Të dhënat e Eurostat të publikuara ditën e djeshme (14 gusht), konfirmuan një panoramë krejtësisht të ndryshme nga parashikimet e analistëve ekonomikë evropianë. Ndonëse në këto parashikime konsiderohej një rritje e zbehtë përgjatë tremujorit të dytë për 2014, shifrat flasin për një ngecje thuajse tërësore të ekonomisë evropiane. Elementi, që kishte rrëshqitur në përllogaritjen parashikuese, vlerësohet të jetë përshkallëzimi i tensionit gjeopolitik të krizës në Ukrainë dhe aplikimi i sanksioneve ruse ndaj BE-së.
Shifrat mbi ekonomitë kryesore të BE-së, Gjermani, Itali, Francë, që llogarisin pothuajse 2/3 e të ardhurave të eurozonës, nuk janë shfaqur aspak optimiste për këtë tremujor. Ekonomia gjermane njeh një tkurrje të produktit të brendshëm bruto me -0.2%, së bashku me Italinë. Aspak pozitive shfaqet edhe ekonomia franceze, e cila ka shënuar një rritje prej 0% për semestrin e dytë.
Ministri i Financave franceze Michel Sapin ka deklaruar se, objektivi për uljen e deficitit publik në 3.8% është i parealizueshëm teksa parashikohet të kalojë mbi 4%.
E përballuar me tërheqjen e vëmendjes dhe kritikat e vazhdueshme gjermane, duket se Franca po rigjen një moment “qetësie”, përballë shifrave jo pozitive, që po shfaq ekonomia gjermane. Sapin ka deklaruar se “motori i madh i BE-së, Gjermania, sot është negativ. Atëherë kemi një problem francez dhe një problem evropian”. Duket se reagimi francez i kundërvihet më tepër deklaratave të forta të Ministrit të Financave gjermane Wolfgang Schaueble, i cili ka shfaqur vazhdimisht kritika të forta ndaj Parisit, mbi mos avancimin ekonomik, mbi reformat strukturore dhe shkurtimin e shpenzimeve buxhetore, duke vënë në dyshim edhe marrjen e postit të Komisionerit Ekonomik, nga ish Ministri Francez i financave Pierre Moscovici. Tkurrja me 0.2% e ekonomisë gjermane është argumenti më i fortë për Parisin, i cili është pozicionuar në replika mbrojtëse ndaj Berlinit zyrtar.
Parisi tashmë ka ulur shifrat e parashikimit për rritjen e ardhshme ekonomike nga 1% në 0,5% dhe ka ulur gjithashtu parashikimet për 2015 nga 1.7% në 1%.
Francës i është dhënë dy vite afat për të ulur deficitin publik në 3% deri në vitin 2015, një objektiv i konsideruar thuajse i paarritshëm për ekonominë franceze.
Në deklaratën e tij zyrtare, Komisioni Europian deklaroi se, shifrat prezantonin një panoramë mikse, duke argumentuar se vendet që kanë ndjekur reforma të forta ekonomike, kishin pasur si pasojë edhe rritjen më të fuqishme. Përgjigje kjo e lexuar si një reagim ndaj Francës, e cila nuk beson më në rritjen e objektivave të fiksuar për uljen e deficitit publik. Gjithsesi ditën e sotme, presidenti francez Hollande, është përpjekur të transmetojë një frymë optimiste, duke deklaruar se “Franca, fuqia e pestë ekonomike në botë (…) synon nëpërmjet reformave që do të ndërmarrë, të ruajë këtë pozicion.” Deklaratë, e cila synon edhe uljen e zërave dyshues, pas publikimit të shifrave nga Eurostat, mbi kapacitetin francez për të nxjerrë vendin nga kriza.
Por, shqetësimet e ngritura nga ekspertët e çështjeve ekonomike po shfaqin një dyshim në rritje i cili lidhet me faktin se këto parashikime ishin kryer përpara tensionimit të situatës me Rusinë dhe aplikimit të sanksioneve ekonomike. Kjo logjikë pritet të përforcohet, duke rritur shqetësimin mbi një përkeqësim të mëtejshëm në thellimin e recensionit. Sanksionet BE-Rusi, që përfshijnë edhe ndalimin e importeve të produkteve ushqimore nga Brukseli dhe Moska, do të dëmtojnë më tej bazën eksportuese ekonomike. Ndërsa pritet afrimi i dimrit, nuk dihet ende kosto ekonomike, që mund të shkaktohet nga një përkeqësim i mëtejshëm i konfliktit, që mund të prekë edhe furnizimin me gaz, që kalon nga Ukraina.
Por, pavarësisht situatës aspak optimiste që lidhen me eurozonën, parashikimet jashtë saj në BE-28, kanë shënuar një rritje modeste prej 0.2%. Vendet që kanë spikatur në këtë rritje modeste janë Britania e Madhe dhe Hungaria, të cilat respektivisht njohin një rritje prej 0,8%.
Surprizë janë vlerësuar edhe të dhënat, që vijnë nga ish vendet në krizë si Spanja dhe Portugalia, të cilat kanë njohur një rritje respektivisht me 0.6%.
Situata e përgjithshme ekonomike nuk shfaqet aspak pozitive për rajonin, me ekonominë italiane, e cila ka rënë në recension dhe me ekonominë franceze, që ka një rritje ekonomike me 0%. Edhe optimizmi që po shfaq ekonomia spanjolle, e cila është vlerësuar si surpriza e këtyre të dhënave, me një rritje prej 0.6%, konsiderohet e dyshimtë në qëndrueshmërinë e vazhdueshme të saj. Elementi që tërheq vëmendje është rritja ekonomike e Portugalisë me +0.6% dhe Holandës me +0.5%, shenja këto që konstatojnë, se vendet kryesore të zonës euro, nuk luajnë më sistematikisht rolin e motorit. Por, kriza gjeopolitike ukrainase, duket se mbart edhe tensionin më të lartë përballë parashikimeve aspak pozitive mbi ekonominë evropiane. Ajo vlerësohet se, rrezikon rënien në recension dhe kjo kryesisht edhe në perspektivën e përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit, i cili mund të shoqërohet edhe me aplikimin e sanksioneve, që mund të dëmtojnë më rëndë sferën ekonomike./im.ta/
