Nga Sali ONUZI
Në të gjitha tekstet shkollore dhe akademike, historike dhe ushtarake, shënohet si datë e sulmit mbi Tiranë nga forcat e Ushtrisë Nacionalçlirimtare 29 tetori 1944. Në fakt siç rezulton, kjo është e vërtetë. E thonë në kujtimet e tyre edhe gjithë veteranët e luftës që kanë marrë pjesë në atë sulm, disa prej të cilëve për fat të mirë, jetojnë ende.
Por në dokumentet e botuara të Shtabit dhe të Komandës së Përgjithshme, si në botimet e bëra ashtu dhe në dokumentet që ruhen në Arkivin e Shtetit, nuk ka një urdhër me shkrim për sulmin mbi Tiranë me datë 29 tetor ora 18.00. Ruhet dhe botohet dokumenti që përmban urdhërin e Komandantit të Përgjithshëm të UNÇSH, Enver Hoxhës i datës 30 tetor 1944. Në fakt një sulm ishte kryer një ditë më parë.
Kjo ka shtruar pyetjen se cila ishte data e vërtetë e sulmit. Profesor dr. Paskal Milo në librin e tij “ Udhëkryqe shqiptaro-gjermane“ shkruan: “Lufta e Tiranës sipas Shehut, që e ka përshkruar atë në kujtimet e tij, filloi më 29 tetor, një ditë para se Enver Hoxha të jepte urdhërin në emër të Shtabit të Përgjithshëm. Kjo mospërputhje në data për një ngjarje të rëndësishme të Luftës midis dy njerëzve më të fuqishëm të regjimit komunist, në kujtimet e tyre e në dokumentacionin e botuar, është lënë në heshtje nga historiografia e së kaluarës.”
Ashtu është, historiografia e së kaluarës, para 1991, nuk e ka trajtuar këtë si një çështje dhe as nuk e ka sqaruar. Ajo i ka shënuar të dy datat. Madje atë të 30 tetorit e quan edhe si përforcim të urdhërit të mëparshëm. Madje edhe vetë Hoxha e Shehu, i kanë njohur dhe pranuar si datën 29 dhe datën 30 tetor. Kjo nuk është rastësi, as lëshim reciprok, madje as mospërputhje, por është një realitet.
Ka pasur përpjekje edhe për t‘i afruar e shkrirë në një, siç ka bërë komandanti i Korparmatës I, gjeneral-major Dali Ndreu në një shkrim të botuar në “Luftëtari” të datës 24 nëntor 1945, kur shkruan se “sulmi filloi natën, tuj gdhi 30 tetor“.
Pastaj Shehu nuk i ka dalë zot datës 29 tetor. Nuk gjendet as ndonjë urdhër i tij me shkrim për datën 29 tetor, sepse nuk ka pasur të tillë në fakt.
Sipas urdhërit të Komandës dhe të Shtabit të Përgjithshëm, divizioni dhe Korparmata I sulmuese që në shtator ishin përqendruar rreth Tiranës.
Me 2 tetor 1944 ka një urdhër të Korparmatës I për njësitë e saj vartëse për sulmin mbi Tiranë.
Në këtë urdhër të Korparmatës në fakt është shpalosur një pjesë e planit të sulmit që do të bëhej mbi Tiranë (koha se kur nuk thuhet. Por gjithnjë është fjala për sulmin që u bë me 29 tetor )Pra që nga 2 tetori deri me 29 tetor njësitë e korparmatës I s do të zinin pozicionet për të cilat urdhëroheshin dhe do të bëheshin gati për sulm. <Data dhe ora e sulmit , shkruhet në urdhërin e 2 tetorit, do të transmetohen me radiostacionin 12 orë më përpara.> Mbi bazën e këtij urdhëri të 2 tetorit të korparmatës I, Divizioni i I s me 6 tetor u ka nisur njësive të tij (Br.I,IV dhe XXIII) urdhëra për organizimin e forcave të tij në funksion të sulmit mbi Tiranë, për ta mbajtur armikun nën presion dhe për ta goditur vazhdimisht edhe brenda në qytet. Në këtë veprimtari ka ndërhyrë edhe aviacioni aleat, siç ndodhi më 25 tetor në Prezë –Ishëm, ku mbetën 100 gjermanë të vrarë dhe u dogjën 25 makina ( sipas Kristo Themelkos, komisar i Divizionit I S)
Ndërkohë, si korparmata dhe divizioni I, vazhdonin të punonin për planet e këtij sulmi mbi Tiranë, ku do të përcaktoheshin për çdo brigadë e batalion drejtimet e goditjes, mbylljet e shtigjeve nga ku mund të hynte e të dilte armiku, lëvizjet e trupave sipas një numëri variantesh të ndryshme të manovrimit të tyre, një varg goditjesh kundër autokolonave armike jashtë Tirane etj. Me 10 tetor Mehmet Shehu, komandant i Divizionit I, i kërkonte seksionit operativ të Korparmatës I planin e Tiranës që kishin bërë gjermanët dhe informatat mbi vendosjen e forcave të armikut në qytet. Njëkohësisht Divizioni po grumbullonte edhe armatim e municion për këtë qëllim.
