Emigracioni kërcënim real për Shengenin

redaktor

Heqja e kontrolleve të brendshme kufitare dhe zhvendosja e lirë e personave, është një nga arritjet më të mëdha të Unionit Evropian. E nënshkruar në vitin 1985, në fshatin e vogël Shengen të Luksemburgut, nga ku mori dhe emrin, ajo po shndërrohej në suksesin më të madh të integrimit, teksa po shembeshin kufijtë e përbashkët. Me zgjerimin e integrimit, po zgjerohej dhe territori i aplikimit të saj. Por, një retorikë politike gjithnjë e në rritje, ka arritur t’i transferojë kësaj marrëveshje një sërë problematikash, që lidhen me emigracionin, sigurinë, rendin publik dhe kërcënimin e shtetit social. A po rrezikon realisht Shengen një dobësim drejt fshirjes tërësore të tij ?

Pas çdo zgjerimi, edhe hapësira Shengen shtrihet në territorin e shtetit përkatës. Proces, i cili kryhet pasi janë plotësuar një sërë kriteresh, që lidhen me kapacitetet për të kontrolluar kufijtë e jashtëm dhe për të nxjerrë viza uniform Shengen; kapacitet për bashkëpunim efikas me agjencitë e përforcimit të ligjit me shtetet e tjera pjesë e Shengen, në mënyrë që të mbahet një nivel i lartë sigurie në momentin që kontrolli kufitar ndërmjet vendeve të Shengen të jetë hequr; kapacitet për aplikim të rregullave të brendshme të Shengen, si kontrolli i vijës tokësore, ajrore dhe detare, dhënia e vizave, bashkëpunim policor dhe ruajtja e të dhënave personale; si edhe kapacitet për lidhje dhe përdorim të sistemit SIS. Të gjithë vendet kandidate për në zonën Shengen, bëhen pjesë e një procesi vlerësues përpara anëtarësimit, si edhe më vonë pas anëtarësimit, për të siguruar aplikimin korrekt të legjislacionit.

Aktualisht, në këtë sistem marrin pjesë të gjithë shtetet e Unionit, me përjashtim të Britanisë së Madhe, Irlandës, Rumanisë, Bullgarisë, Qipros dhe Kroacisë. Ndër to, Bullgaria dhe Rumania janë në proces për pranim në zonën Shengen. Shtetet jo pjesë e BE-së, që marrin pjesë në hapësirën Shengen janë, Islanda, Norvegjia, Zvicra dhe Litenshtajni.

Por, përgjatë kësaj dekade është vërejtur një presion politik gjithnjë e në rritje për zbehjen e sistemit Shengen, si një rrezik jo vetëm për nivelin e sigurisë dhe të rendit publik, por edhe ndaj kërcënimit të sistemit social, nga fluksi i lartë i emigracionit.

Në këtë 30 vjetor të krijimit të tij, kreu i KE-së, Junker teksa deklaroi se, Shengen dhe Evropa është akuzuar për të gjithë të këqijat në kohë, si theksoi gjithashtu se:

“ Ne shpesh e kritikojmë Shengen, për shkak të analizave sipërfaqësore. Ne jetojmë në kohët e analfabetizmit politik. Ne duhet t’i bllokojmë rrugën atyre që thonë se, Shengeni duhet rishikuar ”…(…) “Kam lexuar në gazetat franceze, se problemi i imigracionit, është ngushtësisht i lidhur me zbatimin e keq të Shengenit. Nuk ka asnjë lloj lidhje ndërmjet Marrëveshjes së Shengenit dhe mjerimit, që i shtyn imigrantët të vijnë në Evropë”.(…)

Junker bëri thirrje gjithashtu të mos ndiqen ato që : “ Në mënyrë të sipërfaqshme, nëpërmjet keqkuptimit apo vullnetit të keq, do të përpiqen të zhvlerësojnë të gjithë marrëveshjet dhe sukseset e Evropës”

Në fakt Franca, me peshën dhe fuqinë e saj, po përpiqet të influencojë në fjalimin politik publik ndaj rishikimit të kësaj Marrëveshje. Një ndër zërat më propagandues në këtë drejtim është ish Presidenti francez, Nikola Sarkozi. Ai është shprehur vazhdimisht mbi keqfunksionimin e kësaj marrëveshje dhe mbi domosdoshmërinë e rikthimit të kompetencave kombëtare të transferuara në nivel evropian, qeverive të vendeve anëtare. BE sipas, Sarkozi, duhet të rifusë kontrollet e brendshme kufitare, për të kontrolluar më mirë imigracionin. Gjatë kohës që ishte në pushtet Sarkozi kërcënonte gjithashtu në mënyrë të vazhdueshme për dalje të Francës nga Shengeni, në rast se Unioni nuk ashpërsonte politikat ndaj imigracionit.

