Drurët nga mali Orbel

Ornela

Moikom Zeqo

Në librin e tij “Historitë”, Herodoti flet për një zakon të lashtë të ilirëve paionë, që jetonin rreth brigjeve të liqenit Prasias (Prespa). Paionët kishin ndërtuar mbi liqen një vendbanim mbi pilotë druri të tipit lakustër. Trarët, mbi të cilët qëndronin shtrojat i vendosnin bashkërisht të tërë banorët. Herodoti ve në dukje, se “secili nga paionët, kur martohej, sillte për gruan nga mali i quajtur Orbel tri trarë druri dhe i vendoste mbi shtroje”.

Zakon i mrekullueshëm i lashtë. Zakon praktik, dobiprurës për jetën. Vetvetiu të kujtohet legjenda skënderbejane, sipas të cilës kryetrimi i madh shqiptar i shekullit XV kishte vendosur, që çdo djalë, që do të martohej duhej detyrimisht të mbillte 10 rrënjë ullinj.

Nga fakti i kumtuar nga Herodoti deri tek epoka e Skënderbeut janë gjithsej 20 shekuj. Është një traditë e madhe për t’i shërbyer jetës me të gjitha mënyrat, për ta fuqizuar.

ILIRJA KYNA

Dijetari, Atheneu që ka jetuar rreth viteve 200 të erës sonë, ka shkruar veprën “GOSTIA E DIJETARËVE”, ku bën fjalë dhe për ilirët dhe zakonet e doket e tyre, për marrëdhënie ekonomiko-shoqërore, për vetitë e larta luftarake.

Të bën përshtypje, se Atheneu, duke u mbështetur te një burim më i vjetër (citon Durin nga ishulli i Samosit) përshkruan një dyluftim të çuditshëm “luftën e parë midis dy grave – Olimpisë dhe Euridikës”.

Ngjarja ka ndodhur në shekullin IV p.e.s.

Është fjala, për një ndeshje luftarake për të treguar trimërinë e zotësinë vetjake në prani të shikuesve të ndryshëm (kjo të kujton dyluftimet e famshme të heronjve të Homerit, ose të kreshnikëve në eposin tonë).

Atheneu shënon, se Olimpia luftoi në mënyrë bakike, duke i rënë edhe daulles, kurse Euridika “qe ushtruar në punë të luftës prej Kynes me prejardhje ilire”. Fakti që kumtohet është me rëndësi. Ilirja Kyna del si një mjeshtre për stërvitjen luftarake të femrave, pra, njihej për ushtrimin e kësaj detyre, me sa duket jo vetëm, për rastin e mësipërm, por edhe herë të tjera.

Kjo të bën të mendosh, se tek ilirët mësonin mjeshtërinë e luftës, përdorimin e armëve e të metodave të luftimit jo vetëm burrat, po edhe gratë.

Si Kyna kishte edhe gra të tjera, që bënin stërvitje e merreshin seriozisht me dyluftime. Kjo flet për rolin e rëndësishëm të femrës ilire, për një farë shkalle të emancipimit të saj në shoqërinë e lashtë ilire, gjë, që shpjegon edhe faktin e lartësimit në pushtetin më të lartë shtetëror e ushtarak të Teutës së ardianëve, që sfidoi denjësisht dhe si askush Romën e vjetër. Ja, pse në disa momente arkeologjike të gjetura në Shqipëri ka të skalitura në relieve dhe skenat e amazonamahisë (luftë kundër amazoneve). Në këto monumente (një i tillë është me prejardhje nga Apolonia) paraqitet lufta e luftëtarëve grekë të vjetër me kalorëset amazone të cilat kanë veshje dhe armatim përkrenare e mburoja karakteristike ilire.

Pra, mund të flitet për amazonat ilire.

Kyna është, padyshim, një shëmbëlltyrë e një luftëtareje ilire, që me mjeshtëri ishte përgatitur për të luftuar e për të fituar.

