Brezi i humbur i rinisë evropiane

redaktor
Students shout slogans during a demonstration of thousands of students against government reforms in education in central Athens...Students shout slogans during a demonstration of thousands of students against government reforms in education in central Athens, Greece, November 2, 2015. REUTERS/Alkis Konstantinidis

Të rinjtë në Bashkimin Evropian, duken se janë një prej kategorive më të prekura për shkak të krizës ekonomike. Rezultatet e fundit, që pasqyron studimi i kërkuar nga Parlamentit Evropian, (EB85-1) shfaq një situatë pesimiste, teksa më shumë se gjysma (57%) e të rinjve në Evropë, ndjehen të përjashtuar nga jeta ekonomike dhe sociale, në vendin e tyre, për shkak të krizës ekonomike.

Studimi i publikuar këtë të premte, jep të dhëna interesante jo vetëm mbi ndjesinë e të rinjve evropianë në vendin e tyre, në lidhje me angazhimin social dhe ekonomik, por edhe mbi aspekte të tjera që lidhen me krizën ekonomike, si vlerësimi mbi sistemin arsimor dhe përshtatja e tij me kërkesat e tregut të punës, lëvizshmëria që imponohet nga kriza dhe jo vetëm, rëndësia e njohjes së Bashkimit Evropian, apo edhe vlerësimi demokratik i epokës së dixhitalizimit dhe fenomenit të shumë përhapur të përdorimit të rrjeteve sociale.

Të përjashtuar

57% e të rinjve evropianë ndjehen të përjashtuar në vendin e tyre, për shkak të krizës ekonomike. Pa ndonjë surprizë, përqindjet janë shumë të larta në vendet e prekura më fort nga kriza. 93% e të rinjve në Greqi, 86% e të rinjve të Portugalisë, 81% e të rinjve në Qipro, dhe 79% e të rinjve në Spanjë. Përkundrazi, vetëm 27% e të rinjve në Gjermani, 28% e të rinjve në Maltë, dhe 31% e të rinjve në Danimarkë, kanë ndjesinë e përjashtimit.

Megjithatë, për tërësinë e territorit evropian, pak të rinj (15%) ndjehen realisht të detyruar të lënë vendin e tyre për shkak të krizës. Nga ku veçohen të rinjtë e Qipros (51%), të rinjtë e Greqisë (43%) dhe të rinjtë e Portugalisë (41%).

Arsimimi dhe kërkesat e tregut të punës

Në nivel evropian, një shumicë absolute e të rinjve (59%), gjykon se sistemi arsimor në vendin e tyre, është i përshtatur me kërkesat e tregut të punës. Pikërisht, në ato vende, ku të rinjtë ndjehen më pak të përjashtuar nga jeta ekonomike dhe sociale, për shkak të krizës, përgjigjet janë për një përputhje të sistemit arsimor, me tregun e punës. (Gjermani, Maltë, Danimarkë).

Por, në vende si Greqi, Qipro, Bullgari, Rumani, Slloveni, Spanjë, Francë, dhe Kroaci, më shumë se gjysma e të pyeturve, konsiderojnë se formimi i tyre, nuk përputhet me kërkesat e tregut të punës.

Lëvizshmëria

61% e të rinjve evropianë nuk duan të studiojnë, të ndjekin një formim apo të punojnë në një shtet tjetër të BE-së, ndërkohë që vetëm 32% e tyre e dëshirojnë këtë gjë. Në fakt, në tërësi në BE, 88% e të rinjve të moshës 16-30 vjeç nuk kanë shkuar kurrë në një vend tjetër të BE-së, për të studiuar, apo për të punuar.

Vetëm 12% e tyre, kanë deklaruar se kanë studiuar, kanë ndjekur një formim apo kanë punuar në një vend tjetër të BE-së. Ndërmjet të rinjve që preferojnë të lëvizin më shumë, figurojnë të rinjtë e Luksemburgut (48%) të Lituanisë (25%) të Letonisë dhe të Estonisë (23% secili), që marrin më shumë pjesë në programet e Erasmus.