Siç duket plani i zbërthyer për çdo brigadë, batalion, etj u është dhënë komandave të tyre kohë më parë se të fillonte sulmi, në takime direkte me to, që ata të kishin mundësi ta detajonin më tej. Pritej vetëm koha, dita, ora dhe minuti i sulmit. Dhe sulmi që ka filluar me 29 tetor ora 18.00 ka qenë një sulm i suksesshëm, madje nuk ka pasur asnjë partizan të vrarë atë natë. Ky sulm është bërë në kuadrin e sulmit të autorizuar nga Komanda e Përgjithshme dhe urdhërit të Komandës së korparmatës IS të datës 2 tetor 1944. Urdhëri i 30 tetorit i është dhënë korparmatës I s pasi kishte filluar sulmi i 29 tetorit me një sërë radiogramesh ( nr 43, 44,45,46,48 dhe 49)
As historiografia e periudhës moniste nuk e ka fshehur faktin se ndërsa sulmi i partizanëve të Brigadës së I sulmuese dhe njësive të tjera ishte ndërmarrë me 29 tetor 1944, urdhëri i Komandantit të Përgjithshëm Enver Hoxhës për të sulmuar pushtuesit nazist e për të çliruar Tiranën i ishte transmetuar korparamatës me 30 tetor. Pra një ditë më vonë.
Për një ditë partizanët e Brigadës së Parë kishin hyrë në Tiranë, kishin përparuar shpejt dhe kishin zënë pozicione nga Medreseja deri të sheshi i sotëm “Avni Rustemi”. Nëse urdhëri i 30 tetorit të Enver Hoxhës ishte për sulmin që u bë me 29 tetor, po të ish e vërtetë kjo, atëherë duhen sqaruar disa çështje.
1. A kishin sulmuar pa urdhër partizanët !? Së paku pa urdhërin e Komandës së Përgjithshme. Mbetet atëherë të hetohet se si dhe pse u ndërmor ky sulm i 29 tetorit, ishte ai një aventurë apo një nevojë. Kush e urdhëroi dhe si ?
2. Sulmi i Brigatës së parë dhe suksesi i saj e kujtuan Enver Hoxhën të jepte urdhër për sulm, apo dikush që e dinte projektin e urdhërit nga entuziazmi e mania për famë e lavdi, e shpërtheu këtë sulm parakohe ?!Për çfarë nuk e ka akuzuar Hoxha Shehun,edhe për Luftën e Tiranës , sikur ai kishte lënë një shteg te hapur prej nga u tërhoqën forcat gjermane. Por është fakt se nuk e ka akuzuar që të ketë urdhëruar sulmin e 29 tetorit në kokë te vet.
Në ishte sulmi i Brigadës Parë që e shpërgjumi Enver Hoxhën për të lëshuar urdhërin “ historik”, del qartë se ç’strateg’ “i madh “ kishte qenë dhe vërtetohet ajo për të cilën e kritikojnë demokratët e sotëm, profanizmi ushtarak i tij.
3. Apo Enver Hoxha, i zënë në Berat me punë të shumta të veprimtarisë politike ( Mbledhja e dytë e Këshillit të Përgjithshëm NÇ, Plenumi i II I KQ të Partisë komuniste( kujto gjendjen e tij kritike në këtë plenum), nuk i ndiqte me kujdes ( ose nuk dinte t’i ndiqte ) situatat ushtarake.? Por kur u njoftua për suksesin e Brigatës I dhe të IV, dha urdhër “ të sulmohej Tirana”.