ALEKSANDRI I MADH DHE KALI

Aleksandri i Madh, një nga strategët më të famshëm të antikitetit ka jetuar në shekullin IV p.e.s. përmendet nga shumë autorë e kronikanë të motshmërisë si një kalorës i shkëlqyer.

Dihet, se Aleksandri kishte një nënë ilire nga fisi i molosëve. Kur ishte fëmijë e ëma ra në kontradiktë me Filipin maqedonas, të shoqin e saj, se ky u martua me një grua tjetër, dhe iku së bashku  me të birin në shtëpinë e saj prindërore në Molosi.

Aty Aleksandri njohu dhe mësoi zakonet e ilirëve molosë. Është një fakt, që theksohej nga historianët, se më vonë Aleksandri, kur nxehej me ushtarët e tij fliste me një gjuhë të pakuptueshme për ta, dmth për maqedonasit, që ishte ilirishtja, gjuha e mëmës, e fëminisë dhe rinisë së tij të hershme. Te molosët Aleksandri mësoi mjeshtërinë e vështirë dhe të bukur të kalorësit.

Pas disa vitesh, kur ai u kthye në Maqedoni, ndodhi një ngjarje, që e bëri menjëherë shumë të njohur dhe popullor.

Një kalë i ri, i fuqishëm, i mrekullueshëm, por dhe i tërbuar pa shalë, dhe fre, kishte shkelmuar dhe hedhur tej çdo njeri, që i ishte afruar e kishte dashur ta shalonte.

Aleksandri mori përsipër, që ta shalonte këtë kalë. Të gjithë u habitën dhe nuk e besuan në fillim, se Aleksandri do të arrinte ta bënte zap kalin.

Në të vërtetë, për t’i hipur kalit nuk duhej aq forcë fizike se sa mençuri.

Aleksandri vërejti me kujdes e vëmendje, se kali nervozohej e tërbohej pikërisht nga hija e tij shkaktuar nga Dielli në tokë.

Dhe Aleksandri mundi t’i afrohej kalit të egërsuar ngadalë duke i folur fjalë përkëdhelëse e qetësuese, pastaj mundi ta drejtonte me kujdes nga ana, ku fytyra e kalit dilte përballë Diellit, në mënyrë, që kafsha mos ta shihte hijen e vet të ravizuar përdhe.

Kali në vërtetë u qetësua.

Aleksandri i hodhi dorën në jele. E përqafoi deri sa e qetësoi përfundimisht.

Pastaj me një kërcim të bukur atleti iu hodh në kurriz dhe nisi të trokonte lirisht me të në hapësirë.

Të gjithë e admiruan këtë gjest të mençur të djaloshit. Aleksandri në atë kohë ishte 15 vjeç.

MBISHKRIM MBI LEVORE DRURI

Plutarku, në veprën e tij “Jetët paralele”, shkruante edhe për jetën e Pirros së madh të Epirit.

Kur Pirroja ishte dy vjeç, të atin e tij e rrëzuan nga froni. Atëherë disa shoqërues besnikë të Pirros e morën atë, për ta çuar tek ilirët taulantë, pikërisht te prijësi i tyre Glauku, në qytetin e Dyrrahut. Natën dhe ditën ata iknin me shpejtësi për të shpëtuar nga ndjekësit, të cilët e kërkonin Pirron për ta vrarë.

Në një çast shoqëruesit e Pirros u ndodhën përpara një të papriture: përpara u doli një lumë i rrëmbyer, të cilin nuk e kapërcenin dot, se nuk kishin lundër, ose ndonjë mjet tjetër notimi.

Ndjekësit po afroheshin. Ç’duhej bërë? Ta dorëzonin fëmijën në duart e vrasësve? Njeri nga shoqëruesit, tregon Plutarku, mori një lëvore druri dhe shkroi mbi të me një majë të mprehtë thike një mesazh, ku kërkonte ndihmë.

Përtej lumit u dukën disa ilirë. Frynte erë, ndaj zërat e shoqëruesve të Pirros nuk kuptoheshin nga ilirët e bregut të përtejmë. Atëherë lëshuan nëpër lumë lëvoren e drurit të shkruar.