Njohja e BE-së

Për 90% të pjesëmarrësve në studim, është e rëndësishme të njohin Bashkimin Evropian, dhe funksionimin e institucioneve të tij, dhe më shumë se gjysma (51%) janë përgjigjur se të votojnë gjatë zgjedhjeve evropiane, është mënyra më e mirë të marrin pjesë realisht, në jetën publike të Unionit.

Në nivel kombëtar, “votimi në zgjedhjet evropiane”, është më i cituari ndërmjet të rinjve në Suedi (84%), në Francë (70%) dhe në Finlandë (68%).

Gjithsesi, studimi veçon në vlerësim, se duhen marrë parasysh edhe diferencat, që shfaqen në raport me realitetin e sjelljes elektorale të të anketuarve. Kjo, pasi në nivel të Bashkimit Evropian, përqindja e pjesëmarrjes në zgjedhjet evropiane të vitit 2014, ishte vetëm 42,61%, ku 27,8% për moshën 18-24 vjeç dhe 51,3% për moshën 55 vjeç e sipër.

Rrjetet sociale

Ndërmjet të rinjve evropianë, që janë shumë aktivë në rrjetet sociale, një shumicë relative (46%) vlerëson se, këto rrjete përfaqësojnë një “progres për demokracinë, pasi iu lejojnë të gjithëve të marrin pjesë në debatin publik”. Ky konstatim, figuron në një shumicë absolute të të rinjve në 20 shtete anëtare, ku veçohen të rinjtë në Suedi (71%), në Finlandë (68%), në Republikën Çeke dhe në Itali (63% secila). Vlen për t’u theksuar se ky konstatim, është më i vlerësuar tek të rinjtë që studiojnë (49%).

Por, për 27% të të anketuarve, ka një tjetër vlerësim mbi përdorim e këtyre rrjeteve sociale, duke u konsideruar si një “rrezik për demokracinë për shkak të përdorimit të papërshtatshëm, që iu bëhen të dhënave me karakter personal”. Kryesisht në Francë (47%), në Belgjikë (42%) dhe në Irlandë (39%).

Ndërsa, 16% e të pyeturve janë përgjigjur spontanisht, se rrjetet sociale përfaqësojnë po aq risk, sa edhe progres. Kryesisht, të rinjtë gjermanë janë më të shumtit, që mendojnë këtë gjë (32%).

Sondazhi Eurobarometer, është realizuar përgjatë muajit prill 2016, tek 10.294 të rinj të moshës 16-30 vjeç, në 28 shtete anëtare të Unionit, me një metodologji anketimi ballë për ballë. Në tërësi, ai shfaq diferenca të ndjeshme mes vendeve të ndryshme mbi shumicën e temave të trajtuara. Vëmendje tërheq përqindja e lartë e ndjesisë së përjashtimit tek të rinjtë nga jeta ekonomike dhe sociale, për shkak të krizës ekonomike, por edhe lidhjes që shfaq përshtatja e arsimimit me kërkesat e tregut të punës, sidomos në vendet e prekura më shumë nga kriza. Një fenomen i përhapur, që shfaqet si sfidë për të arritur ekuilibrimin e duhur mes kërkesave, që imponon tregu i punës dhe formimit të të rinjve. Një sfidë, që i kalon përmasat evropiane dhe që mbi të gjitha kërkon angazhimin e strukturave shtetërore, që janë përgjegjëse për politikat e edukimit dhe të arsimimit, të ekuilibrojnë dhe të harmonizojnë këto politika me kërkesat e ekonomisë dhe të tregut të punës. Sfidë, që shtrihet edhe ndaj një platforme të rëndësishme shtetërore dhe sociale për vlerësimin dhe dobinë e profesioneve të veçanta, për t’i ikur fenomeneve të diplomimeve në masë mbi fusha ku tregu, nuk ofron mundësi punësimi. Pa nënvlerësuar edhe rolin, jo pak modest, që ka struktura e tregut në vetvete, për të kontribuar sadopak në përmirësimin e këtij ndërveprimi (ofertë-kërkesë), pra përshtatjen e aftësive, që i ofrohen tregut me kërkesat, që ai imponon./DITA/

Share This Article