“Në Shqipëri ndihesh si në gojë të luanit”

anazapta

Elvira Dones këto ditë është në Tiranë. Përfituam nga prezenca e saj për të bërë një bashkëbisedim me shkrimtaren dhe gazetaren e njohur. Ajo është gjatë gjithë kohës në vrapim, takime, angazhime, njerëz që duan ta takojnë, mes tyre edhe ne.

Kjo femër me flokët e shkurtër, e imët në fytyrë dhe me një trup hollak, e tillë është edhe kur flet: e qartë dhe e prerë. Me mendime të mprehta e të hapura, nisim të flasim me gruan që sot është një emër i njohur dhe i denjë i letrave shqipe.  Dones ndan me ne mendimin se si e sheh ajo aktualitetin në Shqipëri dhe çfarë pret në të ardhmen. Sipas saj: Po, Shqipëria mund të bëhet! 

“Kur isha e re, adhuroja njerëzit inteligjentë, tani dua njerëzit e mirë” . Dones, përveçse shkrimtare, është gazetare dhe dokumentariste, autore e shtatë romaneve, dy vëllimeve me tregimeve, artikujsh e filma dokumentarë, mes të cilëve: “Dashuri e huaj”, “Kardigan”, “Yjet nuk vishen kështu”, “Më pas heshtja”, “I Love Tom Hanks”, “Luftë e vogël, e përkorë”, dokumentarëve “Në kërkim të Brunildës”, “Virgjëresha të betuara”, etj. Së shpejti do të vij me një vëllim me tregime si fillim në gjuhën italiane dhe më pas në shqip. Kur e pyesim se si është si nënë thotë duke buzëqeshur që është  nënë shqiptare.

Fëmijët e saj, fatkeqësisht nuk e njohin shumë Shqipërinë. Të angazhuar në vendet ku jetojnë, e kanë pasur të vështirë të vijnë shpesh në Shqipëri, pasi gjyshërit e tyre nuk jetojnë më. Megjithatë, sipas Elvirës janë kuriozë dhe duan të mësojnë dhe të dinë shumë për këtë vend. Ajo nuk e ka problem të tregojë moshën.

Është 53 vjeç. Çfarë ndjen një grua si Elvira Dones në këtë moshë!? Të ndryshon mosha. Unë mendoja që isha më arrogante përpara disa vitesh. Kur isha e re, adhuroja njerëzit inteligjentë, tani dua njerëzit e mirë. Njeriu duhet të bjerë dakord me moshën. Unë jam një femër që më pëlqen të mbahem, por muret e mia nuk i lyen piktori, por unë. Ka qenë një energji fizike që më ka mbajtur më shumë vite”, tregon shkrimtarja, ndërsa është duke pirë një çaj mali shqiptar! 

Zonja Dones, vini shpesh në Tiranë?

Unë përgjithësisht vij një herë në vit në Tiranë. Këtë herë vij pas një viti e gjysmë mungese, por përgjithësisht kur kam ardhur kam qëndruar si e fshehur, pasi kam qenë gjithmonë e angazhuar me dokumentarët për Televizionin Publik zviceran, për të cilin punoj prej 25 vitesh. Në fakt nuk jam gazetare-gazetare aty, unë bëj dokumentare.  E ndiej veten në radhë të parë shkrimtare, por investigimi më ka shoqëruar gjithmonë, kjo ka qenë puna ime. Kështu që, kur kam ardhur në Shqipëri, ka mbetur jo vetëm pasioni, por ka mbetur interesi për vendin, ai lloj angazhimi që në profesion është i domosdoshëm.

Ju frymëzon ky qytet?

Tirana për mua ka mbetur një nga ato dashuritë e çuditshme, pasi sa herë që shoh Rinasin nga sipër kur afrohem, më kujtohet zbritja ime e parë në të, pasi isha larguar nga Shqipëria. Ishte fundi i muajit maj 1992 dhe më vjen ndërmend ai moment në aeroport, kur, ndërsa avioni ulej, disa ushtarë largonin dhe ndiqnin delet me vrap dhe që nga ajo kohë, mua më ka mbetur ai detaj, dhe sa herë që vij shoh gjëra të ndryshuara. Të paktën tani kemi një aeroport, modest, por ka pamjen e një aeroporti. Ajo që mbetet për mua, gjëja më e shtrenjtë, është të shkoj dhe të tregoj ato qoshet e shoqërisë, hijet, jo dritat. Dritat janë kaq kollaj t’i filmosh dhe t’i intervistosh, madje i shet shumë kollaj, ndërsa ata të humburit që nuk kanë pasur asnjë lloj zgjidhjeje në jetë, këto janë për mua gjërat që duhen treguar.