Mbas një farë kohe ilirët e morën atë. Kuptuan rrezikun e madh, që kërcënonte Pirron. Menjëherë, me një lundër, u afruan në bregun, ku ishte grupi i vogël i ikanakëve dhe i hodhën shëndoshë e mirë përtej lumit.

Ndërkaq ndjekësit arritën te lumi. Tashmë ata nuk mund të bënin asgjë. Pirron e mori dhe e rriti në Dyrrah Glauku, i cili kur mbushi djali 12 vjeç e çoi në Epir, duke e vendosur në fronin mbretëror.

Plutarku, në faktin, që tregonte për lëvoren e drurit, hedh dritë edhe për një çështje të kulturës së lashtë. Është fjala për një shkrim, të cilin e përdornin dhe e kuptonin njësoj si ilirët molosë të Epirit dhe ilirët taulantë të Dyrrahut. Ngjarja ka ndodhur në vitin 317 p.e.s.

GOJËDHËNA E ENËS PREJ BAKRI TË DODONËS

Straboni në veprën « Gjeografia », libri VII, jep shënime me interes të veçantë historik për një kryeqendër ilire të fisit të madh të molosëve, Dodonën.

Dodona, që në hershmëri, ka qenë një tempull i hapur në natyrë i kulteve pagane, shumë më përpara, se të ngriheshin tempujt, qoftë prej terakote, qoftë prej mermeri, kaq karakteristike për epokën klasike.

Në Dodonë kultet lidheshin me natyrën, me një paganizëm origjinal. Jepeshin orakujt, duke bërë shpjegime në vargje poetike, duke profetizuar në bazë të fluturimit të pëllumbave, si dhe të lëvizjeve të gjetheve të lisave të shenjtë.

Sipas një gojëdhëne të vjetër, që e shënon Straboni, në Dodonë ishte vendosur edhe një enë e madhe bakri. Kjo enë kishte mbi vete një shtatore, që mbante në dorë një kamxhik prej bakri. Kamxhiku ishte i trefishtë, në formë zinxhiri, i përbërë prej tre vargjesh, të cilat, kur tundeshin prej erërave, goditnin enën prej bakri dhe nxirrnin tinguj të gjatë, sa që mund të numëroheshin deri në katërqind herë.

Straboni shton, se kjo dhuratë e çuditshme, krejt e veçantë dhe madhështore, qe sjellë në Dodonë nga Korkyra. Siç dihet Korkyra deri në shekullin VII p.e.s. qe një ishull i liburnëve ilirë. K a mundësi, që dhurata e tyre qe e dërguar jo rastësisht në një kryeqendër ilire-epirote, kaq e njohur në krejt botën adriatiko-mesdhetare të lashtësisë.

Po pse ka shërbyer kjo enë bakri, goditjet e kamxhikut, tingujt e jehonat e tyre ?

Dijetarë të ndryshëm kanë paraqitur mendime të ndryshme. Një tezë më e besueshme është, se ena në fjalë me aksesorët e tjerë nuk qe tjetër, veçse një “aparat meteorologjik” – shprehje e një mendimi shkencor të përparuar për kohën. Kamxhiku prej tre vargjesh lëvizte në një raport të caktuar me fuqinë e intensitetin e erërave.

Kur erërat bëheshin të forta, në bazë të disa llogaritjeve, përcaktohej afrimi i shtrëngatave.

Numri i tingujve dhe i jehonave ishte në varësi të bashkëveprimit të elementëve meteorologjike dhe të funksionimit të përsosur të shtatores dhe të kamxhikut, që ajo mbante, si dhe të goditjeve mbi enën, që shërbente si një mjet rezonancash akustike.

Gojëdhëna e vjetër na ruan kështu një dëshmi kaq interesante. Të mos harrojmë: përveç anës shkencore, ka rëndësi dhe ana artistike. Është fjala për një vepër arti të vërtetë, por në rolin e një “pararobotoi”, të “një mekanizmi” natyrisht, jo i lehtë për t’u ndërtuar.

