Diplomacia greke është treguar mjaft efikase në realizimin e objektivave kombëtarë, ndaj fqinjëve. Ky efikasitet, ka çuar jo vetëm në paralizimin e perspektivës evropiane të këtyre vendeve, por edhe në bllokimin e politikave të zgjerimit në BE. Fuqia e vetos greke, ka arritur jo vetëm të krijojë instrumente të rëndësishëm për frenimin e zgjerimit, por ka arritur t’i imponohet Brukselit edhe për shpërfillje të bazës ligjore, që vjen nga juridiksionet ndërkombëtare. Por, a do të shkojë diplomacia e Athinës, drejt zgjedhjes së kartës bllokuese për integrimin e Shqipërisë në BE ?
E konsideruar si djep i civilizimit, por edhe me tipologjinë tashmë të konfirmuar të një “fëmije të përkëdhelur” nga Unioni, Greqia ka imponuar me sukses axhendën e saj kombëtare përballë fqinjëve.
Zgjerimi i BE-së, në vitin 2004 ndaj vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, u kërcënua seriozisht nga qeveria e Athinës, se do t’i vihej veto, në rast se Qipro greke nuk anëtarësohet në BE. Ndonëse synohej që përpara anëtarësimit, të arrihej objektivi i një bashkimi mes dy pjesëve të ishullit, nën planin e ish Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Kofi Anan, Qipro greke arriti nën presionin e qeverisë së Athinës të anëtarësohej në BE, duke shpërfillur planin. Por, kërcënimi i Athinës për veto, jo vetëm që frenoi Unionin duke i hapur rrugën diplomacisë greke, por krijoi edhe një mekanizëm të fuqishëm bllokimi, pasi Qipro greke po përdorej tashmë si instrument për bllokimin e vazhdueshëm të perspektivës evropiane të Turqisë. Pas bllokimit të vazhdueshëm që Qipro greke i bën rrugës evropiane të Turqisë, është edhe mbështetja e Athinës zyrtare.
Diplomacia greke është shfaqur gjithashtu shumë e suksesshme përballë bllokimit 10-vjeçar të Maqedonisë. Axhenda e saj ndaj Maqedonisë është imponuar me sukses në Bruksel, duke u futur gradualisht si një instrument detyrues, nën kriterin e “fqinjësisë së mirë”. Suksesi i saj, shtrihet jo vetëm ndaj shndërrimit të këtij interesi kombëtar në një instrument bllokues në BE, që figuron thuajse në çdo konkluzion fundviti nga Këshilli, por ka arritur që t’i imponohet Brukselit në shpërfillje të legjislacionit, që krijon fryma e vendimeve të juridiksionit ndërkombëtar. Vendimi i Gjykatës së Hagës në favor të Maqedonisë, jo vetëm që nuk është konsideruar aspak nga Unioni, si një frymëzim juridik për zhbllokimin e situatës, por përkundrazi është injoruar tërësisht.
Por, a po shkon diplomacia e Athinës drejt bllokimit të integrimit evropian të Shqipërisë ?
Hapësira për bllokim e integrimit evropian është krijuar përgjatë zgjerimeve të fundit (2004). Ishin dy elementë të rinj, që solli procesi i zgjerimit: ndihma financiare me kushtëzim të përforcuar dhe verifikimi i implementimit, apo i zbatimit të kuadrit ligjor të BE-së. Pra, nëse përgjatë zgjerimeve të mëparshme, kushti i caktuar ishte thjesht zbatimi i kuadrit ligjor të BE-së, duke theksuar detyrimin që ka vendi kandidat për aplikimin e tij dhe në rast mos zbatimi, institucioni ankimues ishte gjykata, tashmë rregullat e lojës ndryshuan.
Kriteri shtesë, u vendos të jetë verifikimi i këtij implementimi.
Pra, nëse një shtet apo disa shtete, pretendojnë se një pjesë e kuadrit ligjor të BE-së, (si p.sh, kriteri i fqinjësisë së mirë, apo i marrëdhënieve dypalëshe) nuk është aplikuar sipas standardeve të kërkuara, ato shkaktojnë bllokim të kandidaturave për periudha të pacaktuara kohore.
Historiku i zgjerimit, tashmë ka konfirmuar se interesat kombëtare të Greqisë, do t’i drejtohen sërish Unionit për zgjidhje dhe imponim, në pozicionin e më të fuqishmit. Kjo eksperiencë zgjerimi ka konfirmuar gjithashtu se, vullneti i shteteve anëtare, ka qenë dhe vazhdon të jetë pro interesave të Athinës. Bllokimi i Maqedonisë është aktual dhe iniciativat për zhbllokim në nivel evropian janë të zbehta. Nga ana tjetër, aktorë të ndryshëm politikë të Athinës, e kanë bërë të qartë se kriteri i “fqinjësisë së mirë” do të aplikohet edhe me Shqipërinë, duke kërkuar zgjidhje për çdo çështje, që pala greke do të parashtrojë.
Greqia e ka shfrytëzuar dhe po e shfrytëzon maksimalisht këtë mekanizëm. Ka përdorur fuqinë e saj ndaj bllokimit të zgjerimit të BE-së në 2004, ndaj zgjerimit turk, si edhe maqedonas. Ajo nuk po respekton detyrimet, që rrjedhin nga marrëveshjet dypalëshe me Maqedoninë për mos bllokim të aspiratave integruese në organizma të ndryshëm rajonalë dhe ndërkombëtarë. Ky mos respektim është kryer edhe ndaj vendimeve të instancave juridike ndërkombëtare. Në krah të saj, është pozicionuar edhe BE. Për sa kohë, vullneti i Unionit nuk do të shkojë drejt zgjidhjes së këtij mekanizmi bllokues, fuqia e diplomacisë greke do të përdoret edhe ndaj Shqipërisë. Çdo moment apo fazë e procesit integrues është e ekspozuar përballë këtij bllokimi dhe presionet ndaj palës shqiptare janë shtuar. Pyetja se, nga mund të anojë diplomacia e vendeve të Unionit, përballë një përplasje të pashmangshme Tiranë-Athinë, ndoshta është e një niveli retorik./im.ta/
Shkrime te tjera: