Rezultati i referendumit duket se nuk e ka gjetur dhe aq të përgatitur elitën politike britanike, por edhe vetë kampin, që dëshironte daljen nga BE. Në daljen e djeshme publike të tij, kryeministri britanik do të deklaronte dorëheqjen, duke theksuar edhe nevojën për një afat kohor deri në muajin tetor, e konsideruar si një periudhë e nevojshme stabiliteti. Ndër të tjera edhe kohë për zhvillimin e Kongresit në partinë e Konservatorëve dhe zgjedhjen e një drejtuesi të ri. Duke nënkuptuar se procedura e largimit do të niste me caktimin e pasardhësit të tij.
Deklarata u pasua me një sërë reagimesh të forta, që erdhën menjëherë nga elita politika evropiane, duke e kundërshtuar këtë zvarritje në kohë, si irracionale dhe një “tentativë për të marrë peng kontinentin evropian”. Në kuptimin e krijimit të një hapësirë pasigurie, që do të ketë ndikim negativ jo vetëm politikisht, por edhe ekonomikisht në Union. Logjikisht u konsiderua e patolerueshme që një kontinent i tërë duhet të presë disa muaj, deri sa konservatorët t’i japin drejtim punëve të tyre brenda partisë. Elita e BE-së, i rikujtoi politikës britanike se “vullneti i popullit duhet të zbatohet”, pra të kërkohet menjëherë hapja e procedurës, sipas nenit 50 për largim të Traktatit të Lisbonës.
Por, janë disa aspekte që tërheqin vëmendje në këtë strategji shtyrje, të vetëshpallur nga pala britanike.
Së pari, krijimi i një përshtypje, se elita politike britanike, ka qenë thuajse e papërgatitur mbi një skenar dalje reale të Britanisë nga Unioni. Nuk duhet nënvlerësuar fakti se ambicia politike për zhvillimin e një referendumi është shpallur që në muajin janar të vitit 2013. Pra, një kohë më se e mjaftueshme për të hartuar strategjinë e mirë planifikuar të daljes, me një skenar të qartë operimi, pa pasur nevojë për kohë shtesë disa mujore. Por, siç duket edhe pse u shpall kryerja e referendumit, synimi politik anonte nga “kërcënimi” dhe jo shkuarja drejt divorcit real.
Së dyti, duke mos qenë i kërkuar realisht divorci, por thjesht përfitimi i konsiderueshëm, që vjen nga “kërcënimi për divorc” kemi indicie se kjo kohë mund të shërbejë edhe për ndonjë strategji politike për përmbysjen e situatës, si p.sh, nëpërmjet një mocioni mosbesimi ndaj qeverisë, që mund të çojë në rrëzimin e saj dhe organizimin e zgjedhjeve të parakohshme. Duke krijuar në këtë mënyrë hapësirën e duhur për zhvillimin e një tjetër referendumi. Ose, një skenar tjetër që përfshin po të njëjtën skemë, kalimin në parlament për legjitimim të vullnetit popullor. Deri në këto momente, të paradites së të shtunës, firmat për mbajtjen e një referendumi kanë arritur nivel rekord, prej një milion personash. Ndërkohë që nëse janë mbledhur deri në 100 mijë firma peticioni duhet të kalojë automatikisht për debat në parlament, pas vlerësimit nga komisioni përkatës.
Së treti, në rast se nuk ka kthim mbrapsht të kësaj situate të krijuar, atëherë kjo kohë do të shërbejë për krijimin e një kornize se, ku do të synojnë negocimet dhe çfarë forme do të marrin negociatat me BE-në.
Por, të gjithë aspektet e mësipërm, janë shenja të qarta se politikisht edhe pse kampet ishin qartësisht të ndarë, duke bërë fushatë intensive, dalja e Britanisë nuk ishte parashikuar jo vetëm nga iniciatorët e shpalljes së referendumit, por bile as nga kampi pro daljes. Rezultati duket se ishte surprizë ! As sondazhet pas votimit, nuk arritën ta parashikonin !
Goditja që solli Brexit, ka shkaktuar kaos në Britaninë e Madhe, si në kuptimin ekonomik por edhe atë politik, duke rrezikuar ndarje të fortë nëpërmjet shpërthimit të një Skocie, që ka votuar pro Evropës dhe që kërkon arsye për të zhvilluar një referendum të dytë mbi pavarësinë. Arsye, që legjitimohet edhe me rezultatin e referendumit, por duke mos nënvlerësuar as Irlandën e Veriut dhe kërkesat për bashkimin e dy pjesëve të ndara.
Evropa pritet të reagojë. Ditën e sotme, kemi përforcim të kërkesës për përshpejtim të largimit të Britanisë nga BE, nëpërmjet deklaratës së 6 vendeve bërthamë të BE-së (Gjermani, Francë, Itali, Belgjikë, Holandë, dhe Luksemburg), konkretisht ministrave të jashtëm të mbledhur në Berlin. Axhenda do të vijojë më tej, ditën e diel ku priten të kryhen konsultime mes ambasadorëve të 27 vendeve, pra pa prezencën e Britanisë së Madhe. Të hënën, vijojnë takimet mes kancelares gjermane Merkel, Presidentit francez Holond, dhe kryeministrit italian Renzi. Ndërkohë Presidenti francez dhe kancelarja gjermane do të vijojnë konsultimet edhe me kreun e Këshillit Evropian, polakun Tusk. Ndërsa kreu i Komisionit Junker, do kryesojë mbledhjen e urgjencës me komisionerët evropianë për vënin në jetë të Brexit. Të martën, do të ketë një seancë të jashtëzakonshme të Parlamentit Evropian, ku do të kërkohet nisja e menjëhershme e procedurës së divorcit. Po të martën dhe në vijim të mërkurën, do të jetë Samiti i shefave të shteteve dhe të qeverive mes 27 vendeve, gjithashtu pa prezencën e Britanisë së Madhe.
Ende nuk dihet pozicionimi përfundimtar i politikës britanike apo hapat e radhës që do të ndërmerren, por siç edhe deklaroi kreu i Këshillit Evropian, polaku Tusk : “Çka nuk të vret, të bën më të fortë ! ”. Çka nënkupton se, edhe pse goditja është e fortë dhe dramatike për të dy palët, Evropa nuk ka arsye të ndalet, por duhet të projektojë vizionin e saj për të ardhmen. Një vizion, që mund të jetë lehtësisht më i arritshëm pa frenimin konstant të Britanisë së Madhe, drejt një Evrope të bashkuar me qasje federale.
Efekt zinxhir
Ndërkohë kemi shfaqjen e një frike mbi riprodhimin e së njëjtës situatë në vende të tjera, apo të një efekti zinxhir. Kjo bazuar sa në deklaratat e partive ekstremiste të djathta si në Holandë apo Francë, menjëherë pas fitores së Brexit, por duke pasur parasysh edhe lëvizje të ngjashme në vende të tjera.
Edhe pse zëra të tillë nuk duhen neglizhuar, pasi ushtrojnë presion të konsiderueshëm, duhet marrë parasysh fakti se, këto parti ekstremiste nuk e marrin votën e elektoratit për qeverisje kombëtare. E shumta kanë arritur të penetrojnë në nivele lokale dhe përfaqësime evropiane, sigurisht me disa përjashtime të hyrjeve të pjesshme në koalicione qeveritare, si Danimarka, Austria apo edhe Greqia. Çka nënkupton se kemi një reagim të zgjuar të elektoratit në vende të ndryshme. Tendencë, që u konfirmua së fundmi me rastin austriak, ku mobilizimi i votës mundësoi shmangien nga Presidenca e Austrisë, të kandidatit të ekstremit të djathtë.
Nga ana tjetër, është konstatuar rëndom që edhe pse retorika e ekstremistëve kërkon referendume mbi Evropën, programet e tyre nuk janë shumë të qarta dhe koncize, dhe ndryshojnë nga njëri vend në tjetrin. Pa përmendur këtu ndryshimet radikale mes ekstremit të majtë dhe të djathtë, pasi ekstremi i majtë nuk kërkon dalje nga Evropa, por vetëm një Evropë të ndërtuar ndryshe, më sociale dhe më gjithëpërfshirëse (rasti i provuar i radikalëve grekë).
Por, është vëzhguar gjithashtu edhe një fenomen interesant, që kur këto forca janë afër marrjes së pushtetit apo arrijnë të penetrojnë në të, zbusin gjuhën dhe ndryshojnë taktikë. Rasti më i fundit ishte ai i ekstremit të djathtë në Austri, ku kemi tërheqje nga pozicionet paraprake të deklaruara apo të konfirmuara publikisht.
Ndërkohë që të ndërmerren lëvizje të njëjta apo të prodhohet i njëjti efekt zinxhir, përtej ingranazhit që aktivizohet nga forcat ekstremiste, duhet që të kemi edhe një euroskepticizëm të lartë në vendet evropiane. Ndërkohë që të dhënat që na ofron Eurobarometri në mënyrë sistematike, nuk e mbështesin këtë tendencë. Qytetarët evropianë në vlerësimet që japin mbi BE-në, e shikojnë si arritje kryesore jo vetëm paqen e siguruar në kontinent, por edhe qarkullimin e lirë për të udhëtuar, për të studiuar apo punuar. Tendenca të njëjta konfirmohen edhe nga studimi i fundit i Institutit Delors, por të orientuara ndaj ndjesisë së përkatësisë të qytetarëve dhe besimin e tyre në BE, por edhe në të ardhmen e Unionit.
Për më tepër, situata që po shfaqet në Britani, post Brexit, nuk duket shumë inkurajuese për ndjekje të një modeli të tillë nga qytetarët e vendeve të tjera! Dhe duket se, as BE nuk do ta thjeshtësojë situatën, për të shmangur preferencat e ndjekjes së modelit britanik.
Por, pavarësisht faktorëve të mësipërm, mesazhi i dalë nga Brexit, është i qartë për Evropën. Është një mesazh, që imponon lexim për një rimodelim evropian, që nuk do të angazhojë thjesht mekanizma federalë, të një Evrope të dy kategorive, por duhet të mbart një Vlerë Imagjinare. Pasi, nëse ka një mesazh të kristalizuar, që doli nga rezultati i referendumit britanik është se politika nuk duhet të jetë thjesht një kalkulim i ftohtë dhe racional, por edhe një imagjinare, që ka forcën jo vetëm “të frikësojë” si në rastin britanik, por edhe të bashkojë dhe të unifikojë ! Është kjo imagjinare, që mundësoi Evropën ! Dhe kjo imagjinare duhet ta mbajë po të bashkuar, drejt një të ardhme të përbashkët, larg ndasive nacionaliste dhe rreziqeve të konflikteve të përgjakshme! /im.ta/DITA/