OMERI I SHTATË

Në një nga këngët e Eposit të Kreshnikëve bëhet fjalë edhe për Omerin e shtatë, birin e Mujit dhe të Ajkunës. Gjashtë Omerë qenë vrarë heroikisht përpara tij.

Fëmijët e Mujit dhe të Ajkunës ishin të jashtëzakonshëm, me fuqi përrallore. Në mosha tepër të hershme kishin luftuar kundër armiqve. Kishin bërë trimërira si të rriturit. Kishin treguar zgjuarsi.

Kënga shtjellonte, një ngjarje interesante. Omeri i Shtatë qe në kështjellën e tij, fare i vetëm.

Muji dhe kreshnikët e tjerë kishin shkuar në Bjeshkët e Namuna e Lugjet e Verdha.

Armiqtë u dyndën si re e zezë. Omeri i Shtatë, i vetëm, luftoi dhe i shkatërroi përpara kështjellës me shpatë e topuz. Armiqtë vendosën të vepronin me dinakëri. Ata bënë dy maska të fytyrave të Mujit dhe të Halilit dhe ia treguan, që poshtë Omerit.

Duke ja tundur këto maska, ata i thanë djalit të vogël se ja, tani, kishte marrë fund gjithçka, se ia kishin vrarë edhe babën edhe axhën, prandaj t’i hidhte armët dhe të dorëzohej.

Maskat qenë bërë me mjeshtëri, aq sa besoheshin, se qenë kokat e vërteta të këputura të Mujit dhe të vëllait të tij.

Omeri i pa me vëmendje. Qe edhe fëmijë dhe mund që të gënjehej nga ky truk i djallëzuar i armiqve. Por Omeri i Shtatë nuk e dha veten. Përkundrazi, ai u tha armiqve, se edhe sikur t’ia kishin këputur kokat të afërme të tij, trupave të tyre do t’u dilnin prapë kokat, se kreshnikët shqiptarë do të ringjalleshin. Pra, nuk i besoi armiqve.

U sul me hov e urrejtje të shumëfishuar, duke korrur në të majtë e në të djathtë, derisa i vrau të gjithë.

Në mbrëmje, kur erdhi Muji me të vëllanë dhe shokët panë një mizëri kufomash përpara kështjellës, si dhe Omerin e Shtatë, që këndonte një këngë krejt i qetë dhe gazmor.

Legjenda thotë, se ai, kur bëri këtë trimëri dhe tregoi këtë zgjuarsi të rrallë, nuk qe më i madh se shtatë vjeç.

MJEKRA E BOEMUNDIT

Prijësi i egër e shkatërrimtar i normanëve, që kishte pushtuar gati gjithë Europën në shekullin XII, u sul me një ushtri kolosale të rrethonte e të zhdukte nga faqja e dheut edhe Durrësin e arbërve.

Veç luftimeve të ashpra në tokë, në muret e kështjellës, u bë edhe një betejë në det në Bishtin e Pallës.

Marina luftarake normane qe e tmerrshme dhe më e fuqishmja e kohës.

Mbrojtësit rreshtuan anijet e tyre dhe u bënë gati për betejën për jetë a vdekje.

Boemund Guiskardi, i hipur në kryeanijen e flotës normane, para çastit të sulmit kërkoi me mendjemadhësi, që të brohoritnin për të dhe ta njihnin për zot të padiskutueshëm.

Po ç’ndodhi ? A brohoritën për normanin e egër e botëpushtues ?

Kronikania dhe historiania bizantine Ana Komnena shkruan se arbrit përkundrazi “i shanë me të madhe mjekrën”. Ky është një detaj pikant, ironik dhe, që tregon forcë shpirtërore të madhe.

Dihet, se me normanët nuk bëhej shaka. Episodi i sharjes së mjekrës na bën të njohur edhe një karakteristikë tjetër të mbrojtësve heroikë të Durrësit në shek. XI, atë të dinjitetit si dhe të një natyre të humorit popullor.

