Emancipimi erotik / Cilat janë shkaqet e dhunës dhe krimit në familje?

Ornela

Kjo është pjesa e katërt dhe e fundit e një bisede që DITA zhvilloi me sociologun tonë më të njohur, Prof. Fatos Tarifa, për një ndër subjektet më sensitivë e më tabu në shoqërinë tonë, siç është emancipimi erotik i shoqërisë. Pikëpamjet e shprehura në këtë bisedë Prof. Tarifa i zhvillon më gjerësisht në një studim monografik, që e ka titulluar “Erosi dhe Demokracia” dhe që pritet të botohet së shpejti.

Pjesa IV

Intervistoi Erion Habilaj

Gratë dhe vajzat ishin “proletariati” i revolucionit seksual dhe ai bëhej për çlirimin e tyre

Më sipër ju thashë se ne dimë shumë pak për vitet 1960 në Amerikë. Mund të na thoni, ju lutem, si ndikuan ngjarjet e asaj dekade në kulturën dhe në sjelljen seksuale të amerikanëve?

Vitet 1960 janë përshkruar zakonisht si një periudhë, në të cilën jeta e rinisë amerikane konsistonte kryesisht në tri gjëra: Sex, Drugs dhe Rock ‘n’ Roll. Këto kultivuan në mendjet e të rinjve utopinë e një jete ku do të zgjidheshin të gjitha problemet e tyre. Në atmosferën që u krijua në fundin e viteve 1960, shprehja “If it feels good, do it”, u bë një slogan gjerësisht i përhapur në radhët e rinisë. Ndoshta keni dëgjuar për dy prej episodeve më të rëndësishëm të asaj kohe, siç qenë “The Summer of Love”, në San Francisco (më 1967), dhe “Woodstock” (në shtetin e Nju Jorkut, më 1969). “The Summer of Love” ishin pesë muaj që mblodhën së bashku rreth 100 mijë të rinj, studentë, hipi, artistë, poetë dhe muzikantë, nga e gjithë Amerika, në një realitet dionisian ekstaze kolektive dhe utopizmi kulturor, imazhet e të cilit u përhapën menjëherë kudo në Shtetet e Bashkuara, duke shënuar ndarjen më radikale me të kaluarën në shoqërinë, kulturën dhe mënyrën e jetesës së milionave amerikanëve. Muzika “Acid Rock”, droga (LSD), nudizmi, seksi i lirë, që i ofrohej kujtdo “si një lloj bamirësie”—të gjitha këto u bënë pjesë e një antikulture që kish nisur të krijohej qysh në fillimet e asaj dekade. “Woodstock”, nga ana tjetër, ishte një festival muzikor dhe panair arti, në të cilin morën pjesë, për disa ditë me radhë, mbi 400 mijë njerëz: hippi, studentë, artistë—të gjithë thuajse në moshat midis 15 dhe 30 vjeç.

Revolucioni seksual në Amerikë, nuk mund të kuptohet, pa marrë parasysh këtë atmosferë që u përhap kudo. Dy ishin kryesisht faktorët që mundësuan çlirimin seksual të vajzave e të grave: kontraceptivët dhe vendosmëria e tyre për t’i sfiduar e rrëzuar pengesat që u vinin familja, kisha dhe, përgjithësisht, morali sundues i shoqërisë lidhur me seksin para martesës. Në fakt, shprehja “Revolucioni seksual” u bë metafora e preferuar për të përshkruar ndryshimet që kishin ndodhur dhe po ndodhnin në qëndrimet ndaj seksit dhe në sjelljen seksuale të amerikanëve në vitet 1960.