<Enigma> zgjidhet, së pari, duke pasur parasysh rolin e komandës së Përgjithshme të UNCSH, e cila në përputhje me natyrën e Luftës dhe të Ushtrisë NC,jepte urdhëra direktivë që u linin kohë, iniciativë dhe vetëveprim, po edhe përgjegjësi, komandave të njësive vartëse. Kështu udhëzimin e saj për sulmin mbi Tiranë ajo ua kishte dhënë me kohë(12 shtator) Korparmatës dhe Divizionit I S, të cilët punuan, hartuan dhe zbatuan plane konkrete për përgatitjen sulmit të 29 tetorit.
Së dyti, nga analiza e radiogrameve të 30 tetorit, del qartë se urdhri që ato përmbanin është dhënë për përgatitjen e sulmit që u bë më 11 nëntor. Doemos që komandanti i Përgjithshëm do të lëshonte një urdhër të tillë më herët ,për ti dhënë kohë Korparmatës I të hartonte planin. Dhe kishte lënë në dorë të saj planin e sulmit, datën dhe orën. Ndërsa vetë kish mbajtur çështjet strategjike, të krijimit e të afrimit të brigadave që do të merrnin pjesë ne Luftën e Tiranës,etj
Ky urdhër i 30 tetorit kërkonte të përgatitej një plan i kombinuar për sulmin vendimtar ( siç është emërtuar nga historiografia )Në fakt, sulmi vendimtar, i përgatitur e i kombinuar në hapësirë e në kohë mbi Tiranë, filloi me 11 nëntor. ( me 9 nëntor komandanti i Korparmatës I s, gjeneral -major Dali Ndreu e bëri të njohur planin e këtij sulm para përfaqësuesve të fuqive aleate , anglezë, amerikane e jugosllavë)
Se në radiogramin e 30 tetorit nuk bëhet fjalë për sulmin e 29 tetorit kjo kuptohet lehtësisht që në paragrafin e dytë të urdhërit të 30 tetorit, ku shkruhet që aksioni mbi Tiranë do të bëhet i kombinuar. Janë në lëvizje Brigada VIII dhe X… brigada II dhe XX, brigada e XII dhe XI….Dita që do të veprohet të na njoftohet sa më parë, që të lajmërojmë të gjithë forcat të bëjnë presion të madh në të katër anët.> Dhe së fundi, <Pa marrë parasysh përgatitjet e këtij plani, i cili duhet të zbatohet me çdo mënyrë dhe shpejt, duhet të bëni presion mbi Tiranën dhe, po të shihni mundësinë e marrjes, veproni pa humbur kohë..>
Shtabi dhe komanda e Përgjithshme qenë në dijeni të situatave. Këtë e shkruan edhe komandanti i Korparmatës së I, gjeneral-major Dali Ndreu në shkrimin e tij të <Luftëtari> i vitit 1945. Ky sulm i 29 tetorit ishte pjesë e përgatitjeve për sulmin vendimtar mbi Tiranë. Ajo që i ka bërë disa ta konfondojnë me urdhërin e 30 tetorit është mosgjetja e një urdhëri me shkrim për sulmin e 29 tetorit., koicidenca e tyre njëri pas tjetrit (29 dhe 30 tetor) dhe fjalia e fillimit të urdhërit < Duhet me e sulmue Tiranën>.Historiografia e mëparshme nuk e ka sqaruar ceshtjen duke menduar gabim se mos përjashtohej nga merita e 29 tetorit Hoxha.
Sulmi me 29 tetor filloi në periferi të Tiranës. Tirana e atëhershme si qytet fillonte nga Rruga < Bardhyl>. Por sulmi i Brigatës IS e tejkaloi objektivin, brenda një nate e një dite forcat e sajë kishin hyrë brenda në Tiranë , gati në qendër të saj.Kur sulmi ishte në vijim , radiogrami që përmbante urdhërin e 30 tetorit po transmetohej e regjistrohej.
Kështu përfundimisht si data 29 dhe ajo e 30 tetorit kane vendin dhe rolin e vet nw historinë e luftës për çlirimin e Tiranës, ashtu siç e kanë edhe Shtabi e komanda e Përgjithshme, Korparmata e I S dhe Divizioni I s dhe udhëheqësit e tyre Enver Hoxha , Dali Ndreu , Hysni Kapo, e Mehmet Shehu.

