Krizat e brendshme politike kombëtare, në kërkim të legjitimitetit të tyre, kanë rendur vazhdimisht për mbështetje drejt familjes evropiane. Jo rrallë herë, në momente krizash, qytetarët janë përballur me deklarata impresionuese nga aktorë të ndryshëm politikë evropianë. Deklarata, që synojnë justifikimin apo legjitimimin e irracionalitetit qeveritar, dhunimet dhe abuzimet e kryera nga klasa politike në pushtet. Rasti i Maqedonisë po e rikonfirmon sërish këtë tendencë. Por, a ka një kufi ku duhet të ndahet morali dhe imoraliteti politik, qoftë kjo edhe në nivel evropian ?
Situata e përkeqësuar në Maqedoni, është shoqëruar edhe me reagimet evropiane në kërkim të zgjidhjes së krizës. Por, Euroactiv, ka dalë me një shkrim ku ngre pyetjen, nëse partitë politike evropiane, po i hedhin benzinë zjarrit në Maqedoni. Ndër të tjera, përmendet edhe roli mbështetës i eurodeputetëve të djathtë të PPE-së, qartazi të pozicionuar pro Gruevskit.
(…)
PPE vazhdon të mbështesë Gruevskin. I pyetur mbi këtë çështje, zëdhënësi i partisë Siegfried Muresan, u pozicionua pro Gruevskit dhe VMRO-DPMNE, duke thënë se skandali i përgjimeve, nuk e ka thyer besimin e PPE-së, ndaj anëtarit të saj maqedonas.
“VMRO është një anëtar i PPE-së dhe si rrjedhojë ka mbështetjen e saj. Si çdo anëtar i PPE-së, kjo parti duhet të respektojë vlerat dhe principet e PPE-së, sundimin e ligjit, të punojë për një sistem të fortë dhe të pavarur gjyqësor dhe të luftojë korrupsionin”- deklaron Muresan.
Në lidhje me përgjimet, Muresan deklaron se, PPE pret që autoritetet “të hetojnë dhe të qartësojnë gjithçka që duhet qartësuar”, duke shtuar se vlerësimet duhet të bazohen në prova solide.
“Kryeministër Gruevski, ka fituar zgjedhjet demokratike. Shumica e popullit të ish Republikës Federale të Maqedonisë i kanë dhënë besimin VMRO-së dhe Kryeministrit Gruevski. Ai duhet lënë të qeverisë vendin. Ai duhet lejuar të vazhdojë mandatin e tij”, deklaroi zëdhënësi i PPE-së. Ai e deklaroi gjithashtu të papranueshme faktin, se, që prej vitit 2014 Social-Demokratët nuk kanë qenë prezent në Parlament.
(…)
(Euroactiv: European parties add fuel to fire in Macedonia )
Pozicionimi politik evropian, pro anëtarit të familjes së tyre politike, është i logjikshëm, racional dhe brenda një kuadri të rëndësishëm solidariteti, për rritjen dhe fuqizimin e mëtejshëm politik.
Por, kjo mbështetje është e moralshme për sa kohë kryhet në respektim të vlerave dhe principeve demokratike, përfaqësuese të klasës politike evropiane. Nëse kjo mbështetje politike vazhdon të kryhet edhe kur këto vlera dhe principe dhunohen sistematikisht duke u vërtetuar edhe publikisht, krijohet një rrëshqitje drejt një imoraliteti, ku kufiri mes të ligjshmes dhe të paligjshmes zhduket, ku vlerat shndërrohen në antivlera dhe principet përmbysen.
A mund të përligj, dëshira për fuqizim dhe solidaritet, brenda së njëjtës ngjyrë politike, dhunimin e të drejtave të njeriut, abuzimin, korrupsionin dhe krimin ? Ndryshe nga Teoria, Praktika ka dëshmuar se, tashmë kjo është kryer dhe po vazhdon të kryhet. Mbështetja dhe përligjja ndaj politikave të Gruevskit, janë dëshmia e radhës.
Përtej rastit maqedonas, mbështetja ndaj këtij imoraliteti politik, ka pasur eksperiencat e saj edhe në Shqipëri. Ngjyrat brenda së njëjtës familje, kanë dëshmuar solidaritet të vazhdueshëm. Solidaritet, që trembte frikshëm nëpërmjet mungesës së shprehur të tolerancës dhe mbështetjen ndaj dhunës dhe akteve të vrasjeve, në momente të veçanta.
Pas kuintave, një mbështeste e flaktë publike e akteve jo të ligjshme të një kryeministri problematik do të deklaronte ndaj shqetësimeve të një gazetari se, “ Ne e dimë që ai është i çmendur, por ne duhet ta mbështesim….” (…)
Ndonëse, kjo mbështetje publike politike kishte trajtat e një formaliteti në emër të solidaritetit dhe vëllazërisë brenda kahut politik, ajo njihet si një fenomen problematik edhe vetë nga këto forca politike. Shpeshherë janë shprehur edhe publikisht reflektimet, se nuk duhet më të mbështetej arbitrariteti dhe dhuna, pasi nuk ndihmohen aspak këto kombe dhe qytetarët e tyre. Reflektime, që i bëjnë thirrje politikës evropiane të pozicionohet në një zë përballë problematikave dhe fenomeneve, duke i tejkaluar vullnetet e veçuara të ngjyrave të ndryshme politike. Por, pragmatizmi politik, nevojshmëria konkrete dhe përfitimi afatshkurtër duket se, po e mundin sërish logjikën e reflektimeve. Në fund të fundit “Qëllimi vazhdon ende të përligj përdorimin e mjeteve”./im.ta/
