Konflikti në Ukrainë dhe frika reale për një ndërprerje të furnizimit të gazit rus në Europë, ka kohë që shqetëson BE-në. Deklarata e fundit e Vladimir Putin gjatë pritjes madhështore në Serbi, se “furnizimi me gaz i Europës, përballet me risqe të mëdha tranziti” ka rritur tensionin e elitës europiane përpara takimit në Samitin e Milanos. Edhe pse mbledhja informale prej dy orësh (BE, Britani, Francë, Gjermani, Itali, Rusi dhe Ukrainë), konfirmoi vullnetin në princip të udhëheqësit rus, Putin për mos acarim të mëtejshëm të situatës, skepticizmi i palëve pjesëmarrëse është i lartë. Por, çfarë mund të ndodhë nëse furnizimi me gazin rus ndërpritet pjesërisht, ose tërësisht këtë dimër për Europën? A mund të flasim për një mbijetesë dhe nën çfarë kostosh? Këtyre pyetjeve është përpjekur t’i përgjigjet studimi apo “testi i rezistencës” i Komisionit Europian, ndaj ndërprerjes së furnizimit me gazin rus.
Studimi në fakt ka kohë që është porositur, moment që përkonte edhe me përshkallëzimin gradual të krizës Rusi-Ukrainë. KE kërkonte që të kishte një vizion të qartë mbi situatën në tërësi, të zonave problematike dhe mjeteve dhe mënyrave për ta përballuar këtë krizë. Testi i rezistencës i realizuar në 38 vende të ndryshme evropiane, duke përfshirë edhe vendet fqinjë të BE-së, analizon elasticitetin e sistemit energjetik të BE-së, ndaj një krize potenciale në muajt në vazhdim. Periudha e zgjedhur nga 1-6 muaj përkon me stinën e ftohtë të vjeshtës dhe dimrit nga shtatori deri në muajin shkurt.
Në studim vërehen dy skenarë të mundshëm, që lidhen me bashkëpunimin dhe mos bashkëpunimin mes vendeve të përfshira në analizim. Për sa i përket Ukrainës dhe Moldavisë, në një skenar bashkëpunues, ato do të furnizohen me gaz nga Sllovakia. Ndërsa Ukraina do të furnizohet gjithashtu edhe nga Polonia dhe Hungaria. Ndonëse, skenari bashkëpunues shfaqet optimist, nuk specifikohet qartë se si do të mundin Polonia, Hungaria dhe Sllovakia të furnizojnë këto vende, teksa do të vuajnë vetë ndërprerjet e furnizimit ?!
Ndërsa skenari jo bashkëpunues shfaq elementë pesimistë, teksa shkohet drejt fundit të periudhës 6-mujore, dhe vende si Bullgaria, Rumania, Serbia, Maqedonia dhe Bosnjë-Hercegovina rrezikojnë 40% ose më shumë se 40% mungesë të furnizimit me gaz. Por, edhe këtu, një tjetër element konstatohet, tek shënohet me një shenjë shpjeguese për shënim në fund të faqes, sqarimi i mëtejshëm i togfjalëshit “ në mënyrë domethënëse më shumë”, dhe vërehet se kjo shifër shkon deri në 100%. Të njëjtën përqindje mungese rrezikon edhe Lituania, Estonia dhe Finlanda. Ndërsa Hungaria dhe Polonia rrezikojnë respektivisht deri në 30% dhe 20%.
Studimi arrin në konkluzionin se, një ndërprerje e zgjatur e furnizimit me gaz do të ketë një impakt thelbësor mbi BE-në. Në veçanti vendet e lindjes dhe vendet e Komunitetit të Energjisë. Finlanda, Estonia, Maqedonia, Bosnjë-Hercegovina dhe Serbia do të privohen me 60% të gazit të tyre. Në këtë nivel, edhe banesat mund të rrezikojnë privimin nga ngrohja.
Si mund të tejkalohet kjo situatë dhe cilat janë mënyrat, që mund të çojnë drejt një mbijetese të mundshme?
Elementi thelbësor që mund të bëjë të mundur përballimin e krizës është fryma e bashkëpunimit dhe solidaritetit mes vendeve të ndryshme, përfshirë ato anëtare. Pra, nëse vendet nuk do të jenë të fokusuara në një favorizim dhe përkrahje të politikave kombëtare në fushën energjetike, por do të shfaqin solidaritet dhe bashkëpunim në këtë periudhë krize, duke i lejuar forcave të tregut të arrijnë të funksionojnë sa më gjatë të jetë e mundur, kriza mund të përballohet duke i mundësuar në këtë mënyrë popullatës dhe rrjetit industrial furnizimin me gaz. Sipas këtij skenari, asnjë banesë e BE-së nuk do të vuajë nga mungesa e gazit.
Ndonëse fryma studimore është optimiste, duke u fokusuar në një bashkëpunim mes vendeve anëtare, vështirësitë reale gjithmonë kanë ekspozuar tendencat preferenciale kombëtare. Por, gjithsesi raporti nuk ka shtrirje më të zgjatur kohore, pra është thjesht i fokusuar në një periudhë 6-mujore, që lidhet me stinën dimërore. Kostot, në rast të një zgjatje të kësaj krize, nuk janë të përllogaritura, sidomos për rrjetin industrial, që varet nga furnizimi me gaz.
Raportet kombëtare tregojnë se shtetet anëtare të BE-së dhe vendet fqinje synojnë një gamë të gjerë masash me synim reduktimin e impaktit të një shkëputje të furnizimit me gaz, nga diversifikimi i burimit të furnizimit në përdorimin e rezervave dhe të stoqeve strategjike, duke kaluar nga reduktimi i kërkesës dhe ndryshimit të karburantit aty ku është e mundur.
Studimi analitik jep gjithashtu rekomandime konkrete afatshkurtra për shtetet anëtare dhe vendet fqinje më të prekura ndaj këtij furnizimi. Në mënyrë më specifike rekomandimet fokusohen tek : vëmendje ndaj tregut, duke shmangur masat mbrojtëse shtetërore; rritja e koordinimit energjetik mes vendeve dhe maksimizimi i kapacitetit ndërlidhës si edhe heqja e masave shtrënguese të tregtisë energjetike ndërkufitare; ndarja e përgjegjësisë mes autoriteteve publike dhe industrisë; imponim i ndryshimeve afatshkurtra të sjelljes për të përforcuar efikasitetin energjetik dhe për të bërë të mundur uljen e kërkesës, etj.
Ndonëse studimi shfaq shenja optimizmi, nëpërmjet një skenari bashkëpunues, ndërmjet vendeve të përfshira në të, duket se publikimi i tij, që në rrethana të tjera mund të kishte një karakter strategjik dhe të klasifikuar, duket sikur mbart elementë të qartë “sfide” përballë një krize të mundshme dhe reale të ndërprerjes së furnizimit me gazin rus. Logjika se, “ne mund t’ia dalim” me dy eksperienca ndërprerje të furnizimit me gaz tashmë të hidhura të vitit 2006 dhe 2009, dhe me një problematikë shfaqjesh preferencash të vazhdueshme kombëtare, e zbeh optimizmin inkurajues të BE-së. Historiku i përplasjeve dhe konflikteve e njeh rëndësinë strategjike të logjikës së blofit. Krijimi i pasigurisë tek kundërshtari, është pikërisht elementi që nevojitet. Por, a mund të anojë peshorja logjike drejt opsionit të krijimit të blofit për përballim të mundshëm të situatës në rast krize apo emergjence? Sigurisht që po, siç edhe mund të anojë drejt një logjike se BE mund t’ia dalë, thjesht, me një bashkëpunim dhe frymë të lartë solidariteti mes vendeve anëtare./im.ta/