Si përfundoi beteja?

Boemundi i egërsuar në kulm, u betua të shfaroste gjithçka, që hakmarrja e tij të qe shembullore në shekuj. Beteja qe nga më të ashprat. Normanët u thyen me turp. Madje vetë kryeanija e Boemundit u godit dhe u mbyt. Boemundi mezi shpëtoi. Kështu përfundoi kjo histori. U bë kështu një kurorëzim heroik për mbrojtësit i “shakasë” së tyre të sharjes së mjekrës së perandorit pushtues e mendjemadh.

PERANDORI I RREMË

Në vitin 1081 ushtria e panumërt dhe e egër normane “duke dashur të pushtonte perandorinë bizantine, si pikënisje rrethoi qytetin e Durrësit”. Kjo shprehje lakonike, e Ana Komnenës është tipike, për të treguar rëndësinë e jashtëzakonshme, që kishte Durrësi për tërë pjesën perëndimore të perandorisë bizantine.

Robert Guiskardi, përdori një dredhi përpara mureve të kështjellës së Durrësit. Urdhëroi, që të nxirrnin para syve të kështjellarëve, që rrinin mbi bedena, një person, të cilin e kishte veshur me rroba të shkëlqyera e të kushtueshme perandorake dhe, duke e shoqëruar me tingujt e veglave muzikore e të trumbetave, shpalli se ishte perandori i Bizantit. Në  këtë mënyrë u bënte thirrje arbërve, që t’i bindeshin këtij perandori. Po ai ishte një perandor i rremë. Disa nga ata, që e njihnin thanë, se ky ishte një murg mashtrues, që kishte dezertuar në kampin norman dhe Robert Guiskardit i dështoi plani.

UDHËTIMI NË ARKIVOL

Në vitin 1108 i biri i Robert Guiskardit, i quajtur Boemund, duhej të kalonte përsëri nëpër territorin shqiptar. Ai e dinte shumë mirë urrejtjen e madhe të arbërve ndaj tij. Ç’të bënte?

Boemundi urdhëroi, që të hapej fjala, se kishte vdekur papritur. U fut në brenda një arkivoli. Kështu, i shoqëruar nga shpura e tij, udhëtoi nëpër Shqipëri. Ngado, ku kalonte, shoqëruesit me rroba zie, gjeste e këngë vajtimi, shpallnin vdekjen e Boemund Guiskardit.

Kështu arriti deri në Durrës.

Bëri përpjekje që ta pushtonte përsëri këtë qytet-kështjellë. Po dështoi. Më e çuditshmja qe, kur arriti në bregdet. Boemundi e ndjeu veten më të sigurt. Doli nga arkivoli. Si të thuash « u ringjall ». Të tërë e kuptuan marifetin e tij. Arbrit e urryen më shumë. Mbasi pa, se nuk mund të bënte më gjë, Boemundi u largua, më në fund nga Durrësi dhe bregu shqiptar për në Italinë e Jugut.

Historinë e mësipërme, sa groteske, aq dhe djallëzore, të “vdekjes fiktive, spektakolare” të Boemundit për të shpëtuar nga hakmarrja arbërore, e tregon historiani bizantin Jan Zonara.

 

FORMULA E MALLKIMIT TË KRYENGRITJEVE SHQIPTARE

Në shekullin XI shqiptarët janë ndër forcat kryesore që ngrenë krye kundër Kostandinopojës – kryeqendrës së Perandorisë Bizantine. Kryengritjet e shumta qenë një shqetësim i jashtëzakonshëm për pushtetmbajtësit e Bizantit, për perandorin dhe patrikun e kishës.

Ekziston një dokument, që mban datën e 9 qershor 1026, nënshkruar nga perandori Konstandin VIII Porfyrogjeneti dhe patriku Aleks, ku shënohet formula e mallkimit për kryengritësit.

