Gazeta DITA
Notification Show More
Latest News
Dikur normë e mesdheut, sot privilegj i të pasurve, kjo është dieta që mban larg diabetin, tumoret dhe problemet e zemrës
Kryesore Lifestyle Shendetesi
Kush votoi nga opozita për Bajram Begajn?
Aktualitet Lajmi i fundit Politike
Rama i përgjigjet Berishës: “Nuk kemi pritur konsensus me të vdekur”
Aktualitet Lajmi i fundit Politike
Begaj president me 78 vota “pro”, Rama: I dhamë vendit një kryetar shteti normal, një figurë të pakontestueshme
Aktualitet Komunitet Kryesore Politike
Çmimet botërore të grurit bien me 10% duke u kthyer në vlerat e fillimit të prillit
Aktualitet Ekonomi Lajmi i fundit
Aa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Botë
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Dita TV
  • Lifestyle
Reading: Ç’mendojnë shqiptarët për BE-në ?
Share
Gazeta DITA
Aa
Kerko
Follow US
Gazeta DITA > Europa/Analize > Ç’mendojnë shqiptarët për BE-në ?
Europa/AnalizeLajme Flash

Ç’mendojnë shqiptarët për BE-në ?

redaktor
Published April 11, 2015
Share
SHARE

Pas marrjes së statusit të vendit kandidat qershorin e kaluar, Shqipëria u fut për herë të parë, në fokusin e sondazheve të Eurobarometrit. Krahas opinioneve të qytetarëve evropianë mbi çështje të ndryshme, që lidhen me BE-në, tashmë do të renditen edhe perceptimet e vazhdueshme të qytetarëve shqiptarë. Por, ç’mendojnë realisht shqiptarët në lidhje me BE-në dhe institucionet e tij dhe a kategorizohen ato si euroskeptikë apo pro-europianistë?

Ç’përfaqëson BE ? 

Për shumicën e të anketuarve të qytetarëve shqiptarë (59%), BE përfaqëson së pari, liri për të udhëtuar, studiuar dhe punuar, së dyti një prosperitet ekonomik (46%) dhe së treti, një zë më të rëndësishëm në botë (34%). Shqiptarët në një shumicë prej 76%, përqindja më e lartë kjo nga të gjithë vendet e tjera kandidate, mendojnë se anëtarësimi në BE, është një gjë e mirë. Ato mendojnë gjithashtu në një përqindje të lartë, (89%) në ndryshim nga vendet e tjera kandidate, se vendi do të përfitojë nga anëtarësimi në BE.

Elementi që tërheq vëmendjen, lidhet me faktin se, për sa i përket besimit që qytetarët shqiptarë shprehin ndaj institucioneve evropiane, si Komisioni Evropian (52%) apo Parlamenti Evropian (60%), është i një niveli tepër të lartë. Duke tejkaluar jo vetëm vendet kandidate, por edhe mesataren e besimit, që qytetarët evropianë kanë ndaj institucioneve të Unionit (42% ndaj Parlamentit dhe 38% ndaj Komisionit).

Edhe besimi ndaj BE-së, (59%) është i nivelit më të lartë ndër gjithë vendet e tjera kandidate. Qytetarët e Unionit kanë një nivel besimi ndaj BE-së, që shprehet në një mesatare të ulët, prej vetëm 37%.

EB82- L'Opinion Publique dans l'Union Européenne
EB82- L’Opinion Publique dans l’Union Européenne

Shqipëria tërheq vëmendjen edhe në përqindjen e lartë (80%) mbi imazhin pozitiv ndaj Bashkimit Evropian. Përqindja më e lartë kjo, duke kryesuar renditjen, për tërë vendet pjesëmarrëse në Eurobarometër, si edhe mesatares së BE-së, që shkon vetëm në 39%.

Por, sa njohuri kanë qytetarët e anketuar në lidhje me institucionet evropiane. Pra, sa i njohin ato ?

Në lidhje me Parlamentin Evropian, ato shprehin saktë vetëm në një pakicë prej 28%, se eurodeputetët zgjidhen direkt nga qytetarët evropianë. Por, në shumicë ato përgjigjen saktë se, Unioni ka 28 anëtarë dhe se, Zvicra nuk është pjesë e Unionit.

Vëmendje tërheq dhe fakti, se të anketuarit shprehen në shumicë (73%) shifra më e lartë e të gjithë tabelës, se situata aktuale e ekonomisë evropiane është e mirë. Kjo përqindje e lartë, vërehet dhe në lidhje me optimizmin në 12 muajt e ardhshëm mbi ekonominë evropiane, ku shqiptarët (50%) sërish kryesojnë ndaj mendimit optimist se, ekonomia evropiane do të jetë e mirë në 12 muajt në vijim. Ndërkohë që mesatarja e BE-së, shkon vetëm në 20%.

