Ç’do të ndodhë me zgjerimin nën Presidencën e Luksemburgut

redaktor

Tek ndryshon presidenca 6 mujore e drejtimit të Këshillit të BE-së, modelohen edhe prioritetet dhe fokusi i tyre përballë politikave të zgjerimit. Marrja e kryesimit të presidencës 6 mujore nga Luksemburgu në fillim të këtij muaji, shpalosi dhe prioritetet përballë zgjerimit. Por, ç’rol pritet të luajë Luksemburgu përballë vendeve kandidate dhe procesit të integrimit evropian ?

Funksioni i Presidencës së Këshillit të BE-së, lidhet me fuqinë e dhënies së një impulsi punëve legjislative të Këshillit, duke synuar vazhdimësinë e programit të BE dhe duke siguruar zhvillimin në harmoni të procesit legjislativ me bashkëpunimin e mirë, midis shteteve anëtare. Në këtë mënyrë presidenca, duhet të arrijë kryerjen e rolit të ndërmjetësuesit objektiv dhe neutral.

Nëse i referohemi objektivave të programit të Presidencës së Luksemburgut, zgjerimi dhe perspektiva e anëtarësimit do të vazhdojnë të mbajnë ritmin aktual, por me një vëmendje më specifike. Vlerësimi i Presidencës shkon ndaj perspektivës së anëtarësimit, si një “motor i fuqishëm për reforma në kufijtë e BE-së, në përfitim të stabilitetit dhe të prosperitetit të gjithë kontinentit”.

Nën këtë motivacion të fortë politik, Presidenca synon inkurajimin e hapjes së kapitujve të rinj të negocimit me Serbinë, Malin e Zi dhe Turqinë pas plotësimit të kushteve të nevojshme dhe do të vazhdojë të punojë për integrimin evropian të Maqedonisë dhe të Shqipërisë. Nënshkrimi dhe futja në fuqi e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit me Kosovën dhe vënia në jetë e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit me Bosnjën, janë dosje të tjera në të cilat Presidenca e Luksemburgut do të inkurajojë progresin në momentin, që kushtet paraprake do të përmbushen.

Por, tek prezantoheshin prioritetet e saj në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Evropian, Ministri i Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Luksemburgut Jean Asselborn, kishte një përqendrim shumë të lartë ndaj vazhdimit me procesin e negociatave dhe hapjen e mëtejshme të kapitujve, por të fokusuar vetëm ndaj tre vendeve, që janë aktualisht në proces negociatash Mali i Zi, Serbia dhe Turqia.

Mali i Zi, model për gjithë rajonin

Teksa politika evropiane ka pasur një fokus të lartë ndaj krizës greke, duke thithur edhe një vëmendje të gjerë mediatike, avancimi i mëtejshëm i Malit të Zi drejt BE-së, ka kaluar thuajse pa u ndjerë. Vetëm brenda tre vitesh negocimi, Mali i Zi ka arritur të hapë në një nivel rekord 20 kapituj negocimi nga 35 ekzistues. Dy kapitujt e fundit, kapitulli 9 dhe 21, që lidhen me Shërbimet Financiare dhe Rrjetet Trans-Evropiane, u hapën më 22 qershor të muajit të kaluar. I vlerësuar me progres të arrirë, punë, përpjekje dhe angazhim të jashtëzakonshëm Mali i Zi, duket se do të jetë shumë shpejt anëtari i 29 i BE-së.

Ky vlerësim mbi progresin ishte gjithashtu i lartë edhe gjatë prezantimit të prioriteteve të presidencës së Luksemburgut në Komisionin e Jashtëm në PE, nga Ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Asselborn. Ky ritëm do të vazhdojë të mbahet edhe përgjatë 6-mujorit të dytë, duke synuar edhe hapjen e dy kapitujve të tjerë. Presidenca e Luksemburgut u shfaq e gatshme në lehtësimin e çdo diskutimi në lidhje me këtë çështje në Këshill, sigurisht në respektim të principit të unanimitetit. Teksa pritet progres i mëtejshëm nga Mali i Zi në fusha kyçe si shteti i së drejtës, ai u vlerësua gjithashtu pozitivisht me një rol ekzemplar, për sa i përket pozicionimit të tij (100%) me vendimet e Këshillit dhe deklaratat e BE-së në fushën e jashtme, të sigurisë dhe politikave të mbrojtjes, kryesisht me pozicionimin e BE-së mbi çështjen e Ukrainës.

Serbia 

Edhe ndaj Serbisë, duket se kemi një përqasje tejet pozitive dhe inkurajuese në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE. Presidenca e Luksemburgut synon hapjen sa më shpejt të 2 kapitujve të parë të negociatave mbi Shtetin e së Drejtës dhe Çështjet e Drejtësisë, Sigurisë dhe Lirisë (23-24), në momentin që kushtet do të jenë përmbushur.

Asselborn vlerësoi gjatë prezantimit të prioriteteve se, hapja e kapitujve të parë të negocimit me Serbinë është e nevojshme për procesin demokratik. Sipas tij, tashmë Kapitulli 32 Kontrolli Financiar është teknikisht gati që të hapet. Por, duke theksuar gjithsesi, se suksesi i Presidencës së Luksemburgut nuk do të matet me numrin e kapitujve të hapur, por viti 2015 do të kurorëzohet me sukses, nëse Serbia do të afrohet më tej me Unionin Evropian, standardet dhe kriteret e tij.