Ja teksti i mallkimit: “Për ata, që këtej e tutje do të përpiqen të kryejnë komplote ose kryengritje, mallkim! Për ata, që këshillojnë ose nxisin në të tilla, mallkim! Për ata që, sulmojnë bashkë me ta, mallkim! Për ata që i pranojnë në pendim, por, që ruajnë mendimin për kryengritje dhe nuk kanë hequr dorë nga ajo, mallkim!”

Duhet ditur, se mallkimi nuk ishte diçka vetëm e shprehur me fjalë, por në Mesjetë përfaqësonte një ritual e një dënim tmerrësisht të rëndë.

Të mallkuarit jo vetëm përjashtoheshin nga kisha, çkishëroheshin, dënoheshin me vdekje, por forma më e zakontë e dënimit ishte të varrosurit të gjallë në gropën, që mbushej me gurë.

Po ç’tregoi historia?A reshtën kryengritjet?

Perandoria shpiku formula mallkimi nga më të ndryshmet. Por asgjë nuk e mposhti shpirtin e paepur të shqiptarëve. Shekuj më vonë formula mallkimi e ceremoni të veçanta mallkimi të përgjithshëm përdorën edhe pushtuesit osmanë. Shqiptarët iu kundërvunë mallkimeve rituale me luftën e tyre. Duke i zhvleftësuar përjetësisht.

AFRESKU I FITORES

Në fillim të verës së vitit 1280 një ushtri e madhe anzhuinësh rrethoi qytetin kështjellar të Beratit.

Pushtuesit udhëhiqeshin nga Hugo de Suli, një ushtarak shumë i zoti e me përvojë.

Kështjellarët luftuan shkëlqyeshëm, duke përballuar me heroizëm rrethimin e egër gati njëvjeçar.

Kjo mbrojtje u bë e mundur, veç të tjerave, dhe nga fortifikimi i përkryer.

Synimi i anzhuinëve qe marrja e Beratit si metropol i krejt Shqipërisë së Mesme, si dhe i zonës bregdetare me rëndësi strategjike, për të kaluar pastaj lehtësisht drejt Kostandinopojës.

Beteja pati një jehonë ndërkombëtare.

Në tërë Europën pritej me ankth, sesi do të përfundonte rrethimi anzhuin i qytetit shqiptar. Një gjë e tillë kishte ndodhur gati dy shekuj më parë me rrethimin norman të qytetit kështjellar të Durrësit. Heroika e jashtëzakonshme e beratasve po përsëriste heroikën shembullore të durrsakëve.

Anzhuinët arritën të kapnin lagjet e poshtme të qytetit. Beteja qe e ashpër. Për jetë a vdekje.

Befas, në prillin e vitit 1281, komandanti Hugo de Suli, gjatë një sulmi ndaj kështjellës së Beratit, u rrëzua bashkë me kalin e plagosur dhe u kap i gjallë, gjë, që solli me shpejtësi dhe panikun e disfatën përfundimtare të tërë ushtrisë anzhuine.

Kjo disfatë qe njëkohësisht dhe fundi i fushatës së sulmit anzhuin në Shqipëri.

Kronistët bizantinë, në garë me njëri-tjetrin, e quajtën fitoren e Beratit “të shkëlqyer”, “fitore me të vërtetë të mrekullueshme… një fitore monumentale shumë të madhe, që tejkalonte çdo shpresë dhe parashikim”. Kjo fitore u kremtua me bujë të shumëfishtë në Kostandinopojë dhe për hir të saj, siç dëshmon kronikani G. Pachymeri, “në pallatin e Vllahernës u përurua një afresk i madh”.

Fitorja padyshim, u festua në Berat. Ishte një fitore e shqiptarëve, e vendasve. Berati sakrifikoi. Luftoi. Derdhi gjak. Në këtë lak kohor u ngrit edhe një kishë e quajtur deri sot si e Vllahernës, emri i të cilit lidhet me atë të pallatit në Kostandinopojë.

