Evropa është vetëm për evropianët

redaktor

“Hello, Dictator” do t’i drejtohej kreu i KE-së Junker, kryeministrit hungarez Viktor Orban në prani të shtypit, që po ndiqte Samitin e Partneritetit Lindor, në muajin maj në Letoni. Tek nuk u kuptua përgjigja e kthyer nga Orban, stili sa popullor por edhe i rafinuar diplomatik i kreut të KE-së, Junker, konfirmoi nëpërmjet humorit realitetin e hidhur të Hungarisë nën drejtimin e Orban. Ç’po ndodh me Hungarinë dhe a po reagon realisht BE ndaj përkeqësimit të vazhdueshëm të demokracisë dhe të drejtave të njeriut ?

Që prej ardhjes në pushtet të Viktor Orban në vitin 2010, dhe rikonfirmimit të tij më 2014, Hungaria po shkon drejt përkeqësimit të vazhdueshëm të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore. Sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut po vazhdojnë të përkeqësohen, me një presion në rritje kundër medias dhe shoqërisë civile, me një diskriminim të hapur kundër minoriteteve etnike dhe atyre fetare. Liria e shprehjes së medias është kryqëzuar nga vendimet e gjykatave, ndërsa ligji mbi taksimet diskriminon haptazi kompanitë mediatike të pavarura. Autoritetet kanë shënjestruar organizata të shoqërisë civile, nëpërmjet kontrolleve të befta financiare, nisje të procedimeve penale ndaj tyre si edhe diskriminim dhe ulje të figurës së tyre publikisht. Komuniteti Rom vazhdon të përballet me diskriminim sistematik, nëpërmjet sulmeve të hapura dhe dëbimeve me forcë. Ndërsa, imigrantët dhe azilkërkuesit përballen me burgosje të vazhdueshme administrative.

Nën panoramën përkeqësuese të mësipërme, së fundmi, autoritetet hungareze kanë filluar të ndërtojnë një mur izolues në kufi me Serbinë, i konsideruar si “Muri i Turpit”, për të frenuar sipas tyre fluksin e lartë të imigrantëve në vend. Këtë fundjavë që sapo kaloi, kreu i qeverisë Orban në ndjekje të linjës së tij politike ksenofobe dhe izoluese, nuk ngurroi të lidhte sërish imigracionin me terrorizmin, “Ka një lidhje të qartë mes imigracionit ilegal, që vjen në Evropë dhe shpërndarjes së terrorizmit” (…) “Evropa duhet të ngelet për evropianët”.

A po reagon BE ? 

Kjo situatë e përkeqësuar demokratike, ka detyruar së fundmi Parlamentin Evropian t’i kërkojë Komisionit Evropian ngritjen e një mekanizmi për survejimin e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut për çdo vit në BE. Një mekanizëm që do të mundësojë monitorimin e demokracisë jo vetëm para anëtarësimit të një vendi anëtar në BE, por edhe pas tij. 

Kërkimi për ngritjen e këtij mekanizmi monitorues nuk vjen rishtazi. PE, e ka hedhur këtë ide edhe më herët, që me rezolutën e dhjetorit 2012 ku kërkohej ngritja e një mekanizmi monitorues dhe një sistemi paralajmërues, si edhe mundësia e një procedure ngrirje, për të siguruar se shtetet anëtare me kërkesë të institucioneve të BE-së, të pezullojnë adoptimin e ligjeve të dyshuara se, bien ndesh me të drejtat themelore dhe vlerat e Unionit. Kjo iniciativë u rihodh sërish më 2014, me propozimin për ngritjen e një mekanizmi të ri të Kopenhagenit për të monitoruar situatën në shtete anëtare të caktuara, nëpërmjet një procesi të rregullt dhe objektiv, që përfshinte edhe pjesëmarrjen e një sërë institucionesh, si Agjencinë e të Drejtave Themelore, Komisionin, Këshillin, PE dhe parlamentet kombëtare.