Tood Gitlin, një sociolog në Universitetin e Kalifornisë në Berkeley, e përshkruan kështu atmosferën e asaj kohe: “Drogë, rock ‘n’ roll…sex—të kombinuar bashkë, ose si çlirim, ose si skandal. Ishte më shumë një seks rinor…Ideja e një revolucioni seksual mbështetej nga një diskutim i gjerë publik mbi seksin, që nxitej më tej nga revistaPlayboy, nga prodhime të reja të Hollivudit, që nuk u ngjanin filmave të viteve1950 dhe nga heqja e censurës mbi librat. Kontraceptivi për gratë, që filloi të përdorej gjithnjë e më shumë në mënyrë rutinë pas vitit 1960, e çliroi seksin nga frika e shtatëzanisë së padëshiruar dhe ndikoi në dobësimin e kontrollit të prindërve mbi trupin dhe mbi aktivitetin seksual të të rinjve”.

Me këtë, si të thuash, edhe pse nga një perspektivë krejt tjetër, afirmohej liberalizmi klasik i John Lock-ut, që e shihte individin si pronar të trupit të vet (një formë e pronës private), që mund të përdoret, shkëmbehet (në martesë), shitet (në prostitucion), ose ndryshohet (kozmetikisht, atletikisht ose transseksualisht) nga një subjekt human që duhet të jetë aq “i lirë” sa edhe tregu. Tashmë, seksi u bë jo vetëm një kënaqësi, por edhe një afirmim, duke mos qenë më një tabu.

 

 Profesor, më bën përshtypje se personalitetet dhe studiuesit të cilëve u jeni referuar janë të gjithë meshkuj. Po vetë vajzat dhe gratë si mund ta kenë përjetuar revolucionin seksual që po ndodhte, pasi efektet e atij revolucioni ishin dramatike, në radhë të parë, për femrat.

Vërejtja është me vend. Lëvizjet e mëdha sociale dhe vetë revolucioni seksual në Amerikë dhe në vendet e tjera të Perëndimit nuk do të kishin qenë të mundura pa pjesëmarrjen masive—dhe tepër aktive—të vajzave dhe grave të reja në to. Në fund të fundit, gratë dhe vajzat ishin “proletariati” i atij revolucioni dhe ai bëhej për çlirimin e tyre.

Nga gjithçka që kam lexuar deri më sot, përshkrimimë mbresëlënës të asaj çfarë ndodhi në Amerikë dhe në Europën Perëndimore në vitet 1960 dhe se si vajzat dhe gratë e përjetuan atë transformim të madh në shoqëritë dhe në jetët e tyre private, është rrëfimi i psikanalistes dhe kritikes së njohur sociale, Susie Orbach. Ajo shkruan: “Në vitet 1960, për mua dhe për shumë gra të tjera të brezit tim, që u përpoqëm të angazhoheshim në të, Revolucioni Seksual ishte një ngjarje vërtet çliruese….Nëse një grua dëshironte të ishte seksualisht aktive, kjo s’do të thoshte se ajo do të nxirrte në pah një farë seksualiteti femëror aktiv, pasi, në atë kohë, këtë nuk e kuptonim. Për ne, kjo do të thoshte që të çliroheshim nga kufizimet e monogamisë, do të thoshte që të thyenim shtetin dhe t’u jepnim dërrmën marrëdhënieve monogame; por unë nuk mendoj se ne kishim ndonjë ide se ç’do të thotë kënaqësi seksuale. Ne e dinim se ç’ishte dëshira, por nuk mendoj se e dinim se ç’ishte kënaqësia. Në fazën e parë të para-Feminizmit dhe të Feminizmit thuhej: “merr një pill, ose çfarëdo, dhe BËJE!”. Ne duhej ta bënim atë që t’i provonim vetes sonë potencialet tona për çlirim [seksual]. Unë nuk mendoj se ajo që bënim ishte, në fakt, diçka shumë erotike…dhe ne nuk kishim në atë kohë një fjalor erotik….Vendosmëria për t’i dhënë fund pronësisë seksuale, pasi kishim lexuar Reich-in tonë dhe Engels-in tonë, nënkuptonte se nga ne kërkohej që të krijonim marrëdhënie seksuale me shumë partnerë dhe të përpiqeshim ta bënim këtë. Sa herë që nuk dilnim në rrugë për të bërë çfarëdo që duhej të bënim politikisht, e mbushnim kohën duke eksperimentuar në seks. Dhe u desh të kalonte mjaft kohë…përpara se gratë t’i bënin dëshirat e tyre pjesë të bisedave….Master dhe Johnson kishin shkruar për anatominë e femrës dhe kishin treguar se si gruaja funksionon; po kështu, ne kishim lexuar The Joy of Sex, por ne kishim nevojë që të kuptonim për veten tonë diçka rreth asaj që vërtet kishte të bënte me ‘Revolucionin Seksual’….Ne e ndienim se diçka po ndodhte mes hipive, që po e bënin [atë revolucion]; ata ishin të relaksuar seksualisht dhe eksploronin; ne ishim disi sanfrançiskojanë, disi Marcuse dhe një forcë politike që donim shkatërrimin e kapitalizmit e të imperializmit. Ne na dukej vetja si pionierë të një Bote të Re….Ne e kishim lexuar [Wilhelm] Reich-in, i njihnim [Anatoly] Lunacharsky-n, Alexandra Kollontai-n dhe revolucionarët rusë…por ne e kishim seksualisht në zotërim veten tonë në një mënyrë tjetër…në mënyrë militante, anti-monogamiste….Ne ishim një brez shumë arrogant, që u rrit në një periudhë të veçantë historike, dhe mendonim se ishim ne ata që do ta ndryshonim botën….lufta jonë synonte që të definonte një tjetër seksualitet për gratë….Ne nuk ishim programatistë, ne vumë në pikëpyetje dhe sfiduam mënyrën konformiste në të cilën ishte konstruktuar seksualiteti ynë….Sigurisht që ne e nisëm këtë journey për ta shijuar seksin….Njerëz si unë ishim shumë të interesuar të mësonim se ‘çfarë dreqin është seksi?’.

