Euroskeptikët në bllok kundër Shqipërisë

redaktor

Teksa pritet së shpejti kalimi i projektrezolutës për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, një sërë amendamentesh (163) janë propozuar nga eurodeputetë të ndryshëm. Amendamente, që tërheqin vëmendjen, pasi një pjesë e tyre ose janë haptazi kundër integrimit evropian të Shqipërisë, ose përpiqen të zvogëlojnë rolin e Shqipërisë si faktor rajonal, ose kërkojnë një angazhim dhe vëmendje ndaj lirisë dhe tolerancës fetare në vend. Por, ç’përmbajnë ato dhe kush janë eurodeputetët, që shfaqen kundër integrimit evropian të Shqipërisë ?

Fqinjët tanë, eurodeputetët grekë, shfaqen aktivë përgjatë këtij procesi.

EPITIDEIOS Georgios - 8th Parliamentary term
Epitideios Georgios

Eurodeputeti i “Agimit të Artë”, Georgios Epitideios, është kundër hapjes së negociatave të Shqipërisë me Unionin. Ai kërkon ndër të tjera fshirjen e paragrafit 5 (amendamenti 50), ku inkurajohet Komisioni t’i raportojë Parlamentit dhe Këshillit sa më shpejt që Shqipëria të ketë përparuar në mënyrë të mjaftueshme në reformën e drejtësisë dhe të marrë parasysh, gjithashtu, konkluzionet e kësaj rezolute, kur të konsiderojë rekomandimin e hapjes së negociatave të aderimit.

Epitideios, përgjatë vitit 2015 i është drejtuar Komisionit Evropian me një sërë shqetësimesh ndaj Shqipërisë të ngritura në formë pyetje, dhe që prekin kryesisht qëllimet ekspansioniste të Shqipërisë për t’u bashkuar me Kosovën, të drejtat e dhunuara të minoritetit grek në Shqipëri, rrezikun e një vendi kandidat si Shqipëria që të drejtohet nga një parti Islamike dhe rrezikun e xhihadistëve shqiptarë në kontekstin e luftëtarëve të huaj. Duke kërkuar në këtë mënyrë që Komisioni Evropian të shprehet se çfarë pasojash do të ketë në lidhje me këto problematika të Shqipërisë, në kuadrin e integrimit të mëtejshëm të saj në BE.

Dhe përgjigjet e Komisionit Evropian, ndaj shqetësimeve të ngritura mbi Shqipërinë nga Epitideios, orientohen sa tek ndjekja dhe monitorimi i Shqipërisë si një vend kandidat, por theksi vihet edhe tek detyrimi që ka Shqipëria t’i qëndrojë angazhimeve të saj për bashkëpunim rajonal dhe marrëdhënie të mira fqinjësie me fqinjët, duke u theksuar se këto dy pika janë edhe elementë thelbësorë në procesin e integrimit evropian. Ndër të tjera fokusi vihet edhe tek detyrimi për të zgjidhur marrëdhëniet dypalëshe sa më shpejt të jetë e mundur. Duke krijuar hapësirë për nënkuptim se nëse këto çështje nuk zgjidhjen në faza të hershme, ato mund të shndërrohen në problematika bllokuese. Shembujt janë aktualë dhe kanë konfirmuar se kanë forcën që të dalin edhe nga kornizat e angazhimeve paraprake mes palëve, për mos bllokim të njëri-tjetrit përgjatë fazës integruese.

Por, duhet marrë parasysh se deputetët e “Agimit të Artë” në Parlamentin Evropian, nuk janë pjesë e ndonjë grupimi politik, dhe roli si edhe pesha e tyre, nuk kanë të njëjtën përmasë si qenia pjesë në grupimet e mëdha që njeh PE. Gjithsesi, kur këto zëra të politikës greke, bashkohen me krahët e tjerë politikë, atëherë pesha e ndikimit sigurisht që merr të tjera përmasa.

KEFALOGIANNIS Emmanouil -
Manolis Kefalogiannis

Një tjetër eurodeputet grek i “Demokracisë së Re”, Manolis Kefalogiannis pjesë e PPE-së, ndryshe nga eurodeputeti i Agimit të Artë që nuk është pjesë e ndonjë grupi, kërkon gjithashtu ndërhyrje në thuajse 14 amendamente. Ndër to më i rëndësishëm shfaqet amendamenti 51§5 që lidhet me mundësinë e rekomandimit për hapjen e negociatave. Kefalogiannis kërkon fshirjen e pjesës ku pasqyrohet orientimi për “marrjen parasysh të konkluzioneve të projektrezolutës në rekomandimin për hapjen e negociatave”.  Po e njëjta fshirje kërkohet (amendamenti 2) edhe ndaj referimit që projektrezoluta ka ndaj Konkluzioneve të Samitit të Ballkanit Perëndimor, të Vjenës 2015. Për rikujtesë Samiti i Vjenës, në kuadrin e vijimit të procesit të Berlinit, rithekson perspektivën evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Edhe Kefalogiannis, njësoj si Epitideios, përgjatë vitit 2015 i është drejtuar Komisionit Evropian me një sërë pyetjesh ku shfaq shqetësimet ndaj Shqipërisë, si në lidhje me çështjen e shumëpërfolur të detit, çështjen e Shqipërisë së Madhe, të drejtave të minoritetit, cenimin e lirisë së fesë dhe të institucioneve të saj (prishja e kishës ortodokse të Dhërmiut)  etj, duke kërkuar të dijë se si këto problematika do ta prekin avancimin e mëtejshëm të Shqipërisë në Union.

