Ekspozimi i fundit mediatik i kryeministrit britanik Cameron, në “gjueti” ndaj imigrantëve ilegalë shqiptarë, në bashkëpunim me agjencitë ligj zbatuese në vend, tronditi dhe vetë britanikët. Reagimet shqetësuese mbartnin në vetvete logjikën mbi tejkalimin si në thelb, por edhe në formë të funksioneve ligjore të një kryeministri. Ato shkonin dhe më tej, duke akuzuar Cameron për presion ndaj pushteteve të pavarur, si gjyqësori në rastin konkret. I shumëpërfolur si në sferën politike vendase, por edhe në atë evropiane, drejtuesi konservator ka arritur të pushtojë në vazhdimësi shtypin britanik dhe evropian nëpërmjet lëvizjeve dhe strategjive të tij politike, në kërkim të oksigjenit të mëtejshëm politik.
Fushata kundër imigracionit në fakt ka kohë që ka nisur. Platforma e saj është më e gjerë, se sa fokusimi thjesht mbi imigracionin ilegal, pasi përfshin edhe shtetasit e vendeve të BE-së, të cilët emigrojnë në Britani. Një sërë masash ligjore po planifikohen të miratohen dhe që prekin edhe kategorinë e mësipërme. Ato përfshijnë kufizim të ndihmës, që akordohet për periudhën kur një person është i papunë, në kërkim të një pune të re, si edhe kufizim të ndihmës në kuadrin familjar, duke përfshirë edhe ndihmat ndaj fëmijëve. Masa të tjera inkuadrojnë penalizime ndaj institucioneve të larta arsimore, me synim luftën ndaj regjistrimeve të rreme, që kryhen me synim marrjen e një leje qëndrimi. Pra, duke nisur nga muaji nëntor, nëse 10% e të regjistruarve në këto institucione janë persona, viza e të cilëve është refuzuar, institucioni do të humbasë licencën e tij. Kryeministri britanik Cameron ka deklaruar gjithashtu se, do të kufizohet numri i lajmërimeve (aktualisht mbi 1 milion) mbi vendet e punës, që janë të disponueshme në Britani dhe që publikohen në faqen evropiane online, EURES.
Karakteri i masave ligjore që po ndërmerren, të cilat prekin ndjeshëm edhe shtetasit e BE-së, sigurisht që ka shkaktuar edhe reagimin përkatës nga Komisioni Europian. KE, ka deklaruar se do të ekzaminojë kuadrin ligjor të planeve të kryeministrit Cameron, nëse ato bien ndesh me frymën ligjore të ligjeve të BE-së. Çka nënkupton edhe hapjen e mundshme të procedurave me synim ankimimi në gjykatat evropiane.
Por, pretendimet e kryeministrit britanik, mbi efektet tejet negative të imigracionit, që sipas tij po kërcënon sistemin e sigurisë sociale në Britani, kundërshtohen nga një sërë raportesh dhe rekomandimesh të institucioneve evropiane dhe ndërkombëtare.
Raporti i firmës konsultuese të Komisionit Europian ICF-GHK, konkludon se, shumica e personave, që lëvizin nga një vend i BE-së në tjetrin, e bëjnë këtë për arsye pune dhe jo për përfitim nga sistemi social. Në rastin britanik, raporti specifikon se, këto imigrantë japin një kontribut në financat e vendit pritës, pasi ato paguajnë më shumë në taksa, se sa përfitojnë nga sistemi social. Dhe për sa i përket imigrantëve që janë inaktivë, ato i kushtojnë buxhetit shëndetësor britanik, vetëm 0.7-1.1%.
Në të njëjtën logjikë ekspozohen edhe konkluzionet e raportit britanik 2013 i NIESR (Instituti Kombëtar i Kërkimit Ekonomik dhe Social), i cili konfirmon se, përqindja e lëvizshmërisë së emigracionit në BE, është relativisht e ulët në krahasim me SHBA, Kanada apo Australi.
Gjithashtu edhe FMN, ka paralajmëruar Britaninë, se politikat shtrënguese mbi imigracionin mund të kenë një impakt negativ në rritjen e produktivitetit. FMN sugjeron nëpërmjet rekomandimeve të saj, se zbutja e kritereve ndaj imigracionit në fusha, në të cilat mungon krahu i punës si prodhimi, do të mundësojë përmirësimin e tij dhe do të thjeshtëzojë në këtë mënyrë edhe ribalancimin e ekonomisë britanike.
Por, përse lideri konservator po shpalos fuqishëm kartën ndaj imigracionit, si atij ilegal (ku përshihen vendet e treta), po ashtu edhe atij legal (që prek BE-në) ? A mund të përdorë Cameron këtë kartë, si mjet presioni ndaj BE-së, për të rehabilituar pozicionin e tij përballë saj, në negocimet e kërkuara për rishikim të interesave britanike dhe sidomos pas humbjes së “betejës” së fundit mbi Junckerin ? Në fakt, përqasja politike në vijimësi e Cameron, që prej ardhjes së tij në pushtet, njeh shenja kushtëzimi nga një sërë faktorësh, që ndikojnë në përzgjedhjen e sfidave politike të radhës. Roli në zbehje i diplomacisë britanike në BE, i ndikuar nga fuqizimi ekonomik dhe politik i eurozonës, që ka marrë rolin e lidershipit është një nga faktorët, që ka ndikuar në pozicionimin euroskeptik të Cameron dhe qeverisë së tij, duke kërcënuar me referendum për dalje nga BE, në rast se nuk rishikohen interesat britanikë.
Nga ana tjetër rivaliteti me UKIP, partia anti-BE dhe anti-imigracion, që kryesoi zgjedhjet e fundit evropiane në Britani, ka tronditur politik-bërjen konservatore, duke detyruar Cameron të hartojë politika me synim rifitimin e elektoratit të humbur, që ka rrëshqitur drejt UKIP, duke huazuar politikat kryesore, që janë edhe thelbi i ekzistencës së saj.
Një tjetër faktor shumë i rëndësishëm, është edhe humbja e fundit në zgjedhjen e kreut të Komisionit Europian, e cila u shoqërua me një kosto të konsiderueshme përballë elektoratit konservator. Mbase nën filtrin e rehabilitimit të pozicionit diplomatik negociues, mund të lexohet edhe përpjekja për përdorim të kartës anti- imigracion, që prek edhe interesat e shtetasve të BE-së. Duhet konsideruar si përpjekje, pasi aplikimi tërësor i këtyre masave ligjore nuk mund të bëhet pa dëmtuar edhe vetë qytetarët britanikë, pasi krijimi i ligjeve që në thelb mbartin diskriminim përballë qytetarëve të BE-së, është thuajse i pamundur dhe mund të provokojë një sërë ankimimesh kundrejt Britanisë, në gjykatat evropiane. Humbja e fundit e zgjedhjeve lokale, e zgjedhjeve evropiane, humbja e betejës për kreun e KE-së, presioni që po ushtrohet nga afrimi i zgjedhjeve parlamentare, si edhe trysnia e faktorëve rivalizues brenda partisë, duket se janë disa nga faktorët, që kanë çuar liderin konservator Cameron në përzgjedhjen e kartës “anti-imigracion”, me shpresën se përdorimi i dyfishtë i saj do t’i mundësojë fitoren e munguar./im.ta/