Kjo atmosferë revolucionare lirie seksuale u përhap thuajse kudo në Europën Perëndimore: në Paris, në Amsterdam, në Londër, në Berlin, në Pragë. Një ndër sloganet e famshme të studentëve parisienë në demonstratat e majit të vitit 1968 ishte ky: Plus je fais l’amour, plus j’ai envie de faire la révolution. Plus je fais la révolution, plus j’ai envie de faire l’amour. (Sa më shumë bëj dashuri, aq më shumë dua të bëj revolucion. Sa më shumë bëj revolucion, aq më shumë dua të bëj dashuri).

 

Të kthehemi tani pyetja që ju bëmë në krye të kësaj bisede, pra nëse edhe në Shqipëri po ndodh aktualisht një “revolucion seksual”, i ngjashëm me atë të fundit të viteve 1960 e të fillimit të viteve 1970 në Shtetet e Bashkuara dhe në Europë.

Nuk ka asnjë dyshim se moraliteti seksual tradicional i shoqërisë shqiptare është sfiduar dhe tronditur shumë gjatë çerek shekullit të fundit, pas shembjes së komunizmit. Zhvillimet e sotme në fushën e etikës e të sjelljes seksuale të shqiptarëve mund të thuhet se janë të ngjashme me ato që përjetuan pothuasje të gjitha vendet e zhvilluara perëndimore gjysmëshekulli më parë.Me këtë nuk them se kjo që po ndodh në Shqipëri sot është një replica e revolucionit seksual në Amerikën e Veriut dhe në Europën Perëndimore circa 1960. Por, po të vësh re se sa dhe si kanë ndryshuar mentaliteti, etika dhe sjella seksuale e të rinjve të sotëm, e brezit të ri të prindërve 30-40 vjeçarë, madje edhe e një pjese të njerëzve mbi këtë moshë, kryesisht në radhët e popullsisë urbane të vendit, kuptohet se morali seksual dhe sjellja seksuale në Shqipëri nuk janë më morali dhe sjellja seksuale tradicionale. Ato janë bërë shumë më tolerante, më të hapura ndaj eksperimentimeve dhe eksperiencave të reja, më pak të paragjykuara—shkurt, shumë më të lira.