Nikolaos ANDROULAKIS -
Nikos Androulakis

Përveç Kefalogiannis, pjesë e PPE-së, kemi edhe anëtarin e PASOK-ut, Nikos Androulakis pjesë e familjes Social-Demokrate në PE. Androulakis, kërkon gjithashtu një ndërhyrje në 6 amendamente, me një fokus të veçantë në tre prej tyre, kryesisht ndaj lirisë fetare dhe respektimit të institucioneve të tyre, si edhe mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve në Shqipëri. Por, ndryshe nga kolegët e mësipërm, kur i është drejtuar Komisionit Evropian pas shembjes së Kishës së Dhërmiut, nuk i kërkon mënyra për bllokimin e hapësirës integruese ndaj Shqipërisë, por thjesht ç’veprim mund të ndërmarrë Komisioni në mënyrë që liria e fesë të respektohet dhe kisha të rindërtohet sërish.

 

Fabio Massimo CASTALDO -
Castaldo
Ignazio CORRAO
Corrao

Përtej fqinjëve tanë grekë, kemi edhe fqinjët italianë të Lëvizjes 5 Yjet, Fabio Massimo Castaldo dhe Ignazio Corrao. Pjesë e grupimit Evropa e Lirisë dhe e Demokracisë Direkte në PE, ato kërkojnë ndërhyrje në projektrezolutë nëpërmjet amendamentit 99, në mënyrë që të evidentohet dhe të theksohet fakti se Shqipëria është një vend islamik, ku 57,6% sipas tyre janë islamë. Por, ato kërkojnë gjithashtu modifikime në amendamentin 77, por me pretendime që shfaqen krejtësisht irreale, se “Që prej vitit 2013, krimi i organizuar ka qenë përgjegjës për më shumë se, 200 sulme me bomba, kundër figurave drejtuese institucionale ose bashkëshorteve të tyre” (!?)  

Por, përveç eurodeputetëve të mësipërm italianë, kemi edhe dy eurodeputetë francezë të cilët kërkojnë të bllokohet integrimi i mëtejshëm i Shqipërisë në BE.

SCHAFFHAUSER Jean-Luc
Jean-Luc Schauffaser
Marielle DE SARNEZ
Marielle De Sarnez

Jean-Luc Schauffaser, i koalicionit të Frontit Nacional francez, pjesë e grupimit të Evropës së Kombeve dhe Lirisë në PE, kërkon braktisjen e menjëhershme të negociatave me Shqipërinë, për shkak të konkluzioneve të këtij raporti. (amendamenti 33).

Ndërsa eurodeputetja franceze, Marielle de Sarnez, pjesë e grupit të Liberal Demokratëve në PE, aprovon angazhimin e shprehur të Komisionit Junker në nisjen e punës së tij, për pauzë në procesin e zgjerimit, në mënyrë që të konsolidohet ajo çfarë është arritur deri më tani në BE-28 (amendamenti 55). Në të njëjtën logjikë ajo kërkon edhe fshirjen e mundësisë për hapjen e negociatave me Shqipërinë (amendamenti 18).

Përveç pretendimeve të mësipërme, kemi edhe kërkesa të tjera që spikasin, si p.sh, ajo e eurodeputetit bullgar, pjesë e grupit të konservatorëve dhe reformistëve në PE, Angel Dzhaumbarki, që kërkon që Shqipëria të njohë minoritetin bullgar në vend.

Ndër të tjera kemi edhe një tendencë, që vihet re tek kërkohet heqja e shprehjeve, togfjalëshave apo cilësimeve inkurajuese, apo përgëzuese ndaj palës shqiptare në lidhje me çështje të ndryshme. Duke nisur nga roli i saj konstruktiv në rajon, fqinjësia e mirë, liria fetare dhe bashkëjetesa harmonike mes feve të ndryshme, apo edhe përgëzimi për zhvillimin pa incidente të paradës së fundit të LGBT-së.

Është për t’u veçuar ndër të tjera në këtë projektrezolutë edhe shtimi i paragrafit 10 (amendamenti 92) i kërkuar nga eurodeputeti Eduard Kukan dhe që lidhet me ngjarjet e 21 Janarit, ku ripërsëritet thirrja ndaj autoriteteve kompetente për të proceduar me dhënien e drejtësisë, për viktimat e ngjarjes së 21 Janarit.

Projektrezoluta mbi progres raportin 2015, që pritet të kalojë së shpejti në Komisionin e Jashtëm të PE-së, është vlerësuar si një nga më të mirat, që ka njohur vendi. Edhe pse sfidat janë të shumta, progresi i Shqipërisë vlerësohet i qëndrueshëm në lidhje me reformat në prioritetet kyçe, që kërkohen për hapjen e negociatave. Duke inkurajuar qeverinë shqiptare të mbajë ritmin e reformave, me një theks të rëndësishëm ndaj reformës në drejtësi.

Edhe pse euroskeptikët pozicionohen vazhdimisht në bllok kundër Shqipërisë, zëri i tyre sigurisht që bllokohet përgjatë procesit në vijim. Por, rëndësia e evidentimit të tyre, qoftë dhe i zërave të tjerë që i përkasin familjeve të mëdha politike, shkon ndaj kujtesës për të mos harruar se çfarë hapash ndërmarrin, çfarë synojnë dhe kush janë pikat, apo problematikat që ekspozojnë./im.ta/ 

 

 

 

 

 

Share This Article