Fronti Nacional francez është vënë së fundmi nën akuzë. Parlamenti Evropian ka denoncuar FN, në Zyrën Evropiane të Luftës Anti-Mashtrim, OLAF, për parregullsi të rënda financiare. Në thelb, FN akuzohet se ka përdorur fondet e buxhetit evropian, për një axhendë të pastër kombëtare. 20 asistentët e eurodeputetëve të FN-së, aludohet se nuk punojnë mbi axhendën parlamentare të deputetëve evropianë, por mbi atë partiake. Por, përtej abuzimeve financiare ç’kërcënim paraqesin politikat ekstremiste ndaj vlerave të Unionit dhe përse flitet për standarde të dyfishta përballë vendeve kandidate?
Akuza
Në komunikatën për shtyp, PE specifikonte parregullsitë ligjore financiare në lidhje me denoncimin ndaj FN-së.
Sipas komunikatës, administrata e PE-së në fund të muajit shkurt, ishte njohur me organigramën e partisë Fronti Nacional, nga ku kishte konstatuar prezencën e 20 asistentëve të PE-së, në poste zyrtare kombëtare, ndërkohë që ato duhet të punonin direkt për ushtrimin e mandatit parlamentar të deputetëve evropianë.
Parregullsitë financiare, që binin ndesh me kuadrin ligjor, fokusoheshin në 3 hapësira: ndalimi i përdorimit të fondeve të buxhetit evropian për aktivitete private; përplasje e funksioneve aktuale të asistentëve, me funksionet për të cilat ato janë punësuar dhe fakti se, ndonëse disa asistentë kanë lidhur kontratën e punës me deputetin, ato nuk punojnë aspak për të.
Kohë zgjedhjesh
Por, në prag zgjedhjesh lokale (departementeve), Fronti Nacional po rritet ndjeshëm në sondazhe. Sondazhi i fundit Ifop i Figaros, e nxjerr FN fituese me 30% të votave, ndërsa UMP dhe qendrën e djathtë UDI mbrapa saj, me 29% të votave. Socialistët e Holond, renditen pas tyre me vetëm 19% të votave.
Nën këtë panoramë optimiste, vjen dhe kundërpërgjigja e FN-së ndaj akuzave të ngritura nga Parlamenti Evropian. Nga njëra anë, FN akuzon kreun e PE-së, Martin Schulz, se ka bashkëpunuar me kryeministrin francez Manuel Valls, për të ngritur këtë akuzë në prag të fushatës zgjedhore dhe nga ana tjetër i është kundërpërgjigjur atij me të njëjtën akuzë, për thyerje të rregullave të Parlamentit, në punësimin e asistentëve të tij.
Por, akuzat ndaj FN-së nuk janë rishtazi, pasi edhe gjatë legjislaturës së kaluar kreu i saj Marine Le Pen, akuzohej se kishte punësuar të dashurin e saj, si asistent parlamentar. Ndonëse në princip e ndaluar, Le Pen ishte justifikuar se, marrëdhënia e tyre nuk ishte zyrtare. Këtë legjislaturë, i përfoluri në fjalë është tashmë përfaqësues i FN-së, në PE.
Denoncimi i FN-së, në OLAF dhe hetimi mbi çështjen do të pasohet me një raport rekomandues mbi veprimin, që duhet ndërmarrë ose nga autoritetet e Unionit, ose nga autoritetet kombëtare. Katër platforma ndëshkimore parashtrohen: Financiare, në të cilën OLAF, rekomandon se fondet e keqpërdoruara duhet të rikuperohen; Juridike, ku në rast se ka prova mbi akte të mundshme kriminale, OLAF i dërgon raportin autoriteteve përkatëse kombëtare duke rekomanduar procedim penal; Masa disiplinore, ku shkohet drejt një paneli disiplinor, në të cilën KE operon me zero-tolerancë; Masa administrative, ku OLAF kërkon ndryshim të procedurave që janë të dyshimta për mashtrim.
Standarde të dyfishta
Por, përtej abuzimeve financiare vëmendja shkon në një tjetër element të rëndësishëm.
Rritja e partive populiste dhe rrezikshmëria e axhendave të tyre politike, detyrimisht që ekspozohet në kërcënim të drejtpërdrejtë me vlerat kryesore të Unionit, si respekti i dinjitetit njerëzor, liria, demokracia, barazia, shteti i së drejtës, respektimi i të drejtave të njeriut, duke përfshirë edhe ruajtjen e të drejtave të minoriteteve.
Përballja me to sigurisht që fillimisht është një sfidë kombëtare. Nga ana tjetër, siç konstatohet rëndom, axhenda e integrimit të vendeve kandidate në BE, kalon pikërisht nga imponimi i kritereve të mësipërme.
Por, teksa ofrohen si kritere, që duhen plotësuar për të arritur standardin e komunitetit, edhe duhet të mbrohen në nivel evropian. Ndryshe, i kthehemi sërish logjikës së aplikimit të standardeve të dyfishta përballë politikave të zgjerimit. Dhe shembujt nuk janë të pakët.
Është e vështirë të flitet për sundim të ligjit, për respektim të demokracisë dhe ruajtjes së minoriteteve, teksa përndjekja ndaj romëve nën politikat ekstremiste, të disa prej vendeve anëtare të BE-së, si Hungari, Bullgari apo Rumani ngelet ende një problem i mprehtë dhe i rëndësishëm. Këtu nuk po përmendim aspak përzëniet sporadike të romëve në Francën e Sarkozi (2012).
Nuk është dhe aq e logjikshme të konsiderohet se të drejtat e njeriut dhe liritë respektohen, teksa propaganda e fuqishme e partive ekstremiste, kundër imigracionit është tashmë një realitet, që përkthehet në politika konkrete. Ky mosrespektim ekspozohet, fatkeqësisht, edhe ndaj qeverisjeve të skemës klasike, pa prekur segmentet ekstremiste. Për të mos u shkëputur nga Franca, raporti i fundit hetues i Human Rights Watch (20 Janar 2015), evidenton një dhunë të rëndë policore të pajustifikueshme ndaj azil-kërkuesve në Calais. Dhunë dhe keqtrajtime, që nuk ekspozohen aspak në respektim të vlerave themelore dhe ruajtjes së të drejtave të njeriut, por përkundrazi në dhunim të plotë të tyre. Pa përmendur këtu vende të tjera në periferi si Greqia, prej dekadash problematike në këtë fushë, apo Spanja me cenim të vazhdueshëm e në rritje të të drejtave dhe lirive të njeriut.
Kriteret, që imponohen për respektim ndaj vendeve kandidate janë tërësisht të logjikshme dhe të domosdoshme. Ato i shërbejnë fillimisht vetë vendeve, për një përqasje më të drejtë dhe të ekuilibruar ndaj raportit shtet-institucion-qytetar. Por, po aq e rëndësishme është që këto kritere të ngritura si objektiva, që duhen plotësuar, të ekspozohen si vlera në ruajtje të vazhdueshme të vetë Unionit dhe vendeve anëtare të tij. Ndryshe, detyrimisht krijohen hapësira për interpretime ndaj aplikimeve të standardeve të dyfishta, përballë vendeve kandidate. Politikat e zgjerimit kanë njohur jo pak, dhe Ballkani Perëndimor është bërë gjithashtu pjesë e tyre./im.ta/
