Evropa dhe monitorimi i demokracisë në BE

redaktor

Për herë të parë, në të gjithë historikun e krijimit dhe të funksionimit të Bashkimit Evropian, po shkohet drejt ngritjes së një mekanizmi, që duhet të monitorojë funksionimin e demokracisë dhe të shtetit të së drejtës, për çdo vit në vendet anëtare. Ky monitorim ekziston përgjatë fazës së anëtarësimit dhe në momentin që vendet bëhen anëtare të Unionit, ky mekanizëm rresht së funksionuari. Por, ç’po ndodh në Union dhe pse po shkohet drejt monitorimit të shtetit të së drejtës, në vendet e Bashkimit Evropian ?
Hungaria nën drejtimin e Viktor Orban që prej vitit 2010 dhe Polonia me ardhjen në pushtet të Kaçjinskit në vitin 2015, janë shndërruar në fenomene problematike për Unionin. Retorika dhe veprimet e tyre politike, kanë shkaktuar përkeqësim të parametrave demokratikë në vend, duke ndikuar jo vetëm në zhbalancimin e ekuilibrit të ndarjes së pushteteve, i pasuar me dominimin apo kontrollimin e tyre, por ky përkeqësim është vërejtur edhe ndaj respektimit të të drejtave themelore. Përveç dy vendeve që po spikasin në këtë kuadër, në mënyrë sporadike kemi edhe akte të veçuara politike, në vende të ndryshme anëtare, që dalin nga korniza e respektimit të vlerave themelore.
Çdo vend anëtar i Unionit duhet të zbatojë si traktatet e Unionit, si Kartën e të Drejtave Themelore, por edhe një sërë dispozitash juridike, që burojnë nga këto traktate. Në rast se një vend anëtar, shmanget nga kuadri i zbatimit të tyre, duke i dhunuar ato, Unioni ka në dispozicion të tij një sërë instrumentesh, që bëjnë të mundur zbatimin e tyre. Komisioni Evropian, si gardian i traktateve, ka fuqi t’i kërkojë shteteve anëtare, që të zbatojnë të drejtën, që buron nga fryma legjislative e Unionit.
Por, kur bëhet fjalë për zbatimin e detyrimeve, që rrjedhin nga këto traktate në fushën e demokracisë, të shtetit të së drejtës, dhe të drejtave themelore, vende të caktuara janë shfaqur problematike për t’iu bindur legjislacionit, që imponon BE. Pra, tentativat e Komisionit Evropian, që t’iu imponojë shteteve të qëndrojnë brenda kuadrit ligjor që imponon BE, kanë dështuar. Kjo edhe për shkak se fuqia që disponon Komisioni Evropian, është deri diku e kufizuar. Në rast se shteti anëtar, refuzon në vazhdimësi të veprojë në përputhje me kuadrin ligjor të BE, atëherë procedura penalizuese njeh si shkallë të fundit, përdorimin e nenit 7 të Traktatit të Bashkimit Evropian. Edhe ky instrument i fundit rekursi, shfaq një vështirësi të madhe për t’u aprovuar, pasi kërkohet një votim unanim në gjirin e Këshillit Evropian. Përveç votimit unanim, problematika në lidhje me këtë procedurë penalizmi lidhet edhe me faktin se mund të ketë një reagim negativ nga qytetarët e vendit në fjalë, pasi kjo do të përkthehet nga politikanët vendas, si penalizëm i vendit nga BE dhe jo nga politikat konkrete qeveritare. Një tendencë, që vjen e konfirmuar nëpërmjet shembullit austriak dhe logjikës së aplikimit të sanksioneve diplomatike, ndaj futjes në qeveri të partisë së ekstremit të djathtë të Hajderit në Austri (FPO), në vitin 2000.

Përveç procedurës së mësipërme, BE nuk disponon asnjë mekanizëm juridik detyrues, që i lejon të verifikojë në mënyrë periodike, respektimin e vlerave dhe të drejtave themelore në vendet anëtare. Sigurisht që BE ka një sërë instrumentesh, që shërbejnë për sigurimin e zbatimit të parimeve të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të lirive themelore, por ato vlerësohen se kanë boshllëqe, nuk janë efikase, kanë qasje të kufizuar dhe nuk kanë fuqi imponimi.

Shembulli refuzues sistematik dhe sjellja kokëforte e qeverive hungareze dhe polake, për t’iu bindur frymës ligjore demokratike, që imponohet nga instrumentet e Unionit, dëshmojnë mbi mungesën e një mekanizmi të vërtetë funksionues në BE. Do të ishte përgjatë vitit 2015, ku për herë të parë Parlamenti Evropian, do t’i kërkonte Komisionit, të propozonte ngritjen e një mekanizmi për të monitoruar demokracinë, shtetin e së drejtës dhe liritë themelore për çdo vit në BE, në mënyrë që ato të ishin në përputhje me traktatet evropiane dhe Kartën e të Drejtave Themelore, që çdo vend anëtar i ka nënshkruar.
Propozimi, që pritet të kalojë në fazat përkatëse të miratimit, ka marrë formën e një mekanizmi të qartë. Por, si do të funksionojë ky mekanizëm dhe a do të mund t’i detyrojë ai vendet anëtare të Unionit që të korrigjojnë situatën, kur konstatohen kërcënime të rënda të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe lirive themelore ?

