Kriza e refugjatëve po vazhdon të thellojë përçarjet mes vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Samiti i fundit i liderëve të BE-së, (18/19.02) nuk ishte produktiv ndaj një zgjidhje të përshtatshme dhe të përbashkët në bllok. Orientimi i këtij Samiti për zgjidhje fokusohej ndaj një marrëveshje me Turqinë dhe në avancimin për krijimin e një trupe evropiane, që do të mundësojë ruajtjen e përbashkët, të kufijve të jashtëm të Unionit. Edhe mbledhja e djeshme (25.02) e Ministrave të Brendshëm dhe të Drejtësisë të Unionit, nuk solli ndonjë risi. I vetmi element që spikat dhe priten avancime të mëtejshme është krijimi i trupave ruajtëse evropiane, që siç edhe kërkonte Samiti i liderëve të BE-së, duhet të realizohet brenda muajit korrik 2016.
Përçarja mes vendeve evropiane mund të thuhet se ka arritur kulmin e saj. Pas distancimit të Austrisë, Konferenca e fundit e zhvilluar në Vjenë (24.02) me vendet e Ballkanit Perëndimor, me synim menaxhimin e përbashkët të migrimit, ka shënuar përkeqësim të mëtejshëm në zbatimin e detyrimeve juridike ndaj ligjeve ndërkombëtare, që kanë këto shtete. Duke thyer në disa pika zbatimin e këtyre të drejtave. Ndër to më delikate shfaqet mospranimi i personave, që nuk zotërojnë dokumente identiteti, apo i kanë ato të falsifikuara. E drejta ndërkombëtare në lidhje me refugjatët, nuk i penalizon personat që i ikin persekutimit, duke siguruar dokumente të rremë identiteti. Pasi këto dokumente, presupozohet të jenë siguruar për të bërë të mundur ikjen e personit nga rreziku i persekutimit, konfliktit, apo luftës. Kjo vlen edhe për kategorinë e personave, që për arsye të ndryshme nuk i zotërojnë dokumentet e tyre të identitetit. Shkelja e këtyre të drejtave, nuk përbën një zhvillim pozitiv për politikën e këtyre vendeve. Kjo rëndohet edhe më tepër kur këto vendime nuk janë pjesë e një politike të veçantë shtetërore, por e një grupi shtetesh evropiane, siç Konferenca e fundit e Vjenës e demonstroi.
Por, grupimi i Vjenës, grupimi i vendeve të ish-Lindjes komuniste V4, apo edhe minigrupime të tjera, janë shenja të qarta se kokëfortësia për zgjidhje të njëanshme, dypalëshe apo trepalëshe, do të vazhdojë ende të mbisundojë në bllokun evropian. Kjo, pavarësisht faktit se edhe studimi i fundit, që u publikua në lidhje me rënien e Shengenit, konfirmoi një kosto të paimagjinueshme financiare për të gjithë vendet evropiane.
Për momentin, bazuar si në konkluzionet e Samitit të liderëve të BE-së, por edhe në konkluzionet e Këshillit të Ministrave të Brendshëm të BE-së, duket se përqendrimi është ndaj një marrëveshje të sigurt me Turqinë, që po shfaqet si opsioni i vetëm i shpëtimit dhe daljes nga kaosi që ka përfshirë Evropën, si edhe krijimi para muajit korrik i një trupe të sigurt evropiane, që do të kontrollojë dhe monitorojë kufijtë e jashtëm të saj.
Sigurisht, që pyetja që shtrohet është : Kush do të jetë kosto e një marrëveshje të sigurt me Turqinë ?
Nuk kanë ngelur veçse 9 ditë nga organizimi i Samitit të krerëve të BE-së dhe Turqisë në datën 7 mars, në Bruksel. Ndërkohë është bërë e ditur se bisedimet mes palëve kanë vazhduar sistematikisht. Marrëveshja e fundit që u krye me Turqinë, përveç shifrave financiare, tërhoqi vëmendjen edhe për lëshimet që u bënë ndaj Turqisë. Si me vonesën në publikimin e progres raportit të fundvitit, për të mos dëmtuar krahun e Erdogan në zgjedhje, por edhe me ofertat bujare për hapje kapitujsh në negociata, si edhe me premtime për avancim në procesin e liberalizimit të vizave, në rast të plotësimit të kritereve të kërkuara. Po, sigurisht që kjo Marrëveshje nuk po gjente një zbatim në terren, sipas formatit të kërkuar. Flukset nuk kanë reshtur së penetruari në tokën evropiane, dhe sipas raporteve të organizmave, që monitorojnë të drejtat e njeriut, me paratë e Evropës po sponsorizoheshin mbajtja, burgosja, keqtrajtimi dhe kthimi mbrapsht në zonat e konfliktit të refugjatëve.
Por, pavarësisht thirrjeve të organizatave të të drejtave të njeriut se, Unioni po dëmtonte imazhin e tij, si financues i këtyre keqtrajtimeve dhe abuzimeve, duket se reflektimi evropian ka më tepër një nuancë formale. Kjo, pasi edhe pse kritikat ishin të forta, iniciativat për të thelluar marrëveshjen me Turqinë nuk kanë reshtur, si p.sh. iniciativa e ndërmarrë nga Holanda që mban edhe presidencën e radhës së BE-së, për thellim të mëtejshëm të marrëveshjes.
Në këto kushte, në mungesë të plotë të gjetjes së një konsensusi për zgjidhje të përbashkët në nivel evropian, të krizës së refugjatëve, Turqia shfaqet si opsioni i vetëm që mund të ndihmojë realisht BE-në, të dalë nga kjo krizë. Por, nuk përjashtohet opsioni që kërkesat e Turqisë të jenë tepër të larta, si në nivel financiar, në heqje kriteresh që kërkojnë hapje kapitujsh të negociatave, pa përjashtuar edhe një proces të shpejtë të liberalizimit të vizave me Unionin. Të paktën edhe bisedimet e fundit të bëra publike mes BE-së dhe Turqisë, ndonëse palët nuk kanë konfirmuar vërtetësinë e tyre, shfaqin kërcënimin e lartë të Erdogan ndaj bllokut evropian.
Përgjatë marrëveshjes së parë, BE vërtetoi se është e gatshme të lëshojë pe ndaj Turqisë, vetëm që kjo krizë të marrë një formë zgjidhje. Gjasat janë që ta bëjë sërish, pasi opsionet alternative janë të bllokuara. Sigurisht që kjo nuk do të ndihmojë që BE të përmirësojë imazhin e tij. Përkundrazi, besueshmëria e tij do të jetë edhe më e ulët. Si ndaj mënyrës së zgjedhur për daljen nga kriza, por edhe për hipokrizinë, që po institucionalizon ndaj politikave të zgjerimit, tek i shkëmben ato, në zgjidhje të problemeve të veta. Pa përmendur këtu hipokrizinë e një morali, kur propagandon ndaj vendeve kandidate, konsensus të gjerë politik dhe marrëveshje të detyruar mes palëve, ndërkohë që vetë po shndërrohet në simbolin e mungesës së konsensusit dhe arritjes së një marrëveshje të detyruar mes palëve./im.ta/
Shkrime të tjera:
Me turqit betejat nuk janë të lehta
Marrëveshja me Turqinë që po turpëron Evropën
