S’e mësova kurrë…
S’e mësova kurrë prej jetës,
kuptimin e së vërtetës,
pse është lidhur me zinxhira,
jo e keqja-po e mira?!
Pa titull
Toka rënkon e turbullohet,
kur shërbëtori bëhet Mbret,
kur budallai i budallenjve,
me pasurinë e tij të vret.
Kur burrë të mirë merr prostituta,
e hijerëndë rri pastaj,
kur shërbëtorja sfidon Zonjën,
dhe merr për burrë-burrin e saj.
Pa titull
Për një njeri që flet pareshtur,
e frerë në buzë s’di të mbajë,
nuk mund të kini asnjë shpresë,
ka më shumë shpresë te budallai!
Pa titull
Mikut që do me të vërtetë,
mos i bëj lajka asnjëherë,
kështu padashur i ke hapur,
përpara këmbëve një humnerë!
Pa titull
Kur vetë i pari i një vendi,
një të pabesë ka këshilltar,
të gjithë ministrat do t’i bëhen,
sa të pabesë-aq gënjeshtarë…
Pa titull
Nga frika dridhet i pabesi,
në tokë këmbët kurrë s’i mban,
ndërsa i drejti s’trembet kurrë,
i sigurt’ është si një luan…
Pa titull
Mizor tërbimi i njeriut,
dhe zemërimi padyshim,
po xhelozia e një zemre,
nuk mund të ketë krahasim.
Pa titull
E madhe është pesha e gurëve,
dhe rëra që ka gjithësia,
po zemërimi i budallait,
peshon më tepër nga të dyja…
Pa titull
Të shtrenjtë janë xhevahiret,
me ngjyrat e ylberit,
të shtrenjtë janë padyshim,
po jo në qafë të derrit!
Pa titull
Ashtu si shpuzën jep qymyri,
dhe zjarrin drutë s’e shterin,
ashtu dhe buzët grindavece,
të madh e ndezin sherrin.
Pa titull
Lavdia rreth kokës,
si shami e zezë,
jeta e të gjallëve,
nxin si një varrezë!
Pa titull
Kur ra në Botë një errësirë,
Parajsa mbeti shkretëtirë,
ju hap Skëterrës çdo kanat,
se s’kish njeri pa një mëkat.
