Krizat e njëpasnjëshme që po kalon Unioni, po transferojnë problematikat e tyre drejt ekzistencës së Shengenit. Një sërë bisedimesh kanë nisur të kryhen mes pesë vendeve të Unionit, Gjermani, Belgjikë, Holandë, Luksemburg dhe Austri. Synimi duket se është krijimi i një zone të lëvizjes të lirë, “Mini-Shengen” mes tyre. Pra, qëndrimi në bërthamën fillestare të krijimit të Shengenit (1985), por pa Francën. Në vend të Francës, në bisedime figuron Austria. Por, përse kjo iniciativë dhe a rrezikohet realisht lëvizja e lirë Shengen ?
Në fakt kemi dy momente, që po godasin fort Unionin në një kohë relativisht të shkurtër. Të dy këto kriza, kanë shënjestruar sistemin e lëvizjes së lirë Shengen, si ndër arsyet kryesore të këtyre problematikave.
Së pari, kemi nisjen e krizës së refugjatëve, që ekspozoi një pjesë të mirë të vendeve të Unionit, por edhe vetë Unionin, tërësisht të papërgatitur për t’u përballur në mënyrë efikase me të. Përplasjet, refuzimet, mos gjetja e gjuhës së përbashkët në nivel evropian, u shoqërua me një sërë reagimesh zinxhir, me karakter të brendshëm shtetëror. Gradualisht filloi ngritja e barrierave kufitare mes vendeve anëtare si Hungari, Austri, Slloveni, Sllovaki, Kroaci, Republikë Ceke, etj.
Por, a është realisht faji i Shengenit, që po prodhon krizën e refugjatëve ? Logjika e refuzon këtë argument. Ndonëse, politikat shtetërore të vendeve anëtare po fajësojnë gjithnjë e më shumë lëvizjen e lirë dhe sistemin e Shengenit, si shkaktare të kësaj krize të paprecedentë, arsyeja duhet kërkuar sa tek konteksti ndërkombëtar i krizave dhe roli i politikës së jashtme të Unionit në skenën ndërkombëtare, po edhe aq tek mungesa e vullnetit evropian për të gjetur përfundimisht një zgjidhje, në lidhje me rregulloren e Dublinit, pritjen, menaxhimin dhe shpërndarjen e barabartë të kuotave të azilkërkuesve në të gjithë vendet e Unionit. Vetëm pak ditë më parë vetë shefja e diplomacisë së BE-së, Mogerini, do të deklaronte se “është një turp që Evropa panikohet nga qindra refugjatë”.
Së dyti, aktet e fundit terroriste në Paris, imponuan kontroll të përforcuar kufitar të Francës, si edhe të Belgjikës. Por, këto kontrolle kufitare janë shtrirë edhe në vendet fqinjë të Belgjikës, si Holanda dhe Gjermania. Por, a është Shengeni sërish fajtor për çka ka ndodhur herët e fundit në Francë ? Në fakt, ka një argument shumë interesant, që është ofruar nga kreu i KE-së, Junker gjatë fjalës së tij në Bozar, vetëm disa ditë më parë. Ai do të përmendte hipokrizinë e shefave të shteteve dhe të qeverive, që bëjnë viktimën e dështimit të sistemit, për të cilin ato vetë janë përgjegjës. Pra, a mund të fajësohet Shengeni, në lidhje me konstatimet e fundit se një pjesë e mirë e terroristëve më të kërkuar bredhin lirisht në hapësirën evropiane ? Nëse bazohemi te argumentet e ofruar nga Junker, kjo gjë është e pamundur, pasi barra i ngelet shteteve anëtare, që nuk kanë venë aspak në zbatim vendimet, që ato vetë kanë marrë. Bëhet fjalë për vendime të marra menjëherë pas ngjarjeve të Charlie Hebdo, por aspak të zbatuara në terren.
