka njohur përshkallëzim të konsiderueshëm kohët e fundit, kjo nuk mund të shërbejë aspak si shkak, apo arsye për mos çeljen e negociatave. Kjo nën logjikën se, tashmë prej afro një dekade bllokimi vjen nga jashtë, nëpërmjet presionit, që ushtron Greqia si vend anëtar i BE-së.
Nën këtë reflektim, duket se vjen edhe presioni i radhës nga eurodeputetët në Komisionin e Jashtëm të PE-së, të cilët i kërkojnë Këshillit hapjen pa vonesë të negociatave të aderimit.
Edhe progres raportet e çdo fund viti të Komisionit Europian janë përmbyllur me rekomandimin e vazhdueshëm për hapjen e negociatave.
Vlerësimi i fundit nga KE (tetor 2014) teksa rekomandonte hapjen e tyre vinte dhe theksin mbi problematikat e brendshme kyçe: paqëndrueshmëri reformash dhe regres; politizim i lartë i institucioneve shtetërore dhe kontroll qeveritar ndaj medieve; drejtësi selektive; përkeqësim i lirisë së medieve; interesa partiakë përpara atyre kombëtarë; bojkot politik; besim në rënie ndaj institucioneve shtetërore; situatë ndër-etnike që ka nevojë për një ndërtim më të madh besimi; rishikim i Marrëveshjes së Ohrit që ka nevojë të plotësohet dhe rekomandimet e saj të zbatohen. Ndërsa progresi i pakët renditej ndaj reformës në administratën publike, ndaj bashkëpunimit aktiv rajonal dhe ndërkombëtar policor, si edhe në konfirmimin e axhendës së BE-së si prioritet strategjik për vendin.
Krijimi i mekanizmave për bllokim
Kriteri i “fqinjësisë së mirë” dhe aplikimi i tij është shndërruar gradualisht në një kriter kompleks, ku logjika juridike përplaset me atë politike. Pra, nëse juridikisht duhet të kemi një përqasje për zgjidhje të këtij problemi sipas formatit juridik ndërkombëtar, po ndodh e kundërta, një tendencë për zgjidhje sipas formatit politik, nga fuqia që jep pozicionimi si vend anëtar përballë një vendi kandidat. Duke shfrytëzuar këtë hapësirë, shtetet evropiane sjellin axhendën e tyre të pastër kombëtare për zgjidhje në nivel evropian.
Por, përpjekja për zgjidhje nën një format politik, evropian, sigurisht që ka ekspozuar edhe zhbalancimin e ekuilibrit në trajtimin e çështjeve përballë vendeve në konflikt. Çështjet me karakter thellësisht juridik, nuk mund të trajtohen thjesht politikisht, me ndërmjetësime dhe nën presionin e pushtetit të vendit më të fuqishëm.
Pikërisht këtu bazohet dhe thelbi i shqetësimit juridik. Principi i fqinjësisë së mirë, ka kuadrin e tij ligjor dhe futja e këtij principi si një nga kriteret për anëtarësim, ka sjellë një shmangie nga legjislacioni ndërkombëtar, për të shkuar drejt një zgjidhje me karakter politik në nivel europian.
Kjo shmangie i ka krijuar hapësirën e duhur vendeve anëtare, që të tentojnë nëpërmjet presionit të integrimit të mëtejshëm, të zgjidhin çështje me karakter të pastër nacionalist, në një nivel politik evropian. Kjo ka sjellë edhe nacionalizimin e politikave të zgjerimit të BE-së, pasi vendet anëtare po arrijnë të bllokojnë për interesa të pastra kombëtare, perspektivën europiane të vendeve kandidate.
Bllokimi
Nën këtë optikë vjen edhe bllokimi që Greqia po i bën Maqedonisë. Edhe pse Komisioni Europian vazhdon t’i rekomandojë Këshillit hapjen e negociatave, Këshilli nuk pranon të shprehet mbi këtë çështje.
Para marrjes së statusit të vendit kandidat, Këshilli i BE-së në vendimin e tij (14 qershorit 2004) të partneritetit me Maqedoninë, ndërsa specifikon prioritetet në fushat kyçe, për anëtarësimin e Maqedonisë në BE, në paragrafin mbi Bashkëpunimin Rajonal dhe Ndërkombëtar, nuk e parashtron aspak si kriter, çështjen e emrit me Greqinë.
Ekspozimi i këtij fenomeni fillon menjëherë pas dhënies së statusit të vendit kandidat, për të cilën Greqia votoi pro.