Për të shmangur ndryshimin e traktateve, çka imponon zgjatje në kohë, mekanizmi do të ketë formën e një marrëveshje ndërinstitucionale, në kuadrin e një Pakti të Unionit për Demokracinë Shtetin e së Drejtës dhe të Drejtave Themelore (DRF). Çdo vit, në kuadrin e këtij Pakti, do të ketë një monitorim të situatës demokratike, të shtetit të së drejtës dhe të lirive themelore në çdo vend të BE, që do të vijë në formën e një raporti evropian. Ky raport vjetor, do të përfshijë rekomandime specifike për çdo vend, duke marrë parasysh raportet e hartuara nga Agjencitë Evropiane të të Drejtave Themelore, Këshillin e Evropës dhe autoritetet e tjera përgjegjëse në këtë fushë. Ky raport, që do të shërbejnë si mekanizëm sinjalizimi, do të shoqërohet me një debat në Parlamentin Evropian dhe do të ndjekë një cikël politik në gjirin e institucioneve të Unionit. Raporti, do të përpilohet nga Komisioni Evropian, pas konsultimit me panelin e ekspertëve të pavarur dhe do të përmbajë dhe një seksion rekomandimesh mbi një sërë aspektesh si: ndarja e pushteteve, ekuilibrin institucional të pushteteve, lirinë dhe pluralizmin e medieve, promovimin e hapësirës civile dhe mekanizmave efikas për dialogun civil, të drejtën për pjesëmarrje demokratike aktive dhe pasive të qytetarëve dhe lirinë për të krijuar parti politike, sigurinë juridike, ligjshmërinë, parandalimin e abuzimeve apo abuzimeve të pushtetit, barazia para ligjit dhe diskriminimi, aksesi në drejtësi, pavarësia dhe paanshmëria e tij, procesi i drejtë, drejtësia kushtetuese, pavarësia dhe profesioni i juristëve, korrupsioni, konflikti i interesave, etj.

Paneli i ekspertëve të pavarur, do të analizojë të gjithë elementët e mësipërm në çdo vend anëtar duke evidentuar shkeljet, dhunimet dhe rreziqet potenciale. Ky analizim do të kryhet në mënyrë anonime dhe të pavarur, në mënyrë që të ruhet pavarësia e tyre si edhe objektiviteti i raporteve. Pas kryerjes së raportit, do të organizohet debati parlamentar që vjen nëpërmjet një dialogu të strukturuar mes parlamentit, parlamenteve kombëtare, Komisionit, Këshillit, shoqërisë civile, Këshillit të Evropës dhe agjencive të tjera pjesëmarrëse, duke u përmbyllur me miratimin e një rezolute. Më pas Këshilli duhet të mbajë një debat vjetor, duke ftuar parlamentet kombëtare të përpunojnë një përgjigje ndaj raportit, propozime apo reforma. Në bazë të këtij raporti, Komisioni mund të vendosë ndërmarrjen e një veprimi ligjor për dhunim sistematik, duke përfshirë shumë dosje me shkelje. Komisioni, mund të vendosë të prezantojë një propozim vlerësues, të vënies në jetë nga shtetet anëtare të politikave të Unionit në fushën e lirisë, të sigurisë dhe të drejtësisë. Nëse vendi anëtar, reagon në përputhje me çfarë i rekomandohet, atëherë nuk ndërmerret asnjë veprim shtesë. Por, nëse vendi anëtar merr një vlerësim negativ, atëherë Komisioni angazhohet pa vonesë në një dialog me shtetin anëtar, duke marrë parasysh rekomandimet e bëra. Nëse rekomandimi, përfshin një analizë të panelit të ekspertëve, ku evidentohet një rrezik i dukshëm i mungesave të rënda ndaj vlerave të mësipërme dhe se ekzistojnë mjaftueshëm arsye për të kërkuar aktivizimin e nenit 7 të Traktatit të BE-së, Parlamenti, Këshilli dhe Komisioni do të ekzaminojnë situatën në afatin e duhur, duke dalë me një vendim të motivuar, që bëhet publik.

Në tërësi, mekanizmi i propozuar, synon të bashkojë dhe të organizojë të gjithë instrumentet dhe procedurat ekzistuese, me qëllim hapjen e rrugës për aktivizimin e Nenit 7, që penalizon vendin anëtar, i evidentuar dhe i faktuar, si dhunues sistematik i këtyre parimeve. Pra, Pakti synon të futë në veprim Nenin 7, duke krijuar mbështetjen e duhur për aktivizimin e tij. Rëndësia e këtij mekanizmi, qëndron tek fakti se, do të zgjerohet gama e monitorimit të funksionimit të demokracisë në çdo vend anëtar, duke bërë të mundur parandalimin e akteve, që dalin nga korniza ligjore e shtetit të së drejtës. Edhe pse mund të konsiderohet si një element regresi, fakti që BE pas rreth 60 vitesh ekzistencë, detyrohet të vendosë një mekanizëm monitorimi demokratik për vendet anëtare, ngritja e këtij mekanizmi duhet konsideruar si element pozitiv duke marrë parasysh se, asnjë sistem demokratik nuk ka mundur dot të ruajë standardet e tij optimale, në kontekste krizash të shumëfishta.

Im.Ta.

DITA

Share This Article