Përgjatë fjalës së tij u theksua edhe vëmendja, që do të kushtohet ndaj dialogut Prishtinë-Beograd, duke u ndjekur nga shumë afër, duke shpresuar që progresi do të çojë drejt hapjes së Kapitullit 35, pra të “Normalizimit” në afatet më të mira. Gjatë specifikimit të këtij të fundit, nuk mund të mos vihej re, kujdesi dhe delikatesa në përcaktimin e termit në lidhje me Kapitullin 35, që normalisht duhet të përfshijë çështjen e njohjes së Kosovës, duke u rezervuar në cilësimin e tij, si thjesht një kapitull që lidhet me “Normalizimin” (d.m.th të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë).

Turqia 

Në lidhje me Turqinë, kemi konfirmimin e një vullneti evropian, të paktën në parim, për përafrim të mëtejshëm të Turqisë në Union dhe vullnet për përforcim të marrëdhënieve mes tyre. Në këtë kuadër, është vendosur të organizohet misioni semestral i grupit të punës së zgjerimit, në Turqi në shtator. Dhe për të afruar Turqinë më shumë me vlerat e Unionit, konfirmohet rimarrja e mbledhjes së Komitetit, që ka qenë e pezulluar që prej tre vitesh.

Presidenca e Luksemburgut shpreson ndoshta në një hapje të mundshme të Kapitullit 17 me Turqinë, që lidhet me Politikat Ekonomike dhe Monetare, duke theksuar se Unioni Evropian duhet të ngelë një referencë për Turqinë në kuadrin e reformave, kryesisht në fushën e shtetit të së drejtës dhe të lirive dhe të drejtave themelore.

Duket se, Presidenca e Luksemburgut do të jetë ambicioze në fushën e zgjerimit, por me një përqendrim më të lartë ndaj avancimit në fushën e hapjes së mëtejshme të negociatave me vendet, që janë aktualisht në proces negocimi, pra me Malin e Zi, Serbinë dhe Turqinë. Në lidhje me Shqipërinë, prononcimet reduktohen thjesht në “vazhdimin e procesit të integrimit”, por pa shprehur ambicie konkrete politike për mundësinë, apo perspektivën e çeljes së negociatave. Nga ana tjetër duket se, edhe vullneti qeveritar i palës shqiptare, është përqendruar në vitin e ardhshëm, për të kërkuar zyrtarisht hapjen formale të tyre. Gjithsesi, fokusi i Komisionit Evropian ndaj procesit integrues në tërësi ka një aks tre planësh të përqendruar kryesisht mbi shtetin e së drejtës, qeverisjen ekonomike dhe reformën në administratën publike.

Edhe në lidhje me Maqedoninë, situata ngelet e njëjtë, ndonëse është vlerësuar dhe inkurajuar gjetja e marrëveshjes mes palëve, pas krizës politike në vend. Por, ndonëse edhe gjatë mbledhjes së fundit më 20 korrik në Bruksel, të Këshillit të 12-të të Stabilizim Asocimit, Maqedonia kërkoi hapjen e procesit të negociatave, marrëdhënia me Greqinë, duket se do të jetë sërish përcaktuese. Përtej krizës politike në vend dhe situatës së përkeqësuar, edhe Këshilli i fundit i SA, ritheksoi kushtin dhe ngërçin bllokues të Maqedonisë, drejt procesit të integrimit evropian, çështjen e emrit me Greqinë nën specifikimin e zakonshëm, se “Bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, ngelen thelbësore”.

Në tërësi, edhe 6-mujori i dytë i kryesuar nga Presidenca e Luksemburgut, duket se do të ruajë të njëjtën tendencë, duke avancuar në rajon me Malin e Zi, i shndërruar tashmë në një vend model për rajonin, duke u ndjekur nga Serbia. Shqipëria mund të realizojë objektivin e çeljes së negociatave vitin e ardhshëm, gjithmonë në rast se arrihen të përmbushen kushtet e kërkuara dhe sigurisht në varësinë e vullnetit të vendeve anëtare, nëpërmjet një votimi në unanimitet. Në rast se negociatat çelen vitin e ardhshëm për Shqipërinë atëherë ajo i bashkëngjitet grupit të përparuar në rajon, Serbisë dhe Malit të Zi, duke lënë mbrapa Maqedoninë e bllokuar nga Greqia si edhe Bosnjën dhe Kosovën, që duket se kanë një rrugë të gjatë përpara./im.ta/

 

Shkrime të tjera:

Mali i Zi shumë shpejt anëtari i 29 i BE-së

Turqia një hap më pranë Evropës

Zgjerimi BE-Turqi gjysmë shekull negocimesh

Presioni evropian mbi Serbinë

Fuqia e vetos greke në BE

Bllokimi i Maqedonisë problem për gjithë rajonin

Gabimi evropian në rastin e Maqedonisë

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Share This Article