“Edhe shërbimet në spitale do të jenë falas”

Saimir Lleshi

Partia Demokratike denoncoi sot gjendjen ku ndodhen spitali i Sarandës. Deputetja Liliana Elmazi ishte në spitalet e Sarandës dhe të Delvinës ku pa nga afër “gjendjen e mjerueshme të sistemit shëndetësor, dhe dëgjoi ankesat e kërkesat e qytetarëve”.

Në përgjigje, Ministria e Shëndetësisë thekson se është e vërtetë që gjendja e spitaleve në vend nuk është ajo që duhet të ishte.

“Situata mjerane që trashëguam nga keqmenaxhimi dhe keqqeverisja për 20 e kusur vjet me radhë, nuk mund të zhbëhen sa hap e mbyll sytë në vetëm dy vjet. Gjithashtu, jemi të vetëdijshëm për pengesat e shumta dhe kundërvënien e egër kundër reformës dhe përpjekjes që kemi ndërmarrë për shndërrimin rrënjësor të sistemit të kujdesit shëndetësor”, thuhet në reagim.

Sipas Ministrisë, shëndetësia është në rrugën e duhur. “Në vetëm 2 vjet e gjysmë, kemi arritur që duke filluar nga ky vit, mjekun e familjes ta vëmë në dispozicion të njerëzve, pa pagesë. Pra, edhe shërbimi i mjekut të familjes është sot FALAS. Dhe padyshim, që duke ecur vendosmërisht deri në fund të këtij procesi, edhe shërbimi në spitale do të jetë FALAS, thuhet në deklaratë. /Dita/

 

Share This Article