EKSKLUZIVE / Zbulohet arsyeja pse Micron e ka personalisht me Ramën dhe jo me Shqipërinë

redaktor
AFP_1527WN

PARIS, Champs Elysees – “Shqipëria është në rregull me të gjitha vëlla, le të mbetet midis nesh.”

Kështu e nisi rrëfimin e tij tejet personal presidenti francez Emmanuel Micron, në prani të këshilltarëve të tij të besuar, një natë para se Franca të vendoste zyrtarisht veton ndaj Shqipërisë.

“Reformat që po bën ai vend janë historike. Edhe ekonominë e ka historike, krimin e paligjshëm po e çon drejt zeros historike dhe tani shumica dërrmuese e krimit po ligjërohet; edhe trafiku i drogës nuk po bëhet më kuturu, por është strukturuar dhe mbledhur në duar profesionistësh. Ato ankesat e mia për azilkërkuesit janë pesë me hiç, sa për t’i hedhur hi syve Edi KM-së. Por sa të jetë ai KM, unë nuk ja jap miratimin për hapje negociatash,” ka deklaruar prerë Micron.

Sipas burimeve tejet të liga për Gojët e Liga, këshilltarët u bënë kuriozë për të marrë vesh arsyet e kësaj antipatie të madhe të shefit ndaj liderit të largët artist, bohem dhe politikan, krijues dhe inteligjent, orator por edhe racional, poliglot dhe poliedrik, të kujdesshëm por edhe shpërthyes, vizionar por dhe vizatimor shqiptar.

“Po jua them vetëm yve,” u tha Micron me dialektin e origjinës së tij Amienit, që në Francë e mbiquajnë Parisi i vogël:

“Ay nuk ka lënë njeri pa i dhuruar piktura, albume, botime, vepra arti… Ç’vepra them dhe unë, kryevepra thuaj! Tako Merkelin dhe bam, dhurata. Tako Rexhepin pe Stambolli, bam piktura. Mendo, edhe italianët që ndërrojnë qeveri çdo tre muaj, janë shqepur me piktura nga ato që të lëpish gishtat. Madje thonë se në disa prej pikturave Edi ka fshirë vërtet gishtat se ka qenë duke ngrënë lakruar,” rrëfeu Micron, the shtoi:

“Vetëm mua asgjë. Asnjë fletë A4 po ju them. Edhe pardje, kur më kërkoi të ndizja dritën jeshile për Shqipërinë, i thashë me takt: Çfarë jeshileje do, pa ma pikturo pak se nuk jam i qartë. Jeshilen e Onufrit? Bile më bëj një portret shpejt e shpejt, që ta kuptoj më mirë…”

Por sipas Micronit, Edi KM i kishte rënë hilesë:

“Jo moreee, më tha. Ti dashke të fitosh miliona nga vizatimet e mia. Turp! Kështu më tha…”

Në fund, Micron u shpalosi këshilltarëve të tij, edhe sekretin e fundit:

“Ka dhe diçka tjetër. Në vitin 1995, kur punoja kamarier në një kafeteri në Montmartrë, një artist i veshur me të verdha dhe portokalli porositi një kruasan dhe një kusi me spageti. I hëngri dhe iku pa paguar, ndërsa mua më pushuan nga puna…”.

“Ky artist ishte Edi KM,” psherëtiu Emmanuel Micron…

*****

SHËNIM / Gojët e Liga është rubrikë satirike. Çdo përputhje e personazheve dhe ngjarjeve të mësipërme me realitetin, nuk është rastësore         

Share This Article