Të gjithë ata juristë që kanë studiuar jashtë do të mund të futen në Shkollën e Magjistraturës pa pasur nevojë që të ndjekin procedurat e zakonshme të konkursit.
Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani bëri me dije sot se do të propozojë ndjekjen e kësaj metode për brezin e parë, ndërsa kurrikula do të jetë e përshpejtuar.
“Kam ndërment të propozoj hapjen e kuotave të shkollës së magjistraturës sepse ne duhet të pranojmë edhe një gjë tjetër. Nuk mund të fusim dot në sistemin gjyqësor jurist të pa certifikuar nga shkolla e magjistraturës. Po e pranuam këtë përjashtim kemi dëmtuar parimin e karrierës, parimin e profesionalizmit. Kjo është rruga e duhur që të mund t’ju integrojmë ju. E zëmë se sistemi gjyqësor nuk ka shumë nevojë për ju, por MD ka shumë nevojë”, theksoi ministri.
Ai solli edhe rastin e një të riu që kishte studiuar në Sorbonë të Francës.
“Dikush kishte mbaruar në Sorbonë me 7.5 dhe shkoi të aplikojë në shkollën e Magjistraturës dhe nuk ja pranuan dokumentet sepse nuk plotësonte kriterin që duhej të kishte mesataren 8 sipas ligjit tonë. Pra 7.5 e Sorbonës sipas ligjit tonë nuk vleka. Ky nuk është kriter, por është maskarallëk. Këtë kriter kam ndërmend të propozoj për të hequr për ju dhe për studentët e ekselencës. Nuk do merremi tani me histori mesataresh”, shtoi.
Kreu i Ministrisë së Drejtësisë risolli edhe një herë shqetësimin se në sistemin gjyqësor të vendit nuk ka asnjë gjyqtar që ka studiuar jashtë.
“Propozimi ynë ka qenë dhe mbetet që të mund të fusim në sistemin e ri gjyqësor dhe të prokurorisë nga të rinj dhe të reja që janë shkolluar jashtë. Jo se këta që kanë studiuar brenda janë të skualifikuar, edhe ata do të jenë në garë. Por shkollat nga ju vini janë shumë herë më të mira sesa shkollat që ne kemi. Sot në sistemin gjyqësor nuk kemi asnjë për be nga të shkolluarit jashtë. Edhe gjykatat e Enver Hoxhës kishin të shkolluar jashtë. Gjykatat e sotme nuk kanë asnjë”, vijoi. /Dita/