Elementi që tërheq vëmendjen është se, pavarësisht se literatura akademike merr si pikë referimi të ndryshimit të qëndrimit të BE-së, ndaj çështjes së emrit, momentin e pas refuzimit të ftesës së Maqedonisë për në NATO (2008), ajo që konstatohet është se edhe në dokumentet e Këshillit të BE-së (2006) kjo pikë figuronte ndër kriteret që Maqedonia duhej të përmbushte. Në vendimin e Këshillit të 30 janarit 2006, çështja e emrit me Greqinë figuron e vendosur në kapitullin politik, nën specifikimin e Çështjeve Rajonale dhe Detyrimeve Ndërkombëtare.
“ Garantimi i bashkëpunimit rajonal dhe të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, kryesisht duke dyfishuar përpjekjet për të gjetur me Greqinë, një zgjidhje të negociueshme dhe të pranueshme nga të dy palët, në lidhje me problemin e emërtimit të vendit, në kuadrin e rezolutave 817/93 dhe 845/93 të Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara”. (…)
Pra, edhe pse midis Greqisë dhe Maqedonisë ekzistonte një kuadër ligjor nën “Marrëveshjen e Përkohshme” (1995) se palët nuk do të pengojnë njëra-tjetrën në anëtarësime në organizata rajonale dhe ndërkombëtare (neni11/1) duke nënkuptuar anëtarësimin në BE dhe NATO, Unioni nuk e ka konsideruar si bazë vlerësuese aspektin ligjor të kësaj marrëveshje. Të paktën këtë konfirmon edhe përpilimi i vazhdueshëm i konkluzioneve të Këshillit, në lidhje me kriteret (çështja e zgjidhjes së emrit), që duhet të përmbushë Maqedonia.
Edhe vendimi i Këshillit më 18 shkurt 2008, pak para mbajtjes së Samitit të NATO-s në Bukuresht në fillim të muajit prill 2008, specifikonte ndër kriteret mbi Çështjet Rajonale dhe Detyrimet Ndërkombëtare, detyrimin për gjetjen e zgjidhjes mbi çështjen e emrit me Greqinë duke shtuar edhe frazën mbi evitimin e çdo lloj veprimi të dyshimtë, që mund të përkeqësojë këto marrëdhënie.
“ Të sigurojë krijimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, kryesisht duke dyfishuar përpjekjet për të gjetur me Greqinë, një zgjidhje të negociueshme dhe të pranueshme nga të dy palët në lidhje me problemin e emërtimit të vendit, në kuadrin e rezolutave 817/93 dhe 845/93 të Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara dhe të evitojë çdo veprim të dyshimtë që mund të dëmtojë këto marrëdhënie.” (…)
Gjithashtu dhe konkluzionet e fundit të Këshillit të BE-së (dhjetor 2014) ripërsërisnin nyjen bllokuese, çështjen e zgjidhjes së emrit me Greqinë.
Në rast se, Unioni do të konsideronte bazën ligjore të Marrëveshjes të vendosur tashmë mes dy vendeve (1995), do të ishte e pamundur të nxirrej si pengesë integrimi i mëtejshëm i Maqedonisë në BE. Nga ana tjetër, nëse Unioni do të vlerësonte gjithashtu dënimin e Greqisë nga GJND për shkeljen e Marrëveshjes, ky mund të shërbente edhe si moment i duhur për të zhbllokuar integrimin evropian të Maqedonisë. Por, do të ndikonte edhe në një ripozicionim të ekuilibruar politikisht dhe juridikisht të BE-së, përballë Shkupit dhe Athinës.
Gjithsesi, është e rëndësishme të theksohet se, zhvillimet e fundit po njohin disa elementë pozitivë. Nga njëra anë kemi një vullnet të shprehur politik nga ana e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federika Mogerini, mbi nevojshmërinë e zhbllokimit të Maqedonisë. Nga ana tjetër, edhe presioni i djeshëm i eurodeputetëve të Komisionit të Jashtëm të PE-së, vijon nën të njëjtën logjikë për caktimin e një date të afërt për hapjen e negociatave me Maqedoninë. Ato i kërkojnë gjithashtu Shefes së Diplomacisë Mogerini që të jetë në krye të iniciativave për daljen nga ngecja politike, si edhe të angazhohet, së bashku me partitë politike në thjeshtëzimin e një dialogu, që do t’i japë fund klimës politike të polarizuar në Maqedoni. I rëndësishëm konsiderohet gjithashtu edhe paralajmërimi i eurodeputetëve mbi rrezikun e minimit të besueshmërisë së BE-së, ndaj politikave të zgjerimit, në rast se nuk caktohet një datë e shpejtë për çeljen e negociatave me Maqedoninë. Në rast se do të kemi një reagim të shpejtë nga ana e Unionit në lidhje me këtë pikë, atëherë mund të flasim edhe për një reflektim (të paktën përkohësisht) të problematikës reale, që mbart aplikimi i kriterit të “fqinjësisë së mirë”./im.ta/