Në mars 2014, Komisioni Evropian doli me iniciativën e një “Kornizë të re të BE-së për fuqizimin e sundimit të ligjit”. Kornizë, që synonte të adresonte dhe zgjidhte situatat e kërcënimit të vazhdueshëm të sundimit të ligjit, nëpërmjet një dialogu të strukturuar mes Komisionit dhe shtetit anëtar në fjalë, duke përfshirë një vlerësim të Komisionit, një rekomandim dhe ndjekje për respektim të rekomandimit. Shkëmbimi në fazën fillestare do të mbahej konfidencial dhe në një fazë të dytë, Komisioni do të dilte me një sërë rekomandimesh ligjore, nëse konkludohej në prova të mjaftueshme për një kërcënim dhe në rast se autoritetet përkatëse nuk ndërmarrin masa për të korrigjuar situatën. Në këtë fazë këto rekomandime do të bëheshin publike. Në fazën e tretë,  Komisioni do të monitoronte zbatimin e rekomandimeve nga shteti anëtar. Në rast se, rekomandimet nuk respektoheshin brenda një afati kohor të caktuar, Komisioni atëherë do të vlerësonte mundësinë e aktivizimit të mekanizmit sanksionues, që çon në aplikimin e nenit 7 të TEU.

Por, a ia ka dalë Brukseli të zgjidhë problemin e përkeqësimit demokratik në vendet e tij anëtare, që prej ngritjes së këtij mekanizmi ?

Nëse i referohemi vlerësimit, që vjen nga raporti i Human Right Watch për Hungarinë (2015) ai nuk është aspak pozitiv. Sipas këtij raporti, Brukseli nuk ka bërë asgjë për përmirësimin e situatës, duke evidentuar sërish ligjet dhe praktikat e miratuara nga kryeministri hungarez në dhunim të të drejtave themelore. HRW i kërkon Unionit veprime konkrete dhe të forta për të mbrojtur të drejtat e njeriut brenda kufijve të tij. Si vend anëtar i Unionit, Hungaria duhet të njehsohet me detyrimet rajonale dhe ndërkombëtare, duke përfshirë ndër të tjera: Dhënien fund të fushatës kundër organizatave jo-qeveritare; Rikthim të pushtetit Gjykatës Kushtetuese; Sigurimin e pavarësisë gjyqësore; Rikthimin e pavarësisë medias nga autoritetet qeveritare; Anulim të ndryshimeve kushtetuese, që kriminalizojnë të pastrehët; Sigurimin e të drejtës e votës për çdo qytetar, pavarësisht problemeve të paaftësive fizike; Dënimin publikisht të fjalimeve të urrejtjes ndaj romëve dhe çifutëve, etj.

Në fakt, situata shfaqet më problematike pasi nga njëra anë, është vullneti në parim për respektim të ligjeve dhe vlerave të Unionit dhe nga ana tjetër është vullneti në praktikë për respektim të tyre dhe votim në unanimitet për ndëshkim ndaj shtetit të caktuar anëtar.

Por, këtu hyjmë në një fushë komplekse, ku përcaktimi i kritereve është i gjerë, jo shumë preciz dhe krijon hapësirë interpretuese. Kjo hapësirë shkon nga karakteri i përhershëm dhe i vazhdueshëm, që duhet të ketë thyerja e ligjeve të BE-së, deri tek pesha dhe rëndësia si masë përcaktuese e kësaj thyerje të vazhdueshme. Pa përmendur rastet e thyerjeve individuale, që mund të adresohen për zgjidhje si në gjykatat e brendshme kombëtare, GJEDNJ apo Gjykata Evropiane e Drejtësisë. Kompleksiteti shtohet edhe në momentin që deklaratat dhe veprimet e qeverisë hungareze janë të luhatshme, të paqëndrueshme dhe premtojnë terren për zmbrapsje tek përballen me presionin evropian. Nga ana tjetër studime të PE-së, kanë konfirmuar se stepja për aplikimin e këtij sanksionimi, lidhet edhe me një impakt negativ në opinionin publik, që mund të çojë në rritjen e mbështetjes popullore ndaj qeverisë, si edhe në shtimin e nivelit të euroskepticizmit. Gjithsesi, pavarësisht këtij frenimi, dy rastet e njohura të presionit për sanksionim në nivel evropian ndaj Austrisë dhe futjes në koalicionin qeveritar të ekstremistëve të FPO-së (2000), por edhe ndaj Italisë dhe futjes së mundshme në qeveri të Lega Nord, kanë rezultuar të suksesshme, duke imponuar respektim të vlerave dhe parimeve themelore të Unionit./im.ta/

 

Shkrime të tjera:

Hungaria në krizë demokratike, BE monitorim të situatës

Merkel në Hungari, frikë për rrëshqitje të vendit drejt Rusisë

Alarmi i BE-së dhe rrëshqitja e Hungarisë drejt ekstremit të djathtë

 

 

 

 

 

 

 

Share This Article