Sot, në Shqipëri—dhe këtë ju e dini më mirë se unë—vajzat dhe djemtë adoleshentë flasin lirshëm për seksin dhe kanë shumë më tepër njohuri për higjienën dhe jetën seksuale sesa prindërit e tyre kur ishin në atë moshë. Është e vërtetë se seksi është bërë sot, më shumë se kurrë më parë, një çështje private, por, nga ana tjetër, për të flitet gjithnjë e më shumë publikisht. Shtrirja gjithnjë e më e madhe e sferës së privacisë seksuale ka ndodhur e ndodh njëherësh me rritjen e vazhdueshme të interesit për të diskutuar publikisht për seksin. Interneti, i cili e ka bërë edhe më të ndërlikuar raportin mes privates dhe publikes, ka ndikuar shumë në shembjen e pengesave personale të individit në lidhje me seksin. Të rinjtë e sotëm e dinë këtë më mirë se kushdo tjetër.Po kështu, nuk është aspak e habitshme—dhe, për shumë njerëz, ndër të cilët bëj pjesë edhe unë, nuk është as domosdo një gjë e keqe—që një djalë dhe një vajzë në vitet e fundit të shkollës së mesme, ose në universitet, të kenë një partner dhe marrëdhënie intime me të, madje as edhe të kërkojnë një partner të ri, kur marrëdhënia me të parin nuk është e kënaqshme për ta.

 Edhe pse këto që thoni ndodhin realisht në jetë, nuk shohim të njëjtat ndryshime në brezin e prindërve të të rinjve tanë. Pjesa më e madhe e tyre vazhdojnë të jetojnë realitetin që kemi lënë pas.

Përgjithësisht keni të drejtë dhe kjo që thoni është mëse e kuptueshme. Por, unë mendoj se, ashtu si unë, një pjesë e madhe e prindërve të brezit tim—dhe, sigurisht, shumë ndër ata që janë më të rinj—kanë ndryshuar, ose, më saktë, u janë përshtatur ndryshimeve që ka bërë të mundur koha në të cilën jetojmë. Ndryshimeve sociale, që ndodhin objektivisht, edhe kur këto e trondisin rëndë sistemin e besimeve e të vlerave morale, me të cilin jemi rritur, si dhe marrëdhëniet tona me individë të tjerë dhe me vetë shoqërinë, nuk mund t’u vihesh kundër për një kohë të gjatë. Ato duhen pranuar dhe, me këtë, vetë sistemi i vlerave, si dhe etika e sjelljes sonë, përfshirë edhe atë seksuale, u duhen përshtatur—dhe, si rregull, u përshtaten—ndryshimeve që sjell koha.

Sot, fjala vjen, në Shqipëri, nuk është e pazakontë që djemtë dhe vajzat të bëjnë seks para martesës, ndërkohë që virgjëria ka humbur, ose po humbet karakterin mitik të saj. Jo shumë kohë më parë, realiteti i gjërave ishte krejt ndryshe. I tillë ka qenë edhe në shoqëritë më të zhvilluara të Europës dhe në Shtetet e Bashkuara, por këto shoqëri e kanë kaluar me kohë këtë fazë që, pak a shumë, e kalojmë ne sot. Fjala vjen, qysh në fundin e viteve 1960, vetëm rreth 5 për qind e vajzave daneze ishin të virgjëra ditën e martesës. Në Suedi, po në të njëjtën kohë, rezultonte se 98 për qind e popullsisë së martuar kishte kryer marrëdhënie seksuale para martesës. Edhe në Gjermaninë Lindore, një vend me një kulturë seksuale libertine, edhe pse nën një regjim komunist, në fundin e viteve 1960 rreth 83 për qind e djemve të pamartuar dhe rreth 71 për qind e vajzave të pamartuara, nën moshën 25 vjeç, kishin kryer marrëdhënie seksuale.

