E ardhmja e Evropës, optimizëm në rritje

redaktor

Menjëherë pas vendimit për dalje të Britanisë së Madhe nga BE, qytetarët evropianë do të shfaqeshin si rrallëherë të bashkuar dhe të konsoliduar. Një prej sondazheve të kryer menjëherë pas Breksit, në 6 vendet më të mëdha të BE-së, do të shfaqte një realitet, që anonte sa nga dëshira për të avancuar më të integruar së bashku, por edhe nga fakti që veprimi i britanikëve nuk ishte aspak i mirëpritur dhe për më tepër i pakuptueshëm. Ky reflektim mbi nevojën e një Evrope më të bashkuar, ka ardhur në përforcim të vazhdueshëm, thuajse pas çdo sondazhi të kryer, tek vëzhgohej evoluimi i opinionit publik evropian.

Në të njëjtën linjë dhe tendencë, shfaqen edhe të dhënat e sondazhit të fundit EB-87, të publikuar në fund të muajit qershor. Qytetarët evropianë (40%) kanë përmirësuar imazhin, që ata kanë ndaj Bashkimit Evropian; shfaqin rritje të besimit (42%) ndaj BE-së, si institucion politik dhe më e rëndësishmja lidhet me faktin se kemi një rritje të qartë (56%) të optimizmit të tyre, mbi të ardhmen e Unionit.

EB-87

Nëse thirrjet e vazhdueshme për të reformuar BE-në, ishin shtuar gjatë viteve të fundit, kryesisht në lidhje me problemet e ndryshme që po përballej Unioni, do të ishte rezultati i referendumit të qershorit 2016, mbi aderimin e Britanisë së Madhe në Union, që do t’i jepte një impuls përshpejtimi këtij reformimi. Në këtë kontekst, filluan të skicohen edhe kornizat e një debati mbi të ardhmen e Unionit.

Vetëm dy ditë pas rezultatit të referendumit britanik, më 28 qershor, Parlamenti Evropian do të hartonte pa vonuar rezolutën e tij të parë, në kuadrin e një sërë rezolutash që do të vijonin të hartoheshin më pas, në lidhje me këtë situatë. Dhe bëhet fjalë për një rezolutë, ku do të theksohej mbi të gjitha, nevoja për rinisjen e projektit evropian dhe hapjen e një etape reflektimi të domosdoshme, për të ardhmen e BE-së. Por, në të do të theksohej edhe nevoja për një Union më demokratik, si edhe do të konstatohej se, integrimi i vendeve anëtare ishte një integrim i klasifikuar në disa shpejtësi të ndryshme, por se tashmë duheshin shmangur zgjedhjet dhe preferencat sipas menysë, apo orekseve kombëtare.

Angazhimi i Parlamentit Evropian, do të spikaste më tej me hartimin e tre rezolutave të tjera, ku do të theksoheshin si, rëndësia e reformimit dhe e përmirësimit të funksionimit të BE-së, duke shfrytëzuar potencialin që ofron Traktati i Lisbonës, si edhe duke parashikuar modifikimin e traktateve aktuale, por edhe domosdoshmëria për të thelluar integrimin në Eurozonë dhe për të përforcuar kapacitetin buxhetor të saj.

Paralelisht, debati mbi të ardhmen e përbashkët, do të përforcohej përmes vizionit, që do të ofronte fjalimi i Junkerit mbi gjendjen e Unionit, vetëm 3 muaj më vonë, më 14 shtator 2016, si edhe përmes hartimit të Librit të Bardhë, në muajin mars të këtij viti. Në të, do të figuronin skicimet e sfidave më të mëdha, që Unioni duhej të përballonte gjatë dekadave në vijim. Një sërë temash të ndjeshme do të trajtoheshin, si papunësia e të rinjve, pasojat e krizës financiare të vitit 2008, sigurimi i kufijve të jashtëm dhe mbi të gjitha nevoja për të ringjallur besimin në projektin evropian. Pesë skenarë do të skiconin, mundësitë se si evropianët mund të avanconin së bashku, me objektiv kryesor inkurajimin e debatit, por pa imponuar zgjidhje, apo zgjedhje përfundimtare.  Dokumente të tjerë reflektimi, do të shoqëronin Librin e Bardhë, duke kontribuar në debatin mbi të ardhmen, siç do të ishin reflektimi për dimensionin e Evropës sociale, zotërimi i globalizimit, thellimi i Unionit Ekonomik dhe Monetar, e ardhmja e mbrojtjes evropiane dhe e ardhmja e financave të Unionit.