Në konceptin e prezantuar tashmë nga Sarkozi, Evropa duhet gjithashtu të rresht së besuari në mitin e barazisë së të drejtave dhe të përgjegjësive mes vendeve anëtare. Koncept, që favorizon një Evropë elitare, krejtësisht të distancuar nga pjesa tjetër, me një aks drejtues të fuqishëm politiko-ekonomik Paris-Berlin.

Përveç Francës edhe Italia ka kërkuar vazhdimisht rishikim apo reformim të marrëveshjes Shengen. E gjendur në një fluks të vazhdueshëm imigrantësh, që hyjnë ne territorin e saj dhe nga ana tjetër e përplasur me një logjikë irracionale në nivel evropian, për mos bashkëpunim dhe solidaritet në fushën e shpërndarjes së imigrantëve dhe refugjatëve, Italia po kërcënon me një plan B. Kreu i qeverisë Renzi, ka kërcënuar Unionin se, nëse vendet anëtare të BE-së, nuk bien dakord të rishpërndajnë 24 mijë persona nga toka italiane, Italia do të aplikojë Planin B, që sipas tij do të “lëndojë Evropën”. Ministri i Brendshëm i Italisë Alfano, në mbështetje të deklaratave të kreut të qeverisë Renzi, ka ritheksuar se “ Nëse Evropa nuk është solidare ajo do të përballet me një tjetër Itali. Ne nuk do të pranojmë një Evropë egoiste”.

Përveç Francës dhe Italisë, që kanë kërkuar vazhdimisht një rishikim të Shengenit kësaj ideje i janë bashkëngjitur në kohë edhe shtete si Danimarka apo Holanda. Vendimi i Francës për të rifutur kontrollin e brendshëm kufitar me Italinë në vitin 2011, si edhe vendimi i Danimarkës për të rifutur kontrollet po në të njëjtin vit me Suedinë dhe Gjermaninë, u konsideruan si kriza e parë e hapësirës Shengen. Nga ana tjetër, kjo krizë është përballur edhe me një frenim ndaj politikës së zgjerimit të hapësirës Shengen. Vende të Unionit, si Gjermania, Franca, Holanda dhe Danimarka janë shprehur kundër zgjerimit të hapësirës së Shengenit ndaj vendeve të reja të sapo pranuara në BE, si Bullgaria apo Rumania. Logjika e frenimit bazohej tek niveli i lartë i korrupsionit dhe krimit në këto vende. Fuqia e këtyre shteteve edhe ndaj procesit të vlerësimit, që këto vende të bëhen pjesë e Shengenit, është e padiskutueshme.

Retorika politike ndaj reformimit të domosdoshëm të Shengen ka njohur rritje përgjatë dekadës së fundit. Ndonëse që prej aplikimit të tij, Shengeni ka njohur rifutje të vazhdueshme të pikave të kontrollit kufitar, hapësirë që e lejon vetë Marrëveshja, këto kontrolle janë kryer edhe duke e përjashtuar këtë logjikë (Danimarkë 2011). Nëse ka një presion në rritje ndaj reformimit të Shengenit, një nga pikat që kërkohet është edhe zgjerimi i hapësirës, apo i kritereve për të rifutur kontrollet e brendshme kufitare. Pra, të thjeshtëzohet procesi. Nga ana tjetër, stepja ndaj zgjerimit të mëtejshëm të hapësirës Shengen, mund të ashpërsojë kriteret për vendet e tjera, që mund të anëtarësohen në Union, duke e bërë më të vështirë integrimin e tyre në këtë hapësirë. Gjithsesi, ndonëse ka një vullnet të fortë në nivel evropian për mos tërheqje nga sukseset tashmë të arritura, presionet e vazhdueshme politike edhe në rast kur nuk mundin të ndryshojnë tërësisht sistemin, arrijnë të ushtrojnë presionin e duhur për të dobësuar disa elementë të tij./im.ta/

Share This Article