Ne nuk kemi të dhëna empirike të mjaftueshme e të besueshme për një dukuri të tillë në Shqipërinë e sotme, por vëzhgimet dhe përvoja e jetës së përditshme na thonë se ndryshimet që kanë ndodhur janë të mëdha, herë-herë befasuese, veçanërisht në Tiranë. Dhe Tirana, ku jeton më shumë se një e treta e popullsisë së vendit dhe, ndoshta, gjysma e rinisë shqiptare, ka qenë dhe është gjithnjë avantgarda e ndryshimeve shoqërore e kulturore në vendin tonë, pra edhe e ndryshimeve në etikën e në sjelljen seksuale. Edhe pse ende ka shumë njerëz që do të donin që kultura seksuale e shqiptarëve të mos ndryshonte (dhe kjo është diçka e kuptueshme), dëshirat e tyre nuk do të mund t’i kishin penguar dot ndryshimet e kryera në këtë sferë të jetës e të marrëdhënieve shoqërore dhe as mund t’i ndalojnë dot ndryshimet e reja që mund të ndodhin.

Kjo që thoni është e vërtetë. Në Shqipëri, sot, gjithashtu, po bëhet gjithnjë e më e pranueshme që një çift të bashkëjetojë para martesës, ose edhe pa lidhur martesë, madje ka raste kur një çift edhe dëshiron të ketë femijë në një marrëdhënie jomartesore.

Kjo, gjithashtu, është e vërtetë, siç është e vërtetë edhe që shoqëria nuk i gjykon më domosdo keq ata çifte të martuar që nuk dëshirojnë të kenë fëmijë. Por, sot, në Shqipëri janë shumë më të shpeshta edhe rastet kur gra dhe burra, të pakënaqur nga martesa e tyre, divorcohen, ose krijojnë marrëdhënie intime jashtëmartesore me të tjerë, duke thyer një tjetër mit shekullor, të krijuar dhe të ruajtur nga të gjitha shoqëritë autoritariste dhe klasat sunduese të tyre, atë se mashkulli është biologjikisht poligam, ndërsa femra është biologjikisht monogame.Në fakt, siç kanë provuar, ndër të tjera, studimet e rëndësishme të Kinsey-t (për të cilat fola më sipër) në fundin e viteve 1940 dhe në vitet 1950, si dhe studimet e bëra nga Masters dhe Johnson në fillimin e viteve 1960 dhe në vitet 1970, biologjia e seksit te meshkujt dhe te femrat është shumë më e ngjashme nga sa mendohej më parë.

Më falni që e devijoj diskutimin e kësaj teme, por edhe problemi që dëshiroj të diskutoj me ju është, në shumë kuptime, pjesë e tij. Dëshiroj të mësoj mendimin tuaj mbi shkaqet që shpjegojnë rritjen e dhunës e të krimit në familjet shqiptare. Kjo besoj lidhet edhe me etikën dhe sjelljen seksuale të shqiptarëve të sotëm.

Unë vetë nuk i kam studiuar këto dukuri dhe nuk njoh ndonjë sociolog, psikolog, ose kriminolog shqiptar që t’i ketë studiuar ato, përveç ndonjë “analisti” ose “sociologu” të vetëshpallur. Sidoqoftë, mendoj se dhuna dhe krimi në familje, pavarësisht shfaqjeve konkrete të tyre, janë dukuri tepër komplekse dhe kanë shkaqe komplekse.

A janë shkaqet ekonomike ato më kryesoret, siç besohet gjerësisht dhe siç dëgjojmë të flitet shpesh në mediat tona, apo, për mendimin tuaj, ka shkaqe të tjera më të rëndësishme?