Keni ardhur pas një vit e gjysmë dhe e keni gjetur Shqipërinë me një tjetër qeveri, e ndieni ndryshimin…?

Unë e kam ndier prej andej ndryshimin, pasi e ndjek Shqipërinë në mënyrë fanatike, çohem gjithmonë në orën katër të mëngjesit dhe deri në orën 6 lexoj se çfarë thonë gazetat dhe informohem. Ishte populli shqiptar vetë, me votën e tij, që kërkoi këtë ndryshim. Edhe unë personalisht isha për ndryshimin, zemra ime ka rrahur gjithmonë për të majtën. Nuk po flas për komunizmin, por po flas për të drejtën sociale. E shoh të djathtën më monolitike dhe të majtën që gjithsesi, mundohet të bëjë diçka më shumë për shtresat më të varfra të vendit dhe jo për polarizim. Uroj që të mos jetë naivitet apo dëshira ime e mirë që ta shoh këtë gjë më me entuziazëm seç duhet, por unë mendoj se Shqipëria mund të bëhet. E kam dëgjuar për kaq shumë vite atë fjalën: S’bëhet ky vend, nuk bëhet! Por jo, nëse ka vullnet e dëshirë, mundet. Unë i kam rënë botës në të katra anët, kam shkelur të gjitha qoshet e varfra dhe kam parë shumë situata që janë të pandryshueshme. Teksasi, për mua është i pandryshueshëm, ndërsa Shqipëria mendoj se po.

Ashtu siç shoh shpresë, shoh edhe një agresivitet shumë të madh, pritshmërinë e njerëzve që gjërat mund të bëhen menjëherë. Asgjë nuk bëhet menjëherë, aq më keq, me kaq shumë probleme të mëdha sa ka ky vend. E shoh me pozitivitet që sot flitet më konkretisht dhe ka më pak frikë seç kishte në regjimin Berisha. Mendoj që kjo qeveri, në mos më zhgënjeftë plotësisht, pasi edhe unë kam pritshmëri të mëdha, kjo edhe sepse jam shprehur e kam përkrahur ndryshimin në vend, dua t’i shoh tani në punë për të mirën e vendit.

7 muaj që pushteti është marrë nga të majtët… Sipas jush, çfarë nuk po shkon?

Vazhdohet ende me agresivitetin e 8 viteve të kaluara në diskutimet sociale e forume. Duhet një lloj qetësie për të folur me qetësi. Njerëzit kanë pritur aq shumë që gjithçka të ndryshonte, e për më tepër, ne shqiptarët e kemi dhe për natyrë, duam babën nga lart.

Kemi një ndjenjë më të paktë kolektive. Unë e shoh në Tiranë që aktivitetet private funksionojnë shumë më mirë se ato shtetëroret. Kjo duhet të ndryshojë dhe është përgjegjësi e shtetit, se çfarë shprese do i japë njerëzve. Çdo gjë duhet të kthehet në një normalitet të asaj bote progresive që ne synojmë të kemi.

Qeveria aktuale ka arritur të afrojë pranë vetes disa emra që i ka marrë edhe nga jashtë, shqiptarë të suksesshëm jashtë vendit. Juve a u ka ardhur ndonjë ofertë?

Jo.

Do e dëshironit?

Jam ftuar disa herë, por në mënyrë teorike. Ndoshta nuk kanë pasur faj sepse deri më sot e kam parë Shqipërinë nga jashtë, e ndiej, dhe dua të jap diçka për këtë vend, por nuk kam dhënë asnjëherë një sinjal që dua të kthehem në Shqipëri. Kam pasur fëmijët, angazhimet, karriera ime profesionale u rrit e u zhvillua jashtë vendit, televizionin e mësova në Perëndim, në Zvicër dhe tani, prej dhjetë vjetësh jetoj në Shtetet e Bashkuara. Tani jam në një pozicion më komod, djali është 32 vjeç , është i martuar, punon dhe jeton në Zvicër. Vajza sapo përfundoi doktoraturën. Në një farë mënyre, jeta ime dhe e tim shoqi ka qenë intensive dhe plot angazhime.