Pro-Europianizëm i lartë 

Teksa shikon të dhënat në lidhje me perceptimin, që qytetarët shqiptarë kanë ndaj BE-së dhe institucioneve të tij, ato janë gjerësisht pozitive dhe optimiste, në shpërfillje tërësore ndaj përqasjes apo elementëve negativë. Përqindja e tyre e lartë, dallon në renditje ndaj të gjithë vendeve të tjera kandidate, si edhe ndaj vetë vendeve anëtare të BE-së, apo mesatares së Unionit.

Detyrimisht, logjika të çon drejt dy momenteve reflektuese:

Së pari, a mundet që imazhi pozitiv që mbartin shqiptarët për BE-në dhe optimizmi i lartë, që ato shprehin të hyjnë në sferën e një gjykimi të ndikuar nga mungesa e informacioneve, të njohurive dhe mos njohjes së realitetit ?

Së dyti, imazhi pozitiv dhe optimizmi i shprehur i qytetarëve shqiptarë, i ndërthurur me pjesë të veçanta në studim, a mund të shikohet si një konfirmim i qartë në nivel evropian mbi Pro-Europianizmin shqiptar?

Në lidhje me pikën e parë, ekziston në përgjithësi një tendencë reflektuese, e nxitur edhe nga rryma të ndryshme filozofike, që e konsiderojnë optimizmin si një element, që i rrëshqet dëshirës për t’u fokusuar në anën e errët të realitetit, se injorohen elementët negative dhe ka një orientim, që bazohet në mungesën e konsiderueshme të informacioneve. Në këtë mënyrë krijohet dhe predispozita për të lidhur optimizmin e lartë, me një lloj naiviteti në gjykim dhe lehtësie në reflektim.

Por, sigurisht, që kësaj përqasje, i kundërvihet edhe reflektimi kundërshtues, se jo detyrimisht optimizmi shfaq mungesë informacioni, mos njohje realiteti dhe naivitet. Përkundrazi, ai bazohet në njohjen e fakteve dhe të elementëve, por ka tendencë të fokusohet në anën pozitive për të inkurajuar motivacionin, si bazë shtytëse e avancimit dhe përparimit.

Nëse vëzhgojmë optimizmin e lartë të shprehur të qytetarëve shqiptarë në studim, si edhe pozitivizmin në gjykim ndaj BE-së dhe institucioneve të saj, më tepër se, sa një naivitet gjykues dhe perceptues, mund të konstatohet se, ato janë pjesë përbërëse e elementëve dhe kritereve, që formojnë profilin e duhur të një vendi Pro-Europianist.

Perceptimet dhe vlerësimet e dhëna: konsiderimi i BE-së si mundësi për të udhëtuar studiuar dhe punuar; si një prosperitet ekonomik; si zë më i rëndësishëm në botë; se anëtarësimi në të është pozitiv; se nga anëtarësimi vendi përfiton; besimi i lartë ndaj institucioneve evropiane dhe ndaj vetë BE-së; pasja e një imazhi pozitiv tepër të lartë; pozicionimi pro zgjerimit të mëtejshëm të BE-së; optimizmi i lartë se situata ekonomike evropiane do të jetë më e mirë në vitin në vijim; qëndrim pozitiv pro-euros dhe integrimit të mëtejshëm ekonomik. Të gjithë elementët e mësipërm, janë pjesë e platformave studimore, teksa vendet profilizohen në vende eurofile.

Konsiderimi se, ky optimizëm dhe gjykim pozitiv mund të burojnë nga mos njohja e fakteve dhe elementëve, rrëzohet nga përgjigjet, që janë dhënë ndaj tre pyetjeve në lidhje me BE-në, ku vetëm njëra prej tyre, rrëshqet në mosdije. Nuk duhet harruar se, edhe vetë qytetarët e BE-së, kanë probleme të mëdha me njohjen e Unionit dhe institucioneve të tij, ndonëse janë anëtarë prej dekadash. Edhe gjykimi pozitiv mbi gjendjen aktuale ekonomike evropiane, është një element perceptues subjektiv, që ndikohet nga vlerësimi krahasimor i situatës personale dhe parametrave ekonomikë kombëtarë. Në përgjithësi, panorama vlerësuese dhe perceptuese e qytetarëve shqiptarë ndaj BE-së, është e një këndvështrimi tërësisht Pro-Europianist, duke e veçuar atë ndaj të gjithë vendeve të tjera kandidate të rajonit. Element, që duhet konsideruar si tejet pozitiv, dhe një vlerë e shtuar, jo vetëm përballë vendeve në proces zgjerimi, por edhe ndaj vetë Unionit./im.ta/

redaktor April 11, 2015
Share this Article
Facebook Twitter Email Print

© Copyright Gazeta Dita 2022. Te gjithe te drejtat e rezervuara

Removed from reading list

Undo
Welcome Back!

Sign in to your account

Lost your password?