Epigrame

J L

1

Gjithë jetën do vuash mes dhimbjes e stresit

Po i fale besën të pabesit,

Po i fale besën, po i more mënde

Veten e ke vrarë ti me dorën tënde!…

 

2

Asnjëherë në libër

S’janë shkruar afatet

Po këtu do lahen

Të gjitha mëkatet!…

 

3

Po iu hap dera të ligës

S’ndrin më Hënë e s’ndrin më yll,

Po iu hap dera të ligës

S’ka burrë nëne që e mbyll!…

 

4

Kur vjen sëmundja e djallit

Ti digjesh si zjarri i eshkës

Se vjen me vrapin e kalit

Dhe ikën me hapin e breshkës!…

 

5

Kush me mjaltë të lyen

Dihet, s’të do shumë,

Po dhe kush të gjuan

Bën të njëjtën punë!…

 

6

Çdo gjë përfundon

Në një çast të vetëm

Kur një errësirë

Ta mbulon krejt jetën!…

 

7

Dhe para meje shpeshherë

Këto dy vargje janë shkruar:

“Më mirë kasolle në këmbë

Se sa Kështjellë e rrëzuar!…”

 

8

Dhe vijnë me dritë të rrallë

Dy vargje të tjerë, të thekur:

“Më mirë trumcak e i gjallë

Sesa shqiponjë, po e vdekur!.”

 

9

Ka diçka në jetë

Që nuk do sforcim

Dhe kjo është Mirënjohja,

More miku im!…

 

10

Kur je në të errët

Mos e humb vërtet

Se të ndizet drita

Andej nga s’e pret!…

 

11

Asnjeri në fshat

S’ta hapte shtëpinë,

Po ti nuk lëvizje

Se doje Kadinë!…

 

12

Ta vunë kufirin

Tutje në Virua:

Ti vajzën e Priftit

Kërkoje për grua!…

 

13

Ta vunë kufirin

Te thana me lule

Dhe ti nga inati

Gjithë thanën e shkule.

 

Dhe bëre si bëre

Ece dhe një metër

Po aty, për dreq,

Ishte thana tjetër.

 

Ndaj dëgjo nga unë

Dy fjalë me vlerë:

“Po t’u vu kufiri

S’çan dot asnjëherë!…”

 

14

Kë shtëpinë me gjashtë oxhakë

Gjashtë oxhakë, o miku im,

Pamë e pamë një jet’ të tërë,

Asnjeri nuk nxori tym!…

Share This Article