Botuesi dhe editorialisti më i shquar i Rilindjes Kombëtare

Dita

Rilindësi i njohur shqiptar, Kristo Luarasi, botues dhe editorialist botoi në Sofje gazetën e përjavshme “Liria e Shqipërisë” nga viti 1911 deri në vitin 1915. Në shtypshkronjën “Mbrothësia” ai botoi edhe tridhjetë e shtatë monografi nga letërsia shqiptare, ndër to veprat e Spiro Dines, Mihal Gramenos, Papa Kristo Negovanit, Mid’hat bej Frashërit (Lumo Skëndo) dhe Hilë Mosit. Ai gjithashtu botoi dhe ribotoi me lejen e vetë autorëve veprat e Naim dhe Sami Frashërit, duke e mundësuar shpërndarjen masive të këtyre veprave të rëndësishme. Kristo Luarasi kreu udhëtime në Korfuz, Itali dhe Kostandinopojë për të bashkërenduar punët e lëvizjes kombëtare e për të nxitur botimet në gjuhën shqipe. Në Sofje bashkëpunoi me Shahin Kolonjën në themelimin e organit “Drita”, që përmendëm më lart. Pas revolucionit të xhonturqve Luarasi e transferoi shtypshkronjën në Selanik, ku gjatë një viti nxori rreth gjashtëdhjetë vepra: libra, gazeta, revista dhe mbi 10.000 abetare, që i shpërndau falas në popullsinë shqipfolëse. Në mars 1910, pasi autoritetet turke kishin filluar ta shihnin me dyshim veprimtarinë e tij, e ktheu prapë shtypshkronjën në Sofje.

E gjithë veprimtaria mbi 40-vjeçare e tij, si një mision atdhetar dhe politik, është  mishëruar në shtypshkronjën “Mbrothtësia”, fillimisht në Sofje, kur ai ishte një djalosh 20-vjeçar, në Selanik e më pas në Tiranë, me shtëpitë botuese “Kristo Luarasi”, “Luarasi” etj., me një gamë të madhe botimesh prej 600 e ca tituj librash politikë, juridikë, artistikë, fetarë, shkollorë, disa të ribotuara me dhjetëra herë me  tirazhe të ndryshme, duke plotësuar për herë e më mirë nevojat e një populli të etur për arsim, kulturë e dije, duke sjellë veç Frashërllinjve edhe  autorë si De Rada, Sterjo Spasse, Mit‘hat Frashëri, Haki Stërmilli, Nexhat Hakiu, Thoma Floqi, Xhevat Belegu, Milto Sotir Gurra; autorë të huaj si Viktor Hygo, Honore de Balzak, Aleksandër Dyma, De Foe, Alfons Dode, Leon Tolstoi etj. etj.

Profili i Kristos është i gjerë dhe i jashtëzakonshëm, si atdhetar, si dijetar, si shkrimtar, si gazetar, si poet, si poliglot që dinte 7-8 gjuhë, si enciklopedist. Ai bashkoi në një të vetme jo vetëm atdhetarin, po dhe drejtuesin e organizatorin e zot, njeriun e ditur po dhe bisnesmenin e suksesshëm, si ndofta askush në Rilindje. Ai ish një botues që diti të aktivizojë patriotët më të shquar nga kolonitë shqiptare të mërgimit, si Bukureshti, Misiri, Italia, Amerika, dhe nga vetë Shqipëria rreth vetes së tij në gazetat që botoi e drejtoi vetë.

U martua në vitin 1904 me Polikseni Dhespotin nga Lunxhëria që ishte mësuesja e parë e shkollës së parë të vashave në Korçë. Pati tre djem dhe një vajzë. Më i madhi Thomai, që pat mbaruar shkollën për diplomaci, Skënderi që mbaroi shkollën për inxhinier-arkitekt dhe Theodhorin i cili punoi për gjithë kohën në shtypshkronjë te cilën e administroi edhe pas vdekjes së Kristos, si dhe vajzën, Margarita.

Në vitin 1922 Kristoja u transferua familjarisht dhe me te gjithë shtypshkronjën në Tiranë ku vazhdoi punën e tij te mëparshme. Ai vdiq me 7 korrik 1934 në Tirane. Në vitin 1937 Theodhori që administronte shtypshkronjën i ndërroi emrin asaj duke ia kthyer në shtëpia botuese “Kristo Luarasi”. Kështu ajo vazhdoi deri në vitin 1947 kur u shtetëzua pa asnjë shpërblim nga qeveria komuniste e asaj kohe.

Kristo Luarasi ishte dhe mbetet një rilindës vizionar iluminist i një kalibri të rëndë. Shahin Kolonja, me të cilin bashkëpunoi për 8 vjet rrjesht për nxjerrjen e gazetës kombëtare “Drita” (1901-1908), shkruan se “kontributi i Kristos për çështjen shqiptare është më i vlefshëm se kontributi i të gjithë emigrantëve së bashku”. Noli i madh nga përtej oqeanit, do ta përcaktonte Kristo Luarasin si “një prej 28 personaliteteve shqiptare që vunë themelet e shtetit shqiptar” dhe si një “gud bisnesmen”  që vuri gjithçka, jetën e tij, familjen, kamjen e gjënë e vet në shërbim të Shqipërisë. Ndërsa Mit’hat Frashëri, miku i tij i ngushtë, një miqësi që u quajt mëkat dhe u pagua shtrenjtë, me haraçin e harresës gjatë regimit komunist, por edhe më pas, do të shprehej, se Kristo Luarasi duhet të shikohet si një mirëbërës fort i madh, një mirëbërës për mijë e mijë lëçitës të libravet dhe gazetavet që dilnin nga duart e Kristos, dhe një mirëbërës më i vlefshim akoma për bashkëpunëtorët e tij”.

Megjithëse është nderuar me Urdhrat Për Veprimtari Patriotike të klasit të I, II, III; titullin Qytetar Nderi i qytetit të Ersekës dhe një rrugë në Tiranë mban emrin e tij, përsëri, krahasuar me njerëz të tjerë me kontribute,  shteti shqiptar i ngelet borxhli këtij patrioti të shquar përsa i përket vendit që duhet të zërë në panteonin e nderit të kombit.

Share This Article