Faktori ekonomik, sigurisht, luan një rol, por unë jam kundër trajtimit të njëanshëm, reduksionist, pra vetëm ekonomik, të shkaqeve të dhunës e të krimit në familje. Për më tepër, nuk mendoj se faktori ekonomik është më i rëndësishmi. Ja, më thoni ju: Nëse një prind vret vajzën e tij 14-vjeçare, në një fshat të malësisë së Shkodrës, sepse nuk donte të linte qytetin e të kthehej në fshat, a mund të shpjegohet një krim i tillë thjesht me faktorë ekonomikë?Ose, nëse një burrë i rrëmben nga krahët gruas së tij në maternitet foshnjën e sapolindur dhe e hedh atë nga dritarja (ngaqë beson se ajo fëmijë nuk është e tij), a mund të shpjegohet ky krim monstruoz me faktorë ekonomikë? Po kështu, nëse një burrë vret një tjetër për xhelozi, ndërsa një tjetër i pret edhe kokën viktimës që sapo ka vrarë, përsëri për motive të dobëta, a mundet që krime të tilla të shpjegohen me faktorë ekonomikë? Po nëse një prind përdhunon vajzën, ose mbesën e tij, a mundet ta shpjegojmë këtë krim me shkaqe ekonomike? Sigurisht që jo. Nëse faktori ekonomik do të ishte i vetmi, ose kryesori që shpjegon dhunën dhe krimin në familje, atëherë dhunën dhe krimin do t’i gjenim vetëm—ose kryesisht—në familjet që jetojnë në varfëri, ndërkohë që këto dukuri i ndeshim edhe në familje që janë në gjendje të mirë ekonomike, madje edhe në familje të pasura.

 Sigurisht. Argumenteve tuaja mund t’u shtonim edhe një tjetër, që ka të bëjë me faktin se shqiptarët kanë qenë edhe më parë një popull i varfër, por varfëria ekonomike nuk i ka bërë ata më të dhunshëm sesa popujt e tjerë, çka besoj se nuk ka nevojë të provohet.

Dhuna dhe krimi në familje janë dukuri sociale që ndeshen kudo, madje edhe në vende ekonomikisht të zhvilluar. Disa kohë më parë, gazetat tona shkruanin për një turist irlandez, i cili rrahu gruan e tij ndërsa vizitonin së bashku Beratin. Mos vallë shkak ishte varfëria e tyre?

Përveç shkaqeve ekonomikë, faktorë të tjerë, po aq të rëndësishëm, në mos edhe më të rëndësishëm se ai ekonomik, janë, sigurisht,mentalitetet patriarkale dhe paternaliste sunduese, niveli i ulët kulturor, si dhe një shtet i dobët dhe i paaftë që të imponojë zbatimin e ligjeve nga subjektet e tij.

Argumentet tuaja na nxjerrin jashtë trajtimit thjesht ekonomik të çështjes. Ato kanë të bëjnë me faktorë sociologjikë. Mendoj se për të shpjegur e kuptuar më mirë dhunën dhe krimin në familje duhen marrë në konsideratë edhe një sërësëmundjesh neurotike dhe impulsesh patologjikisht antisociale, që shkaktohen pikërisht nga strukturat kolektive autoritaristetë shoqërisë dhe ngamorali seksual konservator dhe patriarkalqë sundon në të. Ky tipar nënvleftësohet nga studjuesit tanë, por unë besoj se etika dhe sjellja seksuale e një shoqërie janë një faktor shumë i rëndësishëm për shëndetin moral dhe mirëqënien psikologjike të individit dhe të vetë shoqërisë. Kur normat dhe rregullat e sjelljes seksuale janë shtypëse, ato bëhen shkaqe për shumë “sëmundje sociale”, ndër të cilat bëjnë pjesë edhe dhuna dhe krimi në familje.

A nuk mendoni se këto fjalë tuajat do u tingëllonin si herezi, ose blasfemi shumë prindërve, njerëzve konservatorë dhe moralistëve tradicionalë dhe do të ngjallnin indinjatën dhe zemërimin e tyre ndaj jush?

Kjo, sigurisht, është e mundur. Por, pavarësisht kësaj, unë nuk mund të rri pa vënë në dukje faktin, tashmë sociologjikisht dhe klinikisht të provuar përtej çdo dyshimi, se shumë sëmundje neurotike, shumë trauma psiqike dhe impulse patologjikisht antisociale që vëmë re në jetën e përditshme (të cilat psikanaliza i konsideron si fakte biologjike), si dhe prostitucioni, sjelljet perverse ose hipokrizia seksuale, e kanë bazën e tyre tek ideologjia seksuale sunduese dhe te strukturat kolektive autoritariste të shoqërisë, të cilat ushtrojnë një “represion seksual” të vazhdueshëm mbi anëtarët e saj—nga lindja në vdekje.

