Konservatorizmi nacionalist fitoi. U votua për më shumë rol kombëtar në politikën e jashtme dhe për më pak presion dhe imponim të politikave evropiane në vend. Vendi nuk duhet të integrohet në zonën euro dhe duhet të refuzojë politikat imponuese të kuotave të refugjatëve. Politika, që kërcënojnë vlerat kristiane, modelin shoqëror dhe rendin publik. Qytetarët u shprehën pro rolit ndërhyrës të shtetit në ekonomi, pro taksimit të lartë të të pasurve dhe të bankave dhe pro uljes së moshës së pensionit dhe rritjes së ndihmave për shtresën e varfër. Por, a do ta shndërrojnë konservatorët nacionalistë Poloninë në Britaninë e Madhe të ish Lindjes komuniste, që kërkon t’i imponohet Unionit duke e kërcënuar me braktisje ?
Ndonëse konfirmimi zyrtar mbi rezultatin përfundimtar pritet gjatë mbrëmjes së sotme, konservatorët nacionalistë në Poloni, të partisë për Ligj dhe Drejtësi (PiS), kanë arritur të fitojnë gjerësisht. PiS është një parti e profilizuar me tone të larta nacionaliste, me pozicionime të forta kundër BE dhe integrimit të mëtejshëm të vendit në Union, me retorikë të theksuar anti-ruse, por edhe anti-gjermane.
Me një propagandë anti-komuniste PiS, kërkon spastrimin e skenës politike nga të gjithë bashkëpunëtorët e sistemit komunist, kryesisht të përqendruar në bashkëpunëtorët e policisë sekrete, si edhe shmangien e tyre nga çdo post apo funksion publik.
Në kuadrin social, ky konservatorizëm me një rol të fuqishëm rreth kishës dhe vlerave që ajo transmeton, refuzon politikat e abortit, si edhe të drejtat e komunitetit LGTB.
Në kuadrin ekonomik, politikat partiake janë pro rolit të madh ndërhyrës të shtetit në ekonomi, janë pro rritjes së taksave të shtresave të pasura, rritjes së rrogave minimale si edhe pro ndalimit të privatizimeve të mëtejshme. Bastioni i PiS shtrihet kryesisht në pjesën lindore të vendit, që është më pak e urbanizuar, më pak e zhvilluar dhe më shumë fetare. Zonë, që gjeografikisht ka njohur influencën ruse, me një kontrast të konsiderueshëm me zonat nën influencën gjermane, tejet të zhvilluara ekonomikisht dhe bastione të partisë rivale PO.
Drejtuesi i PiS, Jaroslav Kaçjinski (Jaraslaw Kaczynski) është vëllai binjak i Lef Kaçjiknsi (Lech Kaczynski), i cili gjeti vdekjen në një aksident ajror së bashku me 96 politikanë të tjerë të elitës polake, gjatë rrugës për në Rusi, në përkujtim të masakrës së Katjin, një sërë ekzekutimesh në masë të oficerëve ushtarakë polakë nga policia sekrete ruse, në vitin 1940. Aksident ajror, që nuk ka reshtur së aluduari nga PiS, si një atentat i kryer nga forcat ruse, për të eliminuar drejtuesit qeveritarë anti-rusë. Një aksident në territorin rus, ku gjetën vdekjen figura të rëndësishme politike, si ish presidenti i vendit Kaçarovski (Kaczoworoski), shefi i ushtrisë polake, Presidenti i Bankës Kombëtare, 18 deputetë, figura të larta të përfaqësimit fetar të Polonisë, si edhe të afërm të viktimave të masakrës së Katjin.
Frymë anti-evropiane
Në tërësi politika e PiS, karakterizohet nga një qëndrim antifedaralist, çka do të thotë se nuk mbështet integrimin e mëtejshëm në BE, apo thellimin e integrimit të saj, në një strukturë me qasje të pastër federaliste. Kjo pasi bie ndesh me sovranitetin e kombit polak. Kundërshtim, që pasurohet me argumente për një rol më të fortë kombëtar si edhe me një retorikë anti-gjermane, duke e konsideruar Gjermaninë si drejtuesin kryesor të Unionit.
Përplasjet me politikat e BE-së, kanë një përqendrim rreth tre akseve kryesorë: politika e jashtme, integrimi në zonën euro dhe kriza e refugjatëve. Të tre akset, rrotullohen rreth një problematike të ndjeshme, rritja e domosdoshme e rolit kombëtar në vendimmarrje.
Në fushën e politikës së jashtme, PiS ofron imazhin e një Polonie aktor të fortë rajonal, me aleanca të gjera me ish-vendet e lindjes komuniste, si edhe me fuqizim të rëndësishëm në terma ushtarakë. Synimi është rritja e rolit shtetëror, përballë politikave të Rusisë, që aktualisht konsiderohen si të buta, naive dhe jo efikase. PiS kërkon të zhvillojë infrastrukturën e mbrojtjes në vend dhe të ketë një përqendrim të lartë dhe të përhershëm të forcave dhe bazave ushtarake amerikane në territorin e saj dhe përforcim të lartë ushtarak në krahun lindor të Aleancës. PiS kërkon gjithashtu rol më aktiv në krizën e Ukrainës dhe në politikat ndaj Rusisë, duke përfshirë edhe armatimin e nevojshëm të Ukrainës, apo afrimin e ndihmës ushtarake Kievit, sigurisht nën kornizën ekzistuese të NATO-s.