Edhe mbledhja e fundit e jashtëzakonshme e kësaj të premte e Këshillit të ministrave të brendshëm dhe të drejtësisë së vendeve anëtare (JAI), konsiderohet se nuk kishte pse të kryhej, kur ato vendime ishin tashmë aty. Ajo çka mungonte ishte thjesht zbatimi i tyre! Terroristi arriti të kalojë tre postblloqe policorë franceze, gjatë itinerarit të tij për në Belgjikë. Dhe kjo për faktin e thjeshtë se nuk u zbatua orientimi evropian për konsultime të bazës së të dhënave, pasi personi në fjalë ishte tashmë i skeduar, nga autoritetet e drejtësisë së Belgjikës. Praktika ka treguar se gjatë kontrolleve sporadike të identiteteve brenda hapësirës evropiane, ka shumë pak ose aspak konsultim të bazës së të dhënave, e cila furnizohet sistematikisht edhe pse njeh jo pak probleme bashkëpunimi në këtë fushë. Vendimi, që u mor gjatë mbledhjes së fundit të JAI, përforcon aspektin detyrues, pra imponon “konsultim të detyrueshëm të bazës së të dhënave kombëtare dhe evropiane”. Aktualisht ky kontroll ekziston, por që është sipërfaqësor, i bazuar vetëm në kontrollin rutinë të identitetit, pa konsultim të bazës së të dhënave.
Pra, si përgjatë krizës së parë të refugjatëve, por edhe përgjatë krizës së dytë të akteve të vazhdueshme terroriste, ndonëse kemi një shënjestrim apo transferim të problematikës ndaj ekzistencës së sistemit Shengen, realiteti shfaqet krejtësisht i ndryshëm. Argumentet për fajësimin e tij kanë një terren të paqëndrueshëm. Por, si mund t’i lexojmë lëvizjet e fundit të pesë shteteve evropiane, për krijimin e një zone bërthame Mini-Shengen ?
Lëvizja e lirë është një nga pikat dhe shtyllat më të fuqishme të ndërtimit evropian. Ajo është shndërruar në një nga simbolikat më të forta të ekzistencës së Unionit Evropian. Më tepër se sa, kthim në pikën e origjinës, të një bërthame ku qytetarët e pesë shteteve të mund të qarkullojnë lirshëm mes tyre, ajo duket se ka marrë rolin e një mjeti presioni. Presion që mund të shërbejë nga njëra anë, si nxitës reflektimi ndaj vendeve të Visegradit, që janë shndërruar në një bllok refuzues bashkëpunimi, duke bllokuar sa kufijtë, por edhe politikat e bashkëpunimit ndaj krizës së refugjatëve. Hungaria, Republika Çeke, Polonia dhe Sllovakia e kanë shprehur tashmë alarmin e tyre, mbi kryerjen e këtyre bisedimeve. Sigurisht që ato kanë shumë për të humbur, në rast të shpërbërjes së hapësirës Shengen.
Por, nga ana tjetër, ky mjet presioni duket se vlen edhe ndaj vendeve të veçanta të Unionit, për të përcjellë një mesazh të fortë se më shumë se kurrë në këto momente krizash, politikat e Unionit duhet të jenë të unifikuara. Pra, vërehen tendencat politike të presionit, që luhaten mes dy mekanizmave, mohues dhe pohues. Nga njëra anë Komisioni e mohon këtë lëvizje, por ministrat e Holandës dhe të Gjermanisë e konfirmojnë ekzistencën e bisedimeve. Nga ana tjetër, Gjermania ndonëse konfirmon ekzistencën e bisedimeve, mohon planet për “shembjen” e sistemit Shengen, por nga ana tjetër, kreu i KE-së Junker konfirmoi sërish së fundmi, se Evropa e dy shpejtësive është plan i pashmangshëm. Ndonëse kjo periudhë mund të konsiderohet si një ndër më delikatet, që ka përfshirë Unionin, BE ka më shumë nevojë se kurrë për qëndrim të unifikuar. Presionet janë të forta dhe skicimi i planeve rezervë, shfaqet sa i nevojshëm në kuadrin e një presioni për t’iu rikujtuar vendeve anëtare, se çfarë ato mund të humbasin realisht, por nuk mund të mohohet, siç edhe kriza e fundit greke e konfirmoi, se ato shërbejnë edhe si mekanizëm rezervë, për t’u aplikuar në rast përballje të pashmangshme me një sistem, që nuk funksionon më./im.ta/