Reich do të kishte thënë, pak a shumë, të njëjtën gjë, apo jo?

Unë mendoj se,sa më shumë që një shoqëri e relakson presionin e saj kolektiv dhe institucional mbi sjelljen seksuale të anëtarëve të saj, në radhë të parë përmes një edukimi seksual demokratik, që nis qysh në moshë të vogël—fillimisht në familje e më vonë në shkollë—dhe vazhdon gjatë gjithë jetës, aq më të pakta janë sëmundjet neurorike dhe sjelljet antisociale në radhët e anëtarëve të saj, dhe aq më e ulët është shkalla e dhunës dhe e krimit në familje.

Studime të shumta empirike kanë provuar se, në ato kultura që e tolerojnë dhe e lejojnë shprehjen lirisht të seksualitetit, vihen re më pak sëmundje nervore, thuajse aspak çrregullime psikosomatike dhe një harmoni më e madhe në marrëdhëniet ndëpersonale mes njerëzve.Shoqëritë skandinave, vendet e Beneluksit, Gjermania, Kanadaja, Australia etj., janë shembuj domethënës. Në shoqëri të tilla, mungesa e presionit shoqëror dhe çlirimi prej normave morale shtrënguese në çështje të seksualitetit bëjnë që të rinjtë të krijojnë marrëdhënie seksuale të kuptimshme, të ndërveprojnë si të barabartë në një marrëdhënie intime, por edhe të përfitojnë një eksperiencë të dobishme për të zgjedhur partnerin e tyre të ardhshëm.Prej përvojave të shoqërive të tilla demokratike e të përparuara mund të mësohet për të kuptuar e praktikuar më mirë edhe në shoqërinë tonë vlera të tilla, si barazia, toleranca dhe dashuria humane. Më vjen mirë, fjala vjen, kur vë re se, edhe pse jetojmë në një shoqëri që ende nuk është konsoliduar si një shoqëri demokratike, po krijohet një etikë seksuale që e ndihmon individin ta trajtojë seksin në një mënyrë të përgjegjshme e të maturuar. Të çliruar nga morali tradicional dhe nga shumë praktika të prapambetura, që e shihnin abstenimin nga kënaqësitë seksuale deri në martesë si të vetmin virtyt dhe të vetmen sjellje të moralshme, të rinjtë e sotëm, përgjithësisht, kanë marrë një përgjegjësi personale më të madhe për sjelljen e tyre seksuale. Për më tepër, një pjesë e madhe e tyre e shohin seksin si një aspekt normal e të shëndetshëm të një marrëdhënieje intime.

Këto që thoni nuk kanë qenë e nuk janë diçka e lehtë për familjet shqiptare. Ç’duhet bërë që ndarja me të kaluarën, edhe në këtë sferë të jetës shoqërore e kulturore, të jetë sa më pak e dhimbshme? Dhe, për ta mbyllur këtë bisedë iluminuese me ju, i kthehem pyetjes që ju bëra në fillim: A mendoni se në Shqipëri po ndodh një revolucion seksual?

Siç edhe mund ta keni vënë re, në tërë këtë bashkëbisedim të gjatë, unë u përpoqa të mos i jap një përgjigje të prerë pyetjes suaj. Dhe kam arsye për këtë. Unë mendoj se, ajo çfarë ka ndodhur e po ndodh me të rinjtë shqiptarë (dhe me një pjesë të asaj kategorie njerëzish që mund t’i quanim moshë e mesme e re, ku do të përfshija, përgjithësisht, grupmoshën nga 35 në 45 vjeç), është se këta, e përsëris, kanë fituar më shumë të drejta dhe kanë marrë e marrin më shumë përgjegjësi individuale për standardet dhe sjelljen e tyre seksuale. Influenca e prindërve mbi vendimet që ata marrin dhe mbi standardet e sjelljes së tyre seksuale ka ardhur duke u dobësuar gradualisht.

