Britania e Madhe kërkon të tërhiqet nga Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut dhe detyrimeve, që rrjedhin prej saj. Një ndër vendet e para ratifikuese dhe me një kontribut të lartë në hartimin e saj, konservatorët britanikë tashmë kanë ndryshuar qëndrim. Vendimet, që dalin nga GJEDNJ në Strasburg, nuk mund të kenë prioritet ndaj së drejtës kombëtare dhe parlamenti britanik duhet të gëzojë të drejtën e vetos ndaj tyre. Kërkesa britanike, e përforcuar pas rikonfirmimit në pushtet të konservatorëve, ka tronditur jo pak. Por, kush janë arsyet e kësaj kërkese dhe çfarë pasojash mund të ketë si ndaj mbrojtjes së të drejtave të njeriut, por edhe ndaj detyrimit për zbatimin e saj, si vend anëtar i BE-së ?
Në kontekstin e përmbylljes së një historie të rëndë dhunimi të të drejtave të njeriut, në sfondin e pas Luftës së Dytë Botërore, por edhe në prizmin e përhapjes së një sistemi totalitar komunist në Evropën Qendrore dhe Lindore, pa neglizhuar edhe problematikat në vende të caktuara të Evropës Perëndimore, ku të drejtat e njeriut po ekspozoheshin si problematike, kemi një moment të lartë ndërgjegjësimi, që çoi në hartimin e Konventës së të Drejtave të Njeriut. Ky traktat ndërkombëtar i nënshkruar nga shtetet anëtare të Këshillit të Evropës (KiE), synonte ruajtjen e të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore.
Një Konventë, që vlerësohet se hyri në histori duke imponuar ndalimin e torturës, trajtimit çnjerëzor, burgimit të paligjshëm, punës së detyruar, siguroi të drejtën për jetën, për një gjykim të drejtë, lirinë e shprehjes, të mendimit, të ndërgjegjes dhe fesë, respektin për jetën private dhe familjare, si edhe mbrojtjen e pronës.
Në këtë kuadër u krijua edhe Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) në Strasburg, që do të mundësonte ruajtjen e këtyre të drejtave nëpërmjet kontrollit juridik, përmes procedurës së ankimimit individual ose shtetëror. Vendimet, që dalin nga GJEDNJ janë të karakterit detyrues për të gjithë shtetet anëtare, të cilat duhet gjithashtu të ndërhyjnë në legjislacionin e brendshëm kombëtar për të përputhur dhe harmonizuar hapësirat, që bien në kundërshtim me parimet e KEDNJ-së.
Por, është pikërisht ky kontroll juridik, apo karakter imponues i GJEDNJ-së ndaj legjislacionit të brendshëm kombëtar, që shfaqet si problematik në këndvështrimin e konservatorëve britanikë. Argumentet tashmë të bëra publike, shfaqin një shqetësim të natyrës juridike, që bazohen tek fakti se kompetencat e GJEDNJ-së, me kalimin e kohës kanë ardhur duke e zgjeruar fushën e tyre, duke dalë në këtë mënyrë nga korniza fillestare e kuadrit të nënshkrimit të KEDNJ-së.
Ky zgjerim i kompetencave të GJEDNJ-së, sipas konservatorëve, bie ndesh me këndvështrimin juridik britanik dhe që lidhet kryesisht me të drejtat, që duhet të gëzojnë të pandehurit dhe shtetasit e burgosur.
Ndër to renditen dhe vlerësohen si të papranueshme, e drejta e votës, e drejta për fekondim artificial me partnerët e tyre, e drejta për të mos u ekstraduar në vende ku ekziston dënimi me vdekje, apo në vende ku personat rrezikojnë t’i nënshtrohen torturave dhe trajtimit çnjerëzor, si edhe një pikë, që shfaqet pak e diskutueshme, pasi parashtron që GJEDNJ nuk lejon dënim me burgim të përjetshëm për krime të rënda.
Duke qenë se ky pozicionim i GJEDNJ-së, vlerësohet në përplasje me të drejtën britanike dhe tërësisht i papranueshëm, konservatorët kanë dalë me një plan reformues.
Me këtë plan ato kërkojnë: dhënien e prioritetit të drejtës kombëtare dhe gjykatave britanike.
Kjo nën vazhdën e logjikës se, tashmë ekziston një balancë mes të drejtave dhe përgjegjësive në ligjin britanik.
Pra, kërkohet thyerja e lidhjes mes gjykatave britanike dhe gjykatës së Strasburgut, për sa i përket detyrimit, që ato kanë për përputhje dhe harmonizim të legjislacionit; dhënien e të drejtës supreme për interpretimin e Konventës gjykatave britanike, duke ia hequr këtë të drejtë Strasburgut; dhënien fund të detyrimit që vjen nga Strasburgu për ndryshimin e ligjeve britanike; dhënien fund të rishkrimit të ligjeve nëpërmjet interpretimeve; si edhe kufizimin e përdorimit të të drejtave të njeriut, në lidhje me çështjet serioze.
Plani reformues, bazohet në dy fakte ligjore: së pari, mungesa e një kërkese nga gjykatat britanike për ta trajtuar GJEDNJ si gjykatë, që krijon precedent ligjor për Britaninë e Madhe; së dyti, kjo kërkesë është futur në Aktin e të Drejtave të Njeriut (e formuluar nga laburistët dhe sipas konservatorëve nuk është një akt sovran, ndonëse ato kanë votuar pro në aprovimin e tij) dhe i takon Parlamentit të vendosë, nëse duhet të lejojë vazhdimin e tij, apo jo.