Ç’ka paraqitur afresku i bërë në Kostandinopojë? Kush artist e pikturoi? Është e vetëkuptueshme: afresku, si një pikturë tregimtare, ciklike, do të ketë paraqitur skena të ngjarjeve luftarake të Beratit të viteve 1280-1281, persona të dalluar në luftime. Pra, kemi të bëjmë me një vepër arti të rëndësishme, me një subjekt të gjallë e heroik të trojeve shqiptare.

Ky afresk është dëshmi e jehonës së madhe ndërkombëtare të fitores beratase mbi anzhuinët – një nga forcat më luftarake të kohës nga Perëndimi.

Ka mundësi, që shtresa e parë e afreskeve të kishës së Vllahernës së Beratit të ketë pasur edhe diçka nga ky subjekt, diçka të ngjashme me afreskun kostandinopojan. Për fat të keq, koha ka bërë të humbasë kjo shtresë, që do të kishte vlerë të posaçme për historinë e arteve figurative mesjetare në Shqipëri.

MOTIV NGA KRONIKA E JANINËS E SHEKULLIT XIV

 Në shekullin e kaluar dijetari francez Fransua Pukëvil gjeti në Janinë, kryeqendrën e Ali Pashë Tepelenës, një kronikë e shekullit XIV. Kjo kronikë njihet edhe me emrin “Kronika e murgut Komnen dhe e murgut Prokël”.

Pukëvili e botoi frëngjisht në një libër të tij. Në kronikë flitej për një despot të huaj Thoma Preluboviçin, i cili kishte vendosur në shek. XIV një sundim tiranik të jashtëzakonshëm mbi Janinë. Në kronikë shënohet: “Despoti Thoma Preluboviç sundon për shkak të koprracisë, si koprrac bën padrejtësi, si i padrejtë është grykës, si grykës rrëmben gjithçka, si rrëmbyes shpif, si shpifës shan, si sharës akuzon, si akuzues frikësohet, si frikacak vret, si vrasës mashtron”. Prijësi i madh shqiptar Gjin Bua Shpata sulmon për ta rrëzuar këtë tiran të zi mesjetar. Despoti, për të demoralizuar shqiptarët e Gjin Bua Shpatës, bën krime të padëgjuara. Ai rrëzon nga kullat e kështjellës së Janinës robër shqiptarë të gjallë. U pret pjesë e gjymtyrë të trupave, siç dhe i dërgon me sytë e nxjerrë të tyre në një kanisk vetë Gjinit.

Gjin Bua Shpata luftoi deri në fund kundër këtij despoti, të cilin kronika e quan “Albanokton” (vrasës i shqiptarëve).

Kronika e Janinës ka të ruajtur edhe një fjalë shqipe të Gjinit kur sulmonin Janinën për ta shpëtuar nga despoti i egër. Kjo fjalë shqipe “rrua” – ndoshta “rroftë”, të kujton fjalën e famshme të Lekë Dukagjinit, i cili, kur i kërkuan të thoshte mendimin e vet, se ç’duhej bërë me armiqtë, u shpreh në mënyrë tepër lakonike “Embëta”, dmth “Mbi ta”!

PELIKANI

Një pelikan i bardhë dhe madhështor jeton në një ishull, mes një liqeni të mrekullueshëm.

Pelikani fluturon dhe hap krahët e mëdhenj.

Te çerdhja ka dy vezë. I ngroh me trupin e vet. Vezët çelin. Prej tyre dalin dy zogj pelikani. Dy zogj të vegjël dhe të pambrojtur, që duan përherë ushqim.

Po ushqim gjendet sa të duash. Liqeni është plot peshq. Natyra është plot mrekullira. Pelikani është i fuqishëm. I do zogjtë dhe i ushqen më së miri. Ata rriten.

Po ja, që kjo harmoni befas u prish brutalisht. Ca demonë të erës, në formën e ca ujqve fluturues, me nga një sy të vetëm në ballin e shëmtuar e me nga një bisht, që është në fakt një gjarpër helmues, enden në hapësirat. Trazojnë liqenin. Turbullojnë gjithçka. Ishullin e mbuluan me një mjegull të rëndë.