Kjo etikë e re seksuale, që tashmë është krijuar, mendoj se reflekton një qasje inteligjente të të rinjve të sotëm shqiptarë, që është në harmoni me dinjitetin e tyre si qenie humane racionale. Pavarësia më e madhe e të rinjve është e dukshme edhe në shumë aspekte të tjera, si punësimi, mënyra e shpenzimit të të ardhurave, prestigji shoqëror dhe, në mjaft raste, strehimi. Pavarësia më e madhe e të rinjve të sotëm në shprehjen e seksualitetit dhe në standardet e sjelljes seksuale duhet parë si pjesë e një procesi emancipues të gjithanshëm.

Një psikolog i njohur amerikan, Albert Ellis, ka shkruar se, “nëse moraliteti seksual mendohet se është racional, ai duhet parë si pjesë e moralitetit të përgjithshëm. Sjellja seksuale është vetëm një aspekt i sjelljes humane; edhe pse ajo është një aspekt i rëndësishëm i kësaj të fundit, nuk është aspekti i vetëm dhe as më i rëndësishmi. Në fakt, zakonisht, sjellja seksuale nuk mund të shihet e shkëputur nga socializimi, nga marrëdhëniet dhe komunikimi me individë të tjerë dhe nga forma të tjera të kontaktit e të bashkëveprimit njerëzor. Rrjedhimisht, një akt seksual bëhet imoral, joetik, ose irracional jo thjesht sepse ai është seksual, por sepse ai, në ndonjë mënyrë të caktuar, është edhe joseksualisht i gabuar”.

Sidoqoftë, nëse më kërkoni patjetër një përgjigje për pyetjen tuaj, do të thoja se, standardet dhe sjellja e sotme seksuale e të rinjve shqiptarë shënojnë jo një revolucion seksual, por një evolucion të natyrshëm dhe, pra, ato duhen kuptuar jo si një anomie (nëse përdor këtë term të Durkhejm-it), por si një normalitet.Në këtë konkluzion vinte, në vitin 1969, edhe sociologu amerikan, Ira Reiss, gjerësisht i njohur për studimin e mënyrave me të cilat shoqëria ndikon mbi qëndrimet dhe sjelljen seksuale të anëtarëve të saj dhe se si këta reagojnë ndaj presionit  shoqëror. Veçse ai shkruante për shoqërinë amerikane të viteve 1960, e cila, siç vumë në dukje, u trondit në themelet e saj nga një varg lëvizjesh të fuqishme sociale dhe nga një revolucion seksual që e ndryshoi atë vend—dhe krejt botën perëndimore—një herë e përgjithmonë.

Një revolucion i tillë seksual, në ato përmasa dhe në atë intensitet, nuk është përsëritur dhe nuk mund të përsëritet më askund. Për Amerikën, Kanadanë dhe një pjesë të Europës Perëndimore, “the sixties” ishin një nga ato periudha që Hegeli i quante “momente unike” të historisë. Sado e vështirë të na duket për ta kuptuar, ndryshimet që po ndodhin sot në Shqipëri në standardet dhe në sjelljen seksuale të një pjese të mirë të brezit të ri e kanë origjinën pikërisht në atë fillim të madh emancipues të një gjysmëshekulli më parë.

 Është e drejtë të themi, besoj, se njerëzimi është ende larg emancipimit erotik të tij, për të cilin fliste Wilhelm Reich dhe, ndoshta, kurrë nuk do arrijë të emancipohet tërësisht.

Pa dyshim. Edhe pse, nga vitet 1960 e këtej kanë ndodhur ndryshime të thella në raportet mes lirisë dhe shtypjes seksuale, mes barazisë dhe pabarazisë së sekseve, si dhe mes të drejtave të individit dhe moralit shoqëror, divergjencat lidhur me limitet e lirisë seksuale vazhdojnë të jenë një ndër çështjet kulturore më kundërthënëse në kohën tonë dhe do të mbeten të tilla për një kohë shumë të gjatë.

Fund

Share This Article