Domethënë nuk keni treguar interes?

Jam duke menduar tani për herë të parë ndaj kësaj gjëje, sepse deri sa ishte qeveria “Berisha”, unë nuk e ndieja absolutisht të vija. Vendi po shkatërrohej, dhe pak nga pak po rrëshqiste drejt një lloj diktature të një tjetër natyre. Njerëzit jetonin me frikë. Sjellja e kryeministrit dhe e gjithë onturazhit të tij ka qenë ajo që ka qenë, ndaj edhe populli votoi me një mençuri aq të madhe se i kishte ardhur në majë të hundës. Tani shoh se mund të ndryshojë diçka dhe mbetem kokëfortë e idesë se, kur ka një dëshirë, gjenden mundësitë për të bërë gjëra të mira.

Në gjithë atë komoditet që jetoj është e vështirë që ta lësh e të futesh në gojën e luanit, sepse Shqipëria është një gojë luani. Kjo më druan në këtë vend, goja e luanit. Po nga ana tjetër, Shqipëria ka një vështrim cinik. Kur ti thua: unë e bëj këtë për pasion, të paragjykojnë duke thënë që kjo s’bën asgjë. Kur t’i thua që ky vend mund të bëhet, dukesh si naivja, që vjen nga lart-poshtë e i duken gjërat fushë me lule. Por jo, se unë nuk jam marr me Amerikën e vipave, jam marr me pjesën që nuk ka funksionuar aty dhe jam me këmbë në tokë në këtë pjesë.

Zonja Dones, qeveria “Rama” ka përshirë shumë femra në disa poste kyçe, në administratë dhe në polici. E nevojshme?

Kjo më ka lumturuar sepse është në traditën më të mirë të vendeve skandinave. Është në traditën më të mirë të një pjese të qendrës së Evropës dhe ishte momenti i duhur që duhej ndërmarrë ky hap. Unë për këtë gjë, Edi Ramës i jam mirënjohëse në një farë mënyre, sepse ishte një gjë që duhej. Ka akoma shumë për të bërë në shumë fusha. Unë ndiej akoma klubin e shkrimtarëve, meshkuj që e trajtojnë punën e shkrimtareve femra si letërsia femërore. Unë nuk flas, por gjërat i shoh shumë mirë, ndonjëherë këta burra më bëjnë edhe të buzëqesh sepse i shikoj vulnerabël në këtë klubin e tyre ballkanik.

E mendon rezultativ rolin e grave?

Unë besoj se gruaja do të sillte një vështrim më të kujdesshëm ndaj çështjeve të mëdha, çështja e gruas vetë kërkon vëmendje, çështja minorancave, etj.  Gratë tona janë të përgatitura, gratë tona i kanë këllqet. Atë që nuk dëshirojë është ndërrimi i roleve; kur femrat bëhen krejtësisht si burrat.

Ka ndodhur kjo?

Sigurisht, ka gra që sillen si burrat.

Për shembull?

Jozefina Topalli, çfarë ishte? Ajo është femër burrë. Ajo lloj gjuhe që përdorte, ai lloj agresiviteti… Ky është emri i parë që më erdhi në mendje sepse ishte në një pozitë të dukshme. Ajo mënyrë e të drejtuarit të Parlamentit, ai agresivitet, ato gra që flasin me terma: t’i varim njerëzit te palma… Jo, kjo nuk është gjuha që duhet përdorur. Uroj që gratë e së majtës të mbeten gra dhe t’i përdorin atributet e ta bëjnë politikën me një ndjeshmëri gruaje. Nuk i vjen asnjë e keqe një shoqërie, një administrate, nga bërja e politikës me largpamësi dhe me qytetari.

