Përkeqësimi i të drejtave të njeriut në Evropë vazhdon të mbajë një ritëm konstant. Viti 2015, është vlerësuar nga Agjencia Evropiane e të Drejtave Themelore (FRA), si një vit i “keq”. Një situatë, që lidhet kryesisht me mënyrën se si BE e ka menaxhuar krizën e refugjatëve. Një krizë vlerash dhe të drejtash themelore. Shkelje të legjislacionit evropian, si edhe të ligjeve ndërkombëtare. Por, çfarë shqetësimesh ngre kryesisht raporti ?
Në fakt, të gjitha problematikat që shfaq raporti nuk vijnë rishtazi, pasi që me nisjen e krizës së refugjatëve, ato janë denoncuar thuajse sistematikisht nga një sërë organizatash të të drejtave të njeriut, por edhe nga vende të caktuara, apo personalitete të njohura politike evropiane. Problematika, që shtriheshin jo vetëm ndaj mënyrës se si BE po përpiqej të zgjidhte krizën e refugjatëve, por mbi të gjitha Marrëveshja e kryer me Turqinë dhe shkeljet e një sërë ligjesh evropiane dhe ndërkombëtare, që ajo po ndërmerrte.
Kthimet kolektive
Një nga problematikat kyçe, që gjeneronte marrëveshja e kryer me Turqinë ishte pikërisht, shtylla kryesore e ligjit ndërkombëtar për mbrojtjen e refugjatëve, Neni 33 dhe parimi i mos kthimit mbrapsht në vendin ku rrezikohet persekutimi, apo trajtimi degradues dhe çnjerëzor i personave që kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare. Raporti, vlerëson se ky detyrim, që imponon Neni 33 i Konventës mbi Statusin e Refugjatëve, për mos kthimin mbrapsht të refugjatëve, figuron edhe në ligjet kryesore të BE-së, respektivisht në nenin 18 dhe 19 të Kartës së BE-së, si edhe në Nenit 78 të Traktatit të Funksionimit të BE-së. Raporti i rikujton Unionit se të 28 vendet anëtare e kanë pranuar këtë detyrim, kur i kanë ratifikuar këto traktate të BE-së.
Por, përveç ligjeve kryesore, raporti vlerëson se edhe ligjet dytësore të BE-së, që lidhen me kufijtë, azilin, migrimin dhe kthimin i ndalojnë gjithashtu këto përzënie. Neni 3 i KEDNJ, siç e interpreton GJEDNJ, dhe legjislacioni mbi azilin në BE e kanë zgjeruar llojin e dëmtimit ndaj të cilit një person nuk duhet të ekspozohet, duke përfshirë ndalimin për të kthyer mbrapsht në vendin ku rrezikohet të torturohet, apo të pësojë trajtime jo njerëzore dhe denigruese, si edhe dëme të tjera.
Raporti, rikujton se ndalimi i kthimit është absolut, dhe nuk lejon përjashtime apo dalje nga ky kuadër !
Ky parim absolut, ndalon jo vetëm kthimin në vendin e origjinës të azilkërkuesit (kthimin direkt), por edhe transferimin e tij në vende ku individët mund të jenë të ekspozuar ndaj riskut për t’i kthyer në vendin e origjinës (kthimet indirekte). Pra, nëse një azilkërkues kthehet në një vend fqinj të BE-së, ku ai ka qëndruar më përpara si p.sh. Turqia, apo Serbia, duhet të jetë e mundur vetëm pasi të jenë vlerësuar rrethanat individuale personale, pra kur autoritetet të jenë siguruar se personi do të jetë i mbrojtur në vendin ku ridërgohet dhe se nuk rrezikon kthimin mbrapsht për në vendin e origjinës.
Kthimi në vendin e tretë nuk lejohet, nëse ekziston një risk, se individi, do të jetë subjekt i trajtimeve ç’njerëzore apo degraduese, duke përfshirë p.sh. ambientet e mbajtjes.
Nuk duhet harruar, se teksa Raporti përmend një varg shkeljesh të kuadrit ligjor ndërkombëtar dhe evropian, krerët e BE-së pas Marrëveshjes së kryer me Turqinë, do të siguronin publikisht se kjo Marrëveshje nuk shkel asnjë kuadër ligjor !
Ngritja e gardheve
Por, përtej shkeljeve të mësipërme ka dhe një këndvështrim interesant pasi, edhe ngritja e gardheve me tela në një sërë vendesh të BE-së, vlerësohet sipas raportit se shkel një sërë nenesh të së drejtës ndërkombëtare.
Vlerësim krejtësisht antagonist me deklarimet e vazhdueshme që vijnë nga BE dhe që konsistojnë mbi faktin se vendosja e kontrolleve kufitare, është tërësisht në përputhje me frymën, që imponon Kodi Shengen!
“Çdo formë që ndalon hyrjen në territor, mund të rezultojë në një përzënie kolektive, e ndaluar kjo nga neni 19 i Kartës së BE-së dhe Neni 4 i Protokollit 4, të KEDNJ. GJEDNJ e ka bërë të qartë se ky ndalim shtrihet edhe në kufijtë detarë.”