Paralelisht konservatorët synojnë krijimin e një ligji të ri mbi të drejtat dhe përgjegjësitë, që do të sigurojë se, burimi i fundit i autoritetit ligjor do të jetë Parlamenti, ndërsa Gjykata Supreme të jetë realisht supreme në interpretimin e ligjit.
Teksti i Konventës së GJEDNJ-së, do të adaptohet në legjislacionin e brendshëm juridik, por duke iu referuar vetëm tekstit fillestar (1950), dhe jo tekstit që ka evoluar dhe ndryshuar me kalimin e viteve, si domosdoshmëri logjike dhe juridike në përputhje me ndryshimin dhe evoluimin e shoqërisë.
Pas miratimit të ligjit të ri britanik, do t’i kërkohet Këshillit të Evropës, të pranojë këtë pozicionim, si një përqasje legjitime ndaj aplikimit të Konventës së të Drejtave të Njeriut dhe në rast të kundërt, Britania e Madhe nuk do të ketë asnjë mundësi tjetër, veçse të tërhiqet nga KEDNJ.
Pasojat
Por, çfarë pasojash mund të ketë në lidhje me garantimin e të drejtave të njeriut, në rast se pozicionimi i konservatorëve britanikë arrin të konkretizohet ?
Nëse i referohemi për një këndvështrim më të plotë, një institucioni të rëndësishëm të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, siç është Human Rights Watch (HRW), aktualizimi i këtyre veprimeve do të jetë shumë i dëmshëm. HRW ngre alarmin, mbi rrezikun e ndërmarrjes së këtyre akteve.
Së pari, këto veprime do të dobësojnë në mënyrë të konsiderueshme mbrojtjen e të drejtave të njeriut brenda vendit. Sipas HRW, sugjerimi konservator, se të drejtat e mbrojtjes duhet të kufizohen ose të hiqen për disa individë, ose grupe, është i keqkuptuar ose në mohim të dimensionit më përcaktues të të drejtave të njeriut, që këto të drejta aplikohen ndaj të gjithëve.
Së dyti, ndërmarrja e akteve të tilla, do të minojë edhe pozicionimin e Britanisë së Madhe në rang ndërkombëtar, ndaj çështjes së mbrojtjes së të drejtave të njeriut, duke zvogëluar ndjeshëm besueshmërinë e saj. Këto veprime do të dëmtojnë gjithashtu mekanizmin e lartë efikas të mbrojtjes së të drejtave të njeriut për miliona njerëz në të gjithë Evropën. Ato mund të kenë një efekt domino edhe ndaj vendeve të tjera të KiE-së, që janë problematike në funksionimin e demokracisë, në mbrojtjen e të drejtave të njeriut si edhe në zbatimin e vendimeve të GJEDNJ-së, si Rusia, Ukraina, Turqia, dhe Hungaria. I vetmi vend, sipas HRW, që është tërhequr nga Konventa është Greqia, në vitin 1970 nën një sundim ushtarak dhe jashtë Konventës është vetëm një vend në kontinentin Evropian, Bjellorusia, një shtet autoritar dhe brutal.
Së treti, argumentet juridikë të pretenduar nga Britania e Madhe janë konfuze dhe të gabuara. Gjykatat e brendshme nuk janë të detyruara të pranojnë pa kushte vendimet e GJEDNJ-së. Në rastet kur ka përplasje, ato i adresohen parlamentit për gjetjen e mënyrës për aplikimin e ligjit. Edhe në rastet e raportit të përqindjeve në lidhje me çështjet e humbura apo të fituara, nga shteti, faktet flasin për shumë pak çështje të fituara nga individët.
Paralajmërimi i BE-së
Po çfarë pasojash mund të ketë ndërmarrja e këtij akti për Britaninë e Madhe, si vend anëtar i Bashkimit Evropian ?
Respektimi i të Drejtave të Njeriut, që buron nga KEDNJ, është një detyrim themelor i Unionit, nën frymën e Nenit 6§3 i Traktatit të Bashkimit Evropian. Ky nen specifikon se, të drejtat themelore, të garantuara nga Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, përbëjnë parimet e përgjithshme të ligjit të Bashkimit Evropian. Ky respektim, trajtohet gjithashtu si aspekt shumë i rëndësishëm edhe ndaj vendeve në proces anëtarësimi, duke u inkuadruar si detyrime të aplikimit të legjislacionit të BE-së. Për Unionin, çdo shtet që mund të vendosë të tërhiqet nga Konventa dhe të mos respektojë zbatimin e saj, ngre shqetësim për sa i përket mbrojtjes efektive të të drejtave themelore nga autoritetet e tij.
Kjo situatë, do të detyrojë vendosjen e shtetit në fjalë, në përballje me Nenin 2 të Traktatit të Bashkimit Evropian, që specifikon, se Unioni bazohet mbi vlerat e respektimit njerëzor, lirisë, demokracisë, barazisë, shtetit të së drejtës, si edhe respektimin e të drejtave të njeriut(…) këto vlera janë të përbashkëta për shtetet anëtare,në një shoqëri të karakterizuar nga pluralizmi, mos diskriminimi, toleranca, drejtësia, solidariteti dhe barazia.(…). Dhe në vijim të tij, në përballje me mekanizmin në respektim të Nenit 7, ku pas një sërë konsultimesh dhe rekomandimesh mund të vendoset edhe për penalizim të shtetit në fjalë, duke i hequr përkohësisht të drejtën e votës në Këshill./im.ta/
Shkrime të tjera
A do ta nxjerrin konservatorët Britaninë nga BE ?