Në javën e tretë të shtatorit qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës do të mblidhen në Shkodër, ku pritet të nënshkruhen disa marrëveshje të përbashkëta.
Në këtë takim disa nga marrëveshjet më të rëndësishme janë dogana e Kosovës në Durrës, hidrocentrali në territorin shqiptar dhe linja hekurudhore.
Zëvendëskryeministrja e Kosovës, njëherë edhe koordinatore për mbledhjet e dy qeverive, Albulena Balaj-Halimaj, ka thënë se marrëveshjet do të jenë në interes të dy palëve.
“Do të ketë marrëveshje të cilat janë në interes të dy palëve. Ato të cilat janë pak më gjigante se të tjerat janë Dogana e Kosovës, linja hekurudhore dhe po ashtu hidrocentrali që mund të ndërtohet në Shqipëri, e që do të jetë funksional për Kosovën. Pos këtyre do të ketë edhe marrëveshje të tjera, tashmë ministritë kanë filluar të dorëzojnë draft-marrëveshjet”, ka thënë Balaj-Halimaj për ‘KosovaPress’.
Kosova dhe Shqipëria kanë filluar mbajtjen e mbledhjeve të përbashkëta mes dy qeverive më 11 janar të vitit 2014.
Mbledhja e parë u mbaj në qytetin e Prizrenit, dhe dy kryeministrat në atë kohë Hashim Thaçi, dhe Edi Rama, të cilët e cilësuan takimin si historik.
l.h/ dita