Ngritja e gardheve me tela, në kufijtë e jashtëm të BE-së, për të frenuar migrimin e parregullt dhe të kufizojë lëvizjet e parregullta në vendet e tjera të BE-së, vazhdoi edhe gjatë vitit 2015, sipas raportit. Në fund të vitit, një pjesë domethënëse e kufirit tokësor me Turqinë u rrethua me gardh me tela si edhe në shumë vende të tjera të Ballkanit Perëndimor. Bulgaria ngriti 3 metra gardhin me tela në kufirin me Turqinë dhe Greqia aplikoi vëzhgimin elektronik, Hungaria ngriti gardhin 175 km në kufirin me Serbinë si edhe me Kroacinë. Sllovenia vijoi me ndërtimin e gardhit në kufi me Kroacinë. Maqedonia, e ngriti gardhin me Greqinë. Britania e Madhe në marrëveshje me Francën, përforcoi sigurinë fizike të Nord-Pas-de-Calais, si edhe në pjesën përgjatë tunelit të Kanalit.
Por, kjo prezencë e gjerë gardhesh me tela, sipas raportit, bie tërësisht ndesh dhe dhunon detyrimin që kanë shtetet anëtare, nën nenin 3§a të Kodit Kufitar Shengen, për të aplikuar Kodin në përputhje të plotë me Kartën e BE-së, si edhe me detyrimet që lidhen me aksesin për mbrojtje ndërkombëtare.
Në tërësi Raporti shfaq probleme serioze, që prekin fusha të rëndësishme të të drejtave themelore, duke nisur nga e drejta për azil, ndalimi i kthimeve kolektive, e drejta për jetë dhe integritet, e drejta për jetë private dhe familjare, e drejta për liri, e drejta për të mos u diskriminuar, të drejtat e fëmijëve, etj.
Ndër to veçohet edhe bashkimi familjar dhe e drejta për jetë familjare, si një mjet i rëndësishëm ligjor për anëtarët e familjes, që gjenden në nevojë për mbrojtje ndërkombëtare. Sipas raportit, shtrëngesat për bashkim familjar, që disa shtete të BE-së filluan të aplikojnë përgjatë fundit të vitit 2015, mund të zvogëlojnë progresin e bërë në këtë fushë. Vendet më të prekura nga këto masa janë Austria, Danimarka, Gjermania, Finlanda dhe Suedia, që ndryshuan ligjet kombëtare me synim vonimin e bashkimit familjar, apo bërjen sa më të vështirë të këtij procesi. Çka vështirëson në tërësi këtë proces, duke marrë parasysh se bashkimi familjar konsiderohej të ishte një procedurë administrativ kompleks. Në tërësi kjo situatë, sipas raportit, bie ndesh me nenin 7 të Kartës së BE-së.
Por, duhet theksuar se që me nisjen e krizës së refugjatëve, Evropa filloi rrëshqitjen graduale drejt përkeqësimit të të drejtave të njeriut. Do të ishte Raporti i Këshillit të Evropës në Strasburg (2014) që do t’i binte për herë të parë kambanës së alarmit duke deklaruar se, Evropa ka hyrë në krizën më të rëndë të të drejtave të njeriut, që prej Luftës së Ftohtë. Një raport alarmues, që do të theksonte se, dhunime serioze që përfshijnë korrupsionin, mosndëshkimin, racizmin, fjalimet e urrejtjes dhe diskriminimit janë në rritje në të gjithë kontinentin. Duke i bërë thirrje të gjithë vendeve anëtare të angazhohen tërësisht për të zbatuar Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe konventat e tjera, në mënyrë që të parandalohet erozioni i mëtejshëm i të drejtave themelore.
Kriza e refugjatëve si rrallëherë ka arritur të nxjerrë në sipërfaqe egoizmat e fshehur kombëtarë, ambiciet nacionaliste dhe tkurrjen ndaj vlerave të “pastra kombëtare”, që filluan të mbrohen me gardhe të lartë me gjemba. Jo rastësisht edhe mesazhi i fundit, që erdhi përgjatë përkujtimit të 100 -vjetorit të Ferrit të përgjakjes në Verdun, aty ku nacionalizmi i pastër do të kryente një nga masakrat më të egra, dhe të pakuptimta që ka njohur Evropa, do të ishte për “bashkëpunim dhe solidaritet”. Një mesazh, që shërben si kujtesë nga vendi i masakrës për të mos harruar kurrë absurditetet e përgjakshme, që kryhen në emër të nacionalizmit glorifikues dhe imagjinar. Një mesazh për të mos harruar se pa Evropën e Bashkuar, kontinenti do t’i rikthehet konfliktit, tensionit dhe rrezikut të përgjakjes. Provat e historisë janë ende aty, te krateret e pambyllura të fushë-betejës së Verdunit ! /im.ta/DITA