Nga ana tjetër kemi një ish-kryeministër si z. Berisha, i  cili është ende prezent. Si e shihni këtë figurë politike pas humbjes së zgjedhjeve?

donesJo, ai  nuk po largohet. E ndjek në Facebook. Mund të bëhet politika ndryshe, mund të bëhet shoqëria ndryshe. Populli ka një nivel injorance për të kuptuar se çfarë është politika dhe se si bëhet, për të kuptuar rregullat e saj dhe të demokracisë. Demokracia për shqiptarët ishte në fillim sikur do të ishte mrekullia që do të vinte nga qielli. Demokracia është përgjegjësi e madhe, është një punë e jashtëzakonshme. Liria jep një numër shumë të madhe kostosh me vete, për këtë ne nuk ishim të përgatitur. Ajo që ka ndodhur në gjithë këto vite nuk ka krijuar besimin te populli dhe nga ana tjetër qeveritë nuk i kanë krijuar ato kushte bazike popullit, që ta bëjnë atë, që të lexojë më shumë librin. Duhet të kesh barkun plot që të jesh i edukuar edhe në sjellje me të tjerët. Shoqëria shqiptare sot ka problemet e bukës së gojës, të fëmijës së sëmurë që nuk ka ku ta çojë se nuk ka të paguajë… kur ke gjithë këto probleme, si mund t’i kërkosh t’i një populli largpamësi. Në këtë drejtim duhet punuar. Kjo është një punë që duhet bërë nga të gjithë ne.

Çfarë po i ndodh Berishës si personazh?

Berisha për mua është një personazh romani. Disa nga perlat e Berishës  i ke aty dhe nuk ke nevojë as t’i shkruash. Është çmenduria e një njeriu që nuk arrin të ikë nga karrigia. Duke e parë nga këndvështrimi i shkrimtares, unë gjej tek ai një psikodramë të mrekullueshme që mund ta shkruaj në formën e një komedie të zezë.

Çfarë karakteristikash do kishte ai si personazh i juaji?

Do të ishte ai i ikuri nga mendja, ai që nuk e ka kuptuar kurrë se çfarë është demokracia, ai që ishte pinjolli i komunizmit. Nuk e di, por unë nuk mund të kem respekt për një njeri që uli dhe ngriti, deklinoi për muaj me fjalët, lavire bulevardi një grua. Nuk ka lënë çarçafë njeriu që Berisha nuk ka futur hundët. Ai nuk mund të përfaqësojë një vend. Ai nuk mund të inspirojë një vend dhe tani, ai është problemi i Partisë Demokratike.

Partia Demokratike me 8 vite në pushtet mban mbi krye shumë akuza, që në pjesën më të madhe kanë mbetur të tilla vetëm në ajër, mendoni ju se ka disa pika ku opozita e sotme duhet të japë llogari?

Në mënyrë absolute po, dhe kjo jo për hakmarrje, por për shkatërrimin që i ka sjellë këtij vendi. Për mua kjo është një nga gjërat më kryesore. Nuk kam asgjë personale me njeriun Berisha, por ama me burrin e shtetit që çoi vendin në greminë kam që ç’ke me të, ai duhet të japë llogari. Kjo, sepse krijohet ideja që, këtu bën ç’bën, kalon pa e paguar, pa dhënë llogari, domethënë t’i mund të bësh çdo gjë këtu dhe t’ia hedhësh pastaj. Unë pres nga qeveria aktuale të fillojë të bëj diçka në këtë drejtim dhe Bashkimi Evropian është duke pritur, po vjen qershori, dhe presioni i madh është  mbi atë se çfarë po bëhet me korrupsionin dhe a po çohen këta njerëz përballë drejtësisë!?

Për të qenë më konkret, cila është ngjarja për të cilën duhet dhënë llogari dhe duhet të përgjigjet përpara drejtësisë?

Gërdeci dhe 21 Janari. Gjithë ata njerëz të vrarë për interesa të të birit të Sali Berishës dhe ky njeri është i qetë dhe akoma vazhdon të shajë të tjerët e të hedhë pështymë mbi Shqipërinë. Kam parë mbesën 17 vjeçare. Nuk ndodh në Amerikë, në Francë që djali i Fransua Oland të përfshihet, apo kushërira e Angela Merkel. Ka rregulla!

Si e shihni gjendjen e Partisë Demokratike sot?

Unë shoh që Partia Demokratike nuk po emancipohet. Shqipërisë i duhet një opozitë e mirë. A i vlen këtij vendi një opozitë kaq qesharake? Jo. Loja demokratike funksionon kur mazhoranca dhe opozita punojnë të dyja me seriozitet. Mezi po pres të shoh një ndryshim të vërtetë nga Partia Demokratike.

 

Share This Article