Tre fazat e debatit intensiv, do të kulmonin me Deklaratën e Romës, më 25 mars 2017. Gjatë fazës së parë, pra që prej referendumit britanik tek Deklarata e Bratislavës dhe Udhërrëfyesi i 16 shtatorit 2016, drejtuesit e BE-27, do të përqendroheshin mbi diagnostikimin, duke studiuar shkaqet dhe pasojat e Breksit. Faza e dytë, që u shtri deri në mbledhjen e BE-27, në Valeta më 3 shkurt 2017, do të ishte një fazë shqyrtuese dhe debatuese, mbi të ardhmen e Unionit. Dhe faza e tretë, u përqendrua tek skicimi dhe përpunimi i një vizioni afatgjatë për BE-në, që rezultoi me përpilimin e Deklaratës së Romës.

Deklarata e Romës, do të drejtonte publikisht mesazhin e unitetit dhe të solidaritetit, mes vendeve anëtare, duke projektuar mundësinë që procesi i integrimit të operonte me shpejtësi dhe ritme të ndryshme, duke bërë të mundur përparimin në të njëjtin drejtim dhe duke kërkuar që një vëmendje më e lartë t’i kushtohej pritshmërisë, që kishin qytetarët evropianë. Por, ajo do të shprehte gjithashtu edhe një vizion të Bashkimit Evropian për dhjetë vitet e ardhshme, e përqendruar rreth katër prioriteteve të mëdha: një Evropë e sigurt dhe e vendosur në rrugën e saj, një Evropë në progres dhe zhvillim të qëndrueshëm, një Evropë sociale dhe një Evropë më e fortë në skenën botërore.

Por, procesi reflektues mbi të ardhmen e përbashkët vijon. Ai ende nuk është përmbyllur.

Reflektimi, që pritet të sjellë fjalimi i Junkerit në muajin shtator, mbi Gjendjen e Unionit, si edhe konkluzionet që do të ofrojë mbajtja e Këshillit Evropian në fund të këtij viti, në muajin dhjetor, do të jenë plotësuesit e platformës ku do të inkuadrohen politikisht zgjedhjet evropiane të vitit 2019.

Evropa e bashkuar duket se po ecën qartazi drejt reformimit të mëtejshëm të politikave të saj. Ikja e Britanisë së Madhe, ndryshe nga frika e ndarjes që përcillte, shërbeu si shtysë e mëtejshme në avancimin e përbashkët. Edhe pse me nuanca, vizioni shfaqet i konsoliduar. Drejtuesit francezë, spanjollë, italianë dhe gjermanë, gjatë mbledhjes që u zhvillua në Versajë, në mars të vitit 2017, janë shprehur në favor të Evropës së disa shpejtësive. Vendet e Beneluksit, kanë pasqyruar vizionin e tyre në favor të Evropës së bashkuar, të hapur ndaj metodave të ndryshme të integrimit. Vendet anëtare të grupit të Vishegradit, kanë përshëndetur suksesin e BE-së dhe kanë pohuar besimin, që ata kanë në projektin evropian, duke insistuar mbi faktin që një bashkëpunim i përforcuar, duhet të ngelet i hapur ndaj të gjithë vendeve anëtare dhe nuk duhet të çojë, as në çintegrimin e tregut të përbashkët, as në atë të hapësirës Shengen, apo edhe në çintegrimin e vetë Unionit Evropian. Çka është e rëndësishme, edhe vetë qytetarët evropianë, po shfaqen të sinkronizuar me frymën dhe vizionin politik, mbi të ardhmen e domosdoshme të thellimit të integrimit evropian.

Im.Ta.

DITA

Share This Article