Në lidhje me integrimin e vendit në zonën Euro, argumentet politikë të PiS kërkojnë një rol më të lartë kombëtar, apo përfshirje të opinionit publik në vendimmarrje kryesisht nëpërmjet një referendumi. Propaganda partiake në lidhje me këtë pikë, ka ofruar një panoramë aspak pozitive në rast se, vendi bëhet pjesë e euros. PiS ka premtuar gjithashtu se me ardhjen e qeverisë së re në pushtet, do të ketë zmbrapsje tërësore në lidhje me këtë pikë.
Edhe çështja apo kriza e refugjatëve që po kalon Unioni, e ka pozicionuar PiS në një platformë të ashpër refuzuese ndaj pranimit të kuotave të imponuara nga Unioni. Sërish argumenti i prezantuar është mosmarrja parasysh e mendimit të opinionit publik në lidhje më këtë çështje, si edhe dëmi që po i shkaktohet kombit nga ndërhyrjet evropiane. Dëme, që mund të prekin sa kulturën polake dhe vlerat e saj, sa shoqërinë, por edhe sigurinë dhe rendin publik. Sipas, PiS, Polonia nuk duhet të bëjë të njëjtin gabim, që kanë bërë vendet e tjera perëndimore, kur pasi kanë pranuar imigrantë, janë shndërruar në vende me problematika të larta për shkak të tyre.
Fryma kundër Veprimit
Por, si pritet të pozicionohet politika e ardhshme e PiS ndaj Unionit Evropian ? A mund të shndërrohet Polonia nën drejtimin e PiS, në Britaninë e Madhe të Lindjes, duke kërkuar rishikim të rolit të saj, ose divorc me BE-në ?
Në fakt, janë dy elementë që tërheqin vëmendjen.
Nga njëra anë, ndonëse PiS ka fituar në rang kombëtar, opinioni publik polak ka një qasje në tërësi pozitive ndaj BE-së, vlerëson arritjet e tij, si edhe shprehet pro politikave të zgjerimit. Pra, nëse i referohemi sondazhit të fundit të Eurobarometër, ky opinion shprehet në një shumicë prej 74% se, ndjehen qytetarë të BE-së; po në një shumicë prej 53% ato, konfirmonjnë imazhin pozitiv ndaj BE-së; 64% vlerësojnë si rezultatin më të mirë të BE-së, lëvizjen e lirë të personave, mallrave dhe shërbimeve; 53% e tyre vlerësojnë po në shumicë paqen mes kombeve, si rezultatin më të mirë të BE-së. Edhe në lidhje me zgjerimin e mëtejshëm të Unionit, apo thellimin e integrimit evropian, opinioni publik polak shfaqet ndër përqindjet më të larta në tërë Unionin, duke e mbështetur këtë politikë në 64%. Vetëm në lidhje me euron ka një ndarje në opinion ku 54% janë kundër, dhe 32% pro.
Nga ana tjetër, ekziston një luhatje në qëndrim, mes frymës politike dhe veprimit praktik, që karakterizon sjelljen politike të PiS. Kontradiktë, që ekspozohet sa në kundërshtimin e integrimit të vendit në eurozonë, nën logjikën se duhej një integrim nëpërmjet një procesi të ngadaltë, por edhe në moskundërshtimin e integrimit të saj, gjatë kohës që ishte në koalicionin qeverisës. Frymë luhatëse, që ka zotëruar gjithashtu sa në mos pranimin e Traktatit të Lisbonës, por edhe në gjetjen e një kompromisi me partinë kundërshtare dhe votimin e saj në parlament, në vitin 2008.
Më shumë se sa, veprime të pastra politike në terren, që mbështesin ideologjinë konkrete partiake, PiS është karakterizuar nga një retorikë e fortë partiake, me bazë nacionaliste. Bazë nacionaliste, që kërkon rritjen e rolit të Polonisë, duke e profilizuar si aktor me peshë të lartë rajonale, sa përballë Ukrainës, Rusisë, por edhe vetë Gjermanisë. Por, ikja nga retorika, dhe rikthimi në pragmatizëm duhet kuptuar sa nga pozicionimet e opinionit publik, që ndonëse janë kundër pranimit të euros, (çka mund të jetë pasojë e logjikshme nga kriza aktuale, që Unioni po kalon me vende të caktuara të zonës euro) ato, në tërësi kanë një qasje pozitive ndaj Unionit, por edhe aq në pamundësinë reale për t’u angazhuar në aleanca të mëdha ushtarake, me ish vendet e lindjes komuniste. Politikat luhatëse të PiS, mes frymës së fortë nacionaliste dhe veprimit bashkëpunues praktik, që shfaqen si reflekse historike, nuk duhen parë as, si të shkëputura nga dozat e një sindrome politike post-komuniste, që hasen pothuajse tek të gjithë vendet, pjesë e ish lindjes komuniste./im.ta/
