Ambasadori amerikan Donald Lu, thotë se realizimi i Reformës në Drejtësi është interesi parësor i Shteteve të Bashkuara. Një vit pas ka nisur detyrën e tij në Tiranë, ambasadori flet për lidhjet e politikës me krimin, procesin e dekriminalizimit, fenomenin e korrupsionit, ngritjen e Byrosë kombëtare të hetimit si dhe përparësitë e politikës amerikane në Shqipëri.
“Të them të drejtën, nuk jam polic, as nuk jam ekspert për botën e krimit. Si njeri që ka jetuar këtu një vit, do të thosha se ekzistojnë disa lidhje serioze midis këtyre dy botëve dhe ka shumë rëndësi për të gjithë shqiptarët, që të mbështesin procesin e ndarjes së këtyre dy botëve. Kam punuar në vende të tjera ku, kriminelët përpiqen të shërbejnë në parlament, ose në politikë për hir të imunitetit që përfitojnë nga kjo. Por në një vend normal, në një demokraci normale, asnjë kriminel nuk dëshiron të jetë në politikë. Kjo është diçka e keqe për biznesin, tërheq vëmendje te aktivitetet kriminale. Këtë duam ne që të ndodhë në Shqipëri, pra që kriminelët të thonë: do t’i bëja dëm punëve të mia, po të futesha në politikë”, thotë Lu.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ambasadori Lu shprehet se ka besim se në pranverë parlamenti do ta miratojë reformën në drejtësi.
“Kam shumë besim se në vitin 2016, në pranverë 2016, Shqipëria do të ketë një reformë të thellë të gjyqësorit. Përse kam kaq shumë besim? Së pari, është mjaft e qartë se populli shqiptar e kërkon këtë reformë. Së dyti, Komisioni i Venecias ka folur qartë dhe me zë të lartë. Ata kanë thënë se kjo reformë është thelbësore për Shqipërinë dhe është e ngutshme. Është e nevojshme që udhëheqësit e partive politike të punojnë së bashku për gjetjen e një formule, e cila të mund të mbështetet si nga opozita ashtu edhe nga qeveria”, shprehet ai.
I pyetur rreth kritikave që i janë bërë se është përfshirë shumë në çështjet e brendshme të Shqipërisë, ambasadori thotë se ka udhëzime shumë të qarta nga shefat e tij më të lartë në Departamentin e Shtetit dhe në Shtëpinë e Bardhë, që përparësia kryesore e qeverisë amerikane në Shqipëri është të mbështesë reformat, në mënyrë që Shqipëria të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.
Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu deklaroi përparësitë e Shteteve të Bashkuara në Tiranë.
“Veç reformës në drejtësi, këtë vit kemi në plan edhe tri përparësi të tjera: të vazhdojmë të punojmë drejt realizimit të nismës për krijimin dhe trajnimin e një Byroje Kombëtare Hetimi, bazuar në FBI-në amerikane, përmes së cilës shqiptarët do të hetojnë rastet e korrupsionit. Së dyti, ne po bashkëpunojmë shumë afër me Ministrinë e Mbrojtjes dhe vendet e tjera të NATO-s, për të modernizuar format e armatosura të Shqipërisë, kryesisht disa njësi të rëndësishme të ushtrisë, që të shërbejnë krahas forcave të NATO-s kudo në botë. Dhe së fundmi ne jemi shumë të angazhuar për zhvillimin e sektorit të organizatave joqeveritare në Shqipëri dhe të shtypit të pavarur, që të shërbejnë si vëzhguese të abuzimeve nga qeveria ose opozita”, deklaron Lu.