Mbreti i demonëve rri në fund të thellësirave të liqenit. Ka pamje po të një ujku, po me tri kokë e me tri bishta gjarpërinjsh dhe që nga një shpellë e thellësive helmon tërë peshqit. Ujët e liqenit shndërrohen e një llum të gjelbër dhe të zi.

Pelikani mes mynxyrës së paparë mbrojti me krahë zogjtë e frikësuar.

Vetëtimat binin para çerdhes së pelikanit si ca valltarë të egër e të tmerrshëm prej flakësh.

Pelikani i mbështolli më fort zogjtë në krahë.

Kaluan ditë dhe net e zogjtë e uritur kërkonin ushqim.

Pelikani i dëgjonte. Sa nuk i plaste zemra. Demonët e erës i vërtiteshin mbi krye. Po nuk e preknin. Mbreti i demonëve në fund të liqenit shikonte nga sytë e vetëm të secilës kokë ujku një gur kristali te një guaskë magjike, që i bënte të mundur të shikoje gjithçka. Mbreti i demonëve donte të shihte fundin e pelikanit dhe të dy zogjve të tij.

Pelikani madhështor tendosej mbi zogjtë.

Po zogjtë donin ushqim.

Ç’të bënte pelikani?

Atëherë ai bëri të pamundurën. Shqeu me sqep gjoksin e vet dhe i dha mishin zogjve. Zogjtë e uritur u ngopën me këtë ushqim të jashtëzakonshëm e të përgjakur.

Pelikani i shihte zogjtë me sy të shkëndijuar. I heshtur dhe i sfilitur.

Sa herë, që sqepat e zogjve i shkëputnin mishin e gjoksit, pelikani ndjente një dhembje të pafund.

“Ky është fundi im” – mendoi pelikani.

Erdhi një çast, kur pelikani po e tejkalonte kufirin e dhembjes.

“Të paktën zogjtë e mi do të mbijetojnë”, – kjo qe ideja e fundit e pelikanit, tashmë me trup të zhvatur dhe të copëtuar.

Demonët e erës dhe mbreti i demonëve panë në fillim me një gëzim të egër këtë flijim të pelikanit. Po sa herë, që sqepat e zogjve goditnin te gjoksi i pelikanit, aq herë shpërthenin në qiell, po edhe në fundin e liqenit, shkulme drite të pazakonta.

Një forcë e papërballueshme, qetësuese dhe spastruese i kundërvihej ngadalë, po me siguri, rrëmujës dhe turbullirës së ashpër.

Sa herë shkulej nga trupi i pelikanit një copë mishi, mes gjakut, aq herë mbi demonët dhe mbretin e tyre sulej një shpatë e padukshme zjarri, duke i bërë të klithin nga një dhembje e tmerrshme.

Pelikani me trup të copëtuar ra.

Zogjtë e shihnin. Ata tani nuk ishin më të uritur. Po sa keq, sa ke!

Pelikani nuk rronte më !

Doli Dielli dhe ca kalorës prej flakësh, që nga thellësirat e kozmosit.

Mbreti i demonëve me hordhinë në panik u largua për të humbur në ca shpella vullkanesh të vdekur (të shuar) prej kohësh.

Dielli shndriti mbi pelikanin, që nuk merrte më frymë.

Drita nisi të mbushte trupin e kafshuar, duke plotësuar ç’ka mungonte.

Kalorësit prej flakësh u binin ca brirëve magjikë. Një muzikë triumfi qartësonte natyrën.

E bënte ajrin të tejdukshëm deri në pafundësi.

Befas pelikani hapi sytë e mbyllur.

I habitur pa se trupi i tij qe ripërtërirë krejt.

Zogjtë cicërinin të habitur dhe të pafajshëm.

Pelikani hapi krahët. U ngrit në qiell. I rrethuar nga kalorësit prej flakësh.

Mes muzikës së brirëve qiellorë.

 

Share This Article